Qeveritë teknokrate kanë marrë në drejtim fatin e Italisë dhe Greqisë dhe nuk është hera e parë që qeveri të tilla zëvendësojnë qeveritë e përbëra nga politikanët, që shpesh kanë pasur rezultate jo fort të këndshme.
Në të ri të tij, socialisti utopist, Claude Henri de Touvroy, ose konti De Saint Simon (1760-1825) i thoshte shërbëtores së tij që çdo mëngjes ti thoshte para se të dilte nga shtëpia: Zotëri kont, ju lutem mos harroni se keni gjëra të mëdha për të bërë.
Saint Simon ishte avokati i parë sistematik i qeverisjes së vendit nga industrialistët që prodhojnë gjëra dhe shkencëtarëve që dinë shumë. Ai ishte një apostull i teknokracisë, që është besimi që gjithçka do të ishte më e mirë në këtë botë nëse do të na qeverisnin ekspertët.
Roli i llafazanëve do të vijë duke u pakësuar dhe ndërkohë do të vijë radha e atyre që i bëjnë gjërat, - paralajmëroi ai 30 000 nëpunësit dhe rentierët, pa të cilët mendonte se Franca do ta kishte pisk.
Teknokracia është shndërruar tashmë në një modë në vendet e mbërthyera nga kriza, sa për të përmendur këtu Italinë dhe Greqinë. Në Greqi, kryeministri Papandreu u përzu për ti lënë radhën ish-bankierit të pazgjedhur, Lucas Papadhimos. Kjo ndodhi pasi ai tentoi që të organizonte një referendum mbarëpopullor në lidhje me masat shtrënguese që i kërkon Europa, Greqisë që të ndërmarrë.
Në Itali, Mario Monti, gjithashtu i pazgjedhur, një profesor ekonomie dhe një ish-komisioner i Komisionit Evropian, ka krijuar një kabinet akademikësh, bankierësh dhe admiralësh në të cilin nuk ndodhet asnjë përfaqësues i ndonjë partie politike. Ky hap i ri është bërë vetëm për tu dhënë siguri tregjeve ndërkombëtare për të normalizuar përqindjet e huamarrjes nga ana e Italisë, të cilat dy javë më parë kapën një nivel të frikshëm. Sikur të mos merremi me fakte të tjera, por vetëm me analizën e asaj që akademikët janë mbi të gjitha njerëz të ngadaltë dhe të pavendosur, të pamësuar me presionet e zgjidhjeve të shpejta që kërkon qeverisja, mund të themi se vendimet për të krijuar qeveri vetëm teknokratësh duhet të ishin më të menduar.
Një shembull mefshtësie është edhe përbërja e byrosë politike e ish-Bashkimit Sovjetik, në të cilën 89% ishin inxhinierë dhe akademikë. Ka pasur edhe regjime dhe qeveri të tjera që kanë eksperimentuar me teknokracinë. Në vitin 1920, qeveritë demokrate dhe republikane i dhanë pushtetin bankierit Charles Dawes dhe industrialistit Owen Young për tu marrë me çështjen problematike të borxheve të luftës dhe krizës së reparacioneve. Në fund të viteve 50, Francisco Franko në Spanjë emëroi disa numra një, pra njerëz që kishin dalë me rezultate shumë të mira në universitet, që si për koincidencë kishin edhe lidhje të ngushta me Opus Dei, për të liberalizuar ekonominë spanjolle dhe për ta riintegruar me Evropën Perëndimore.
Gjatë Luftës së Ftohtë, politika e jashtme amerikane, ishte e dominuar nga një grup njerëzisht, kryesisht nga Bregu Lindor, burra të mençur, një pjesë e madhe e të cilëve ishin industrialistë të pasur apo avokatë korporatash të tillë si Averell Harriman apo John Fostyer Dulles. Natyra elitise e këtij grupimi doli shumë qartë në pah kur një nga Sekretarët e Shtetit më të mëdhenj të Shteteve të Bashkuara, anglofili snob Dean Acheson tha: Nëse një demokraci e vërtetë do të thotë që të bësh atë që do populli, atëherë je në gabim të vazhdueshëm.
Administrata e Kenedit ishte një administratë teknokratësh gjithashtu, që e kolonizuan qeverinë përmes ftesave që iu bënë. Kështu, djem mendjendritur rreth të 40-ave u rekrutuan nga fushat e industrisë dhe akademike. Një nga shembujt supremë ishte ai i Robert McNamarës, presidentit të Ford Motor Corporation, në Detroit.
Fakti që ai ishte bashkautor i katastrofës më të madhe në të gjithë historinë e Fordit, me një humbje prej 400 milionë dollarësh, që vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite shembull i dështimit, nuk u mor parasysh nga Kenedi kur e thirri në qeveri. Këtij farë djali, që e thërrisnin shkurtimisht Mac, i pëlqente matematika dhe sipas tij, gjithçka duhej zgjidhur në këndvështrimin e saj. Në këtë frymë, në pozicionin e sekretarit të mbrojtjes, ai vendosi që të modernizonte Vietnamin e Jugut në mënyrë që të fitonte një luftë që e kishte konceptuar me hedhje bombash dhe më pas me rindërtimin e vendit. Por dështoi edhe në këtë përpjekje, duke qenë se u bë lëmsh në informacione dhe përllogaritje.
