Në solemnitet me rastin e hapjes së subjektit të ri afarist ishin të pranishëm kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ministri i Ekonomisë, Valon Saraçini, kryetari i komunës Tearcë, Isen Asani dhe disa kolegë të tij nga komunat në rajon.
Në fshatin Përshevc, komuna e Tearcës në Tetovë sot me solemnitet rasti u hap fabrika e kafesë "Nelina kafe".
Subjekti i ri afarist është rezultat i bashkëpunimit të vëllezërve Nazmi dhe Nexhat Limani me kompaninë Kord nga Hamburgu, Gjermani.
Kjo është fabrika e 18-të që hapet në kuadër të këtij rrjeti të njohur gjerman të fabrikave për përpunim të kafesë, të cilat shtrihen në të gjitha kontinentet. Për të gjithë ata, lënda e parë për përpunimin e kokrave të kafesë nga lloji arabika kultivohen në plantacionet e tyre në Venezuelë.
Me fillimin e fazës së parë për pjekje të kafesë hapen 30 vende të punës, ndërsa me realizimin e etapave të mëtutjshme, bluarje dhe prodhim i ekstrakteve nga kafeja, pronarët vëllezërit Limani presin të hapen gjithsej 120 vende të punës.
"Ne deshëm të lëmë një lloj shenje nga ne si gjeneratë më e vjetër që ka qenë në mërgim në vendet e huaja për brezat që vijnë në rrethinën tonë", deklaroi Nazmi Limani.
Në solemnitet me rastin e hapjes së subjektit të ri afarist ishin të pranishëm kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ministri i Ekonomisë, Valon Saraçini, kryetari i komunës Tearcë, Isen Asani dhe disa kolegë të tij nga komunat në rajon.
"Nga aspekti ekonomik ne jemi të kënaqur me këtë investim sepse me të pritet të hapen 120 vende të reja pune, e që do të kontribuojë zhvillim të ekonomisë në rajon dhe më gjerë. Ky shembull duhet të përcillet dhe t'i stimulojë investitorët edhe në rajonet tjera të vendit", deklaroi ministri Saraçini.
Kryetari i komunës Tearcë, Asani tha se pronarët, vëllezërit Iseni para një viti filluan me realizimin e planit që publikisht e bënë të ditur dhe tani fabrika u ndërtua.
"I informoj investitorët tjerë të interesuar se komuna jonë do t'u mundësojë një sërë volitshmërishë nëse investojnë këtu", deklaroi ai.
Në hapjen e sotme para të pranishmëve u prezantuan ndërtesa e re administrative dhe sektori për pjekje të kafesë në hallën e prodhimit të "Nelina kafe" afër Përshevcit.