Ndërsa ekonomitë e botës dridhen, Skocia po shijon rekordin e saj. Kurrë më parë nuk kanë qenë kaq të larta eksportimet e alkoolit: Për të pirë një gllënjkë nga tradita
Ndërsa ekonomitë e botës dridhen, Skocia po shijon rekordin e saj. Kurrë më parë nuk kanë qenë kaq të larta eksportimet e alkoolit: Për të pirë një gllënjkë nga tradita
Mos u dëshpëro për whisky-n e derdhur, - i thotë Jack Lenon, Marylin Monroe-s në Some Like It Hot, filmi plot me batuta të paharrueshme jo vetëm për pijen. Por gotat me whisky nuk janë mbushur kurrë më parë kaq shumë sa në këtë epokë problemesh, dhimbjesh dhe shqetësimesh të çdo lloji, kur edhe ministrat qajnë duke anonçuar sakrificat e popullsisë. Ndërsa ekonomitë e gjithë Perëndimit dridhen nga borxhet publike që kanë arritur shifra marramendëse, nga papunësia apo nga euro, një rritje prodhimi ka shtuar në mënyrë marramendëse fitimet e tij: pija alkoolike e distiluar nga elbi në malet skoceze.
Në nëntë muajt e parë të këtij vitit, në fakt whisky skocez i ka parë eksportimet të arrijnë shifrën 3 milionë sterlina, me një rritje të jashtëzakonshme prej 23 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Një vit që ka shënuar një rekord të paprecedentë, pavarësisht krizës. Prodhimi i Glenfiddich, whisky më i dashur dhe më popullor në botë, e ka kaluar për herë të parë shifrën 1 milion fuçi në vit. Gjëja më e jashtëzakonshme është se kemi pësuar një rritje të shitjeve në mënyrë uniforme si në tregjet tradicionale, ashtu edhe në ato në zhvillim, - tregon Stella David, presidente e Grants, kompania lider në botë në distilimin e kësaj pije antike. Ky lëng me orgjinë skoceze është më shumë se një sukses ekonomik; është një fenomen kulturor, social, psikologjik. Pihet për të harruar, - do të ishte përfundimi në lidhje me krizën, - por shumë pak e pinë atë për të fshirë nga kujtesa periudhën e vështirë ekonomike.
Në fakt, prodhimet e lidhin këtë sukses me fushatat e marketingut në të gjithë botën, nën moton e të pirit në mënyrë të përgjegjshme. Ndërkaq, whisky skocez kushton më shumë se pijet e tjera alkoolike dhe whisky-t e tjerë që janë në treg, madje shumë këshillojnë që të pihet me gllënjka. Klientët tanë nuk e pinë për tu dehur, përkundrazi në vendet në zhvillim si në Indi, Kinë, Brazil dhe Rusi, e pinë sepse klasa e mesme gjithmonë e më e zgjeruar zgjedh whisky-n skocez në vend të një pije vendase, për të treguar rafinimin dhe kozmopolitizmin e tyre. Por ato janë ekonomitë ku gjithçka shkon mirë. Po në Europë, në SHBA, në Perëndimin në krizë mund të thuhet e njëjta gjë? Në fillim edhe ne mbetëm të habitur duke parë shitjet që ishin shtuar edhe në tregjet e konsoliduara, - deklaron David për Financial Times. Më vonë kuptoi psenë. Kur kohët janë të vështira, njerëzit duan ta mbajnë mirë veten, u pëlqen të shohin pak luks përreth, - tregon gruaja në krye të perandorisë së whisky-t. Ndoshta e dinë që duhet të heqin dorë nga gjërat e mëdha, një makinë, një palë pushime, një veshje të shtrenjtë, por duan të shijojnë të paktën një moment qetësie. Kështu, zgjedhin një markë cilësore dhe qëndrojnë besnik ndaj saj. Një shembull i mirë është Spanja, një prej vendeve europiane më të zhytura në recesion, ku në vitin e fundit shitjet e Glenfiddich jo vetëm që janë rritur, por janë dyfishuar. Me pak fjalë, nuk është për përqindjen e alkoolit që whisky skocez po përjeton një boom të tillë. Për të kuptuar, mjafton të kërkosh informacione të zyrës së Turizmit në Edinburg: Whisky Trail, rrugica e whisky-t, është një nga itineraret turistike më të frekuentuara të Skocisë, një nga motivet më të mëdha për ta vizituar. 40 vjet më parë, distileria Glenfiddich e Dufftown, e themeluar në 1886 dhe prej pesë brezash në duart e të njëjtës familje, ishte e para që hapi një qendër vizitorësh mes firmave prodhuese të whisky-t skocez. Sot ajo tërheq më shumë se 75 mijë turistë në vit. Nëse zgjedh për të pirë një whisky skocez, e shijon me zemër dhe mendje. Të duket sikur je duke pirë një gllënjkë histori, traditë, atmosferë, - përfundon Stella David. Me pak fjalë, në kohë krize pimë më shumë whisky skocez jo për të harruar telashet, por për të jetuar një eksperiencë dhe për të provokuar të paktën pak mbështetje.