Tenori me famë botërore ka pikëpamje të forta në lidhje me seksin, muzikën moderne pop, si dhe ish-kryeministrin italian, Berluskoni.
Kam respekt të madh për seksin, thotë Andrea Boçeli, një nga këngëtarët më të mëdhenj lirikë në botë. Është një deklaratë që e ka bërë në fillim të një interviste për një media britanike dhe që për hir të së vërtetës, e ka bërë të skuqet gazetarin deri te veshët. Ndoshta kjo ndodh sepse ai vjen nga një vend seksdashës si Italia, që i përket i vetëm pellgut të nxehtë të Mesdheut, por edhe një vendi me tradita të vjetra dhe të reja në këtë fushë. E si mund të mos ketë respekt për seksin ky italian që është i dyti më i famshëm në botë pas ish-kryeministrit plot bëma, Berluskoni.
Zëri i Andreas ka një fuqi të tillë që i bën edhe gratë, sikundër edhe Berluskoni, që të zhvishen para tij me adhurim. Boçeli është i parezistueshëm në operat që interpreton, si dhe në suksesin e fundit njujorkez me La Boheme. Por tenori, ndryshe nga të tjerët, është edhe këngëtar i këngëve të zakonshme dhe kjo, sipas disa kritikëve, nuk është aspak serioze. Megjithatë, Boçeli e di fare mirë se çfarë bën dhe është i kënaqur me karrierën e tij. Me këngët e tij, ai ka arritur që të bëhet popullor dhe të tërheqë më shumë admiruesit edhe në sallën e operës. Albumet e tij janë ndër më të shiturit në të gjithë historinë e diskografisë, me mbi 70 milionë kopje. Ai ka bërë edhe shumë bashkëpunime të suksesshme me këngëtarë të tjerë të shquar.
Tashmë, në moshën 53-vjeçare, me një barrë përvojë jetësore dhe karriere mbi kurriz, një njeri i famshëm, i pasur dhe i adhuruar në mbarë botën, Andrea deklaron befas se ka respekt të madh për seksin. Fillimisht gazetari habitet nga përgjigjja e tenorit, duke kujtuar se e kishte keqkuptuar në pyetjen që i kishte bërë, duke qenë se anglishtja e tij e dobët nuk e lejonte të kuptonte. Por jo. Deklarata e Boçelit vazhdon me një tjetër të së njëjtës natyrë: Unë jam një njeri shumë pasionant dhe për këtë arsye, nuk dua që seksi të bëhet një instrument i muzikës. Gazetari vazhdon të mos e kuptojë deklaratën, por Boçeli vazhdon. Me këtë, dua të them se ato këngëtare pop-i si Lady Gaga, apo Rihana, të cilat e vënë seksin dhe dukjen e tij para zërit në këngët e tyre, për mua janë të dështuara dhe thjesht ca komercialiste, të cilat nuk do ta kenë jetën e gjatë, vazhdon Andrea.
Në fakt, ai është një xhentëllmen i vërtetë italian, e megjithatë, në këtë rast, bën një përjashtim në këtë xhentilesë, duke i quajtur këngëtaret e sipërpërmendura: kurvat e Babilonit. Andrea është një katolik i betuar dhe shumë i zellshëm dhe thotë se feja për të zë vendin e parë në jetë. Mendoj se askush nuk mund të bëjë asgjë pa ndihmën e Zotit. Andrea është shumë pro jetës dhe për këtë, një vit më parë regjistroi një video në të cilën dënonte edhe abortin. Është një video me të vërtetë e bukur, që u bëri shumë punë mbështetësve të fushatës kundër abortit. Këtë ndjeshmëri të madhe dhe falënderim të vazhdueshëm që ka për Zotin dhe jetën, e ka dhe për shkak të problemit që ka me të parët. Ai ka lindur me probleme në sy dhe në moshë të re u diagnostikua me glaukomë të formës së rëndë. Në moshën 12-vjeçare, ai u verbua komplet në vijim të një incidenti në një ndeshje futbolli.
Por e gjithë kjo histori fatkeqe nuk e zmbrapsi fare. Andrea refuzon gjithmonë që të flasë për verbërinë, duke mos dashur kurrsesi që të identifikohet me të, por vetëm me zërin e tij. Kur e pyesin për problemin e syve, ai përgjigjet gjithnjë: le të vazhdojmë me pyetjen tjetër. Unë jam në favor të diçkaje, jo kundër diçkaje. Të krishterët nuk e kanë zakon që të jenë kundër, por pro gjërave në të cilat besojnë. Marrin anën pozitive dhe mbështetëse. Por nga ana tjetër nuk jemi kundër dhe nuk i gjykojmë edhe ata që gjykojnë në një mënyrë të ndryshme nga e jona. Unë dua vetëm të tregoj se cili është modeli im, të cilin e mbështes shumë. Ai është i qetë dhe i bindur në tonin e zërit. Boçeli ka dy djem adoleshentë me ish-gruan e tij dhe ata janë me të në Nju Jork.
Ndërkohë që si katolik e di shumë mirë që divorci nuk lejohet, ai gjithsesi e ka bërë një gjë të tillë, madje ka bërë dhe diçka tjetër, atë të ngjizjes së një fëmije me menaxheren dhe të dashurën e tij të re, Veronica Berti. Jam një njeri shumë dembel, ndaj për mua ëndrra është që të qëndroj në një karrige në shtëpinë time dhe të jetoj i qetë me familjen time. Dhe jeta e tij është pak a shumë e tillë. Sapo mbaron në botë angazhimet që ka, niset me avionin privat që atë natë në shtëpinë, mes vreshtave dhe gjelbërimit.
Italia është vendi i tij, të cilin e do dhe larg të cilit nuk jeton dot gjatë. Por një nga dhimbjet e kohëve të fundit ka qenë imazhi që i uli Italisë pikërisht Kryeministri i tij, me sjelljet e padenja dhe veprimet e turpshme. E kam takuar Berluskonin disa herë. Ai është një njeri inteligjent, por ka vepruar gabim për vendin. Po ai, a do të donte që të ishte kryeministër? Andrea buzëqesh dhe thotë se preferon që të punojë për vendin e tij, i lirë dhe i pavarur. Kam lindur i lirë dhe dua që të jetoj i lirë. Jam gjithmonë dyshues ndaj ideologjive dhe respektoj të gjithë njerëzit me të cilët kam ide të ngjashme.