Në këtë Kongres merrnin pjesë shqiptarë të të gjitha komuniteteve fetare si, myslimanë, katolike, ortodoksë, protestantë, njerëz të ditur, të bashkuar për një qëllim të madh kombëtar.
Në Manastir sot shënohet 103 vjetori i Kongresit të Alfabetit, me këtë rast një nga eventet më mbresëlënëse për këtë ditë ishte Marshi drejt Manastirit, gjatë së cilit grupime të rinjsh shqiptar nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe trevat e tjera shqipfolëse marshuan sëbashku nga Shkupi, Tetova, Prishtina, Tirana drejt Manastirit.
"Së paku këtë ditë t'i nderojmë dhe t'i gëzojmë ata shqiptar që çdo ditë jetojnë në Manastir me shpresën se një ditë ky popull do të zgjohet dhe do t'i përmirësoj gabimet që ka bërë dhe po bën për çdo ditë. Para shqiptarëve të Manastirit të gjithë duhet të ndjehemi të turpëruar, se është faji ynë dhe politikanëve shqiptarë, që i kemi lënë në mëshirën e politikës shfarosëse" shprehen organizatorët e marshimit.
Më 14 nëntor 1908 në Manastir u mblodh Kongresi i Manastirit ose Kongresi i Alfabetit, me qëllim krijimin e një alfabeti të njësuar që do të ishte edhe fillimi i letërsisë mbarë shqiptare. Në këtë kongres ishin të pranishëm 150 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit. Mithat Frashëri ishte në atë kohë redaktor i dy revistave që botoheshin në Selanik: Liria dhe Dituria. Sekretare e komisionit u zgjodh Parashqevi Qiriazi, mësuese e shkollës së Vashave në Korçë. Nënkryetar u zgjodh Grigori Cilka, nga Korça si dhe 11 antarë të tjerë.
Në këtë Kongres merrnin pjesë shqiptarë të të gjitha komuniteteve fetare si, myslimanë, katolike, ortodoksë, protestantë, njerëz të ditur, të bashkuar për një qëllim të madh kombëtar.
Kumtesa e mbajtur nga at Gjergj Fishta, nga Shkodra, preku të gjithë pjesëmarrësit ...sa një hoxhë rendi ta përqafonte para të gjithëve. Kërkesa e kombëtaristëve shqiptarë ishte që gjuha shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin.
Kongresi vendosi me votë unanime për të lenë mënjanë alfabetin e Stambollit, dhe të shkruanin gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja, alfabet që përdoret në ditët tona.
Gjithashtu, u vendos që pas dy vjetësh të mbahej një Kongres i dytë, në Janinë, për të shqyrtuar problemet drejtëshkrimore e letrare, si dhe për të bërë përpjekje për shkrirjen e dialekteve gegë dhe toskë në një gjuhë të njësuar shqipe.
Kongresi vendosi ngritjen e Shtypshkronjës Shqipe në Manastir nën drejtimin e Gjergj Qiriazit, e cila u bë shpejt e njohur anembanë vendit si shpërndarëse e librave dhe gazetave shqipe.
Një pjesëmarrës i shquar në Kongresin e Alfabetit ishte studiuesi, poeti dhe atdhetari nga Shkodra, Ndre Mjeda. Tetë nga trembëdhjetë propozimet e tij u miratuan nga Kongresi i Manastirit. Ndonëse jetoi në disa vende të huaja dhe fliste 13 gjuhë, mbi gjuhën shqipe ai nuk vinte gjë tjetër.