Futbolli është liri, - tha dikur legjendari xhamajkan, Bob Marlej. Dhe pikërisht këtë ndjenjë lirie dhe entuziazmi të pakufi i dha miliona njerëzve në botë me lojën e tij një nga njerëzit më të dashur në të gjithë Brazilin dhe figurat më të shquara të këtij sporti në botë: Socrates.
Futbolli është liri, - tha dikur legjendari xhamajkan, Bob Marlej. Dhe pikërisht këtë ndjenjë lirie dhe entuziazmi të pakufi i dha miliona njerëzve në botë me lojën e tij një nga njerëzit më të dashur në të gjithë Brazilin dhe figurat më të shquara të këtij sporti në botë: Socrates. Mesfushori vizionar që mbajti postin e kapitenit dhe të organizatorit të Kombëtares braziliane mishëroi gjatë gjithë kohës atë që quhet Joga bonito (loja e bukur), një filozofi e një loje të lirë dhe të bukur që i ngjan më shumë artit se sa një sporti, edhe pse sporti dhe arti kur bëhen bashkë shndërrohen në një magji të vërtetë. Njeriu gjeni i fushës së gjelbër ndërroi jetë të dielën në mëngjes, në moshën 57-vjeçare nga një helmim ushqimi.
Nëse dikush do ti kishte thënë se ai do të vdiste nga një shkak i tillë, në të shkuarën, me siguri që Socrates do të kishte qeshur me të madhe. Sepse Socrates ishte një njeri që qeshte shpesh, qeshte shumë kollaj dhe qeshte gjatë dhe bukur. Nga presidentja e vendit, Dilma Roussef konsiderohet si një nga bijtë më të denjë të kombit. Socrates u bë i famshëm jo vetëm për aftësitë e jashtëzakonshme që shfaqi në fushën e gjelbër. Sikundër edhe presidentja Roussef, edhe lojtari kishte marrë mbi vete detyrimet e një qytetari të denjë për të luftuar për të mirën dhe për të përdorur pikërisht futbollin për të ndërgjegjësuar shpirtrat e brazilianëve. Në fushë ai ishte në gjeni i vërtetë që prekte shpirtrat e njerëzve dhe i bënte ata me fletë. Jashtë fushe ai ishte një aktivist politik i shqetësuar për fatet e popullit dhe vendit të tij. Një nga momentet më të bukura të karrierës së tij është ai i vitit 1982, në Kupën e Botës, në Spanjë.
Socrates, emri i plotë i të cilit ishte: Socrates Brasilairo Sampaio de Souza Vieirade Oliveira dukej se kishte gjithë kohën e botës ndërsa po i rrëshqiste një mbrojtësi sovjetik. Koha befas ndaloi, ose më mirë u duk sikur kapiteni brazilian e ndaloi kohën duke e marrë topin në këmbët e tij dhe duke e rrotulluar me të djathtën. Skuadra e tij ishte në disavantazh prej një goli dhe po përpiqej që të thyente disiplinën dhe mbrojtjen e fortë sovjetike. Pikërisht në këto rrethana, maestroja gjenial e kishte marrë situatën në dorë. Njerëzit e ndjekin me frymën e ndalur. Çfarë do të bëjë mjeshtri? A do tia kalojë topin të majtës dhe a do të mundet që të çajë rrethimin e sovjetikëve? Tridhjetë metra më tutje qëndronte në portë vigjilent portieri i cilësuar në atë kohë si më i miri i botës, Rinat Dasajev dhe mes tij dhe kapitenit të brazilianëve ishin vendosur të gjithë sovjetikët të cilët kishin ngritur një mur të padepërtueshëm. Të gjithë e mendojnë sipërmarrjen e Socrates si të pamundur.
Por pikërisht ndërsa koha kishte ndalur në këtë moment të pazgjidhshëm, Socrates, si i ndriçuar nga një zgjidhje supreme, e gjen rrugën përmes pengesave të shumta që i kishin dalë përpara dhe me një të djathtë magjike arriti të lëshonte topin fuqishëm në cepin e majtë të portës së Dasajevit dhe të shënonte. Për shumëkënd kjo gjuajtje spektakolare që i kalonte kufijtë e së mundurës ishte goli i artë i kampionatit botëror të futbollit të vitit 1982. Pikërisht pas atij goli, i madhi Socrates dhe shokët e tij të skuadrës i mësuan botës në atë fushë legjendare tingullin e Joga bonito. Sot, sigurisht që ky tingull nuk është më shumë se një parullë publicitare. Socratres dhe skuadra e tij, që gjithmonë janë shquar për një lojë spektakolare së bashku me shokët e famshëm të skuadrës, si Zico, Falcao dhe Cerezo përbënin edhe talentet më të rralla të bëra bashkë në një skuadër të vetme. Loja e atëhershme bazohej kryesisht në shpirtin e lirë të lojtarëve, në natyralitetin e talentit dhe të improvizimit të tyre dhe jo në teknikën dhe matjet në të cilat bazohet sot.
Ata, kur dilnin në fushë të jepnin menjëherë përshtypjen e një grupi çunash të talentuar, edhe pse jo të sofistikuar, që ishin aty për të bërë spektakël, për ti ngritur peshë zemrat e adhuruesve të tyre dhe për tu kënaqur personalisht pafundësisht. Edhe pse në fillim askush nuk besoi në lojën e tyre, rezultatet që arritën, edhe pse dukeshin të pamundura, flisnin vetë dhe e ndërruan opinionin për ta. Ata arritën që të depërtonin dhe të çanin edhe rrjetat më të forta të mbrojtjes së skuadrave të famshme të botës. Për sa i përket Socrates, ai mund të mos ketë qenë i pajisur me aftësitë e shumta fizike dhe teknike të Zicos, por ai ishte një njeri shumë inteligjent në lojë, një inteligjencë e lindur të cilën ai e vinte në punë të shoqëruar me një kreativitet të jashtëzakonshëm dhe improvizim magjepsës. Ai ishte një vizionar që përmes këmbëve dhe topit arrinte që të përçonte frymën e duhur për momentin e dhënë të lojës.
Kjo e bënte Socrates një lojtar unik në llojin e vet. Por nuk kishte kurrsesi një vijë ndarëse mes Socrates si një lojtar dhe perandor i fushës së gjelbër dhe Socrates si një qytetar i shqetësuar dhe i ndërgjegjësuar për fatet e popullit dhe vendit të tij. Gjatë viteve të para të karrierës së tij profesionale, ai studioi mjekësi dhe madje u diplomua. Më pas, pasi la klubin Corinthias në Sao Paolo dhe vazhdoi me karrierën e futbollit, përfundoi edhe një doktoraturë në filozofi. Brazili në të cilin ai u rrit drejtohej nga një diktaturë ushtarake e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjeneralët që qeverisnin e konsideroni futbollin si një mënyrë të mirë shkarkimi për frustrimin e popullit. Në këtë vend ata i thoshin botës se, vërtetë nuk kishin liri fjale dhe shtypi për popullin, por kishin kampionë të vërtetë bote si Pele. Junta ushtarake kishte investuar shumë në suksesin e skuadrës së vitit 1970, në të cilën luante edhe Pele dhe priste që futbolli dhe talentet e futbollit ta mbanin vëmendjen e njerëzve larg politikës. Por Socrates ishte krejt ndryshe nga lojtarët e tjerë.
Ai ishte i qartë dhe i ndërgjegjësuar për ta lënë veten ta përdornin. Në Sao Paulo ai ndihmoi në themelimin e një lëvizjeje demokratike mes futbollistëve që i sfidoi praktikat autoritare brenda lojës, por ndërkohë përmes këtij shembulli i kërkoi edhe brazilianëve që të bënin të njëjtën gjë me pushtetin e tyre despotik e diktatorial. Lojtarët vishnin bluza në të cilat shkrihej: demokraci. Kjo pikërisht, aty ku duhej që të ishte logoja e sponsorit. Dhe më pas, kur arritën që të korrnin fitore, ua bënë të ditur të gjithëve se fitoren e tyre ia dedikonin pikërisht frymës së lirisë dhe demokracisë që mbanin në bluza dhe në zemër. Ish- presidenti brazilian, Lula da Silva, që në atë periudhë ishte një nga krerët e lëvizjes sindikalistë në Brazil, u bë një mik i ngushtë dhe më pas edhe një bashkëpunues me Socrates.
Ndryshe nga futbollistët e sotëm brazilianë, të cilët luajnë thuajse të gjithë jashtë vendit nëpër klubet elitë të Europës, në kohën kur Socrates dhe yjet e tjerë brazilianë shkëlqyen, lojtarët luanin të gjithë në Brazil, për popullin e tyre. Dhe në përfundim të karrierës futbollistike, Socrates u shndërrua në një intelektual aktiv publik, duke shkruar shumë dhe në media dhe duke dalë edhe në TV për të diskutuar në lidhje me çështje nga himni kombëtar e deri tek racizmi apo situata ekonomike. Ai ishte një njeri që e dashuronte çmendurisht jetën dhe e shfrytëzoi atë në çdo sekondë të sajën. E donte pijen, e donte duhanin, që fatkeqësisht i solli edhe dëmin e madh për shëndetin. Edhe më parë ishte shtruar në spital me problem mëlçie që i kishin ardhur nga të tepruarit me pijen dhe nuk kishte hequr dorë prej saj. Socrates ishte një bir i thjeshtë i popullit dhe jetoi gjithmonë si ai dhe në mes të tij, duke ndarë të njëjtat vlera që në fillim e deri në fund të jetës dhe karrierës së tij.
Nuk arriti që të fitonte kurrë një kupë bote, e megjithatë ai dhe skuadra e tij e yjeve, për bukurinë që krijuan në fushën e gjelbër dhe emocionin që sollën në zemrat e njerëzve, janë shumë më tepër të përmendur dhe të nderuar edhe se skuadra italiane, që i mundi ata në vitin 1982, për të fituar titullin kampion bote. Megjithatë, Socrates jetoi aq sa për të parë një ëndërr të tij të shndërruar në realitet, popullin e tij më të lirë, pa diktaturën famëkeqe mbi kurriz.
Ai ishte i lumtur që vitet e fundit Brazili u shndërrua në një demokraci me një ekonomi dinamike, një vend populli i të cilit ka të drejtën e votës për të zgjedhur qeveritarët dhe drejtuesit e lartë. Dhe ai pa të realizuar edhe dëshirën e tij të fundit. Një herë, në një intervistë, i tha intervistuesit se kishte dëshirë që të vdiste një ditë të diel, në një ditë që Corinthiasit e tij të dashur të fitonin titullin. Dhe, kështu ndodhi. Ata e fituan titullin vetëm pak orë pas lajmit se trashmë Doktor Socrates nuk ishte më në këtë jetë. Lotët rrodhën faqeve të brazilianëve kur dëgjuan këtë lajm dhe derdhën lot jo vetëm brazilianët. Por për një njeri si Socrates, ishin lot hidhërimi dhe njëherazi mirënjohjeje për një njeri, jeta e të cilit ishte një dhuratë për të gjithë.