Një libër i francezes Diane Dukret tregon ngjarjet pothuajse gjithmonë tragjike të grave, të dashurave dhe shoqeve të diktatorëve të shekullit XIX
Ku kanë përfunduar heroinat romantike nga Klareta Petaçi tek Eva Braun, Krupskaja, Balabanov, femrat pasionante që humbisnin veten përkrah diktatorëve të mëdhenj të shekullit XIX, siç ishte Duçja, Hitleri, babai i vogël, timonieri i madh, perandori, e shumë të tjerë që dominonin mbi vajzat e reja të dashuruara. Të gjithë ata që do ta lexojnë librin e Diane Ducret, një bestseller francez, do të kujtojnë vazhdimisht Berluskonin, liderin demokratik që është sjellë aq keq, saqë ngjan me Maon e vjetër. Këtij të fundit i pëlqenin vetëm balerinat e vogla dhe çdo natë organizonte festa në sallën e madhe të popullit me qindra të ftuar deri sa disa vajzave u komunikohej që ishin përzgjedhur.
I fiksuar nga impotenca, Mao u nënshtrohej çdo ditë injeksioneve për të rritur fuqinë seksuale. Po ashtu edhe Bokasa mendonte se femrat nuk mund ti rezistonin, ndaj e provoi me Brizhit Bardot dhe më pas me Marie Laforet. Për të preferuarat e tij ndërtoi dy pallate, afër vilës së tij dhe i paguante vajzat së bashku me mamatë e tyre, që e quanin baba. Ndërsa fjalët e Bokasas ishin: Më duan të gjitha.
Ndoshta diktatorët nuk kanë ndryshuar, por është e kotë të kërkosh protagonistet e atëhershme, te shoqet e tiranëve të sotëm. Me siguri gratë e diktatorëve të sotëm nuk janë ato femra të përshkruara në këtë libër të këndshëm. Në fakt Femmes de dictateur është përmbledhja e biografive të muzave të tiranëve të shekullit XIX. Libri tregon për pushtetin e gruas mbi atë të burrit, duke u nisur që nga thënia e Hitlerit: E rëndësishme është ti bësh për vete gratë, pastaj të tjerat vijnë më vonë.
Për shembull Veronika Berluskoni nuk ngjan aspak me Rakelën, e cila nuk e braktisi kurrë Musolinin, madje i toleroi të gjitha dashnoret dhe zoçkat sepse gruaja është si turma, është bërë për tu shtypur. Mesa duket Veronika nuk ngjan me asnjërën nga këto gra që kanë bërë historinë. Ajo është me të vërtetë unike në botë, gruaja që tregoi dhe denoncoi poshtërsitë e të shoqit, vuri gjithçka dinte në sytë e atyre që nuk donin të shikonin. U ngrit kundër mashkullit që nderon në publik dashurinë për gruan e tij dhe praktikon fshehtas vesin e pistë të pornografisë.
Natyrisht që ky është një gjest kundër trishtimit dhe dhunës që i pëlqente Nadja Stalinit, e cila i provoi të gjitha mënyrat për tiu kundërvënë Josifit: sa keq që nuk pati një gazetë të cilës ti drejtohej! E gjendur në këtë situatë, Nadja iu afrua të mallkuarve të tjerë të regjimit, pastaj u bë një grua besimtare dhe shumë e devotshme në vendin e ateizmit. Madje, pasi u largua nga Kremlini, nuk pranonte që të ishte gruaja e Stalinit. Gjeti edhe një punë të papërcaktuar. Gjendja e saj shpirtërore nuk ishte e mirë. Herë ikte e herë kthehej në shtëpi... Pas tradhtisë së fundit të të shoqit, e qëlloi veten në zemër. Kishte veshur rrobat e saj më të mira.
Gjithashtu në këtë libër do të lexoni, përveç grave dhe dashnoreve të tiranëve, edhe letrat e admirueseve të Musolinit, Leninit, Stalinit, Salazarit, Bokasas, Maos, Çausheskut dhe Hitlerit. Ato vajza nuk janë si këto të sotmet, kundër të cilave kanë shpërthyer revoltat e pranverës arabe. Në libër është pasqyruar modeli i amazonës femërore, siç është Margarita Sarfati, biondja sensuale me sy smerald që i mësoi gjithçka Benito Musolinit, të lahej dhe të lexonte, të vishej dhe të marshonte, por që në vitin 1938 u zhvesh nga çdo cilësi e mirë dhe u dëbua nga Italia, sepse ishte hebrenje.
Në libër mungon modeli i gruas së sotme zhvatëse, si zonja Ben Ali për shembull, shumë e famshme, pak e bëshme dhe me faqet e kuqe, që ia mbathi nga Dubai me një ton e gjysmë kallëpe ari në valixhe dhe 45 milionë euro; dhe zonja Arafat, që ndiqet nga një mandat ndërkombëtar arresti dhe dyshohet për zhdukjen e kursimeve të Organizatës për Çlirimin e Palestinës. Në libër mund të lexoni për Inesan, dashnoren revolucionare të Leninit, e cila u pranua nga bashkëshortja e tij Nadezhda Krupskaya (një lidhje treshe). Inesa mund të kishte jetuar me socializmin, por jo pa dashurinë. Unë nuk kam aspak besim te siguria dhe këmbëngulja e grave, libri personal i të cilave mund të lërë gjurmë në politikë, thoshte Lenini. Inesa u vetëvra në Kremlin më 4 shtator të vitit 1920 dhe vdiq pas një nate agonie. Lenini e ndoqi arkivolin në këmbë për tre kilometra: Dukej sikur ishte zvogëluar, mjekra i mbulonte fytyrën... ecte me sytë e mbyllur dhe dukej sikur do të rrëzohej pas çdo hapi që hidhte.
Një zonjë tjetër që do ta gjeni në libër është Klareta: Kush dashuron, vdes. Unë ndjek fatin tim, që është i tiji. Po kështu edhe Eva Brauni, e cila thoshte: Kur më shikonte ndieja bulëza djerse që më rrëshqisnin mes gjinjve. Nuk mungon edhe Magda Goebels, që vrau veten në një bunker, duke ngulur një raketë në zemër. E dua edhe burrin tim, por dashuria për Hitlerin është më e fortë, thoshte. Në libër nuk kishte se si të mungonte edhe Elene Çaushesku, gruaja e gjenocidit, e cila shtrëngonte fort duart me të shoqin, pak para se të ekzekutohej. Shkofshi të gjithë në djall, bërtiti Elena para togës së ekzekutimit.
Një panterë e bardhë ishte edhe bukuroshja Kethrinë Bokasa, që për të shpëtuar të shoqin i paraqiti një dokument të lëshuar nga një doktor, i cili e urdhëronte të qëndronte larg marrëdhënieve seksuale. Jo më pak e bukur se perandoresha Kethrinë është lolita zezake Nothundo, një 17-vjeçare me flokë të gjatë e të lyer, gruaja e dymbëdhjetë e diktatorit të Svazilandit, mbretit Mswati (babai i Mswati-t u martua 70 herë), që u kap në shtrat me ministrin e Drejtësisë. Ai përfundoi në burg, ndërsa ajo mbeti në fron. Të gjitha këto gra të bukura janë sëmurur nga zemërimi dhe shumë rrallë kanë arritur të triumfojnë, të kenë zgjuarsinë e femrave që joshen, por nuk blihen kollaj. Silvio Berluskoni e ka blerë me flori heshtjen e të gjitha vajzave, ndërkohë që heroinave të shekullit XIX u ofrohej vetëm pak dashuri.