E enjte, 9.09.2010
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Pjetër Pepa, për botimin e dytë të plotësuar të "Dojes së diktaturës". Lënda bazë nga janë nxjerrë të dhënat e klerikëve apo civilëve shqiptarë dhe ata pak huaj që janë përfshirë në procesin e kanonizimit. Hapi që i çon drejt shkallës së njohjes martirë nga Vatikani
Dosja e diktaturės II:Atė qė shqiptarėt u bėnė shqiptarėve Elsa Demo












Elsa Demo


Pjetër Pepa, për botimin e dytë të plotësuar të "Dojes së diktaturës". Lënda bazë nga janë nxjerrë të dhënat e klerikëve apo civilëve shqiptarë dhe ata pak huaj që janë përfshirë në procesin e kanonizimit. Hapi që i çon drejt shkallës së njohjes martirë nga Vatikani


Quod non fecerunt barbari, barberini fecerunt. Botimit të parë të "Dosjes së diktaturës" në vitin 1995, Pjetër Pepa, mjek stomatolog në profesion, "rastësisht në Kuvendin Popullor", siç thotë ai, përcjell këtë mesazh me fjalët e Papa Urban VIII, Maffeo Barberini, për çka shqiptarët u kishin bërë shqiptarë në shekullin e njëzetë.


14 vjet më pas, po ky autor e ka plotësuar "Dosjen" me materiale arkivore dhe familjare përtej vitit '50-të. Quhet "Dosje", sepse është e pajisur me të dhënat e të ekzekutuarve me dhe pa gjyq, me dënimet dhe autorët e tyre.


Është lënda bazë prej së cilës Pepa ka nxjerrë të dhënat e atyre klerikëve apo civilëve shqiptarë dhe ata pak huaj që janë përfshirë në procesin e kanonizimit, hapi që i çon drejt shkallës së njohjes martirë nga Vatikani.


Pepa tregon për "Dosjen e diktaturës" të plotësuar, e cila do të botohet së shpejti nga Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve. Botimi I ekziston edhe në gjuhët italisht e anglisht.

Para se të ndalemi tek ky botim i dytë i "Dosjes së diktaturës", dy fjalë për ata që nuk e dinë se ç'është "Dosja I".


E kam thënë, s'jam as shkrimtar as autor, jam mjek, por rastësia më futi në Parlament dhe rastësia e solli që të futem në arkivat e Ministrisë së Brendshme. Qëllimi ishte për të nxjerrë disa materiale për 2-3 tubime mjaft domethënëse për kohën, për Gjyqin e Deputetëve, Gjyqin e Partive Politike, për figura politike, nacionaliste, varur e pushkatuar nga diktatura.


M'u kujtuan ngjarjet e fëminisë kur im atë, Ndoc Pepa, ankoheshe se si pushkatuan pa gjyq njerëz të shquar të klerit katolik me pretekstin e armëve në kishë, apo për të ashtuquajturat organizata terroriste. Në vitin 1945 kishin filluar pushkatimet e para, e më pas pushkatohet Dom Lazër Shantoja, Pater Anton Harapi, Dom Ndre Zadeja, por fushata më e madhe ishte në '46-ën.

Çfarë lidhjeje kishte babai juaj me klerin katolik të Shkodrës?


Në Shkodër unë e kam pasur shtëpinë pranë Kuvendit Françeskan dhe im atë, duke qenë besimtar praktikant, i njihte klerikët qysh para lufte. Nuk kishte ndarë vetëm ditët e bukura të paraluftës, por edhe kohët e vështira deri në Revolucionin Kulturor të '67-ës, kur u asgjësuan kishat.


Im atë kishte dy pengje para se të vdiste më '78-ën: të hapeshin edhe një herë kishat
dhe një peng për gjermanët dhe italianët klerikë, që kishin ardhur për të ndihmuar shqiptarët dhe ne i pushkatuam.


Kur i dhashë Papa Benediktit XVI dy vëllimet e librit tim, i bëra me dije se aty ishin materialet jo vetëm për martirët e klerit katolik shqiptar, por edhe të huaj, mes tyre edhe italianë dhe dy gjermanë.

Dhe cilët të huaj keni përfshirë ju në këtë histori?


Një pjesë e tyre u dëbuan, kurse nga ata që mbetën këtu, nuk janë shumë. Gjermanët, Alfons Tracki dhe Jozef Marksen, kurse kyçi për të ashtuquajturat organizatat terroriste ishte Gjon (Giovanni) Fausti nga Bresha.

Arkivat e Ministrisë së Brendshme ishin i vetmi burim?


Sigurisht që më kanë ndihmuar edhe burime të tjera. Për shembull, kur diskutohej bomba në Ambasadën Sovjetike, ose gjyqi i deputetëve tek kinema "17 Nëntori", ishin të gjithë familjarët të interesuar dhe përmes shoqatës së të përndjekurve, që në atë kohë ishte mjaft aktive.


