Qeveria dhe të gjitha institucionet kompetente duhet të ulen në një tryezë të përbashkët dhe të hartojnë një strategji për parandalimin e dhunës nëpër shkolla.
Qeveria duhet të siguroje zgjidhje sistematike për tu garantuar siguria e fëmijëve nëpër shkolla. Kështu porositi zëvendësja e Avokatit të Popullit, Nevenka Krusharovska. Sipas informatave nga terreni, Krusharovska tha se nxënësit e shkollave, shpeshherë posedojnë armë edhe në procesin arsimor. Ajo tha se, Qeveria dhe të gjitha institucionet kompetente duhet të ulen në një tryezë të përbashkët dhe të hartojnë një strategji për parandalimin e dhunës nëpër shkolla.
Në disa raste jemi drejtuar deri tek Ministria e Arsimit dhe Qeveria për gjetjen e një zgjidhjeje sistematike për shkolla më të sigurta. Ne duhet ti japim fund dhunës nëpër shkolla nëpërmjet edukimit të fëmijëve dhe mësuesve. Duhet bërë kontrolle të veçanta të fëmijëve për të mos lejuar futjen e armëve në shkollë. Prej vizitave tona nëpër shkolla, kemi parë se një numër i madh i fëmijëve mbajnë armë gjatë orëve të mësimit, deklaroi Nevenka Krusharovska zëvendëse e Avokati të Popullit.
Ministri i Arsimit Pançe Kralev pranon se gjendja momentale e sigurisë së fëmijëve nëpër shkolla nuk është në nivelin e duhur. Por ai thekson se Ministria e Arsimit po jep maksimumin për të garantuar një ambient më të sigurt për fëmijët. Kërkesat e zëvendëses së Avokatit të Popullit, Kralev i sheh si pjesë e një projekti më të gjerë, realizimi i të cilit kërkon angazhim permanent të të gjitha institucioneve në vend.
Zgjidhja sistematike e problemit duhet të bëhet në bashkëpunim me komunat, ngase të gjithë e dimë se me procesin e decentralizimit komunat kanë ndërmarrë një numër të madh të obligimeve edhe rreth sigurisë nëpër shkolla. Por kjo nuk do të thotë se ne si ministri, nuk punojmë në përmirësimin e sigurisë, tha Pançe Krallev, ministër i Arsimit.
Ndërkohë ministri i Punës dhe Politikës Sociale Spiro Ristovski thotë se incidenti i parmbrëmshëm në autobusin urban 74 në Shkup në të cilin u përfshinë nxënës të shkollave të mesme nga fshatrat Koliçan i Epërm dhe Koliçan i Poshtëm, nuk duhet ti demoralizojë as kompetentët e as qytetarët.
Për ne lufta kundër dhunës paraqet një sfidë të madhe. Unë nuk mund të them se me një fushatë do të ndalohet dhuna në shkolla, por në asnjë moment nuk do na de-motivojë në aktivitetet tona, u shpreh Spiro Ristovski, ministri i Punës dhe Politikës sociale
Të gjitha këto komente u bënë në promovimin e fushatës Bashkërisht për shkolla pa dhunë që është pjesë e një nisme të përbashkët të Qeverisë, UNICEF-it dhe organizatave joqeveritare për të parandaluara dhunën nëpër shkolla. Rexhep Qamili