E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Shkrimtari i famshëm italian, i njohur ndërkombëtarisht për shumë vepra, veçanërisht për librin “Emri i trëndafilit”, flet për natyrën njerëzore, përse sipas tij është njerëzore të gënjesh, në ç’mënyrë përdori Berluskoni shumë histori komploti për të qëndruar në pushtet, si dhe marrëdhënien e tij dashuri-urrejtje me librin më të famshëm që ka shkruar.
Umberto Eco: “Njerėzit janė tė lodhur nga gjėrat e thjeshta. Tani duan sfida”






“Po mbërrij në fund të mundimit tim”, thotë Umberto Eco, në një intervistë të fundit dhënë për median britanike. Eco – filozof, semiotikan, romancier, bibliofil dhe publicist i rregullt – është në një turne botëror për të promovuar librin e fundit “Varreza e Pragës”.

Ai thotë se ndonjëherë, kur është në ndonjë qytet të huaj, harron se në cilin vend ndodhet ekzaktësisht. Në janar do të mbushë 80 vjeç dhe nuk ngjan aspak me një njeri të moshës së tij, ose me dikë që ka hequr keq në një jetë “të mundimshme”. Edhe pse qëndron në karrige me qetësi, herë pas here ka lëvizje të befta, në formë tikesh me intervale të caktuara kohe.

Zakonisht i pëlqen që kur ulet me dikë, të mbajë një cigare në gojë. Jo ta ndezë, por thjesht ta kafshojë dhe t’i mbajë erë. Këtë ves e ka lënë vite më parë, kur pati një problem shëndetësor e ndërsa e kafshon, shpreson se së paku një copëz nikotinë do t’i hyjë në stomak.

Zëri i tij është i trashë dhe i thellë. Disa kritikë thonë se me këtë libër, Eco i është rikthyer formës, duke lënë pak pas përmbajtjen. Ndërsa për të, forma është diçka që ka të bëjë më shumë me sportin, se sa me fjalorin letrar.

Megjithatë ai ngulmon se libri i tij i ri nuk është një rikthim te forma, përkundrazi. Ngjarjet zhvillohen në gjysmën e dytë të shekullit të 19 dhe ndjekin fatin e një mashtruesi, vrasësi, Simone Simonini, i cili dyshohet se ka të bëjë me të gjitha ngjarjet më të mëdha të asaj periudhe (Bashkimin e Italisë, Luftën Prusiane, Komunën e Parisit, çështjen “Dreyfus”).

E nëse është apo jo një rikthim te forma, ky roman është padyshim një rikthim i tij te subjekti i preferuar: konspiracioni. Simonini prezantohet si zanafilla e Protokollit të Pleqve të Zionit, tekstit të rremë të shekullit të 20, që synoi të detajonte një komplot hebraik për sundimin e botës.

Në vijim të publikimit të tij në Rusi në vitin 1903, protokolli u lexua gjerësisht dhe besohet se është bërë plagjiaturë shumë herë. Eco bën bashkë atë pak që dihet për origjinën e tekstit dhe zgjedh personazhin e Simoninit, italianin e pamoralshëm i cili jetonte në Paris si njeriun që ishte zanafilla e shumë mashtrimeve.

Konspiracionet në përgjithësi dhe protokollet në veçanti kanë qenë shpesh në qendër të temave të punës të Eco-s. Kjo vihet re kryesisht në romanin e tij të dytë “Penduli i Foucaltit”, ku si me shaka tre botues ndërthurin një konspiracion që në fund ua mori jetën. Po përse ai është kaq i fiksuar dhe kaq i shqetësuar pas protokolleve? “Si studiues, jam i interesuar në filozofinë e gjuhës, semiotikën, quajeni si të dëshironi dhe një nga tiparet më të rëndësishme të gjuhës njerëzore është mundësia e të gënjyerit.

Një qen nuk gënjen. Kur ai leh, do të thotë se dikush është jashtë shtëpisë. Kafshët nuk gënjejnë, njerëzit po. “Nga gënjeshtrat te mashtrimet dasia nuk është e madhe dhe unë kam shkruar ese teknike në lidhje me logjikën e mashtruesve dhe për ndikimin e mashtrimeve në histori. Një ndër mashtrimet më të famshëm dhe më të tmerrshëm në histori janë protokollet”. Eco thotë se në fakt nuk janë konspiracionet ato që e tërheqin, por paranoja që i lejon ato të lulëzojnë.

“Ka shumë konspiracione të vogla dhe pjesa më e madhe e tyre zbulohen pas njëfarë kohe. Por paranoja e konspiracionit universal është më e fuqishme, sepse është e përjetshme. Nuk mund ta zbulosh kurrë, sepse nuk e di kurrë se kush fshihet pas. Është një tentacion psikologjik i species sonë. Karl Poper ka shkruar një ese të bukur në lidhje me këtë, në të cilën thotë se zanafilla e gjithçkaje është Homeri.

