Kompania turke Iskobir, e cila në Stamboll ekonomizon me zona të lira ekonomike, është e interesuar të ndërtojë zonat e lira ekonomike në Tetovë dhe Shtip.
Kompania turke Iskobir, e cila në Stamboll ekonomizon me zona të lira ekonomike, është e interesuar të ndërtojë zonat e lira ekonomike në Tetovë dhe Shtip. Sipas drejtuesit të kësaj kompanie Jusuf Akgyn, Tetova i ka të gjitha parakushtet e nevojshme për zhvillimin dhe ndërtimin e një zone të lirë ekonomike, ndërsa në rast se fitojnë në tender, i cili pritet të shpallet në shtator, ata janë të gatshëm në Tetovë ti sjellin sektorët ekonomik, të cilat i mungojnë shtetit.
Do ti sjellim ato sektorë të cilat i duhen Maqedonisë, ndërsa nuk mundemi të japim vlerësime rreth vlerës së projektit pa bërë studimin e fizibilitetit, i cili do të na tregojë se sa fonde nevojiten për ndërtimin e zonës së lirë ekonomike në Tetovë, thotë Jusuf Akgyn, drejtor i kompanisë Iskobir.
Ministri i ekonomisë, Fatmir Besimi u shpreh se realizimi i këtij investimi turk do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin ekonomik të Maqedonisë.
Me këtë do të krijohet një mundësi e mirë, do të thotë nëse arrihet të realizohen këto zona të lira ekonomike do të ketë një mundësi të mirë për punësime të reja dhe gjithashtu do të ndihmohet edhe për bilancin tregtar të vendit, përkatësisht zvogëlimin e deficitit, pasi që prodhimet e prodhuara në zonë do të jenë për eksport, thotë Fatmir Besimi, ministër i Ekonomisë.
Për ndërtimin e zonës lirë ekonomike në Tetovë, janë të interesuara kompani daneze, norvegjeze, indo-amerikane, një subjekt afarist nga vendi. Zona e lirë ekonomike në Tetovë, ka një sipërfaqe prej 97 hektarësh, ndërsa për momentin në rrjedhë janë projektet urbanistike që nënkuptojnë investime në infrastrukturë, në rrjetin elektrik, kanalizimit dhe atë të telekomunikimeve. Investimi në zonat e lira ekonomike për kompanitë siguron lehtësime tatimore dhe doganore si dhe mundësi më të lehtë për eksportin e prodhimeve të tyre.
Nevzat Mamuti /alsat-m/