E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Sipas një studimi të publikuar në “Journal of Electronic Publishing” nga M.K. Bergman në 2001-shin, rrjeti i padukshëm përbëhet nga 550 miliardë dokumente, përkundër 2 miliardëve që mund të gjëjë “Google”.
DEEP WEB









Corriere della Sera

Faqe për pedofilë, dyqane për drogat, vrasës me pagesë: duke u nisur nga hiçi mjaftojnë vetëm pak orë kërkimi në internet për të zbuluar më të këqijat e tij. Sigurisht që metoda e kërkimit nuk është ajo e zakonshmja: nuk mjafton të futësh një sërë fjalësh në motorin e preferuar të kërkimit për të eksploruar pjesën e errët. Duhet ndryshuar mendësi, zakon lundrimi dhe teknologjie dhe të shkosh në zbulimin e të ashtuquajturit “rrjeti i padukshëm”, ose siç njihet nga anglofonët “deep web”. Nuk është një udhëtim të cilin jua sugjerojmë, dhe me dëshirë do të shmangim shpjegimin në detaje se si ta gjeni. Por mund t’ju tregojmë se çfarë ka në të. “Në të mirë e në të keq”…

RRJETI I PADUKSHËM – Të lundrosh në internet, është një lloj si të kalosh një oqean me të dhëna dhe programe. Zakonisht e dimë se cili është destinacioni i udhëtimit, ose etapat që duhet të kalojmë, pra japim një adresë interneti specifike dhe që aty kalojmë në lidhje të ndryshme që na interesojnë, duke u hedhur nga faqja në faqe. Ose i besojmë një turi apo një motori kërkimi, siç është “Google”: I themi se çfarë duam dhe marrim nga ai materiale, duke besuar në rezultatet që na ofron.

Në të dyja rastet mendojmë se interneti është ai që shikojmë ose ai që na shfaqet para syve. Në fakt është e njëjta gjë si me dikë që bën një udhëtim me kroçiera, që mendon se oqeani është vetëm horizonti dhe sipërfaqja e ujit, duke harruar thellësinë e tij. Atje poshtë shikimi nuk arrin, anija nuk mbytet dhe “Google” nuk na hyn në punë. Ekziston një botë me informacione të fshehura thellë, e cila përbën përmbajtjen e internetit të padukshëm.

Motorët e kërkimit bëjnë punën e tyre duke përdorur programe automatike, që papushim gjejnë faqe, katalogojnë lidhje dhe krijojnë një lloj harte horizontale. Por këto janë të pavlefshme në rastet e një kërkimi në thellësi: në rast se një përmbajtje gjenerohet nga një faqe në kohë reale (të supozojmë një kërkim në një bibliotekë), ose nëse nuk flitet për përmbajtje, faqja është e programuar në një gjuhë jo të zakonshme apo kërkon një veprim të caktuar për t’u bërë e dukshme (për shembull, futjen e një fjalëkalimi), në të gjitha këto raste, ajo i shpëton motorit të kërkimit.

Sipas një studimi të publikuar në “Journal of Electronic Publishing” nga M.K. Bergman në 2001-shin, rrjeti i padukshëm përbëhet nga 550 miliardë dokumente, përkundër 2 miliardëve që mund të gjëjë “Google”. Raporti 500 me 1 u konfirmua edhe nga një studim i dytë i vitit 2007, i cili përcakton se koeficenti i rritjes së këtyre dokumenteve është 300% çdo katër vjet. Pra, diferenca mes dy realiteteve është shokuese. Deri më sot ka pasur mbi 380 studime mbi këtë temë (pothuajse të gjitha të kryera nga kinezat) dhe mbi teknikat e kërkimit dhe të dhënave të “deep web”. Bëhet fjalë për një oqean të vërtetë informacioni të organizuar më shumë si të dhëna personale të përdoruesve sesa si faqe interneti. Jo ndonjë dizajn kushedi, as publicitet, asgjë nga ajo që përdorim përditë. Është pak a shumë si një arkiv i një qendre kërkimi universitar të cilat krahasohen me lagjet e modës së një metropoli. Një histori tjetër.

