Me euron në kulmin e krizës, tashmë sytë e të gjithëve janë drejtuar nga Gjermania. Romano Prodi, ish-kryeministër i Italisë dhe ish-president i Komisionit Europian, thotë në një intervistë se Gjermania, si vendi më i fuqishëm në kontinent, duhet më në fund që të dalë në krye të punëve dhe të tregojë kurajë në zgjidhjen e krizës.
Kriza e euros
Me euron në kulmin e krizës, tashmë sytë e të gjithëve janë drejtuar nga Gjermania. Romano Prodi, ish-kryeministër i Italisë dhe ish-president i Komisionit Europian, thotë në një intervistë se Gjermania, si vendi më i fuqishëm në kontinent, duhet më në fund që të dalë në krye të punëve dhe të tregojë kurajë në zgjidhjen e krizës.
A e mbështesni ju, sikundër edhe presidenti i Komisionit Europian, Barrozo futjen në përdorim të eurobonove, në mënyrë që Europa të dalë nga situata e krizës?
Sipas meje, Banka Qendrore Europiane duhet që të luajë rolin e duhur në krizë dhe eurobonot gjithashtu duhet që të emetohen. Së bashku me kolegët e mi, kam propozuar që bonot duhet të garantohen nga rezervat shtetërore të arit dhe fonde të tjera.
Cili do të ishte efekti i këtyre masave?
Mendoni për diçka: përse askush nuk po e sulmon dollarin? Po të hedhësh një vështrim në buxhetin e Shteteve të Bashkuara, dollari është në një situatë më të keqe se euroja. Shkalla e borxhit në Kaliforni është shumë më e rëndë se ajo e Greqisë. Por dollari mbrohet nga Rezerva Federale. Kjo e bën këtë monedhë të madhe dhe të fortë, si një qen të madh. Dhe, askush nuk do ta kafshonte një qen të madh.
A mund të bëhet edhe euroja një qen i madh?
Nëse do të kishte vullnet politik, po. Shikoni, Gjermania ka një pozicion shumë të fuqishëm aktualisht. Gjermania është Kina e re.
Mendoj se ky është një mbivlerësim.
Le të marrim samitin franko-gjerman. Mendoj se është, në fakt, një samit gjermano-gjerman. Nuk mund ta thuash me zë të lartë, por është e vërtetë: kancelarja Merkel, në fund të fundit është ajo që dikton rregullat.
Pra, ju jeni i bindur se sjellja e gjermanëve ndaj eurobonove duhet të ndryshojë, në mënyrë që të zgjidhet kriza e euros?
Gjermania duhet të marrë një qëndrim të prerë në lidhje me të ardhmen e Europës, ose loja do të marrë fund. Por nuk mendoj se ekziston ndokush në Gjermani që ka dëshirë të hiqet dorë nga euroja.
Ju jeni shumë optimist në lidhje me idenë se kriza mund të zgjidhet. Nga ju vjen një optimizëm i tillë?
Racionalisht, një krizë zgjidhet herët ose vonë. Gjermania nuk mund të heqë dorë nga situata e saj fantastike ekonomike në botë.
Situata ekonomike në Itali është shumë shqetësuese. Befas, megjithatë, pas shumë vitesh në qetësi gjithçka është duke ndodhur shumë shpejt: ish-kryeministri Berluskoni dha dorëheqje, teknokrati Monti mori në dorë kabinetin qeveritar dhe mori edhe votëbesimin në parlament, dhe e gjithë kjo brenda një viti. A ka ndodhur ndonjë ndryshim në vend?
Mendoj se gjithçka ishte shumë e ngadaltë. Italia është në mesin e një krize shumë të ashpër ekonomike, që në fakt nuk duhet të kishte mbërritur në një stad të tillë. Berluskoni thjesht duhej të largohej.
A është larguar në të vërtetë?
