Akademik Rexhep Qosja ka mirëpritur nismën e deputetit të PDK-së, Ramë Vataj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, duke thënë se ka qenë shumë i nevojshëm ndryshimi i tij.
Sipas Qosjes, mënyra e funksionimit të deritashëm të ASHAK-ut, ka bërë që ky institucion i shkencës dhe artit të jetë i politizuar skajshmërisht dhe të shndërrohet në një shtëpi partiake të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Në një intervistë për Kosovapress, akademik Qosja thotë se politizimi i skajshëm i akademisë është i papranueshëm dhe i dëmshëm për Kosovën.
A është e mundshme kjo dhe a është e lejueshme kjo? As e lejueshme, as e pranueshme, as e mundshme dhe e dëmshme për Kosovën. Kjo ka sjellë shumë çrregullime në akademi. Unë nuk jam i sigurt për përbërjen partiake të seksioneve tjera të akademisë, por unë e di se është numër shumë i vogël, nuk e di a mund të jenë përpos meje dhe dy apo tre të tjerë anëtarë të akademisë që nuk janë anëtarë të LDK-së. Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës është akademi e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe këtë e dëshmon edhe pranimi i kryetarit të komunës (Isa Mustafa), para 2-3 vjetësh në mënyrë të paligjshme. Je kryetar i komunës, pranohesh në Akademinë e Shkencave. Kjo nuk ka ngjarë as në Bashkimin Sovjetik, as në Jugosllavi, as në Rumani, as në Shqipëri, as në Bullgari, funksionari i lartë derisa ushtron detyrën e funksionarit të zgjidhet anëtar akademie. Këtë sot e quajmë konflikt interesash, ka thënë Qosja në intervistën dhënë Kosovapressit, që e transmeton Express.
Sipas akademik Qosjes, shumë prej emrave që janë sot në këtë institucion nuk e meritojnë të marrin rrogë kombëtare siç e quan ai pagën e akademikëve, e në mënyrë të veçantë mendon se këtë nuk e meritojnë shumë prej kolegëve të tij në seksionin e gjuhës dhe letërsisë.
Shkoni në akademi e shikoni disa emra aty. Shkoni në seksionin e gjuhës dhe letërsisë. Janë aty disa njerëz, e meritojnë tu japë Kosova rroga kombëtare? Jo, kurrë. Skanë bërë punë as shkencore, as artistike, as arsimore, as kulturore që të meritojnë të marrin rrogë kombëtare prej Kosovës. Jo. Përkundrazi ne kemi njerëz që skanë mundur të pranohen në akademi, që janë refuzuar kandidimet e tyre, e që kanë shumë merita për arsimin, për kulturën, për letërsinë, për artet dhe për shkencën që krijohet në Kosovë, ka thënë Qosja.
Ai e konsideron të papranueshme që akademia të udhëhiqet për 12 vjet pas lufte vetëm nga gjuhëtarët, përderisa thotë se para gjuhëtarëve, akademinë do të duhej ta udhëhiqnin akademikë të profesioneve tjera, sikur që është ekonomia, shkencat ekzakte, mjekësia etj., pasi që edhe problemet që ka Kosova, sipas tij, janë më të mëdha sesa gjuha.
Madje, sipas akademik Qosjes, edhe sa i përket gjuhës disa prej atyre gjuhëtarëve, e kanë bërë akademinë prapavijë të fushatës që po bëhet në këtë kohë ndaj gjuhës standard dhe tani bëjnë luftë kundër gjuhës standarde.
Shumë më parë të tjerë duhet ta drejtojnë akademinë përfaqësues të shkencave matematikore, të shkencave fizike, të shkencave ekzakte. Për mendjen e tyre më së shumti ka nevojë Kosovë, sepse kemi nevojë për një zhvillim të përgjithshëm e jo të na drejtojnë vetëm gjuhëtarët, ku do e vëmë e-në pa zë e ku do e heqim, ka thënë ai.
Ndërkohë, Qosja ka rikujtuar se akademia nuk ka historianë, nuk ka ekonomistë, përveç Isa Mustafës, për të cilin thotë se nuk do të duhej të ishte aty.
Merreni me mend deri ku ka ardhur puna. Sot akademia nuk ka historianë. Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës nuk ka sot mjekë. Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës nuk ka, pos Isa Mustafës, ekonomist. E ai ekonomist është funksionar politik prej kohës së Millosheviqit, apo para Millosheviqit kur Millosheviqi ishte pushtet në Serbi e në Kosovë. Është funksionar, zyrtar politik-shoqëror, nuk ka kushte për tu marrë me shkencë ai, ka bërë punë të tjera, është shprehur Qosja.
Sipas tij, ASHAK-u është një institucion që funksionon tradicionalisht në mënyrë të heshtur karshi shumë problemeve, ngase ka traditë të servilizmit intelektual.
Akademia ka një traditë të heshtjes prej se është themeluar e deri më sot. Si akademi e përkushtuar ndaj politikës, ndaj institucioneve politike, ndaj pushtetit ajo në pjesën më të madhe të kohës nuk ka mundur ta ketë gjuhën e vetë, zërin e vetë, rrallë e tek apo të përfaqësuar prej dy-tre individëve, jo si institucion, dhe e vazhdon atë traditë të servilizmit intelektual, ka thënë akademik Qosja.
Duke i pasur parasysh këto, akademik Qosja pret që me ndryshimin e ligjit të rregullohen shumë çështje, e në mënyrë të veçantë çështja e pranimit të anëtarëve të rinj, në mënyrë që mos të vendosin seksionet sikur që po vendosin sot, por të jetë si dikur që propozimet të vijnë nga institutet shkencore, fakultetet, shoqatat e krijuesve, shkrimtarëve, kompozitorëve, skulptorëve, piktorëve etj.
Pra, nëse Kuvendi i Kosovës do ta ndihmojë Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës që mos të jetë çka është sot, shtëpi private, shtëpi partiake e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ta bëjë të pamundshme që për kandidatët të vendosin seksionet siç po vendosin sot, duke e privatizuar në këtë mënyrë akademinë, ka thënë ai.
Akademia e Shkencave dhe Arteve, sipas Qosjes, nuk është në gjendje të realizojë projekte, përderisa për Monografinë për Kosovën thotë se nuk është studim shkencor, por është një përmbledhje e 60-70 autorëve, është një libër njësoj sikur të kohës së Stalinit, Çausheskut e Titos dhe mbi të gjitha është një monografi e mbështetur në një koncept të paqëndrueshëm shkencërisht.