Kanë kaluar 20 vjet që kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë dhe këtë herë, pikërisht pas 20 vitesh, njerëz të zemëruar dhe acaruar kanë marrë rrugët e Moskës kundër partisë që ka pushtetin, Rusia e Bashkuar, duke hedhur edhe parullën: "Duam një Rusi pa Putinin". Qindra syresh janë ndaluar nga policia dhe në qendër të Moskës ka vënë këmbë ushtria për të "ruajtur rendin"
Kanë kaluar 20 vjet që kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë dhe këtë herë, pikërisht pas 20 vitesh, njerëz të zemëruar dhe acaruar kanë marrë rrugët e Moskës kundër partisë që ka pushtetin, Rusia e Bashkuar, duke hedhur edhe parullën: "Duam një Rusi pa Putinin". Qindra syresh janë ndaluar nga policia dhe në qendër të Moskës ka vënë këmbë ushtria për të "ruajtur rendin"
Edhe pse numrat e protestuesve moskovitë janë larg gjysmë milionit të njerëzve që dolën në shesh për "varrosjen" e Bashkimit Sovjetik, 20 vjet më parë, këto të fundit janë protestat më të mëdha në Rusi këto dhjetëvjeçarë. Ngjarja që i shkaktoi menjëherë ato ishin zgjedhjet e fundit parlamentare të 4 dhjetorit, por shkaqet e vërteta të një zemërate të grumbulluar gjatë, janë sigurisht më të thella. Regjimi qeverisës ka nisur që të humbasë legjitimitetin e tij sapo kryeministri aktual i vendit, Putin deklaroi një "fitore përfundimtare" për "stabilitetin", duke premtuar që do të rikthehet në Kremlin. Në këtë kuadër, ai premtoi edhe rindërtimin e të ashtuquajturit Bashkimi Euroaziatik, pra, një bashkimi të Rusisë me ish-republikat aziatike të Bashkimit Sovjetik. Shija e gjithë kësaj u përcoll pikërisht në kongresin e partisë në muajin nëntor, pikërisht ditën kur Putin pranoi kandidimin presidencial.
"Ne kemi nevojë për një lider të fortë, trim dhe të aftë
dhe ne jemi me fat që e kemi një njeri të tillë si Vladimir Vladimiroviç Putin", - deklaroi në kongres një delegate partie duke iu referuar Putinit. Një tjetër delegat pjesëmarrës në kongres dhe punonjës çeliku doli në foltore dhe deklaroi: "Putin e rindërtoi fabrikën tonë nga themelet, duke na dhënë këshillat e tij të çmuara". Ndërsa më pas një nënë me 19 fëmijë falënderoi gjithashtu Putinin për "të ardhmen e ndritur" të fëmijëve të saj. Paralelizma të tilla me epokën e idealizuar sovjetike supozohej që të ishin një nga pikat e forta të propagandës të përdorur nga Putin e jo debate të gjata politike e rrahje ideologjish. Por ndryshe nga sa e kishte parashikuar, Putini u përball me një audiencë që nuk iu bind në të gjitha rastet. Fillimisht u fishkëllye publikisht në një stadium të arteve marciale, ku kishte shkuar të tregonte aftësitë e tij fizike në prani të shumë njerëzve dhe së fundi është sfiduar edhe nëpër rrugët e Moskës dhe qyteteve të tjera të vendit. Retorika sovjetike ka sjellë një kundërpërgjigje anti-sovjetike. Sipas disa analistëve, ky reagim ndaj një regjimi të korruptuar, monopolist dhe autoritar është vetë pjesë e trashëgimisë sovjetike. Është diçka që nxitet si pasojë e mungesës së alternativave dhe jo nga vizioni i përbashkët për ndryshim.