Kishte familjarë që për herë të parë po u dilnin historitë e prindërve, për shembull Riza Alizoti i varur me gjithë të atin. Për herë të parë po u hiqej balta këtyre të varurve dhe të pushkatuarve. Dosja u pasurua me detaje të internimeve të familjeve, të familjeve të përgjysmuara, me jetimë dhe vejusha.


Atëkohë më dukej vetja si vajtojcë që shkon e qan të vdekurit. Unë vetë nuk kam qenë kushedi çfarë nga bashkëvuajtësit, por gjithmonë thosha se nuk është konditë të bëjmë të gjithë gjilpërë, që të dimë sa dhemb gjilpëra.

Ju shkruani se, që në fillimet e tij, ky pushtet zu fill me hedhjen në erë të varrit të nënës Mbretëreshë nga Mehmet Shehu... Mbetet akoma kjo, sipas jush, shenjë e parë e dhunës së regjimit?


Them që po. Natyrisht që klerikët e dinin mirë se ç'do të ishte komunizmi. E dinin që është një shtrëngatë e keqe që s'ka çfarë pjell, derisa është ateiste, derisa është diktaturë, derisa s'ka liri fjale. Elita e dinte, por nuk e dinte masa.


Dhe akoma pa u instaluar pushteti, hidhet në erë varri i një paraardhësi që ka vendin e vet në histori, sado që "kundërshtar" i regjimit. Për të vdekurin vetëm lutesh, është parimi.

[b]Çfarë do të ketë plus "Dosja e diktaturës II"?



Kur u ktheva nga detyra për një vit, deri më '97-ën si ambasador në Vatikan, gjeta gjithçka përmbysur për mua, për forcën time politike, pavarësisht se unë nuk isha ndonjë politikan kurrë.


Pas 3-4 vitesh, ngaqë kisha shkruar këtë libër, më thirrën në Konferencën Ipeshkvnore, me rastin e kanonizimit të dyzetë pjesëtarëve të klerit katolik. U thirra që të jem në komisionin e historisë për martirizimin e këtyre personave. Kjo u bë shkas që të futesha edhe njëherë në arkiva. Dhe s'ma mori mendja se ky kërkim do zgjaste edhe 5-6 vite të tjerë.


Botova dy vëllime, më pas nisa një cikël tek gazeta "55". Kështu që botimi i tyre në një vëllim të vetëm, do të jetë dosja e diktaturës e plotësuar.
Dosja rri dosje, pra ngjarjet kyç janë në vitet '45-'50-të. Në botimin II, ngjarjet arrijnë deri në rënien e regjimit.

Ju keni qenë një nga autorët e ekspozitës për antikomunzimin e hapur më 18 shkurt në Muzeun Historik Kombëtar. Mendoni se ia arriti qëllimit ekspozita?


Evitoi, së paku, harresën. Por, në atë ngut që u bë, nuk mund të mendohet se qëllimi është arritur. Natyrisht, pavijoni duhet të jetë definitiv, nuk duhet të jetë fushatë. Ajo që ka ndodhur nuk është e paktë.


Ajo që ka ndodhur në Shqipëri, nuk ka ndodhur askund tjetër dhe izolimi ynë deri në nëntëdhjetën, bëri që dhuna të shkojë in extremis. Duhen dokumentuar jo për hakmarrje, por për brezat e ardhshëm. Ka njerëz që kërkojnë varret e të afërmve për ngushëllim, kërkohet një rehabilitim.

[b]Sipas jush, është arritur një farë rehabilitimi i njerëzve të përndjekur dhe të dënuar politikisht?



E vështirë. Qeveritë premtojnë, në atë mënyrën e vet dhe bëjnë. Pesëdhjetë vitet e diktaturës kanë bërë një dëm të parehabilitueshëm. Dëmet janë morale, fizike, ekonomike. Brezi i ri s'do t'ia dijë, qeveritë jetojnë mbi bazën e taksave.

A nuk ka ndodhur një manipulim i statusit "i përndjekur politik"?


Gjithçka ndodh. Pas 50 vitesh diktaturë, ku kthehesh në kopsht zoologjik, njerëzit s'janë më njerëz, s'kanë më ideal dhe shpërthen papritmas ajo që quajmë liri-demokraci, ai më i pakarakteri, ai që dje kishte grushtin nxjerr dy gishtat e bëhet demokrat. Po edhe më i përndjekuri e ka pësuar fatkeqësinë, se është kthyer në bashkëpunëtor prej hallit e sikletit.


Kështu që, ajo që thoni ju, ndodhi brenda vetë shoqatave të të përndjekurve që nuk ditën ta kryejnë misionin si duhet. Në këtë situatë, drejtësinë e vërtetë nuk e sjellin as shoqatat, as qeveritë.


Gënjehet, abuzohet, luhet me ndjenjat e tyre, shpeshherë. Diçka është bërë, por gjithmonë është shumë pak në raport me çka u takon. Por, nuk mund të ngulësh këmbë që të korrigjosh atë që ka ndodhur.


