Problemi lindi, sepse një deputet i opozitës e ka kuptuar shumë seriozisht detyrën e vet prej deputeti. Ai vërtet mendon se në parlament e përfaqëson qytetarin. Ai dhe disa të tjerë. Ai mendon se paguhet majmë, nga buxheti për të marrë vendime.
Fadil Lepaja
Qëllimi i këtij shkrimi është meditimi me zë, publikisht, rreth një deklarate krejt parimore. Dorën në zemër, gjuha e saj nuk ishte aspak diplomatike. Është krejt çështje tjetër sa janë diplomatë, diplomatët e akredituar në Kosovë!
Problemi lindi, sepse një deputet i opozitës e ka kuptuar shumë seriozisht detyrën e vet prej deputeti. Ai vërtet mendon se në parlament e përfaqëson qytetarin. Ai dhe disa të tjerë. Ai mendon se paguhet majmë, nga buxheti për të marrë vendime.
E për të marrë vendime, duhet menduar paraprakisht. Kjo di të jetë e lodhshme. Shumë deputetë as që e lodhin kokën të mendojnë. Mendon partia. Mendon kryetari i grupit parlamentar. Mendon shefi. Mendon zinxhiri i shefave deri te boss-i. Deri te kumbara.
Sa u përket deputetëve, po të kishin kaluar në kushtetuese edhe privilegjet, krejt do të ishte për marshallah.
Por, të jesh deputet nuk është edhe aq e lehtë, edhe pse krejt vendimmarrjen e kanë të përmbledhur në tri pulla të thjeshta. Ka disa që i habisin edhe pullat. Duan tia bëjnë NO dhe e bëjnë YES. Ka disa që nga shprehia për tia bërë YES, e shtypin sustën edhe kur opozita propozon ndonjë rezolutë. Pastaj i kap paniku. Ka edhe të atillë që nuk e pëlqejnë votimin elektronik për shkak të transparencës. Me qejf do të rrinin në ekipin fitues, ndërkaq do të votonin për opozitën. Ka edhe nga e kundërta, ku deputetë të opozitës kishin nxjerrë farë fitimi duke votuar për pozitën.
Por nejse, deputeti që na shtyri të mendojmë, tregoi se përpos rrëzimit të kamionëve, di edhe të thotë jo. E, të thuash jo, është punë e madhe. Duhet të jesh i fuqishëm, i pasur ose i gatshëm për sakrifica. Kërkon jo veç kurajë, por edhe presupozon ekzistimin e vullnetit të lirë. Ka dikush që edhe kur nuk i bëhet, nuk mund të thotë jo. Po mendoj edhe kur nuk i hahet, mos e kuptoni keq. Nuk mund të thotë jo, sepse e ka bërë pazar vullnetin e vet.
Por, ishte një kohë kur nuk ishim në pozitë të themi jo. As po. Ne po kërkonim vetëm liri, të shpëtonim, e neve na e ngarkuan në barrë krejt rendin e ri botëror. Situata paraqitej konfuze. Barra ishte e madhe, por ishte çmimi i lirisë.
Presidentin e zgjedhur e kishin zënë peng. Shteti paralel kishte ikur dikah. Luftëtarët guerilë ishin diku thellë në mal. Ushtarët dhe paramilitarët serbë bënin çka u donte qejfi me njerëzit e thjeshtë. E njerëzit e thjeshtë shkrryheshin për një copë bukë nëpër baltën e Bllacës.
Pastaj erdhën bombat. Erdhën nga qielli. Si prej Zoti. Pastaj u kthyem në shtëpi. Çdo gjë ishte e djegur e rrënuar. Ata që na ndiqnin po iknin me tre gishta lart, në shenjë fitoreje. Me ta ikën edhe shumë bashkëqytetarë, të cilët kishin ndonjë arsye të kenë frikë nga kthimi i fqinjëve të tyre. Tash po duan të kthehen bashkë me policët dhe me ushtarët. Sërish!
Në atë kohë, ambasadorëve të huaj ua këqyrnim gojën çka po flasin. Edhe ndërkombëtarëve, pavarësisht prej pozite apo prej vendeve që vinin. Mjaftonte që ishte ndërkombëtar. Kishte edhe pjesëtarë nga fiset ende primitive të kontinenteve që nuk shquhen për demokraci. Edhe ata na mbanin ders për demokracinë. Ne besonim. Ishin ndërkombëtarë!
