Në sallën e lutjeve tavani masiv i pikturuar, mafili i gjerë me dy kate i mbështetur mbi dy shtylla druri, mihrabi ne murin fundor dhe mimberi në anën e djathtë të mihrabit formjnë strukturën dekorative të saj.
Xhamia Mbret është një nga xhamitë kryesore të qytetit të Beratit e shpallur monument kulture që në vitin 1948.
Ajo është pjesë e kompleksit të Qendrës Islamike dhe është ndërtuar nga Sulltan Bajaziti II në fund të shekullit të XV. Përbëhet nga salla e lutjeve, portiku dhe minareja.
Në sallën e lutjeve tavani masiv i pikturuar, mafili i gjerë me dy kate i mbështetur mbi dy shtylla druri, mihrabi ne murin fundor dhe mimberi në anën e djathtë të mihrabit formjnë strukturën dekorative të saj.
Në qendër të tavanit ka rozeta me mbishkrime të thënieve të ndryshme kuranore. Një frizë poshtë tavanit përmban 99 emrat e bukur të zotit.
Salla e lutjeve paraprihet nga një portik i hapur. Portiku ka tavanin e tij dhe në murin verior të tij ndodhet një tjetër mihrab në mënyrë që besimtarët e shumtë të mund të falen edhe në portik.
Portiku është më i ri se Xhamia dhe është ndërtuar në fund të shekullit të XVIII nga Usta Dush Barka. Ai qarkohet nga një harkadë e mbështetur në kollona guri.
Pjesa e sipërme e minares është rindërtuar vitet e fundit ndërsa bazamenti i saj është ndërtuar me teknikë klausonazhi dhe është një prej elementëve arkitektonikë që i përkasin ndërtimit të parë të xhamisë në shekullin e XV.
Nga jashtë Xhamia është tërësisht e suvatuar dhe mbi suvatim është vizatuar për të imituar muraturën e saj.