Publikohet autobiografia e aktores. Nga filmat, te historitë e dashurisë me Allen dhe Beatty.
Edhe pse ishim ndarë dy vjet para se të xhirohej filmi Annie Hall, vazhdoja të isha bashkëpunëtorja e Woody-t. Nuk di si ta shpjegoj pse vazhdonim të kishim lidhje. Ndoshta, si një divan i vjetër, ishim komodë për njëri-tjetrin. Na pëlqente ende të uleshim bashkë në stolat për të moshuar në Central Park dhe të komentonim filetën e njerëzve që na kalonin para. Vazhdonim të zbaviteshim me çmenduritë tona gastronomike dhe bënim plane për të ardhmen, por në fakt gjërat kishin ndryshuar. Papritur ai u bë gjeniu komik. Papritmas unë kisha shumë shanse të reja. Takova Warren Beatty për të folur për filmin e tij Heaven Can Wait, por e refuzova për të qenë protagoniste në Looking for Mr. Goodbar. Pasi përfundova xhirimet e këtij filmi, u ktheva në Nju Jork. Kur Warren më telefonoi në prag Krishtlindjesh, nuk isha e ngeshme për filma.
Ai vazhdonte të më merrte në telefon. Në janar të vitit 1978 Warren dhe unë filluam të dilnim me njëri-tjetrin. Më tha se ishte diçka e përkohshme, por unë isha e zonja tia dilja mbanë edhe nëse gjërat merrnin fund shpejt. Natyrisht që ai ishte shumë i zgjuar dhe jashtëzakonisht dinak si një avokat. Eh, ishte ende i bukur sa të bënte të humbisje toruan dhe të të mbahej fryma. Nuk e di pse mendova se mund ta kisha nën kontroll situatën, ose le të themi të vërtetën, nuk mendova asgjë, nuk e mendova fare këtë gjë. Rashë në dashuri me të dhe kjo situatë zgjati për disa kohë. Më bëri për vete që herën e parë kur e pashë në atriumin e Beverly Wilshire Hotel në vitin 1972. Ngrita sytë dhe nga larg pashë ëndrrën time të shndërruar në person të vërtetë. Po ashtu kuptova se përveç meje nuk kishte ndonjë grua aty rreth e rrotull që ai ta ekzaminonte me sy. Në fat, si për herë të parë ai as që më hodhi sytë. Warren doli një personazh më i ndërlikuar nga çe kisha imagjinuar, duke e parë të puthej me Natalie Wood në filmin Splendor in the Grass në kinemanë Broadway të Santa Anas. Asokohe unë isha në vitin e dytë të shkollës së mesme. Nuk kisha parë kurrë burrë të tillë si Warren Beatty. Ishte jashtëzakonisht i bukur. Po Natalie Wood? Si ta them: ajo ishte unë, ndërsa unë isha ajo. Kur Bud dhe Deanie u detyruan të ndaheshin, isha e shkatërruar. I shkrova edhe Elia Kazan, regjisorit, duke i kërkuar se përse prindërit ishin kundër dashurisë së tyre. Nuk mund ta ndryshonte fundin? E pamundur që një ndryshim kaq i vogël shtresash sociale të kishte kaq shumë rëndësi? Ai nuk mu përgjigj. Sa qesharake: para disa javësh pashë në televizor filmin Splendor in the Grass, dhe ja ku janë sërish bashkë, Bud e Deanie, ende shumë të dashuruar me njëri-tjetrin.
As historia e dashurisë me Warren nuk ishte e destinuar të zgjaste kaq gjatë. Për ne nuk bëhej fjalë për rrethanat, por për karakteret tona. E pranoj që kishte edhe pak kontrast mes dy botëve të ndryshme që ndërthureshin bashkë: në fund të fundit Warren ishte Princi i Hollivudit ndërsa unë thjesht Annie Hall, siç më quante edhe babai. Warren kishte një famë të jashtëzakonshme. Kur studioja në Neighborhood Playhouse, pas leksioneve të vallëzimit të Martha Graham, ne vajzat llomotisnim shumë gjëra për të. Cricket Cohen njihte një vajzë, e cila punonte aty dhe kishte shkuar në dhomën e njërit prej drejtuesve. Oh Perëndi e Madhe çfarë tmerri, çfarë poshtërimi. Të gjitha ne betoheshim se nuk do të binim kurrë në këtë lloj kurthi. Neve jo, kurrë. Ajo që nuk dija ishte se Warren thoshte se vendosi ta përqendronte dritën e tij mbi mua, nuk kisha se si të shpëtoja. Në sytë e tij unë bëhesha personi më joshës në botë. Ai ushqehej me çdo nuancë të fytyrës sime asimetrike dhe e transformonte në një bukuri të pastër. Ishte diçka shumë interesante, por të ngjallte edhe frikë. Kam bërë dy jetë të ndryshme, në dy vende të ndryshme. Isha me Warren, por për shkak të filmit Annie Hall të gjithë mendonin se ende isha e dashura e Woody-t.
Warren kishte një detektor të pagabueshëm të dënglave që bënte vazhdimisht. Gjithmonë ishte në kërkim të asaj që fshihej pas aparencave, madje ishte personi i vetëm tepër kureshtar që më pyeti nëse syzet që mbaja në filmin Annie Hall kishin lente. E tmerrshme! Ndërkohë Woody nxiste tentativat e mia artistike me mesazhe të tipit: Erdhën fotografitë e tua të reja. Më të mirat që ke bërë ndonjëherë! Vërtet!. Ndërkohë Warren u hidhte një sy kolazheve të mia dhe thoshte: Je një yll kinemaje. Kjo ishte ajo që doje, tani ia arrite dhe duhet vetëm të vazhdosh përpara. Ku mendon se do të të çojë e ashtuquajtura rrugë artistike?. Kjo ishte ajo që më pëlqente tek ai, thoshte atë që mendonte dhe mendimet e tij ishin tepër të vlefshme për mua.
Kur krahasoj lidhjen e mamasë sime me babain, dhe timen me Warren, nuk ka dyshim që premtimet e Warren ishin shumë herë më joshëse në krahasim me ato të Jack. Pasi i tregova se avionët më terrorizonin, Warren më bëri një surprizë kur po nisesha për fluturim për në Nju Jork: më mori për dore, më shoqëroi deri te avioni, u ul pranë meje, gjithnjë duke më mbajtur për dore dhe nuk ma lëshoi deri sa arritëm në destinacion.