Na ndihmuan shumë, pa dyshim! Pastaj filluan, me raste edhe të na ofendojnë. Edhe ambasadorët nganjëherë. Dikush ndihej i fyer, e dikush thoshte: Ndashtë, ata na shpëtuan.
Por, një deputet goxha vrazhdë pyeti këto ditë: Kush hamamin është ambasadori X?.
Përgjigjja nuk mund të jetë e thjeshtë sa pyetja. Varet cili ambasador. Ka ambasadorë dhe Ambasadorë! Disa ambasadorë e çelin derën e Qeverisë me këmbë. Disa me maje të gishtave.
Disa me kallauz. E disa se çelin hiç, se qeveria shkon lart, në kodër.
Disa skanë kohë të merren me Qeverinë, Presidencën, Parlamentin. Pavarësisht prej renditjes hierarkike. Kanë punë më të rëndësishme. Disa e përkrahin vetëm njërin ministër, disa një tjetër. Ministrat nuk i përfaqësojnë veç partitë. Duhet baraspeshë edhe mes ambasadave.
E mira e krejt kësaj është se, përkundër retorikës, qytetarët e kanë kuptuar që ambasadorët e akredituar këtu e përfaqësojnë një shtet. Ose, së paku, kështu do të duhej të ishte. Edhe kur na pëlqen, edhe kur nuk na pëlqen. E shtetet janë të fuqishme dhe të dobëta. Mike, jomike, e shumica prej tyre indiferente emocionalisht.
Por, edhe ata janë njerëz. Nuk janë gjithnjë në nivelin e detyrës. Kanë edhe dobësitë e tyre. Tash, pajtohemi, besoj se nuk i kanë dërguar diplomatët më të përgatitur këtu. E rrethanat janë shpesh tejet konfuze që kërkojnë personalitete me potencial të jashtëzakonshëm. Ata shpesh e shikojnë çështjen si burokratë e nuk kuptojnë se kanë ardhur në një vorbull civilizimesh.
Motivet për emërimin e dikujt ambasador në Kosovë mund të jenë nga më të ndryshmet. Përpos atyre të zakonshme dhe formale, disa mbase janë dërguar këtu edhe për dënim. Disa janë dërguar këtu mbase për tu bërë shpi. Disa... për të bërë sefa. Paj, në hartën e botës, Kosova është veç një njollë e vogël politike. Problem. Diçka që herë pas here merr përmasat e vrimave të zeza në univers. Aty ku bluhet materia.
Është shumë afër mendsh se shumica e ambasadorëve janë dërguar këtu për të bërë përvojë. Për të ushtruar në ne. Eksperimenti mund të jetë i suksesshëm edhe nëse pacienti vdes. Kështu thonë anekdotat konspirativiste.
Ndoshta, para se ti nisin këtu, u kanë thënë: po shkoni në një vend as mish, as peshk. Ai vend është i paformë dhe ju duhet ta formësoni. Është i pangjyrë dhe ju duhet ta ngjyrosni me ngjyrat e flamurit tonë. Ata as vetë nuk dinë çka janë. A shqiptarë, a kosovarë, a turq, a grekë, a serbë. Nuk janë një mendje as kah luten, apo kah falen. Nuk janë të një mendjeje as çka është mirë e keq, çka është marre e çka krenari! Ideale të punosh me ta. Do të kënaqeni!
Dhe, mbi të gjitha, u thonë: ata janë të dëgjueshëm!
Janë të dëgjueshëm aq shumë sa mund të jetë bezdisëse. Shumë prej politikanëve nuk bëjnë asgjë pa të pyetur. Duhet të udhëheqësh në vend të tyre, e ata e marrin rrogën. Pa përkrahjen tënde, nuk dalin as në zgjedhje. Nuk shkojnë në tribuna dhe në takime me popull. Nuk i besojnë popullit të vet.
Shpesh ndodh që politikanët të shkojnë prej feste në festë nëpër ambasada. Fillojnë të pinë në njërën ambasadë, e në tjetrën i zë rakia. Pastaj nuk e kuptojnë se ku i ka zënë.
As populli nuk e kupton, por e ndien duhmën e vendimmarrjes së dehur. Dehen edhe qytetarët dhe shajnë çunin e vogël që na thotë me këmbëngulje se mbreti është cullak. Le bre, mos bën hajgare!
E programet për të rritur po shikohen gjithnjë e më pak. Jo për shkaqe morale, por se në politikë ka gjithnjë e me shume striptiz. Zhveshje morale para qytetarëve. Porno politikë!