Në kohën tonë, këto lloj qeverish, të përbërë nga teknokratët, janë bërë të dukshme dhe evidente në vendet e zhvilluara. Në shoqëri të tilla si Benin apo Malawi, ku politikanët e zgjedhur nuk presupozohet që të kuptojnë çështjet e makroekonomisë, në këto raste, janë teknokratët ata që janë caktuar në poste drejtuese qeveritare për të siguruar prurjet dhe flukset e ndihmave ndërkombëtare. Janë këta teknokratë që i kanë mësuar përmendësh mësimet që u japin perëndimorët në lidhje me masat shtrënguese që duhet të marrin për të ulur borxhet, për rritjen e taksave, për sakrificat e tjera që duhet të bëjnë njerëzit, për privatizimet masive. Po askush në fund nuk merr prej njerëzve që paguajnë shtrenjtë pyetjen: ku kanë shkuar paratë?
Në Evropë jemi duke dëshmuar tani zëvendësimin e politikanëve të zgjedhur me burra dhe gra, që sipas asaj që shpalosin në karrierat e tyre, janë shumë familjarë me zhargonin e Bashkimit Europian dhe me mësimet e tij. Por në këtë rast, ata gjithsesi nuk mund të bëjnë asnjë mrekulli, sepse paratë janë të vështira për tu gjetur gjithsesi, dhe këtë e dinë fort mirë edhe paraardhësit e tyre. Fakti se qeveria e teknokratëve është shumë popullore për momentin në Itali, mbështetet edhe nga fakti tjetër se italianëve u ka ardhur në majë të hundës me klasën e tyre politike ekzistuese.
Dështimi i lidershipit evropian në tërësi në menaxhimin e situatës së rëndë të krizës në të cilën ndodhen shumë vende, ka prekur pa dyshim edhe amerikanët dhe kinezët. Kaosit dhe zallamahisë europiane të momentit iu shtua edhe zëri i Obamës, i cili së fundi deklaroi se problemi aktual në Evropë është problemi i një vullneti politik dhe nuk kemi të bëjmë me një problem teknik. Nga ana e tij, presidenti kinez, Hu Jintao tundi kokën në shenjë mohuese dhe refuzoi që të fuste paratë kineze të fituara me shumë mund, në një skemë mashtruese shpëtimi, siç e quajnë kinezët Instrumentin Europian të Stabilitetit Financiar, ose fondi me të cilin BE kërkon të shpëtojë praktikisht shtetet e falimentuara brenda eurozonës. Ky instrument ka për qëllim në fakt, që të fshijë pjesën e madhe të borxheve, që në fakt u krijua nga shpenzimet e mëdha e të kota e mbi të gjitha të dyshimta, që i çuan këto vende në krizë.
Një gjeneratë politikanësh xhuxhë, duket e përfshirë nga kriza që u shkaktua nga politikat e tyre dritëshkurtra, nga bankat që kanë funksionuar pa rregulla strikte dhe kontrolle, nga monedha e përbashkët euro që injoroi rrethanat e ndryshme ekonomike të shteteve të ndryshme si dhe kulturën e vendeve anëtare të eurozonës. Në shumë vende, pakënaqësia me klasë politike ka kohë që është formësuar. Janë klasa politike si ato të Francës, të formësuara në shkollat elitë për politikanë, ato të Italisë, të lidhura me mafien dhe punët e pista, apo ato të Britanisë së Madhe, të mbushura me juristë e sindikalistë. Bankierët janë të rrënuar nga fakti se ata ishin shkaktarët e krizës financiare dhe mbi të gjitha, nuk kanë asnjë shans për të ndrequr situatën. Njerëz si kryeministri italian, Monti që janë formuar në Bashkimin Europian, nuk do të shndërrohen befas në shkatërrimtarë të asaj që kanë ndërtuar për një jetë të tërë, pra të kësaj mënyre funksionimi të financave. Ai dhe të tjerët, përfshi edhe kryeministrin grek, janë pjesë e asaj elite të euros, që është një elitë arrogante e një projekti që është më në krizë së kurrë. Treni i teknokratëve ka shumë gjasa që të pengohet në rrugën e vështirë të krizës shumë më shpejt nga sa mendohet. Njerëzit, ende përfaqësohen nga politikanë në parlamentet e tyre vendas, edhe pse organizma të tilla që nuk kanë anëtarë të zgjedhur si Komisioni Europian apo Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, i kanë shkelur të drejtat e tyre.
Këta politikanë përfaqësojnë komunitetet lokale, ose të paktën rrjetet e klientëve politikë, nëse do të flasim për Europën Jugore. Kështu, kur teknokratët do të vendosin që të shkurtojnë mijëra vende pune në administratën publike, do të ndeshen në murin e fortë kundërshtues të politikanëve, të cilët kanë ardhur në pushte pikërisht falë premtimeve për të shtuar vendet e punës dhe jo për ti shkurtuar ato. Këtu do të fillojë edhe çarja e madhe e qeverive të teknokratëve, një çarje që po duket që në orët e para të ardhjes së tyre në detyrë.