Ambiciet e shqiptarëve akoma nuk janë përmbyllur andaj duhet punuar për të pasur liri dhe mirëqenie kudo që jetojmë, ka thënë ish drejtuesi i lëvizjes studentore në Kosovë, Bujar Dugolli.
Nëntori është i rëndësishëm për shqiptarët kudo që janë pasi i bashkon e kaluara e vuajtjes dhe sakrificës por edhe e shpresat për një të ardhme më të ndritur. Kështu u tha në akademinë solemne me rastin e 28 nëntorit- Ditës së flamurit kombëtar të organizuar nga shoqata e historianëve shqiptar dhe komuna e Çairit.
Nga nesër do të filloj edhe numërimi i kremtimit të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë e cila përkon me 28 nëntorin, u shpreh mes tjerash ambasadori i Shqipërisë Arben Çejku.
Kemi shumë për të folur për historinë tonë, nuk pajtohem asnjëherë me ato që i referohen historisë sonë vetëm në pikat e saja të dobëta, preferoj gjithmonë të evidentojmë momentet dhe arritjet tona historike. Ne vërtetë kemi kaluar një periudhë të vështir dhe dramatike duke lënë mbrapa heronj, por kemi ecur përpara dhe kemi një vizion të qartë të rilindësve tanë dhe unë mund të them se edhe në këtë përvjetor i cili është përvjetori i fundit 99 me dy shifra, dhe vitin tjetër do hymë në një përvjetor të madhe me tre shifra dhe ky përvjetor do të jetë edhe 100 vjet të tjera, ku brezat e rinj do ta festojnë dhe do ta nderojnë , tha Arben Çejku, ambasador i Shqipërisë në Maqedoni.
Çdo shqiptar ka hise në kremtimin e përvjetorit të Flamurit dhe pavarësinë kombëtare, secili le të ndihet krenar me të arriturat e përbashkëta. Të gjithë festojmë dhe punojmë që të gjejmë rrugën më të mirë për të çuar kombin përpara. Edhe pse mund të dallojmë në ide, qëllimin e kemi të përbashkët, që ta ndërtojmë një të ardhme më të mirë, deklaroi Izet Mexhiti, kryetar i komunë së Çairit.
Ambiciet e shqiptarëve akoma nuk janë përmbyllur andaj duhet punuar për të pasur liri dhe mirëqenie kudo që jetojmë, ka thënë ish drejtuesi i lëvizjes studentore në Kosovë, Bujar Dugolli.
Këto ngjarje historike duhet ti kujtojmë dhe duhet dhënë mesazhe dhe të mos kënaqemi me atë që e kemi arritur sepse një popull që ishte më i vjetëri në këto troje të Ballkanit, populli ilir, dardanët nuk duhet të krenohemi me shtetin më të ri apo me rregullimin që e kemi tani dhe duhet të pretendojmë ti arrijmë standardet e reja evropiane perëndimore, të arrijmë lirin e plotë siç e meritojmë, u shpreh Bujar Dugolli, ish drejtues i lëvizjes studentore.
Të pranishmit nënvizuan se në 20 vitet e fundit Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova kanë bërë hapa progresive por se nevojitet të punojnë për vizionin e ardhshëm, integrimin euroatlantik të këtyre tri vendeve. Akademia solemne shënoi edhe fillimin e aktiviteteve në Maqedoni me rastin e 28 nëntorit- Ditës së flamurit.
Gjyltene Rexhallari