Gjithçka që ndodhi në Trojë u komplotua një ditë më parë në majën e Olimpit nga Zotat. Është një mënyrë për të mos u ndjerë përgjegjës për diçka. Kjo është arsyeja se përse diktaturat përdorin konspiracionet universale si armë të vërteta.

Dhjetë vitet e para të jetës sime unë u shkollova në një shkollë fashiste dhe ata përdornin konspiracionin universal se britanikët, hebrenjtë dhe kapitalistët ishin duke komplotuar kundër popullit të varfër italian.

Edhe për Hitlerin ishte e njëjta gjë dhe Berluskoni i ka mbushur fushatat elektorale, duke folur për konspiracione të dyfishta që i bëheshin atij nga gjykatësit dhe komunistët.

Komunistë zor se mund të thuash se ka ende vërdallë, edhe nëse do të kërkoje me llambë në dorë, por për Berluskonin ata përpiqeshin në mënyrë të vazhdueshme për ta rrëzuar nga pushteti”.

Eco për pak sa nuk i bën bashkë Berluskonin dhe Hitlerin, ndërkohë që nuk është aspak entuziast as për Kryeministrin e ri të Italisë. Eco ka qenë gjithmonë një personazh i shquar dhe intelektual i së majtës italiane dhe e ka kundërshtuar ardhjen e Berluskonit në pushtet që herën e parë kur ai fitoi zgjedhjet dhe u bë Kryeministër i Italisë në mesin e viteve ‘90.

Kësisoj është i kënaqur që ai nuk është më në krye të vendit, por paralajmëron se nuk do të ishte e mençur që të mendoje se ai tashmë nuk duhet marrë më në konsideratë, duke sugjeruar se ai mund të tentojë sërish që të vijë në pushtet në zgjedhjet e vitit 2013. “Berluskoni është një gjeni i komunikimit. Ndryshe nuk do të ishte bërë kurrë kaq i pasur.

Që nga fillimi ai i identifikoi objektivat e tij shumë qartësisht. Media ishte suksesi i tij i madh dhe ai e pa që në fillim se njerëzit në moshë të mesme janë ata që shohin TV, ndaj duhet të punohet për ta. Njerëzit që mbështesin Berluskonin janë 50-60-vjeçarët, gratë shtëpiake dhe pensionistët, që në një vend me një popullsi të plakur përbëjnë një pjesë domethënëse të elektoratit.

Ndaj edhe disa nga sjelljet e tij më ekstreme mund të jenë ekstreme për njerëz të rinj dhe me integritet, por jo për kategorinë e sipërpërmendur. Joshja e tij për njerëzit ishte shmangia e taksave. Kur një kryeministër thotë se është e drejtë që të mos paguhen taksat, njerëzit ndihen mirë.

“Po si ka mundësi që një vend me kaq kulturë dhe me kaq shumë intelektualë si Italia zgjodhi për Kryeministër për disa herë rresht një njeri si Berluskoni? Për Eco-n, Berluskoni është thelbësisht anti-intelektual. Ai e ka thënë vetë se nuk ka lexuar asnjë roman që nga mosha 20-vjeçare.

Ndërkohë sipas Eco-s, Italia nuk është më një popull intelektualësh. “Në metronë e Tokios, të gjithë lexojnë, ndërsa në Itali nuk sheh njeri me libër në dorë. Mos e mbivlerësoi Italinë, vetëm se ka qenë atdheu i Rafaelit dhe Mikelanxhelos”.

Libri i ri i Eco-s është sulmuar nga disa për “prishje” të një teksti antisemit, por vetë autori argumenton se Protokollet mund të gjenden lehtësisht në internet, madje edhe shumë analiza dhe komente për to dhe se “lexuesit e dobët” që e kanë keqkuptuar qëllimin e shkrimit të këtij libri duhet që të lexojnë më shumë. “Ajo që mund të them është se unë nuk jam përgjegjës nëse disa e lexojnë këtë libër në mënyrë perverse.

Mendoj se ky libër duhet të gjykohet 10 vjet më vonë, pasi të lexohet dhe stërlexohet. Unë jam konsideruar dhe përcaktuar si tepër erudit dhe filozofik dhe si njeri shumë i vështirë për t’u kuptuar. Kështu shkrova një roman, që nuk është aspak erudit dhe që është e shkruar me një gjuhë të thjeshtë “Flaka misterioze e Princeshës Loana” dhe mes romaneve të mi ky shiti më pak.

Ka të ngjarë që të jem duke shkruar për një publik mazokistësh. Vetëm disa botues dhe gazetarë mendojnë se njerëzit duan vetëm gjëra të thjeshta. Unë mendoj se njerëzit janë të lodhur nga gjërat e thjeshta dhe duan sfida”.

Eco ka një karrierë të shquar 30-vjeçare në botën akademike me shfaqje të herëpashershme edhe në programet televizive dhe ndërkohë ka punuar edhe si redaktor në Milano, përpara botimit të librit “Emri i trëndafilit”.

