Është një ditë me lagështirë në Rejkiavik. Shiu bie mbi varkat e peshkatarëve dhe rrugët janë të mbushura me dyqane suvenirësh dhe njerëz që hyjnë e dalin brenda tyre.
Është një ditë me lagështirë në Rejkiavik. Shiu bie mbi varkat e peshkatarëve dhe rrugët janë të mbushura me dyqane suvenirësh dhe njerëz që hyjnë e dalin brenda tyre. Ministrja e Industrisë më thotë se vendi duhet që të jetë më i rreptë sa i takon diferencave të pagave mes burrave dhe grave. Katrin Juliusdottir, një grua 30-vjeçare, shumë e sjellshme dhe tërheqëse, është shtatzënë me dy binjakë. Në zërin e saj vihet re një notë e lehtë frustrimi dhe lodhjeje. Në Islandë ekziston ligji Punë e barabartë, pagë e barabartë, që duhet të garantojë barazinë e pagave mes burrave dhe grave. Po atëherë, përse nuk kemi sanksione më të rënda për ata që nuk e respektojnë ligjin?, pyet ministrja. Duhet të jemi më të rreptë me ata që thyejnë ligjet, vijon ajo.
Jemi ulur në zyrën e saj, në një pallat të thjeshtë diku në jug të Portit të Rejkiavikut. Katrin, siç e thërrasin në Islandë, sipas zakonit që njerëzit duhen thirrur në emrin e tyre, flet për të drejtat e grave në një mënyrë shumë pasionante. Është e qartë që është feministe dhe e çmon faktin që qeveria e vendit të saj përbëhet nga katër gra dhe gjashtë burra. Por ajo është e bindur se kjo nuk mjafton. Sipas Katrin, kuota duhet të jetë 50%. Në vijim të krizës financiare dhe bankare në vend, në 2008-n, thotë ministrja, sot njerëzit duan një shoqëri më të ekuilibruar. Për të arritur objektivin, duhet që të niset nga barazia mes burrit dhe gruas. Sipas disa analistëve, Islanda është vendi ku ekziston e plotë kjo barazi. Dhe në njëfarë mënyre, ky vend i ngjan më shumë një vendi feminist. Në dy vitet e fundit, Islanda kryen klasifikimin botëror të barazisë gjinore dhe së fundi është shpallur edhe nga revista Newsweek vendi më i mirë për të qenë grua. Studimi dhe renditja e revistës amerikane ka marrë në konsideratë katër parametra: ekonominë, shëndetësinë, arsimin si dhe politikën e drejtësinë. Në të gjitha këto fusha, sidomos në atë të fundit, Islanda është në krye të listës botërore për barazinë gjinore. Kryeministrja e vendit, Johanna Sigurdardottir, thotë se është krenare për këtë arritje dhe jo vetëm sa i përket situatës së grave, sepse barazia gjinore është një nga treguesit më të rëndësishëm të cilësisë së jetës në një vend.
E megjithatë, gratë kanë ende pakënaqësi. Një 72-vjeçare të cilën e takoj në rrugë, më thotë se, edhe pse e do vendin e saj për pastërtinë, bukurinë e natyrës dhe për shumë gjëra të tjera, ai nuk është një vend ku burrat dhe gratë kanë barazinë e pagës. Gratë në Islandë marrin një pagesë 10% më të ulët se burrat. Ky ishte edhe shkaku i organizimit një vit më parë, i një proteste të madhe të grave në kërkim të barazisë së pagave me meshkujt. Sipas shumë grave, por dhe burrave, nëse shoqëria islandeze është sot e përparuar dhe e civilizuar, kjo ka ardhur sepse është luftuar dhe përpjekur për barazinë e grave me burrat dhe për të drejtat e grave. Në sytë e një vëzhguesi të huaj, pushteti i lëvizjes feministe islandeze është i jashtëzakonshëm. Pas Luftës së Dytë Botërore, Islanda ishte vendi më i varfër i Europës. Pas bumit ekonomik, në fund të viteve 60, një brez i ri grash, tashmë të shkolluara dhe arsimuara, nisi që të denonconte diskriminimin në përgjithësi dhe atë të pagave në veçanti. Edhe gratë që nuk ishin në marrëdhënie pune, ndiheshin të përjashtuara dhe të pavlerësuara. Dyzet vjet më parë, grupi feminist Çorapet e kuqe, organizoi një grevë 24-orëshe të të gjitha grave në marrëdhënie pune. 25 mijë gra u mblodhën në qendër të Rejkiavikut për të diskutuar për problemet e jetës së tyre. Në atë kohë e gjithë popullsia islandeze përbëhej nga 220 mijë banorë. Thorunn Sveinbjarnardottir, 45 vjeçe, ka qenë ministre e Mjedisit në vitet 2007-2009. Në vitin 1975, ishte vetëm 10 vjeçe, por mori pjesë në këtë grevë së bashku me të ëmën. Nga ajo ditë më kujtohet se isha e rrethuar nga një grup i madh grash, të gjitha të lumtura, rrëfen ajo. Ishte një mësim për brezin tim. Sekreti i atij manifestimi ishte aftësia për të tërhequr dhe për të bërë për vete gra të të gjitha shtresave dhe moshave. Ky ishte një detaj shumë i rëndësishëm. Ishte një ditë e mrekullueshme.
Në Islandë, aftësia e lëvizjes feministe për të bërë për vete shtresa e mosha të ndryshme të shoqërisë është një tipar që bie në sy dhe sot. Edhe në vitin 2010 është organizuar një manifestim në përkujtim të asaj greve, në të cilën, edhe pse ishte një ditë me shi, morën pjesë shumë gra, të cilat dukeshin shumë të vendosura.
Kundër tabuve
Në periferi të Rejkiavikut kaloj një pasdite me Sigridur Magunsdottir, Andrea Hallodottir dhe Eva Gunnbjornsdortir. Kur i pyes se cila është ajo gjë që i bën të inatosen më shumë, më përgjigjen që është pabarazia e pagave. Por Eva thotë se problem është edhe dhuna seksuale. Ajo thotë se, nëse do të kishte mundësinë që të ndryshonte botën, do të donte që të zhdukte dhunën seksuale ndaj femrave. Ndërsa Andrea, 27 vjeçe, mësuese muzike, thotë se, edhe në rastet më të rënda të abuzimeve seksuale, dënimet janë shumë të buta. Një nga problemet më të vështira për tu kaluar është ai i mentalitetit të gjykatësve, avokatëve dhe prokurorëve që duhet të vendosin për çështje të tilla dhe madje, edhe vetë grave që kanë turp të shkojnë në gjykatë për të akuzuar përdhunuesit e tyre, sepse kanë edhe ndjenjë faji. Edhe pse më të vogla, edhe Islanda ka problemet e saj me mentalitetin dhe dhunën kundër grave. Por të paktën, opinioni publik dhe politika, përpiqen seriozisht për ti zgjidhur problemet. Sipas Kryeministres së vendit ka një lëvizje feministe në vend shumë të fortë, që ia ka dalë që të sensibilizojë edhe institucionet shtetërore për temën e barazisë gjinore. Sipas saj, sot, asnjë lider politik nuk mund të injorojë probleme të tilla.
Qeveria e kësaj Kryeministreje, gjatë viteve të punës së saj, ka ndërmarrë shumë nisma ligjore dhe ndryshime në drejtim të barazisë gjinore. Është shpallur me ligj që shitblerja e seksit përbën krim, janë aprovuar ligje të reja për shfrytëzimin e prostitucionit, si dhe janë mbyllur klubet e zhveshjeve të grave. Për sa i takon luftës kundër dhunës në familje ndaj grave, Islanda ka adoptuar modelin austriak, sipas të cilit ai që kryen dhunë në familje, duhet që të lërë menjëherë shtëpinë në të cilën jeton. Ndërsa në vitin 2013 do të hyjë në zbatim ligji, sipas të cilit do të detyrohen të gjitha institucionet dhe ndërmarrjet që të kenë në bordin drejtues të paktën 40% të anëtarëve gra. Islanda ka një histori të gjatë të grave në politikë. Vigdis Finnbogadottir ishte e para grua në botë që u zgjodh kryetare shteti, detyrë të cilën e kreu nga viti 1980 deri më 1996-n. Në fillim të mandatit të saj, deputetët në Parlamentin islandez ishin vetëm 5%. Më pas, në vitin 1983, lindi Aleanca e Grave, një parti feministe që pati rezultatet më të mira në vitin 1987, duke marrë 6 vende në Parlamentin me 63 vende. Një nga militantet e kësaj partie, Thorunn, thotë se vitet 80 i kanë kaluar duke diskutuar për të gjitha temat e rëndësishme dhe shqetësuese të grave në atë kohë. Më pas, një prej tyre, Ingibjorg Gisladottir, në vitin 1994 është zgjedhur kryebashkiake e Rejkiavikut, detyrë të cilën e mbajti deri në vitin 2003. Në 2009-n, pas krizës financiare, vendi nisi që të vinte në diskutim vlerat që kishin karakterizuar vitet e fundit, që e çuan vendin në krizë, mes të cilave edhe rreziku i madh financiar, si dhe arroganca që konsiderohen shpesh dhe si prerogativa mashkullore. Dhe ishin pikërisht gratë që vendosën të shërojnë plagët e vendit. Dy bankat përgjegjëse për krizën financiare u janë besuar dy grave, të cilat ia kanë dalë shumë mirë që ti nxjerrin ato nga situata e rëndë. Por ajo çka është e bukur, është se në Islandë nuk janë vetëm gratë ato që mbështesin lëvizjen feministe. Edhe bashkiaku i kryeqytetit është mbështetës i zellshëm i kauzës së tyre. Sipas tij, një shoqëri duhet që të ndërtohet në mënyrë të barabartë dhe të drejtë mbi punën dhe mundin, si dhe shpërblimin e barabartë të burrave dhe të grave ndërkohë që në Islandë, edhe pse ka shumë përparim, kultura është shumë maskiliste.