Për këtë nuk jam i sigurt. Pas dorëheqjes sime nga posti i kryeministrit, unë thjesht u ktheva në qytetin tim, Bolonja. Ndërsa ai, në vend që të kthehet në një jetë tjetër normale, vazhdon që të bëjë deklarata të vazhdueshme, duke treguar vullnetin e tij se do të lërë një derë hapur për një rikthim në skenën politike.
Thuhet se ai ka thënë se do të rikthehet me një fuqi të dyfishtë
Po, dhe në fakt duket më aktiv në politikë sot se kur ishte kryeministër.
A mund të shndërrohet ai në rrezik për pasardhësin e tij, Monti?
Jo, për momentin. Monti vlerësohet shumë, por Berluskoni nuk do të tërhiqet. Ai e ka humbur magjinë, por jam i bindur që do të riprovojë sërish.
I druheni një gjëje të tillë?
Nuk mund ta imagjinoni sa kam vuajtur këto vitet e fundit. Kudo që shkoja, gjithçka ishte e stilit bunga-bunga. Në Pekin u tallën me mua dhe gruan time për shkak të Berluskonit. Edhe në Kenia na tregonin në hotel me gisht.
A është dorëheqja momentale e politikanëve për ti hapur rrugën teknokratëve, zgjidhja e duhur për Italinë?
Mendoj se është zgjidhja e duhur për muajt e ardhshëm. Ne kemi dy personalitete që mund ti japin tregjeve garanci për një sjellje racionale. Njëri është Mario Dragi, që është shefi i Bankës Qendrore Europiane. Tjetri është kryeministri ynë, Mario Monti. Të dy janë ekonomistë të shkëlqyer dhe shumë të respektuar në të gjithë botën.
A do të mjaftojnë këta të dy për të bindur italianët që është e nevojshme të bëhen sakrifica për të dalë nga kriza?
Nuk ka të bëjë shumë me sakrificat se sa me ndryshimin e strukturave dhe liberalizimin e tregjeve. Unë jam përpjekur për një gjë të tillë gjatë gjithë periudhës që kam qenë kryeministër dhe kam pasur shumë vështirësi për miratimin e reformave në Parlament.
Në Greqi përpjekjet për të ndryshuar strukturat dhe mentalitetin e një vendi nuk kanë funksionuar deri më tani...
Nuk mund të bësh krahasim mes të dy vendeve tona. Ne nuk na duhet që të reduktojmë pagat e punonjësve publikë me 30%. Deficiti ynë buxhetor do të jetë sa gjysma e atij të Francës. Gjithsesi, ne na duhet një qeveri e fortë dhe ne nuk e kemi pasur një të tillë deri më tani. Veç kësaj, kemi dy probleme që e dallojnë Italinë nga pjesa tjetër e shteteve europiane: një evazion të jashtëzakonshëm fiskal dhe një ekonomi informale.
Evazioni fiskal nuk është i lehtë për tu eliminuar.
Përvojat e mia në këtë drejtim janë të ndryshme. Kur kam qenë kryeministër, të ardhurat nga taksat u rritën thjesht nga fakti se njoftova se kisha ndërmend që të luftoja evazionin e taksave. Ligjet nuk ishin ende të gatshme në atë kohë, Ajo që duhet, është një vendosmëri dhe besueshmëri në këtë drejtim.
Pavarësisht ndryshimit të qeverisë, presioni i tregjeve në Itali nuk ka rënë. Përse?
Kjo ilustron faktin që kriza nuk ka të bëjë vetëm me Italinë. Sigurisht që Italia është në një pikë të dobët në të gjithë krizën. Dhe kur unë isha në Uashington dy javë të shkuara, u vura në pozitë të vështirë kur dëgjova se sipas tyre, pika më e dobët e financave botërore ishte Italia.
Nuk jeni dakord me një gjë të tillë?
Është e vështirë për mua që të rri e të shoh për shembull, një kompani si Siemens që vjen në Itali për të marrë inxhinierë të mirë në mënyrë që ti punësojë në Gjermani, duke qenë se kualifikimi i tyre është i shkëlqyer. Unë vetë kam dy nipër të cilët i kanë kryer doktoraturat e tyre në Itali dhe janë duke punuar aktualisht në Gjermani. Dy të tjerë punojnë në Francë.
Në këtë drejtim, nuk është se gjërat kanë ndryshuar shumë krahasimisht me vitin 1960, kur shumë italianë emigronin në Gjermani për të punuar aty.
Në atë kohë ishin të varfrit ata që lanë Italinë. Sot janë të shkolluarit, madje pjesa më e shkolluar e vendit që largohet. Është një dramë e madhe. Por nervoziteti i vazhdueshëm i tregjeve tregon se tashmë kemi të bëjmë me një sulm drejtuar euros. Nëse do të kishim vepruar me më shumë vendosmëri dy muaj të shkuar, do të ishim në një fazë kalimtare të krizës tani dhe nëse do të ndryshojmë ose jo drejtim, do të shihet në samitin e ardhshëm të BE-së, në 9 dhjetor.
Çfarë duhet bërë sipas jush?
Për të kënaqur tregjet, kemi nevojë për një akt solidariteti në politikën europiane.
A do të thotë kjo se Gjermania duhet të vazhdojë të paguajë?
Varet nga Gjermania. Ne duam që vullneti politik të zgjidhë krizën. Sigurisht, unë e di që gjermanët kanë frikë që do të jenë të vetmit që do të duhet të paguajnë.
Një gjë e tillë është e kuptueshme më duket. Aktualisht kancelarja gjermane, Merkel duket se është tërësisht e izoluar me të gjithë partnerët që janë duke ushtruar një presion shumë të madh tek ajo. A do të jetë efektive një sjellje e tillë?
Kjo është mënyra e funksionimit të politikës. Por, le të bëhemi racionalë. A është Gjermania më mirë apo më keq me euron?
Me euron...
Po. Rikthimi i dojçmarkës do të çonte në zhvleftësim të saj dhe eksportet do të pësonin kolaps. Nëse euro do të pësonte thyerje, do të ishte si një shpërthim vullkanik. Askush nuk do ta dinte se ku do të binin gurët.
Nga ana tjetër, parashikimi i një inflacioni në shkallë të gjerë
Do të ishte një vetëvrasje politike në Gjermani. Unë e di këtë. Por është gjithashtu një vetëvrasje politike edhe mostregimi i forcës në drejtimin e një vendi. Ka masa të cilat mund të merren në këtë krizë.
[b]Si do të ndryshojë Europa si pasojë e kësaj krize?
Europa ka dalë gjithmonë më e fortë nga krizat. Por Europa e ardhshme do të ketë një pamje të ndryshme. Do të ketë disa shtete që do të bashkëpunojnë me më shumë intensitet me njëri-tjetrin dhe do të ketë shtete që hap pas hapi do të kërkojnë më shumë përjashtime për veten e tyre. Thelbi i Europës, ose vendet që do të përbëjnë zemrën e saj do të marrin gjithnjë e më shumë vendime të përbashkëta, ndërsa të tjerët do të jenë më në periferi.
Me pak fjalë, një Europë me dy shpejtësi?
Mund të ketë më shumë se dy shpejtësi. Por për të ardhmen e Europës ne duhet që të mbajmë gishtërinjtë e kryqëzuar dhe të shpresojmë se nuk do të ketë të njëjtin fat që ishte destinuar për Italinë në periudhën e Rilindjes.
Ju doni të thoni se është e argumentuar dhe nuk është më kompetitive me botën?
Po, ka sinjale për një gjë të tillë. BE mund të jetë ende numri 1 në termat e prodhimit kombëtar bruto, sektorin e eksporteve dhe atë të prodhimit industrial. Por, në Lindjen e Mesme, njerëzit janë duke pyetur ndërkohë: nëse ju jeni të shkëlqyer në kaq shumë fusha, atëherë përse nuk keni më autoritet? Përse nuk keni pushtet. Kjo është vërtetë një situatë e pabesueshme.