Historia e Flamurit shqiptar është shumë e lavdishme. Flamuri ynë kombëtar është ndër më të vjetrit në Evropë. Historia e tij zë fill në 28 Nëntor të vitit 1443, kur Skënderbeu, në kalanë e Krujës, në vend të flamurit osman ngriti Flamurin e kuq me shkabën dykrerëshe. Për 25 vjet me radhë shqiptarët, nën udhëheqjen e Skënderbeut, luftuan me sukses kundër ushtrive pushtuese osmane.
Me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, Universiteti Shtetëror i Tetovës në nderim të kësaj date historike, në Amfiteatrin e Rektoratit organizoi Akademi solemne.
Në këtë manifestim ishin të pranishëm Prorektori për arsim i USHT-së, Prof.dr. Ismail Ahmedi, Prorektori i për financa Prof.dr. Serafim Tomovski, Sekretari i përgjithshëm, Jur.i dip. Adem Beadini, dekanët, studentët e fakulteteve të Universitetit, ambasadorët e Republikës së Shqipërsië dhe Republikës së Kosovës Arben Çejku dhe Skënder Durmishi.
Dekani i Fakultetit Filozofik, doc.dr. Fehari Ramdani në referatin e Tij para auditorit të gjere theksoi: Çdo komb ka simbolet e tij veçuese, të cilat e dallojnë atë nga të tjerët.
Ne, krahas gjuhës së veçantë, zakoneve, traditave dhe historisë, kemi dhe Flamurin, i cili është simbol i yni kombëtar dhe na bënë të ndjehemi krenar pavarësisht vendit ku ndodhemi dhe rrethanave në të cilat gjendemi. Po ashtu ai tha se flamuri ka qenë dhe vazhdon të mbetet frymëzim i çdo shqiptari për të punuar për të mirën e kombit dhe të atdheut.
Historia e Flamurit shqiptar është shumë e lavdishme. Flamuri ynë kombëtar është ndër më të vjetrit në Evropë. Historia e tij zë fill në 28 Nëntor të vitit 1443, kur Skënderbeu, në kalanë e Krujës, në vend të flamurit osman ngriti Flamurin e kuq me shkabën dykrerëshe. Për 25 vjet me radhë shqiptarët, nën udhëheqjen e Skënderbeut, luftuan me sukses kundër ushtrive pushtuese osmane.
Edhe pas vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, breza me radhë e vazhduan qëndresën kundër sundimit të huaj nën Flamurin Kombëtar. Ndonëse shqiptarët luftuan për shekuj me radhë kundër sundimit të huaj, ata nuk arritën të krijonin shtetin e tyre të pavarur deri në fillim të shek. XX.
Fillimi i shekullit të ri, i gjeti shqiptarët të robëruar dhe në një gjendje mjaft të vështirë ekonomike, shoqërore dhe politike. Perandoria Osmane, vazhdonte tu mohonte atyre të drejtat më elementare kombëtare.
Dekani i Filozofikut, foli për përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për të hapur shkolla në gjuhën shqipe dhe për të botuar gazeta e libra në gjuhën amtare, ndiqeshin me një ashpërsi të madhe nga ana e autoriteteve osmane. Në të njëjtën kohë të huajve u njiheshin këto të drejta në territoret shqiptare.
Me triumfin e revolucionit xhonturk, në korrik 1908, u duk sikur gjendja e popujve të nënshtruar në Perandorinë Osmane, pra edhe e shqiptarëve, do të përmirësohej. Ajo pak liri që garantonte kushtetua osmane, u shfrytëzua në maksimum nga atdhetarët shqiptarë.
Një muaj pas shpalljes së kushtetutës, filloi themelimi i klubeve kombëtare, më pas u mbajt Kongresi i Alfabetit, u hapën disa shkolla fillore në gjuhën shqipe, si dhe Shkolla Normale e Elbasanit.
Veprimet e mësipërme të atdhetarëve shqiptarë, alarmuan autoritetet osmane. Xhonturqit sapo konsoliduan pushtetin e tyre dhe sidomos pas fitores mbi kundërrevolucionin, prill 1909, filluan të marrin masa për të penguar hovin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ndër masat e para që ndërmorën xhonturqit ishte mbyllja e shkollave në gjuhën shqipe.
Si pasojë e shkeljes së të drejtave kombëtare dhe dhunës së ushtruar nga autoritetet xhonturke, në vitet 1909-1912, shqiptarët zhvilluan katër kryengritje antiosmane. Secila kryengritje që pasonte atë paraprake ishte më masovike dhe me kërkesa më të avancuara.Nga të katër kryengritjet, më e rëndësishmja ishte kryengritja e përgjithshme e vitit 1912.