Përse ai e ndjen se CV-së së tij shumë të plotë i duhen shtuar romane të tjerë? “Pjesërisht ky ishte një aksident. Dikur një shok më kërkoi që të shkruaja një roman të shkurtër policesk për një serial të ri televiziv që po përgatiste.

Unë i thashë se nëse do ta shkruaja atë, do të bëhej fjalë për një roman me 500 faqe dhe ngjarjet do të vendoseshin në mesjetë. Ky ishte një projekt shumë i madh për shokun tim, por kjo ide nuk i shqitej nga mendja dhe kështu lindi një libër. Por unë do ta kisha shkruar gjithsesi romanin tim, sepse kisha kohë që isha i joshur nga ideja e helmimit të një murgu për të cilin kisha dëgjuar dikur një histori.

Kam pasur gjithmonë impulsin e narrativës. Kam shkruar histori dhe fillime romanësh që në moshën 10- 12-vjeçare. Por më pas, e kënaqa shijen time për narrativën duke shkruar ese. Të gjitha kërkimet e mia kanë në fakt një strukturë eseje”. E tillë ka qenë edhe teza e doktoraturës së tij mbi veprimtarinë e Thomas Aquinas, një punë e gjatë e rrëfyer bukur dhe me shumë mistere fillimisht.

“Të shkruarit është diçka misterioze dhe e mrekullueshme siç është të rënët në dashuri. Kur bie në dashuri nuk mund të thuash se përse të ndodhi në atë ditë, në atë orë, me atë njeri. Thjesht është diçka që ndodh. “Emri i trëndafilit” e bëri Econ me famë si romancier, por ndërkohë duke qenë se ishte një vepër shumë e mirë, që u bë e famshme menjëherë, ishte e vështirë që të tjerat që vinin pas, të krahasoheshin me të.

“Ndonjëherë më ndodh që ta urrej ‘Emri i trëndafilit’, sepse ndoshta librat e mi të mëpasshëm mund të kenë qenë më të mirë, por nuk patën kurrë famën e librit tim të parë. Gabriel Garcia Marquez mund të shkruajë 50 libra, por ai do të mbahet përgjithmonë mend për librin e tij ‘Njëqind vjet vetmi’. Sa herë që publikoj një roman të ri, shitjet e “Emri i trëndafilit” rriten.

Cili është reaksioni? Njerëzit thonë se ka dalë një libër i ri i imi, por se më parë duhet që të lexojnë atë që është më i famshmi”. Por pikërisht ky libër, që vazhdon të shitet edhe sot e kësaj dite, e bëri atë të pasur, të famshëm, të suksesshëm e megjithatë, ai zgjodhi të vazhdonte të jepte mësim në Universitetin e Bolonjës dhe të vazhdonte edhe punën akademike.

Ai thotë se brenda Eco-s si rrëfimtar, si romancier, është Eco si një filozof serioz dhe kritik letrar. Thuhet shpesh se ai i ndërton romanet e tij me tema të marra nga libra të tjerë. Kështu “Varreza e Pragës” eksploron romanin e shekullit të 19 dhe është strukturuar si një i tillë. Alexandre Dumas është shpirti i tij nxitës dhe frymëzues dhe veçanërisht, romani i tij Joseph Balsamo.

Që i vogël ai i ka adhuruar librat në qytetin ku u rrit në Aleksandri, në Itali dhe veçanërisht gjyshja e tij lexonte shumë libra. Ai e vazhdon edhe sot këtë pasion dhe në shtëpinë e tij në të cilën jeton me bashkëshorten gjermane kanë një bibliotekë me 50 mijë libra, përfshi 1200 tituj të rrallë.

Ai i ka quajtur librat: korridore të mendjes” dhe së fundi ka shkruar një letër të gjatë dashurie me titull: “Ky nuk i është fundi i librit” në lidhje me mënyrat e reja dixhitale që kanë dalë për konsumimin e letërsisë artistike. Por kjo nuk e ka bërë një kundërrevolucionar të dixhitalizimit.

Në fakt ai ka një “iPad” me 30 tituj të ngarkuar në të dhe zakonisht e përdor gjatë udhëtimeve. Po ai i është dorëzuar tashmë faktit se ai do të mbahet mend në të ardhmen si shkrimtari që shkroi “Emri i trëndafilit”? “Fillimisht pata ndjesinë se romanet e mia nuk kishin të bënin me interesat e mi akademike.

Më pas zbulova se kritikët e mi gjetën shumë lidhje mes këtyre dy dashurive të mia dhe botuesit kanë vendosur që edhe romanet e mi t’i marrin në konsideratë si një kontribut në lëmin e filozofisë. Ndaj dorëzohem. Unë e pranoj idenë që ‘Emri i trëndafilit’ do të më identifikojë, duke nxjerrë kështu edhe më në pah lidhjen e letërsisë sime me filozofinë më shumë se te çdo libër tjetër”.

Publikuar: 30.11.2011 | 15:13
Lexuar: 489 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime