E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Para zgjedhjeve parlamentare të së dielës, partitë pro-Kremlin janë duke përdorur retorikën nacionaliste, në përpjekje për të rritur ndjesinë e së djathtës ekstreme në vend. Por kjo është një lojë e rrezikshme. Nëse e djathta ekstreme bëhet e fortë, ajo mund të jetë shumë shpejt edhe një kërcënim i drejtpërdrejtë për Putinin.
Loja e Putinit me racizmin



Khotkovo është një qytet i vogël në Rusi, 60 kilometra larg Moskës. Kryebashkiakja aktuale, Rita Tikhomirova, i përket partisë së Vladimir Putinit, Rusia e Bashkuar. Me zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen më 4 dhjetor, Rusia e Bashkuar ka vendosur postera kudo nëpër qytet. Në to përdoren parulla të tilla si “ndërto” dhe “ruaj” me anë të të cilave u premtohet njerëzve të thjeshtë begatia dhe bollëku në një vend plot stabilitet. Khotkovo në vetvete nuk do të tërhiqte vëmendjen e askujt, nëse nuk do të kishte arritur që të bënte emër vitin e kaluar si qyteti i parë në Rusi “pa të huaj”. Këtu, si në të gjithë Rusinë, punëtorët nga Azia Qendrore bënin punët më të ndyra dhe më pak të paguara, duke punuar nëpër varreza, duke pastruar plehrat e qytetit dhe kjo vazhdoi deri vjeshtën e kaluar, kur disa të rinj nga Taxhikistani goditën për vdekje me thika një të ri rus që ishte i pirë, pasi patën një sherr të ashpër me të. Banorët e inatosur bllokuan të gjitha rrugët kryesore të qytetit dhe kërkuan menjëherë depërtimin dhe largimin e të gjithë të huajve që ishin aty.

Po atë natë që ndodhi kjo tragjedi, kryebashkiakja përzuri disa qindra taxhikistanas, përfshi mes tyre edhe shumë gra dhe fëmijë të vegjël. Ata mezi mundën që të bënin plaçkat gati dhe të shoqëruar nga forcat e policisë, lanë qytetin, ndërkohë që rrugaçët rusë u vunë zjarrin banesave të tyre. Gjysmë të tmerruara dhe gjysmë të çuditura, gazetat moskovite e shpërndanë lajmin në të katër anët e vendit, duke e cilësuar këtë qytet të vogël, si të parin qytet “të bardhë” në Rusi dhe duke e bërë një shembull pozitiv. Që nga ajo ditë, nisën që të dalin parulla në të gjithë vendin: “Rusia për rusët”. Sipas sondazheve, 60% e popullsisë ishin në mbështetje të kësaj ndjenje, në një rezultat që mund t’i shkojë për shtat Kremlinit, të paktën në votën e ardhshme të përgjithshme, sepse do të ndikojë në favor të tij. Kjo është hera e gjashtë që nga shembja e Bashkimit Sovjetik që Rusia do të zgjedhë përfaqësuesit e saj të Dumës, Dhomën e Ulët të Parlamentit Rus. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Europian i cilësoi zgjedhjet e fundit ruse “të padrejta”. Këtë herë, sipas të gjitha gjasave, vlerësimi nuk ka shanse që të jetë më i ndryshëm.

Kremlini ka ushtruar presion ndaj guvernatorëve, Komisionit Zgjedhor dhe Medias në periudhën paraelektorale, për të qenë i sigurt se Rusia e Bashkuar do të marrë edhe një herë shumicën e votave. Rezultati i zgjedhjeve për shumicën e rusëve është tashmë shumë i qartë. Në Volgograd, qeveria e qyteti caktoi një prift që të verifikonte dhe të sigurohej që të gjithë besimtarët ortodoksë do t’ia jepnin votën Putinit. Njeriu i fuqishëm i Rusisë, Putin, vazhdon që të bëjë edhe presion psikologjik. Në fjalimin e fundit në Parlament, ai i bëri thirrje opozitës që të mos krijonte situata protestash para dhe gjatë zgjedhjeve, duke thënë se stabiliteti i vendit ishte gjetja më e rëndësishme që i duhej Rusisë dhe popullit rus. Sipas Putinit, opozita duhet që të jetë e pranishme, në mënyrë që partia që do të qeverisë të ketë mundësi që të drejtojë më me vendosmëri dhe t’i tregojë shoqërisë se cila është rruga e drejtë për t’u ndjekur. Në fakt, ky fjalim, ose kjo pjesë e fjalimit, ngjau më shumë me një kërcënim se sa me një fjalim paraelektoral. Putini dhe Dimitri Medvedev ndërkohë kanë një humbje të ndjeshme të popullaritetit në vendin e tyre dhe rënia nisi në momentin kur Medvedevi e propozoi Putinin si Presidentin e ardhshëm të Rusisë, pak kohë më parë. Tregues i rënies së popullaritetit ishin edhe fishkëllimat që mori Putin gjatë pjesëmarrjes në një ndeshje boksi javës së kaluar. Mbështetja për Partinë Rusia e Bashkuar, që ishte në masën 64% vitin e kaluar, pritet që në zgjedhjet e ardhshme këtë vit të bjerë ndjeshëm, madje të shkojë deri në 40%. Sondazhet që nuk janë publikuar tregojnë një rënie dramatike të mbështetjes së popullsisë ruse për partinë e Putinit dhe sigurisht edhe për të kjo është shumë e madhe në disa rajone. Thuhet se mbështetja në Moskë është 20% dhe e njëjta gjë vlen edhe për Shën Peterburgun dhe në enklavën e Kaliningradit kjo përqindje është edhe më e ulët. Megjithatë Kremlini është i vendosur që të kalojë 50% në këto zgjedhje. Për këtë rezultat, ka kohë që punon me të gjitha mënyrat.

Ndërkohë popullsia jo ruse shërben si kokë turku për çdo gjë që nuk shkon mirë në vend. Qeveria ruse vazhdon që të çojë në vendet kufitare miliona euro, ndërkohë që paratë mungojnë në mënyrë të ndjeshme dhe të dukshme në qytete kryesore për arsim, shëndetësi e të tjera. Në të njëjtën kohë, në mënyrë të pandërprerë dhe gjithmonë e më tepër, vijnë njerëz nga Kaukazi apo Taxhikistani në qendrat dhe metropolet e qyteteve ruse, ku kanë mundësi që të gjejnë punë dhe të krijojnë një jetesë dinjitoze, edhe pse shpesh të vështirë, të mundimshme dhe me pasoja. Nacionalistët ankohen se rusët po shndërrohen gjithnjë e më tepër në një popullsi të dorës së dytë, edhe pse janë në vendin e tyre, pikërisht nga dyndja e madhe e të ardhurve nga vende të tjera. Nëse zgjedhjet në Rusi do të ishin të drejta dhe të lira, ata që do të fitonin nuk do të ishin politikanët që favorizohen zakonisht nga Perëndimi apo nga liberalët e tregut të lirë si ish-zëvendëskryeministri i vendit, Boris Nemtsov. Fitimtarët e vërtetë do të ishin nacionalistët. “Një revolucion në Rusi nuk do të ishte një revolucion i portokallinjtë dhe demokratik siç ishte në krahinën e vitit 2004, por një revolucion bojëkafe”, thotë vetë Nemtsov, duke iu referuar ngjyrës simbol të së djathtës ekstreme.

Në kërkim të ndalimit të rënies së popullaritetit të Rusisë së Bashkuar, Putin ka adoptuar një retorikë nacionaliste për partinë e tij, në këtë stinë parazgjedhore dhe kjo vlen edhe për partitë e tjera të kontribuara nga Kremlini. Aleksander Torshin, zëvendëskryetar i Federatës së Këshillit Rus, Dhoma e Lartë e Parlamentit rus dhe një nga lojtarët e rëndësishëm brenda Rusisë së Bashkuar, ka kërcënuar se do të çojë emigrantët që nuk sillen mirë në stacionet e policisë.

Vladimir Zhirinovski, kreu i së ashtuquajturës Partia Liberal Demokrate e Rusisë, i cili aktualisht mban qëndrime nacionaliste, është duke përdorur parullën “Rusia për rusët” një parullë që kërkon dhënien fund të mbështetjes financiare që i bën Kremlinit rajoneve të Kaukazit. Zhirinovski, i cili gjithashtu është edhe nënkryetar i Dumës, ka shpërndarë 12 milionë kopje të një broshure në të cilën akuzohet qeveria aktuale për një qëndrim gjoja pro emigrantëve. Pavarësisht kësaj, prokurorët rusë që zakonisht kapen me çdo person dhe organizatë që është kundër Kremlinit, e kanë lënë të qetë Zhirinovskin, partia e të cilit u themelua në vitin 1990 nga KGB. Kjo sepse Zhirinovski në mënyrë indirekte është duke punuar në favor të Kremlinit. Ideja është që populisti me përvojë të mbledhë të gjithë simpatizantët e krahut të djathtë, që të votojnë për Kremlinin dhe partitë e tij. Sikundër e ka treguar edhe në dy dhjetëvjeçarët e fundit Zhirinovski, pavarësisht retorikës në dukje të ashpër, ka qenë gjithmonë një shërbëtor i bindur i pushtetarëve dhe zotërive të Kremlinit. Në fakt kjo është një lojë e rrezikshme. Nëse fara e mbjellë nga ekstremi i djathtë me bekimin e fshehtë të Kremlinit do të jepte frute, Rusia si një shtet multietnik me mbi 15 milionë myslimanë dhe mbi 100 grupe të ndryshme etnike do të ishte në rrezik të një shpërbërjeje të mëtejshme. Në të njëjtën kohë, ekonomia e vendit tashmë ka krijuar varësi nga puna e papaguar e të ardhurve, ndërkohë që popullsia ruse është duke u plakur në mënyrë të djeshme. Gennady Zyuganov, lideri i Partisë Komuniste Ruse, është duke bërë në të njëjtën mënyrë emër për veten, ndërkohë që lufta nacionaliste po nxehet përditë e më shumë.

Rusia është duke kaluar një proces të dhimbshëm të shndërrimit në një komb-shtet, të cilin vendet e Europës Perëndimore e kanë kaluar një shekull më parë. Vendi është i ndarë mes një nacionalizmi të sapozgjuar dhe pretendimit të vjetër e shekullor të identitetit të një perandorie shumetnike. Një brez i ri aktivistësh janë duke i përhapur idetë radikale në të gjithë shoqërinë. Askush nuk ka popullaritet më të madh se avokati Aleksej Navalni, një i vetëquajtur “nacional-demokrat”, i cili i përdor sajtet e tij për të denoncuar korrupsionin dhe nepotizmin mes zyrtarëve të nivelit të lartë. 35-vjeçari karizmatik është shndërruar në shpresën e re të kritikëve të Kremlinit. Ky individ i suksesshëm dhe i mbështetur nga njerëzit nuk e distancon veten aspak nga organizatat e ekstremizmit të djathtë dhe madje shpesh përçon zërin e tyre, duke u shndërruar në një paralajmërim për presidentin e ardhshëm të Rusisë.

Publikuar: 04.12.2011 | 11:11
Lexuar: 484 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime