Pas shumë hapave falsë në kinema, aktori amerikan rikthehet me Mission Impossible 4. Një rikthim i shumëpritur, pas kritikave të ashpra të viteve të fundit.

Takimi me Tom Cruise është lënë në katin e 124 të Burj Khalifa në Dubai, që ashensori super i shpejtë e përshkon për një minutë. Ndërsa lartësia nga toka është e papërshkrueshme. Kam ndjekur të gjitha fazat e ndërtimit të këtij pallati, sepse dija që herët apo vonë do të vija këtu. Divi i Scientology, me flokë të shkurtër dhe buzëqeshje djaloshare, xhinse dhe këmishë, i takon gazetarët në sallën spektakolare me pamje nga shkretëtira. Jashtë kësaj ndërtese ka xhiruar një nga skenat më të bukura të Mission Impossible 4. Ajo ku aktori 49-vjeçar bën akrobaci të frikshme. Falënderimi i parë shkon për Mohammed Bin Rashid al Maktoum, për pritjen e shkëlqyer dhe ndihmën. Ka diçka të përbashkët mes Cruise dhe emirit të Dubait: ambicia pa kufij. Të dy përpiqen ti japin dritë një imazhi të zbehur: Dubait të gjunjëzuar nga kriza ekonomike e vitit 2009 dhe ajo e Tom Cruise pas disa hapash falsë. Filmi që ka kushtuar plot 150 milionë dollarë do të shfaqet në kinematë europiane duke nisur që nga janari i vitit tjetër. Për Tom Cruise ky është momenti i të vërtetës, sepse nëse mediat amerikane e kanë gjunjëzuar, publiku nuk e ka braktisur. Turi botëror i Mission Impossible 4 u hap në Tokio dhe më pas në Mumbai, për të vazhduar më pas me Dubain.
Cruise, çfarë ndjesie është të jesh në majën e ndërtesës më të lartë në botë?
Është shumë frikë. Jo nga lartësia, por nga frika se mos bie. Por unë doja ti bëja këto skena, sepse e di që publikut kanë për ti pëlqyer shumë.
Si reagoi kompania e sigurimit kur i shpjeguat për të gjitha akrobacitë që duhet të bënit?
Herën e parë që bëmë mbledhje me koordinatorin e shoqërisë së sigurimeve më tha: Tom, fola për rreth pesë orë me funksionarët e sigurisë, dhe më tha që të gjithë duhet të mbajnë parashuta. Ishin vërtet të frikshme ato xhirime.
Jo vetëm të frikshme, por edhe të lodhshme?
U trajnova për muaj me radhë me instruktor shumë të mirë. Skena zgjat vetëm disa minuta, por unë qëndrova i varur në kavo për një ditë të tërë. Të futeshe ka qenë e lehtë, të dilje nga dritarja më e vështirë. Aq sa edhe gruaja ime Kate u tremb shumë dhe më bërtiti që të tregohesha më i kujdesshëm.
Nuk të kritikon për këto rreziqe që merr përsipër të bësh?
Jo, përkundrazi më mbështet. E di se sa shumë më pëlqen motori, apo drejtimi i avionëve. Gjithmonë më thotë se, nëse kjo gjë të bën të lumtur, atëherë bëje. Gjithë këto gjëra nuk do të kisha guximin ti bëja pa të.
Përse të pëlqen kaq shumë saga e Mission Impossible?
U dashurova pas serialeve televizive kur isha fare i ri. Më pëlqenin aventurat, shpërthimet, eksplorimet, luftimet. Janë të njëjtët përbërës që më pëlqejnë ende sot. Mission Impossible ka qenë krijesa ime e parë si producent, dhe që atëherë jam marrë vetë me secilin prej këtyre filmave.
Ju thirrët për të drejtuar Brad Bird, regjisorin, fituesin e Oskarit me The incredibles. Përse?
Sepse The incredibles është një film aksion shumë i bukur. Menjëherë sa e pashë e ftova Brad në shtëpinë time dhe folëm për kinemanë me orë të tëra. Kësaj here kisha nevojë për elegancën, humanizmin dhe humorin e Brad. Shumë prej ideve origjinale të filmit i takojnë atij.
Xhirimet e filmit janë bërë në Moskë, Mumbai, Vankuver. Por qyteti protagonist është Dubai...
Më kujtohet kur ky qytet ishte në ndërtim e sipër, i shihja fotot, dhe këtë vazhdova ta bëja për shumë kohë. Kisha dëshirë të xhiroja këtu. Është një qytet me bukuri të jashtëzakonshme, i lindur vetëm për kinemanë. Ditën e fundit, pasi mbarova xhirimet, dola në shkretëtirë. Kisha hipur në një gamile dhe përpara meje kisha diellin që perëndonte. Oh, çfarë bukurie! Nuk kam për ta harruar kurrë.
D.m.th. do të ketë të tjera misione të pamundura?
Po. Kinemaja më pëlqen shumë, por dua të xhiroj filma për publikun e gjerë. Përpiqem të imagjinoj dhe të kuptoj se çfarë mund ti argëtojë, emocionojë, magjepsë. Të bësh për vete publikun është një nga kënaqësitë më të mëdha që jeta mund të të ofrojë.