Jemi duke punuar shumë afër me NATO-n dhe me KFOR-in që FSK-ja të profesionalizohet, ka theksuar Kastrati, i cili ka pohuar se gjatë vitit të ardhshëm do të ketë dy faza operacionale për rekrutimin e kapaciteteve të parapara njerëzore.
Komandanti i posa emëruar i FSK-së, gjeneral major Kadri Kastrati, e ka njoftuar të hënën kryeparlamentartin Jakup Krasniqi për punët dhe obligimet që është duke i kryer Forca e Sigurisë së Kosovës, por edhe për objektivat që ai si komandant i ri i ka paraparë për vitin 2012 dhe për periudhën afatmesme trevjeçare të zhvillimit.
Jemi duke punuar shumë afër me NATO-n dhe me KFOR-in që FSK-ja të profesionalizohet, ka theksuar Kastrati, i cili ka pohuar se gjatë vitit të ardhshëm do të ketë dy faza operacionale për rekrutimin e kapaciteteve të parapara njerëzore.
Kastrati ka vënë në pah synimin e përhershëm për ngritjen e disiplinës, modernizimin dhe bashkëpunimin me vendet e rajonit, në mënyrë që gjatë vitit 2013 të rishikohet pozicioni i FSK-së, për të marrë detyra shtesë, si Ushtri e Kosovës, me mandatin e saj kushtetues.
Krasniqi ndërkaq, është shprehur i bindur se komandanti i ri FSK-së, gjeneral major Kadri Kastrati, do ti shpjerë përpara objektivat madhore të kësaj force.
Ai ka shprehur kënaqësinë që FSK-ja i ka kryer me sukses disa transformime drejt synimit madhor, dhe në këtë mes ka vlerësuar edhe kontributin personal të gjeneral Kastratit.
Me këtë punë që po bëjnë eprorët dhe pjesëtarët e tjerrë të FSK-së, viti 2012 do të jetë vit i sukseseve edhe më të larta, në mënyrë që ajo të jetë Ushtri e Kosovës, ashtu siç duan ne dhe qytetarët e Kosovës, është shprehur Krasniqi.
FSK-ja, shtoi ai, duhet të aftësohet të përballet me të gjitha obligimet kushtetuese të saj, të barazohet me ushtritë e vendeve të NATO-s dhe të jetë e gatshme të ndërmerr operacione jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë vendit.