Ndonëse angazhimet jashtë këngës që lidhen me jetën e saj private, kanë qenë shkaqet që ajo tash e një kohë ka pauzuar në muzikë.
Ka kohë që këngëtarja Mirsa Kërçeli nuk është parë me ndonjë projekt të ri muzikor, por ajo tani ka vendosur ti rikthehet skenës muzikore me tri projekte të reja, të cilat do ti lansojë gjatë këtij fundviti.
Ndonëse angazhimet jashtë këngës që lidhen me jetën e saj private, kanë qenë shkaqet që ajo tash e një kohë ka pauzuar në muzikë. Për më shumë rreth mungesës së saj në skenë dhe më gjerë flet Mirsa për Zëri.
Cilat janë shkaqet konkrete që i keni munguar skenës muzikore?
Të them të drejtën nuk kam ndonjë shkak konkret i cili ia vlen të ceket për mungesën time në skenë. Por, kam qenë e angazhuar me disa punë jashtë këngës, të cilat nuk më kanë dhënë hapësirë të realizoj projekte të reja. Kam qenë jashtë Kosovës me disa punë të mira private, të cilat më kanë zgjatur për disa muaj.
Ka ndikuar edhe fejesa juaj që ti kushtoni më shumë rëndësi jetës private?
Natyrisht se fejesa dhe jeta private janë primare për mua, kështu që edhe kjo kërkon një përkushtim, por nuk ka qenë shkak fejesa për të pauzuar nga kënga. Tani dihet që shkuan disa muaj të fejesës sime dhe jam duke kaluar momentet më të bukura të jetës sime në dashuri.
Me çfarë do të riktheheni tani?
Tani jam duke punuar tri këngë të reja, ku njëra është e përpunuar dhe është këngë e grupit TNT e Ferki Shalës dhe titullohet Le të qeshin sytë e tu. Këngën e ka punuar Nexhat Macula dhe e kam duet me këngëtarin e grupit Këpucat e zeza, Kastriot Graiçevci.
Kënga tjetër është një këngë ritmike, e punuar te kompania muzikore P.I.N.T, ndërsa videoklipi do të punohet këto ditë te Urban Graphics. Jam duke e punuar edhe një këngë tjetër te Genc Prelvukaj, e cila është një baladë e cila do të lansohet bashkë me videoklip dhe kam përshtypjen se do të pëlqehet në publik. Kam nisur punën intensivisht se me të vërtetë kam munguar pak dhe kjo është ndier edhe tek adhuruesit e mi.
Keni vendosur datën e martesës për vitin e ardhshëm?
Akoma skemi vendosur asgjë, nuk jam një person që i realizoj planet në periudha afatgjata, kështu që tani për tani nuk kemi marrë asnjë vendim. Të ardhmes nuk i dihet, por sa i përket martesës nuk mund të flas ende sepse mendoj që është herët.
Çfarë pritni tju sjellë viti 2012?
Planet tjera afatgjata nuk do ti zbuloj njëherë, mbetem me këto afatshkurtra. Për shkak të angazhimit tim maksimal për festat e fundvitit dhe këto tri këngë që jam duke i përgatitur, nuk jam duke u marrë me diçka tjetër në jetën time private që ia vlen të përmendet.
Për momentin jam e përkushtuar vetëm në profesion dhe dua që fansat e mi të kenë përsëri diçka të re në dorë nga Mirsa. Sa i përket vitit 2012, uroj që të kem sukses në profesionin tim të këngës dhe po ashtu dëshiroj që edhe jeta ime në dashuri të vazhdojë me këtë temp.