Në “deep web” gjendet pjesa më e madhe e kulturës shkencore të rrjetit, nga aty kalojnë çështjet e ndjeshme me të cilat merret “Wikileaks” dhe gjithnjë aty mblidhen virtualisht aktivistë të çdo lloj forme, nga ata informatikë, deri tek ata politikë dhe religjozë. Në këtë mënyrë punojnë qeveritë për të hetuar rreziqet ndërkombëtare dhe për të marrë masa parandaluese, asaj i përkushtohen shërbimet e inteligjencës publike dhe të ndërmarrjeve për të kapur tendencat. Ekzistojnë tregje të tëra të informacionit me profesionistë të shumëpaguar, të cilët fshihen pas aktivitetesh të ligjshme. Gjithnjë atje, larg nga sipërfaqja, gjendet edhe më e keqja e rrjetit, pjesa më e errët e internetit apo “rrjeti i errët”, siç edhe përkufizohet. Një pjesë me rreziqe të shumëllojshme. Liria e mendimit dhe e shprehjes në një territor virtual të pafund përfshin edhe abuzimet e atyre që përfitojnë nga kjo hapësirë, shumë e vështirë për t’u kontrolluar për krimet që bëhen nëpërmjet saj.

DENONCIMI I “ANONIMIT” – Udhëtimi ynë niset nga komunikata zyrtare e hedhur “online” më 15 tetor nga “Anonimi” (Anonymous), identiteti kolektiv pas të cilit fshihen persona specifikë, aktivë në internet, të bashkuar nga ideali i internetit dhe të pajisur me njohuri shumë të gjera informatike. Për këtë arsye i quajnë “haktivistë” (nga “hacker” – persona me njohuri të thella informatike që zakonisht thyejnë sistemet e sigurisë për një qëllim të caktuar). Mesazhi nxjerr në pah përmbajtje nga i ashtuquajturi Operacioni Rrjeti i Errët: 10 ditë punë për të zbërthyer një listë sekrete me faqe interneti, të cilët nuk i gjeje dot përmes motorëve normalë të kërkimit dhe kishin materiale pedopornografike. Hakersat nxorën përkohësisht jashtë shërbimit serverin që përmbante shumicën e fotografive – objektiv i aksionit, duke e bërë të pamundur hyrjen dhe duke arritur në një bazë të dhënash të përdoruesve që më pas u kaloi autoriteteve. Në një kohë të shkurtër këto faqe për pedofilë u riaktivizuan. Disave u mjafton të bëjnë një “back up” (rikthim) të të dhënave, të tjerë ndërrojnë adresë hyrjeje. Gjithçka kthehet pak a shumë si më parë. Pika e nisjes është një portë e përgjithshme pak e shumë e papërcaktuar. Quhet “Hidden Wiki” (faqe e fshehtë), dhe bën pjesë në rrjetin e padukshëm, ka shumë adresa dhe që të hysh në të kërkon shumë durim dhe një ndryshim të programeve të kompjuterit. Kështu jo thjesht ndodhesh në pjesën e errët të rrjetit, por mund të lundrosh pa lënë gjurmë dhe mund të arrish të shohësh faqe të tëra të ndërtuara posaçërisht për këtë teknologji.

PEDOFILIA –Qyteti i Lolitës është një planet dhimbjeje. Që në fakt për disa mijëra përdorues të regjistruar është një kontinent kënaqësie. Ai propozon qindra mijëra imazhe dhe videoklipe pedopornografike të ndarë në bazë të përmbajtjes. Protagonistët, viktimat, janë nga mosha 0-15 vjeç. Dhe 0 në këtë rast do të thotë pikërisht zero, pra që nga momenti i lindjes, gjë që shihet qartë nga disa foto të hedhura në këtë faqe. Kategoria më e klikuar është “etër dhe bija”. Çdo përdorues i nënshtrohet një klasifikimi pëlqyeshmërie nga komuniteti i brendshëm, bazuar në numrin dhe cilësinë e materialeve të postuara. Secilit i caktohet një lloj specializimit për moshën, i konfirmuar nga një grafik: ka që merren me fëmijërinë e hershme e të tjerë për paraadoleshencën. Pamjet janë të tmerrshme. Në një faqe analoge “OnionPedo”, të lundrosh është më e lehtë, pasi nuk ka qindra foto që të shfaqen para syve në çdo faqe. Këtu gjithçka është më e ftohtë. Zgjedh moshën dhe seksin, të shfaqet një listë e pafundme përmbajtjesh që mund t’i marrësh me mend që nga titulli. Pasi ke kuptuar se si funksionon, për gjysmë ore “mbijnë” dhjetëra faqe të ngjashme. Të gjitha falas, të gjitha të shikueshme nga mijëra përdorues.