Është si puna e një autobusi që është mbushur me njerëz, ka shpërthyer një flakë dhe duan të dalin të gjithë në atë portë dhe të gjithë mbajnë njëri-tjetrin dhe s'dalin as dy, as tre vetë. Dëmshpërblimi ka një faturë. Ku ka qeveri që do t'u marrë të rinjve taksën për këtë dëm!


Në çfarë faze është procesi i martirizimit të dyzetë viktimave të diktaturës nga Vatikani?


Natyrisht, atje punët shkojnë me këmbë plumbit. Janë rreth dyzetë, tridhjetë klerikë dhe disa civilë, për të cilët dëshmitë para vdekjes janë të jashtëzakonshme dhe rrëqethëse. Këto janë në proces të përfundimit të dokumentacionit. Për këtë ngrihet komision historik, komision gjyqësor etj., dhe duhet të kenë kaluar 50-60 vjet pas vdekjes.


Cilët janë civilët?


Mark Çuni, një seminarist, student. Jemi në vitin 1945. Duke qenë antikomunist me të rinj të tjerë, është aktiv dhe u thërret njerëzve që mos votojnë për komunizmin.
Gjelosh Luli, profesor, poliglot, i ri, i ardhur nga shkollat e Perëndimit.


Është ai që i dorëzon Gjeneralit Hudson një memorandum, ku i thuhet se zgjedhjet nuk do të jenë të lira, përderisa këtu merr pjesë veç një forcë: Fronti Demokratik. Ai e vë në dijeni se ka pushkatime dhe kjo i duhet bërë me dije opinionit ndërkombëtar.
Marie Tuci, një mbesë e Gjomarkajve, një vajzë rreth 20-vjeçare, e torturuar dhe e masakruar.


Dom Gjon Gazulli, është jashtë diktaturës komuniste, i përket periudhës së Zogut. Vjen nga pjesa e madhe Gazullorëve që kanë kontribuar në shekuj për këtë vend. Dom Gjon Gazulli varet në pazarin e Shkodrës për lëvizjen malësore kundër Zogut.
Në listën e martirëve është edhe Dom Nikollë Gazulli, antikomunist, vritet në shpellë. Autori i fjalorit etimologjik.

Cilët janë të huajt?


Historia më tronditëse është pikërisht e njërit prej tyre: Dom Zef Marksen, që ka ardhur nga Gjermania për të dhënë dije këtu, rreth 30 vjeç. E arrestojnë menjëherë pas luftës, sepse futet në grupin e armiqve të popullit, dënohet dy vjet.


Pastaj, me pretekstin se tani po ju çojnë në shtëpi, si i huaj që ishte, rrugës, 2 km duke dalë nga Tirana, e pushkatojnë bashkë me dy bashkëkombës të tjerë. Për këta persona nuk ekzistonte asnjë dokument, arkivi s'kishte asgjë.


Rastësisht shoh dosjen e Koçi Xoxes, në kohën e të cilit, viti '46, ishin bërë shumë vrasje. Vetë hetuesit, vetë vrasësit, në kohën e gjyqit të Xoxes, për t'i shtuar fajet atij, për të nxjerrë se partia dhe Hoxha s'kanë faj, tregojnë historinë. Vrasësi tregon historinë, ku thotë se tre klerikët donin të iknin, prandaj u goditën. Është absurde.


Ka ndodhur që pasi viktima kishte vdekur në tortura, mbysnin një qengj, merrnin gjak në një shishe të vogël, merrnim kufomën, e çonim në një fushë dhe i derdhnin plumbat për së vdekuri, pastaj i derdhnin gjakun.


Pra, Dom Zef Marksen vritet pa lënë gjurmë. Gjermani tjetër, Dom Alfons Tracki, është vrarë në shpellë, ndërsa do t'i bëjë nderin e fundit para vdekjes Ndoc Jakovës, vëllait të kompozitorit Prenkë Jakova. Dom Alfons Tracki u pushkatua.


Prej tij kanë dalë shumë klerikë të zotë shqiptarë.
Një nxënës i tij do të varej në mënyrë demonstrative. Po aq e tmerrshme është historia e Dom Lazër Shantojës.


Çfarë ju thotë ky përvjetor i 20-të i rënies së Murit të Berlinit?


Thuhet se pasi kalojnë 20-30 vite, shkruhet vërtet historia, e zhveshur nga pasionet. Ky përvjetor më kujton një të keqe që s'e patëm vetëm ne.


Mjerisht, jemi një vend që gjeografikisht Perëndia është treguar bujare me ne, por jo historia. Nuk është rastësi që pushtimi osman zgjat më shumë se kurrë tek ne, edhe diktatura zgjat më shumë se kurrë tek ne. Janë një ndërthurje faktorësh në favor të së keqes.


Jemi më të vonuar në shpëtim. Nga ana tjetër, dita e rënies së Murit mbetet ditë e lume, solli dhjetorin tonë nëntëdhjetë.

Publikuar: 09.07.2009 | 02:56
Lexuar: 467 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime