E gjithë eurozona u shokua kur S&P kërcënoi se do të ulë vlerësimin e Gjermanisë, Francës, Holandës, Austrisë, Finlandës dhe Luksemburgut nga maksimumi me AAA në AA+ brenda 90 ditësh.

Pas orëve të mira mbi vendimin e Merkel dhe Sarkozi për unitet dhe plan veprimi, kriza e borxhit në eurozonë iu kthye orëve të errëta me vetëm një deklaratë nga kompania e madhe e vlerësimit të kreditimit, Standard & Poors. E gjithë eurozona u shokua kur S&P kërcënoi se do të ulë vlerësimin e Gjermanisë, Francës, Holandës, Austrisë, Finlandës dhe Luksemburgut nga maksimumi me AAA në AA+ brenda 90 ditësh. Standard & Poors ka njoftuar se edhe Lehtësuesi i Stabilitetit Financiar Europian, i cili financohet nga qeveritë anëtare të eurozonës, do të vlerësohet me të njëjtin rrezik me 15 vendeve të eurozonës, të cilat kanë marrë një ditë më parë paralajmërimin e uljes së vlerësimit të kreditimit. S&P, një nga tri agjencitë e mëdha të renditjes së kreditimit në botë, tha se kishte shanse 50/50 për qind që 15 vende të eurozonës, përfshirë edhe të gjashtat që kanë vlerësimin maksimal AAA, do të zhvlerësohen. Deklarata ka tronditur tregjet financiare, duke nxitur spekulimet se monedhës së përbashkët europiane i erdhi fundi. Të pasurit e eurozonës janë zemëruar me këtë deklaratë. Ajo u konsiderua si një fyerje për kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe Presidentin francez, Nikolas Sarkozi, të cilët vetëm pak orë përpara këtij paralajmërimi shpallën planin e shpëtimit për krizën e borxhit të eurozonës.
Plani
Një natë përpara kërcënimit nga S&P, Merkel dhe Sarkozi deklaruan se kanë në plan ti kërkojnë çdo vendi të BE-së të nënshkruajnë një traktat të ri europian në samitin e fundjavës dhe madje janë angazhuar se do të vazhdojnë edhe vetëm ata të dy përpara nëse ndonjë nga vendet kundërshton. Liderët e Francës dhe të Gjermanisë kërkuan aplikimin automatik të ndëshkimeve për vendet e eurozonës, të cilat shkelin rregullat e forta të buxhetit dhe kalojnë limitin e borxhit tre për qind. Presidenti i BE-së, Herman van Rompui, po paralajmëron se mbijetesa e euros do të jetë në varësi të samitit që mbahet të enjten dhe të premten.
Sa rrezikohet
S&P tha se ulja e vlerësimit të EFSF do të ishte me një apo dy gradë dhe se minimumi do të varej nëse vendet me tre A të eurozonës do të pësonin rënie brenda kësaj periudhe. Vendet e BE me renditje të ulët janë paralajmëruar se do të pësojnë rënie të re. Lëvizja, dhe në veçanti përfshirja e Gjermanisë, ka përhapur panik në tregjet financiare. Sipas raporteve, vlerësimi ekonomik në rajonin euro do të ulet me 5 për qind. Vlerësimi vjen në të njëjtën ditë kur Irlanda shpalli një paketë të re kursimi që ul rrogat, por edhe asistencat për familjet e mëdha. Dhe Franca ka deklaruar se duhet të bëjë më shumë se vendet e tjera për të mbrojtur vlerësimin e saj me tri A. Ministri i Jashtëm francez, Alan Jupe, tha për radion RTL se ne duhet të bëjmë më shumë përpjekje se të tjerët. Është kërcënim, nuk është vendim. Duhet të merret seriozisht. Nga 17 vendet e eurozonës, Qiproja tashmë është renditur në shifrat negative të kreditimit nga S&P dhe Greqia ka renditjen më të rrezikshme, CC. Ato nuk janë përfshirë në listën e re.
Vizita
Dje, sekretari amerikan i Thesarit, Timoti Geithner, mbërriti në Gjermani për një sulm treditor ndaj zyrtarëve të eurozonës, të cilëve do tu kërkojë veprime vendimtare në zgjidhjen e krizës së borxhit. Geithner do tu kërkojë Presidentit francez, Nikolas Sarkozi, liderëve të rinj të Spanjës dhe Italisë si dhe ministrit gjerman të Financave për të rënë dakord në samitin e rëndësishëm të BE-së të premten, për të marrë hapa që do tu japin tregjeve besim se asnjë vend i eurozonës nuk do të falimentojë dhe se bankat e rajonit do të jenë të sigurta.
Çështë Lehtësimi i Stabilitetit Financiar Europian
Lehtësimi i Stabilitetit Financiar Europian (ESFS) u krijua nga shtetet anëtare të zonës euro në maj 2010, si pjesë e një përgjigjeje të shpejtë për krizën e borxhit sovran. Mandati i tij është të ruajë stabilitetin financiar në Europë duke siguruar asistencë financiare për anëtarët e eurozonës. Është dizajnuar të blerë borxhin e vendeve sovrane brenda eurozonës, të cilat janë në rrezik falimentimi. Është një mekanizëm i përkohshëm për tu lejuar vendeve të reformojnë ekonomitë e tyre dhe ti kthehen aftësisë paguese. Në pjesën më të madhe ai i financon ato paketa shpëtimi duke lëshuar bono në të njëjtën mënyrë si qeveritë dhe mbështetet nga të gjitha vendet e renditura AAA brenda eurozonës. Tani që vendet me tri A në eurozonë janë kërcënuar, është thjesht çështje kohe që edhe fondi të jetë nën vëzhgimin kritik të kompanive të vlerësimit. Fondi mbështetet nga garancitë e vendeve të eurozonës në një total prej 780 miliardë eurosh dhe ka kapacitet huadhënës prej 440 miliardë eurosh. Ai është një kompani e regjistruar në Luksemburg nën pronësinë e vendeve të eurozonës e drejtuar nga Klaus Regling, ish-drejtori i Përgjithshëm për çështjet ekonomike dhe financiare të Komisionit Europian.
Xhunker
Kreu i grupit të ministrave të Financës të eurozonës, Zhan Klod Xhunker, tha se deklarata e rrezikut të uljes së vlerësimit kreditor për fondin e përbashkët europian të shpëtimit dhe gjashtë vendet me tri A ishte plotësisht e ekzagjeruar dhe e padrejtë. Xhunker shtoi se pas përpjekjeve shumë-substanciale në eurozonë gjatë ditëve të fundit për ta pasur krizën nën kontroll, ky paralajmërim vjen si një goditje shkatërruese.
Bankierët
Disa nga bankierët më të lartë të vendeve të eurozonës kanë reaguar pas paralajmërimit të S&P. Liderët europianë janë zemëruar nga ky kërcënim, madje anëtari i Këshillit Drejtues të BQE, Evald Novotni, padeklaruar se ai ishte politikisht i motivuar. Guvernatori i Bankës së Francës, Kristian Nojer, tha se paralajmërimi ishte totalisht i papërshtatshëm
pas një marrëveshjeje franko-gjermane në një paketë ekstremist të fuqishme qeverisjeje.
Kameron
Kryeministri britanik, David Kameron, ka këmbëngulur se propozimet e vendeve të eurozonës nuk do të provokojnë mbajtjen e një referendumi në Mbretërinë e Bashkuar, sepse ato do të aplikohen vetëm në vendet e euros. Me qëndrimin e tij Kameron po bie ndesh me euroskeptikët brenda partisë së tij, që mendojnë se politika fiskale e BE është e rrezikshme për Britaninë.