E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Duhet të ndryshojë ligji për zgjedhjen e kryetarëve të komunave
Intervistė e ministrit, Nevzat Bejta



Si ministër i parë i pushtetit lokal që më herët ka qenë kryetar komune, ministri Nevzat Bejta vlerëson se e ka më lehtë t’i kuptojë hallet e komunave dhe udhëhqësive të tyre. Në intervistën për “Lajm” ai thotë se ekziston vakum ligjor s ai përket mandatit të kryetarëve të komunave. Bejta vlerëson se duhet të gjendet mekanizëm që do tu mundësojë qytetarëve ta thërrasin në përgjegjësi kryetarin e komunës edhe para mbarimit të mandatit, në qoftë se janë të pakënaqur nga puna e tij. Në këtë intervistë ai flet edhe për hallet territoriale të komunave shqiptare, por edhe për nevojën për bashkëpunim më të madh mes komunave shqiptare

Keni vizituar komunat që janë në fazën e parë të decentralizimit dhe jeni njohur nga afër me problemet e tyre. Cili është problemi kryesor me të cilin ballafaqohen ato dhe pse kanë ngecur kaq prapa?

BEJTA:
Unë jam ndoshta ministri i parë i vetëqeverisjes lokale që kam shkuar dhe kam vizituar të gjitha komunat që nuk kanë hyrë në fazën e dytë të decentralizimit fiskal. Ato janë gjashtë komuna nga 85, 79 kanë hyrë dhe kam bërë edhe takim me kryeministrin edhe me ministrin e financës dhe tash kemi gjetur zgjedhje. Pesë komuna do të hyjnë në fazën e dytë të decentralizimit fiskal..

Për sa kohë, do të tejkalohen këto probleme?

BEJTA:
Besoj se prej një janarit të vitit 2012 ato do të hyjnë në fazën e dytë të decentralizimit fiskal dhe do tu bashkëngjiten komunave të cilat më herët kanë hyrë. Është Komuna e Ohrit, Komuna e Vraneshticës, Komuna e Zhelinës, Vinicës dhe Dellçevës. Ngelet vetëm Komuna e Pllasnicës. Kjo komunë ka probleme administrative, nuk ka kapacitet administrative dhe ajo duhet ta shfrytëzojë ligjin për bashkëpunim ndërkomunal që të lidhë marrëveshje me kumën fqinje. Pasi ta tejkalojë këtë problem edhe ajo do të hyjë në fazën e dytë të decentralizimit.

A vlerësoni se duhet bë ndryshime në Ligjin për zgjedhjen e kryetarëve të komunave?

BEJTA:
Kjo është hera e parë pas pluralizmit në Maqedoni që në krye të ministrisë për vetëqeverisje lokale të vijë një njeri që ka qenë kryetar komune. Unë e kam përvojën e pushtetit vendor, gjegjësisht të komunave. Dhe ndoshta jam i vetmi nga pushteti vendor që jam në kabinetin qeveritar. Aty është edhe ministri i drejtësisë, Blerim Bexheti, por unë jam direkt i kyçur në Ministrinë e vetëqeverisjes lokale dhe i njoh të gjitha problemet që i kanë komunat, pasi atë e kam kaluar praktikisht katër vjet. Nga ajo përvojë kam arritur në përfundim se ministër mund të bëhet çdokush, pavarësisht sesa i ka aftësitë dhe nëse ai nuk do të ketë sukses ka dy zgjidhje, ose të jap dorëheqje për mossuksesin, ose në rikonstruimin e parë të bëhet ndryshimi I tij, për shkak se ndryshimin e bën parlamenti, ndërsa kryetarët zgjidhen direkt nga qytetarët dhe nuk mbajnë asnjë lloj përgjegjësie dhe nuk ka kush ti thërrasë në përgjegjësi. Qytetarët duhet të presin katër vjet nëse nuk punon një kryetar komune dhe ta ndryshojnë atë. Duhet të shihet Ligji për zgjedhjen e kryetarëve të Komunave që të ketë përgjegjësi edhe kryetari i komunës ndaj institucioneve për mos sukseset që ai do ti ketë për periudhën kur është zgjedhur kryetar komune. Tash për tash kryetarët e komunave nuk ka kush ti marrë në përgjegjësi dhe kryetari I komunës që nuk menaxhon mirë që në deklaratën e parë që jep akuzon pushtetin qendror, gjë që nuk është e vërtetë, pasi pushteti qendror është decentralizuar dhe sukseset e komunave varen nga menaxhimi që do të bëjnë kryetarët e komunave, por dhe kur të kritikohet pushteti qendror nga Kryetari I komunës duhet të ketë argumente të forta. Nëse kryetari i komunës nuk punon dhe e mbron veten me deklaratat se më kanë lënë në borxhe, ose nuk më ndihmon pushteti qendror. Ne si ministri jemi të angazhuar që të vazhdojë decentralizimi, pasi ky proces nuk shkon në interes të ministrit apo kryetarit të komunës, por shkon në interes të qytetarëve. Edhe disa segmente që nuk janë decentralizuar do të decentralizohen,m pasi ai është interesi I qytetarëve.

Çfarë mekanizmi mendoi se duhet të vendoset në këtë drejtim?

BEJTA:
Besoj se duhet ti shqyrtojmë ligjet për zgjedhjen e kryetarëve të komunave nëpër shtetet e BE-së, ose në SHBA. Në shtetet e zhvilluara nuk lejojnë qytetarët që të vijë në krye të komunës një kryetar komune dhe të mos ketë sukses. Të gjitha qytetet e të gjitha shteteve angazhohen që kryetarët e komunave të kenë sukses. Të shohim ligjet e tyre si e kanë arritur atë që edhe ne të krijojmë një mekanizëm për ti kontrolluar kryetarët e komunave prej momentit kur zgjidhen, nëse punojnë për interes të qytetarëve dhe ai të ketë përgjegjësi, edhe para qytetarëve, edhe institucioneve, ose ligjit. Marrim shembull nëse një kryetar zgjidhte dhe prej momentit të zgjedhur ai nuk punon, kush do ta marrë përgjegjësinë, s’ka mekanizëm për ta vënë para përgjegjësisë. Qytetarët tanë nuk janë të përgatitur për të organizuar protesta kundra kryetarëve të komunave që nuk kanë suksese, pasi ai del e mbrohet se nuk ka përkrahje nga pushteti qendror. Kryetar komune nuk janë ministrat dhe kryetar komune nuk është kryeministri, por kryetar komune është ai që zgjidhet nga qytetari në përputhshmëri me ligjin.

Ministria që drejtoni ju i firmosë dokumentet në dy gjuhë, maqedonisht dhe shqip. Si e arritët këtë dhe a mundet që njëjtë të veprojnë edhe ministrat e tjerë?

BEJTA:
Unë nuk shoh pengesa ligjore që të mos përdoret gjuha shqipe dhe unë nuk merrem me të tjerët që nuk e kanë përdorur. Prej momentit kur unë kam ardhur në të gjitha komunat ku janë shumicë shqiptare, ose janë kryetarët e komunave shqiptarë, ne komunikojmë në gjuhën shqipe dhe çdo qytetar që drejtohet në Ministrinë e pushtetit lokal në gjuhën shqipe, ne i përgjigjemi në gjuhën shqipe, për shkak se ligji nuk e ndalon përdorimin e shqipes. Edhe mbishkrimet këtu në ministri ne i kemi bërë të gjitha në tre gjuhë, maqedonisht, shqip dhe anglisht. Unë nuk kam dëgjuar që Ligji e ndalon përdorimin e shqipes dhe ne si ministri po punojmë që në suazën e Qytetit të Shkupit, se në qytetin e Shkupit shqiptarët janë 20 për qind dhe gjuha shqipe është e barabartë me gjuhën maqedonase.

Disa Komuna shqiptare ballafaqohen me probleme territoriale, a do të ndihmoni që të ndryshojë diçka në këtë drejtim?

BEJTA:
Ju e dini se është miratuar ligji për ndarje territoriale në nivel republikan dhe ligji për Qytetin e Shkupit dhe kur janë bërë këto dy ligje nuk kanë qenë të precizuara mirë kufijtë dhe nuk i kanë ditur mirë problemet pa u formuar komunat. Pasi janë formuar komunat, secili kryetar i komunës që ka punuar i ka vërejtur mangësitë dhe problemet që kanë dalë nda ato dy ligje. Kur e kanë parë se ka probleme, kanë rënë në kontakt kryetar me kryetarë që së pari të mos kenë probleme vetë kryetarët e më pas edhe qytetarët. Ne kishim një rast të tillë të mos precizimit të kufijve të komunave, Gazi Babë, Çair dhe Butel, ku të tre kryetarët kanë gjetur gjuhë të përbashkët për të bërë precizimin e kufijve. Këtë precizim të kufijve ata e kanë bërë në dobi të qytetarëve të tria komunave. Të njëjtin problem e ka edhe Komuna e Haraçinës me Komunën e Gazi Babës. I kam takuar të dy kryetarët dhe ato janë dakord që të bëhet precizimi i kufijve dhe ndryshimi, apo precizimi do të shkojë në interes të dyja komunave. Kemi problem të hapur edhe tek Komuna e Sarajit dhe Komuna Gjorçe Petrov dhe aty besoj se do të gjendet një gjuhë e përbashkët, por ajo varet nga bashkëpunimi i dy kryetarëve të komunave, pasi nuk mund të bëhet ndryshimi pa pëlqimin e qytetarëve dhe ato vetë i dinë më mirë punët në terren. Problem tjetër që kemi në nivel republikan është Pllasnica, ku selia e komunës është në territorin e Komunës Makedonski Brod, por besoj se edhe atje do të gjendet gjuhë e përbashkët dhe do të bëhet ndryshimi i ligjit për ndarje territoriale dhe të zgjidhet ky problem.

Ekzistojnë vërejtje të shumta se ende është i madh numri aktual i komunave. A mendoni se ka nevojë për një ndarje të re territoriale në Maqedoni?

BEJTA:
Mendoj se tash për tash nuk ka nevojë për ndarje të re territoriale. Duhet të forcohen komunat që janë formuar me Ligjin e ri për ndarje territoriale dhe Ligjin për Qytetin e Shkupit, por kur janë miratuar këto dy ligje shumë komuna që janë formuar kanë trashëguar probleme nga sistemi I shkuar komunist dhe nga faza e parë e pluralizmit kur kryetarët e komunave zgjidheshin nga Këshillat komunale. Me zgjedhjen e kryetarëve të komunave direkt nga qytetarët, rrethanat e ndryshuan pasi kryetari i komunës duhej të punonte shumë për ti përvetësuar qytetarët. Me fillimin e decentralizimit komunat janë forcuar dhe besoj se pasi ti tejkalojnë të gjitha vështirësitë që kanë trashëguar të gjitha komunat do të kenë kapacitet të fortë financiar dhe me formësimin e kapaciteteve financiare komunat do të jenë në shërbim të qytetarëve, por shumë do të varet se kë e zgjedhin qytetarët kryetar komune. Kryetarët e komunave duhet të jenë menaxhues të mirë e jot ë merren me politikë. Me politikë merren partitë politike, ndërsa kryetarët e komunave prej momentit kur zgjidhen ato gjithë kapacitetet e veta duhet ti vënë në shërbim të komunës dhe në shërbim të qytetarëve. Komunat varen nga kapaciteti menaxhues i kryetarëve dhe përgjegjësinë e mbajnë vetëm ata.

Çka po ndërmerrni si ministri në favor të avancimit të procesit të decentralizimit?

BEJTA:
Ministria e vetëqeverisjes lokale punon në përputhshmëri me ligjet që shkojnë në favor të decentralizimit. Janë sjellë shumë ligje të tilla dhe kjo ministri është shtylla kryesore e zhvillimit të shoqërisë, zhvillimit të demokracisë dhe zhvillimit të decentralizimit dhe aty ku ngec decentralizimi jemi ne dhe kërkojmë që kjo të zbatohet në praktikë. Është miratuar Ligji për bashkëpunim ndërkomunal, Ligji për zhvillim rajonal të barabartë që ndikon shumë në decentralizim, Ligjin për financim të komunave, por ai ligj nuk është i përkryer, pasi nuk është ditur roli i komunave. Në atë kohë TVSH-ja ka qenë 3 për qind, me ndryshim dh plotësim të atij ligji deri në vitin 2013 duhet të arrijë në 4, 5 për qind. Kërkesa e kryetarëve të komunave që e përkrah edhe unë si ministër është që TVSH-ja të rritet deri në 6 për qind. Me këtë do të forcohet kapaciteti financiar I komunave. Pastaj kemi te decentralizuar arsimin, por përveç bllok dotacioneve duhet komunat të ndajnë mjete financiare për ta financuar arsimin publik, e jo vetëm të presin bllok dotacione të gatshme nga pushteti qendror. Pastaj kemi decentralizimin në urbanizëm. Nëse kryetarët e komunave do të jenë menaxhues të mirë mund të sjellin shumë mjete financiare. Është miratuar ligji për menaxhimin e tokës shtetërore ndërtimore, dhe aty e gjitha varet nga kryetarët e komunave të cilët mund të sjellin shumë investitor të vendit ose të huaj që mund të investojnë në komunë dhe të gjitha tatimet që ato I mbledhin në nivelin vendor do të ndikojnë në rritjen e financave të komunave. Ajo që është më kryesorja është se decentralizimi nëpër komuna do të forcojë demokracinë nëpër komuna.

A mendoni se komunat maqedonase po tregojnë gatishmëri më të madhe për bashkëpunim ndërkomunal se ato shqiptare? Pse ndodh kjo?

BEJTA:
Unë jam dakord, por komunat shqiptare më shumë janë përfshirë në rajonin e Pollogut. Edhe unë mendoj se komunat shqiptare duhet të kenë bashkëpunim shumë më të mirë me njëra tjetrën, janë edhe komuna fqinje dhe mund ta shfrytëzojnë edhe ligjin për bashkëpunim ndërkomunal dhe mund ti ndihmojnë njëra tjetrës në çdo aspekt. Nëse do të kenë bashkëpunim të mirë me njëra tjetrën u ndihmojnë qytetarëve të vet dhe me një bashkëpunim të mirë do të kenë edhe zhvillim më të mirë ekonomik nëpër komunat e tyre. Nëse do të izolohen dhe nuk do të kenë bashkëpunim me komunat fqinje, atëherë nuk do të kemi përparim, përveç asaj ato duhet të kenë edhe bashkëpunim me institucionet qendrore. Të gjitha vizitat që i kam bërë në komuna u kam thënë dhe e them sërish se ata mund të drejtohen në Ministrinë e vetëqeverisjes lokale pavarësisht se në cilën ministri kanë problem, ne e paraqesim problemin e tyre ne mbledhjen e qeverisë. (Lajm)

Publikuar: 09.12.2011 | 14:54
Lexuar: 4069 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime