Janë të pakta ato figura historike që mund të krahasohen me famën e Leonardo da Vinçit.

Janë të pakta ato figura historike që mund të krahasohen me famën e Leonardo da Vinçit. Kjo është shumë e vërtetë dhe ndodh pavarësisht faktit se për këtë njeri, gjeni të Rilindjes, dimë vërtet shumë pak dhe ato që dimë janë gjysmë të vërteta të pakonfirmuara. Ajo çfarë ka mbetur nga Da Vinçi janë vetëm disa vepra të tij gjysmë misterioze, disa shkrime dhe veprat e artit, si dhe vetëm një grusht faktesh e anekdotash të rrëfyera nga historiani i artit i shekullit të 16 Giorgio Vasari. Dhe thuajse 500 vjet pas vdekjes së tij, Da Vinçi vazhdon që të mrekullojë të gjithë ata që janë admirues të artit në përgjithësi dhe admirues të artit të tij në veçanti. Ai në kulturën popullore është shndërruar në një lloj totemi të individit me dhunti të mbinatyrshme. Javës që shkoi në Londër u çel një ekspozitë, e cila përmbante nëntë nga 15 pikturat e mbijetuara të Da Vinçit. Është hera e parë që një numër kaq i madh prej pikturave të tij është shfaqur në një ekspozitë të vetme. Vlera totale e këtyre pikturave të jashtëzakonshme është 2 miliardë dollarë.
Ka nga ata kritikë dhe historianë të artit që i fusin të gjithë kolosët e artit dhe letërsisë botërore në shekuj në një vend të veçantë, atë të gjenive dhe mendjeve të mëdha të njerëzimit. Të tillë janë Dante, Shekspiri, Gëte dhe Ainshtajni, por po sipas këtyre historianëve Leonardo bën pjesë në një ligë të vetën, personale. Njeriu i madh dhe i ndritur i Rilindjes Europiane dhe madje njerëzore ishte një njeri brilant në shumë fusha, përveçse atë të artit. Për aftësitë e tij të jashtëzakonshme në një zhanër shumë të madh krijimtarish, Da Vinçi konsiderohet me të drejtë një gjeni i një lloji shumë të rrallë, për të mos thënë unik. Ai punonte dhe studionte gjithçka që përbënte një mister, që i zgjonte një interes e që i dukej ndoshta edhe i pamundur. Ai studionte botën natyrore dhe e konsideronte veten si një arkitekt-filozof dhe piktor njëherazi. Da Vinçi lindi në vitin 1452 dhe ishte djali i paligjshëm i një pronari toke dhe noteri që kishte prona të mëdha. Ai u mor që të punonte në dyqanin e një piktori fiorentinas, mjeshtrit Andrea del Verrocchio. Në atë moment ishte thjesht një adoleshent. Në vitin 1482 ai hyri në shërbim të Dukës së Milanos si një piktor zyrtar dhe inxhinier dhe qëndroi aty për 17 vjet rresht, kohë gjatë të cilës ai krijoi kryevepra të tilla si version i parë i Virgjëreshës së shkëmbinjve dhe Darka e fundit. Pikërisht gjatë kësaj periudhe ai u interesua dhe hulumtoi shumë edhe në kërkimet shkencore. Në mesin e të 30-tave të tij ai nisi që të ndryshonte dhe në fund të jetës së tij ai do ta konsideronte veten e tij si një shkencëtar që herë pas here ishte marrë edhe me art dhe me pikturë.
Vizatimet mekanike të Da Vinçit përfshinin prototipat e modeleve të helikopterëve dhe të tankeve. Ndërkohë kryeveprën e tij madhështore dhe misterioze Mona Liza, Da Vinçi e krijoi gjatë periudhës së dytë të qëndrimit në Firence, asaj mes viteve 1500-1506. Edhe pse ne jemi mësuar shumë me pamjen e kësaj krijese të mrekullueshme të hedhur në telajo, sepse është një pamje që e hasim shumë shpesh, mund të thuhet se ajo është me të vërtetë një pikturë shumë origjinale dhe e veçantë. Sipas mendimit unanim të shumë historianëve të artit nuk ka asnjë pikturë që të krahasohet me të. Asnjë portret nuk shpreh atë që shprehin sytë e saj, prania e saj misterioze dhe e ëmbël njëkohësisht. Është një vështrim shumë intensiv, që në fakt e nxjerr gruan në portret jashtë kontekstit të kohës në të cilën ajo i përket, duke e shndërruar në një mit, në një figurë të idealizuar që shndërrohet në një figurë universale dhe të pakohë. Da Vinçi i kaloi vitet e fundit të jetës së tij në Francë duke pikturuar, duke u marrë me arkitekturë, si dhe inxhinieri për Mbretin e Francës. Ai vdiq pikërisht aty në oborrin e Mbretit të Francës në vitin 1519. Mona Lisa, të cilën ai e solli me vete në Francë, qëndroi aty. Sot portreti më i famshëm në botë me atë buzëqeshjen enigmatike ndodhet sërish në Francë në Muzeun e Luvrit në Paris. Aureola e misterit që rrethon këtë portret i ka mrekulluar njerëzit prej shekujsh dhe i ka bërë që ta quajnë atë kulti i Leonardos. Leonardo ishte një njeri që nuk arriti ta shpjegonte vetveten tërësisht dhe gjatë gjithë jetës vazhdonte që të krijonte, të gërmonte, të ngrinte pikëpyetje dhe të ishte gjithmonë shumë kurioz deri në momentin e fundit. Ndoshta çelësat asaj çka ishte Da Vinçi duhen kërkuar dhe mund të gjenden në pikturat e tij, në shkrimet dhe vizatimet arkitekturore.
Gjithsesi ajo që mbizotëron edhe tani 500 vjet pas vdekjes së tij është ideja se Leonardo ishte jo vetëm një gjeni, por madje edhe një qenie mbinatyrore.