ARMË, POLITIKË DHE GOSSIP – Por natyrisht faqet pedopornografike janë vetëm një pikë uji në oqean. Mjaftojnë pak klikime dhe gjendemi në botë krejt të ndryshme nga e jona. «RespiraTor», për shembull, ju ofron mikpritje tradhtarëve: ata që duan të shkatërrojnë reputacionin e dikujt, në mënyrë anonime mund të shkruajnë tekste dhe të hedhin foto kompromentuese. Ndoshta ata që do t’i shohin janë të paktë, ndoshta jo. Vështirë të arrihet tek fajtori. “Revolution Bunker” është një lloj laboratori revolucionar politiko- informatik. Janë të shumta faqet e këtij lloji, që shpesh duken sikur nuk përdoren, ose sikur përdoren nga pak aktivistë. “LiberaTor” është një faqe me informacione dhe manuale… Për çfarë? Për të bërë dërgesa eksplozivësh dhe për të organizuar rrëmuja dhe atentate.

VIRUSE DHE VRASJE ME PAGESË – Jo gjithçka është falas në zonën e errët të rrjetit. Për të paguar përdoret një valutë e veçantë: bitcoin (monedhë elektronike). Që për më tepër, duhet të jetë “e pastër” që të mos lërë gjurmë dixhitale. ǒmund të blihet? Ka për të gjitha shijet. Ja disa shembuj: “Shërbimi haker” vë në dispozicion viruse të ndryshme informatike për të sulmuar persona apo ndërmarrje të padëshiruara. Ka edhe më tepër se kaq. “Vrasës me kontratë” (Contract Killer) ofron vrasje me pagesë me tarifa të detajuara. 5 000 euro paradhënie për një krim në Evropë, 10 000 për një vrasje jashtë kontinentin. Objektivi duhet të jetë të paktën 16 vjeç dhe kostoja e veprimit është 20 000 euro për një njeri normal, 50 000 për një polic, një kriminel apo një paparac, 100 000 për një bos, një funksionar policie apo një gazetar, deri në 200 000 euro për një menaxher të fuqishëm biznesi. Koha për të përfunduar misionin është 2 muaj pas këstit të parë. Në mënyrë të ngjashme, “Slate” është një tjetër faqe që pranon vetëm vrasje të të rriturve, përjashton gratë shtatzëna dhe refuzon çdo lloj torture. Operon në SHBA, tarifa përfshin 20 000 dollarë, gjysmën sapo ke bërë marrëveshjen dhe pjesën tjetër kur urdhëruesit i është dërguar fotoja e krimit. Rritet çmimi nëse duhet të duket si aksident.

DROGA – Dhe pastaj bota e drogës. Dy janë faqet kryesore: «Eradic» dhe «Silk Road». Në ndryshim nga vrasësit, të cilëve klienti u beson symbyllur bazuar në çfarë lexon, në botën e narkotikëve ekziston një besim i plotë, kjo falë përvojës së klientëve të rrjetit. Si në një farmaci virtuale, në vetëm pak çaste është e mundur të shohësh thuajse 400 produkte me fotografitë dhe çmimet përkrah. Asnjë kod sekret. Gjithçka e lirë. Në rrjetin e errët “mbulesat” nuk hyjnë në punë: mund të blesh direct LSD, MDMA, hashash etj, pa asnjë problem. Tek e fundit, je anonim. Problemi është se si dhe ku do të bëhet dërgesa. Por kjo nuk ka lidhje me internetin.

Përgatiti: Elona Demollari

Publikuar: 18.11.2011 | 12:24
Lexuar: 394 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime