Thaçi, siç bëhet e ditur në komunikatë, theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar që të mbetet aleat dhe partner i fuqishëm i paqes dhe stabilitetit në rajon si dhe përmbushjes së agjendës evropiane drejt rrugëtimit të Republikës së Kosovës drejt vizionit të integrimeve euro-atlantike.
Kryeministri Hashim Thaçi është takuar të enjten në Bruksel me zëvendëspresidenten e Bashkimit Evropian, baroneshën Catherine Ashton, e cila ka konfirmuar mbështetjen e fuqishme për marrëveshjen për menaxhimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njëherësh ka kërkuar edhe zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme.
Kryeministri Thaçi, siç njofton kabineti i tij, ka falënderuar në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ashton për kontributin e saj personal, si dhe të Bashkimit Evropian për Republikën e Kosovës.
Thaçi, siç bëhet e ditur në komunikatë, theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar që të mbetet aleat dhe partner i fuqishëm i paqes dhe stabilitetit në rajon si dhe përmbushjes së agjendës evropiane drejt rrugëtimit të Republikës së Kosovës drejt vizionit të integrimeve euro-atlantike.
Në takimin në mes të kryeministrit Thaçi dhe baroneshës Ashton është diskutuar për proceset e rëndësishme, nëpër të cilat është duke kaluar Kosova, si në kontekstin e brendshëm, ashtu edhe ne rrafshin e integrimit euroatlantik.
Kryeministri Thaçi gjithashtu theksoi se bazuar në përkushtimin institucional të Kosovës për përmbushjen e plotë të kritereve dhe standardeve evropiane të integrimit, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës apo nisja e procesit të dialogut të liberalizimit të vizave me të drejtë pritet që të fillojë në ditët e ardhshme. Në këtë kuadër, kryeministri Thaçi ka mirëpritur qëndrimin e paraqitur nga Këshilli i Ministrave i BE-së që mbështet fillimin e dialogut të liberalizimit të vizave për Kosovën, theksohet në komunikatë.
Nga ana e saj, baronesha Ashton siç njoftohet më tej ka theksuar se Bashkimi Evropian e çmon lart përkushtimin personal të kryeministrit Thaçi për progresin e bërë në reformat e filluara për proceset e integrimit evropian, si dhe vizionin e qartë euroatlantik për rrugëtimin e Kosovës.
Baronesha Ashton në takim me kryeministrin Thaçi gjithashtu ka vlerësuar lartë përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në përmbushjen e agjendës evropiane, si dhe rolin konstruktiv të Republikës së Kosovës në dialogun teknik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, duke konfirmuar mbështetjen e fuqishme për marrëveshjen për menaxhimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njëherësh duke kërkuar edhe zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme, përfundon komunikata.