Kampuset më të mira të botës po hapin selitë e tyre në vendet arabe. Qëllimi? Të formojnë të rinj që të konkurrojnë me mendjet e ndritura që vijnë nga Lindja e largët, Europa dhe Amerika.
Kur dëgjon Education City nuk pret që ky emër ti përkasë Dohas, kryeqytetit të Katarit. Në emiratin progresist të Gjirit Persik, ai që financon televizionin Al Jazeera, po zhvillohet eksperimenti i parë futurist: kampusi i parë global, i ndërtuar nga hiçi, importues i superuniversiteteve amerikane. Quhen Georgetown Northwestern, Carnegie, Mellon, Weill Cornell Medical College, Texas A&M, Virginia Commonwealth, gjashtë të mrekullueshmet që kanë lançuar këtë aventurë. Është një projekt që pikturon të ardhmen e sistemit universitar.
Më të mirët në botë janë tashmë shoqëri të vërteta shumëkombëshe, që ashtu si në biznes, operojnë sipas strategjive globale. Shkojnë aty ku tregu i kërkon, pra në vendet në zhvillim e sipër. Nuk janë vetëm privatët që lëvizin kështu, madje edhe Berkley, një institucion shtetëror që i përket sistemit publik universitar të Kalifornisë, ka vendosur ti bashkohet një iniciative të tillë. Për herë të parë ka hapur një pjesë të tij në Kinë, e më saktë në Shangai.
Qëllimi nuk është vetëm mësimdhënia, por edhe kërkimet e mirëfillta në fushën shkencore. Që Kina dhe India janë basene të jashtëzakonshme talentesh dhe inteligjence, nuk është një zbulim i kohëve të sotme. Më befasuese është ajo që po ndodh në Gjirin Persik. Kështu, universitet më të mira amerikane dhe angleze vendosën të ishin të parat që të ofronin eksperiencën e tyre në këtë vend.
Njëra nga të parat që e kuptoi pushtetin e këtij rajoni ishte New York University, që këtë verë mbylli vitin e parë akademik në kampusin e ri të Abu Dhabit, më i pasuri nga Emiratet Arabe. Superuniversiteti amerikan ka në selinë e tij në Gjirin Persik 150 studentë nga 39 vende, të gjithë të pranuar sipas kritereve të bazuara vetëm tek aftësitë, të importuara në Amerikë. Në të njëjtat salla ka fëmijë emirësh multimiliarderë apo të rinj të ardhur nga familje të varfra, por që kanë fituar bursa studimi.
Universiteti përdor një ekip të specializuar për seleksionimet dhe ata që e meritojnë u ofrohet mundësia për të dhënë provimin final të pranimit në Abu Dhabi. Seleksionimi është kaq i pamëshirshëm, sa vitin tjetër do të arrijnë të kualifikohen vetëm 196 studentë nga 5854 që kanë kaluar filtrin e parë, pra vetëm 3.3 për qind të konkurrentëve. Kështu NYU-Abu Dhabi është më i ashpër për pranime edhe se vetë Harvardi që pranon vetëm 6 për qind të kërkesave. Pagesa në kampusin e Abu Dhabit është njëlloj si në universitetet prestigjioze amerikane, rreth 53 mijë dollarë në vit.
Por, ashtu si në Princeton dhe Harvard, kushdo që arrin të kalojë kriteret e hyrjes, por që nuk ka mjetet e duhura për ta vazhduar, ne i ndihmojmë përmes bursave të studimit, garanton rektori John Sexton, që tashmë po përgatit inaugurimin e binjakut të këtij universiteti në Shangai. Suksesi i NYU është trampolinë për një operacion akoma më progresist, që drejtuesit e përcaktojnë universiteti i parë i vërtetë global. Ky do të lindë nga bashkimi me University of the People, një institucion jo fitimprurës që i ofron botës kurset e saj, ekskluzivisht online.
Suksesi i NYU në Gjirin Persik i ka përshpejtuar kohët e konkurrencës. Doha ka pas vetes emirin progresist të Katarit që kërkon të realizojnë projekte akoma më të mëdha. Education City është e paprecedentë për nga përmasat me të tjerat. Nuk ishte parë kurrë më parë një kampus universitar, ku të përfshiheshin universitetet më të mira amerikane. Brezat e të rinjve arabë po vazhdojnë të shtohen dita-ditës, po ashtu infrastruktura e transportit e bën gjirin një kryqëzim ideal mes Perëndimit, Afrikës, Indisë dhe Lindjes së largët. Gjiri Persik, që deri më tani është identifikuar vetëm me rezervat e naftës, do të përmendet edhe për edukimin.
Superuniversitet e botës që do të vendosen aty, do të përdorin të njëjtat kritere seleksionimi dhe vlerësimi si në vendet e tyre. Por, edhe pse në vend të parë renditen ato amerikane, edhe universitetet më të mira franceze dhe britanike po kërkojnë të sjellin modelet e tyre në botën arabe. Pas nuk ngelet edhe Dubai. Knowledge Village dhe Academic City kanë më shumë se 20 universitete ndërkombëtare. Jo më kot sot janë gjithmonë e më të shumtë studentët amerikanë dhe europianë që e konsiderojnë eksperiencën e studimit në Lindje si një avantazh në kurrikulumin e tyre.