Ajo u shtri pothuajse në të gjitha territoret shqiptare dhe kërkesë bazë e saj ishte krijimi i një shteti autonom shqiptar. Kryengritësit arritën të çlironin Kosovën dhe disa territore të tjera shqiptare, kurse kulminacioni i kryengritjes u arrit në gusht, kur u çlirua njëra ndër qendrat më të rëndësishme shqiptare, qyteti i Shkupit.
Udhëheqësit më të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, deri në vjeshtën e vitit 1912, si kërkesë bazë të tyre kishin bashkimin e të katër vilajeteve shqiptare në një vilajet të vetëm, që do të thoshte krijimi i një shteti autonom shqiptar. Krijimi i një shteti autonom shqiptar, do të shërbente si një periudhë kalimtare drejt pavarësisë kombëtare.
Kryengritja e përgjithshme e vitit 1912, si dhe marrëveshja shqiptaro-osmane e gushtit të vitit 1912, çonin drejt autonomisë së Shqipërisë. Ky akt ishte në kundërshtim me synimet pushtuese të monarkive ballkanike.
Krijimi i shtetit autonom shqiptar, do të pamundësonte realizimin e planeve të këtyre shteteve. Prandaj, qeveritë e Beogradit, Athinës, Cetinës dhe Sofjes i shpejtuan përgatitjet e tyre për fillimin e luftës kundër Perandorisë Osmane, me çka ata synonin ti realizonin objektivat e tyre.
Fillimi i Luftës së Parë Ballkanike, në tetor 1912, prishi status quo-në në Ballkan. Aleatët ballkanikë pushtuan territoret osmane në Evropë, ku bënin pjesë dhe territoret shqiptare. Rreziku i copëtimit të territoreve shqiptare nga shtetet fqinje, i nxiti atdhetarët tanë të kalonin nga kërkesa për autonomi në atë për pavarësi të plotë. Më 28 Nëntor 1912, në orën 1400, u hap në Vlorë Kuvendi Kombëtar. Në të morën pjesë delegatë nga të gjitha viset shqiptare.
Kuvendi zgjodhi si kryetar Ismail Qemalin, i cili theksoi se e vetmja udhë e shpëtimit ishte ndarja e Shqipërisë nga Turqia. Propozimi i kryetarit u miratua njëzëri nga delegatët, të cilët nënshkruan dokumentin historik për Pavarësinë e Shqipërisë, ku thuhej: Shqipëria me sot bëhet më vete, e lirë, e mosvarme.
Kuvendi Mbarëkombëtar Shpalli krijimin e një shteti shqiptar në kufijtë etnik, por, Fuqitë e Mëdha, në Konferencën e Londrës, u mohuan shqiptarëve këtë të drejt, duke njohur një shtet shqiptar me territore dhe popullsi të përgjysmuar.
Këto padrejtësi nuk u ndreqën as në dy konferencat ndërkombëtare që u mbajtën në përfundim të dy luftërave botërore. Kjo i detyroi shqiptarët që në përfundim të shek. XX dhe fillim të shek. XXI, të zhvillonin luftëra të reja për të mbrojtur të drejtat e tyre. Megjithatë, Shpallja e Pavarësisë dhe krijimi i shtetit kombëtar shqiptar ishte akt me rëndësi jetike për popullin tonë. Ajo shënoi përmbysjen e sundimit osman, i cili e kishte mbajtur Shqipërinë pothuaj për pesë shekuj nën një shtypje të egër mesjetare.
Shpallja e Pavarësisë, është ngjarja më e rëndësishme e historisë sonë kombëtare. Ajo ishte kurorëzim i përpjekjeve shekullore të popullit tonë për liri dhe pavarësi. 28 Nëntori i 1912-ës hapi një etapë të re në historinë e popullit shqiptar për mbrojtjen e lirisë dhe të pavarësisë, e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Gurë themeli i shtetit shqiptar u vendos 99 vjet më parë, me porosinë që gjeneratat e reja tia hedhin edhe kulmin. Le të shpresojmë se një ditë nën kulmin e asaj godine që quhet shtet do të hyjmë të gjithë shqiptarët.
Me fjalë përshëndetëse të pranishmit në Akademi i përshëndetën ambasadori Arben Çejku dhe Skender Durmishi.
Akademia solemne kushtuar 99 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, përfundoi me programin artistik të përgatitur nga studentët e Programit studimor të muzikës të Fakultetit të arteve në USHT.