Kjo, sepse Rusia është ende një shtet hibrid. Është më i vogël, konsumon më pak dhe është më pak i kolektivizuar krahasuar me Bashkimin Sovjetik. Por ndërsa ideologjia ka ikur, mekanizmi për mbajtjen dhe mbështetjen e pushtetit politik vazhdon. Institucionet kyçe, përfshi gjykatat, policinë dhe shërbimet inteligjente, televizionet dhe shkollimi janë të gjitha në duart e burokratëve, të cilët i përdorin për të mbajtur pushtetin tyre dhe për të shtuar pasurinë. Administrata presidenciale është një organizëm që nuk zgjidhet dhe mbi të gjitha ndodhet edhe sot e kësaj dite në të njëjtën godinë në të cilën ndodhej dikur Komiteti Qendror i Partisë Komuniste, dhe kjo nuk është e përbashkëta e vetme që ka me këtë institucion të së kaluarës. Çka është më e rëndësishme, mentaliteti sovjetik ka dalë se është më i fortë se vetë ideologjia. Kur në vitin 1989, një grup sociologësh të të drejtave të njeriu, të drejtuar nga Juri Levada nisi një studim mbi të ashtuquajturin "njeriu sovjetik", një krijesë artificiale e përbërë nga paternalizmi, dyfytyrësia, izolacionizmi e dyshimi, ata menduan se kjo krijesë ishte në zhdukje e sipër. Gjatë 20 viteve që pasuan doli qartë në pah se 'Homo Sovieticus' kishte pësuar mutacion dhe ishte riprodhuar, duke përftuar gjatë këtij procesi, karakteristika të reja si cinizmi dhe agresioni. Nuk bëhet fjalë për një trashëgimi gjenetike, por rezultat i shtrëngimeve institucionale dhe të një stimuli të shtrembër ekonomik dhe moral të propagandës. Ky mentalitet nuk është një tipar gjeneracional, sikundër grupi i mësipërm i studiuesve dyshoi fillimisht. Në Moskë, në manipulimin e zgjedhjeve morën pjesë jo vetëm njerëzit e moshës së mesme, që mund të mendohet se u rritën në epokën e Bashkimit Sovjetik, por edhe mijëra të rinj pro- Kremlinit të ardhur nga i gjithë vendi dhe të urdhëruar për të hedhur vota të rreme në kutitë e votimit në Moskë.
Në mënyrë shumë simbolike, ata e ngritën fushimin e tyre në pavijonin e zbrazur të ekspozitës staliniste të arritjeve ekonomike të Bashkimit Sovjetik. Pjesa më e madhe e tyre nuk kishin asnjë memorie të së kaluarës sovjetike, sepse kanë ardhur në jetë pas shkatërrimit të kësaj perandorie. E megjithatë, këto zgjedhje treguan në masë të gjerë mungesën e dëshirës së një pjese të madhe të shoqërisë ruse që të vazhdojnë me këtë pushtet që kanë në krye. Mijëra të indinjuar, burra dhe gra, të vjetër dhe të rinj, u përpoqën që të ndalonin vjedhjen dhe manipulimin e votës dhe të mbronin të drejtat e tyre. Një monitorues shkroi në blogun e tij: "Mendova se do të vdisja nga turpi...nuk arrita që të mbroja votat tuaja...ju lutem, më falni". Zëra të tillë mund të jenë ende një pakicë, por përplasja mes këtyre dy grupeve është në thelb një përplasje mes dy civilizimesh dhe një shenjë që procesi i shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe sistemit sovjetik, që nisi 20 vjet më parë, është ende larg fundit. Kur regjimi komunist ra, në vitin 1991, pati një ide në Perëndim dhe në Rusi që vendi do të përqafonte vlerat perëndimore. Por ishte një vlerësim që nuk merrte parasysh ekonominë e shkatërruar, kapitalin e lodhur dhe ezauruar njerëzor, shëndetin moral dhe fizik të njerëzve të lodhur, të shkaktuara nga sundimi 70-vjeçar sovjetik. Askush nuk e dinte në atë kohë se çfarë vendi do të krijohej nga gërmadhat e ish-Bashkimit Sovjetik. Heqja e kufijve ideologjikë dhe gjeografikë nuk solli aspak një qartësi e vizion për të ardhmen.
Veçanërisht inteligjencia, motori i kolapsit sovjetik, u kap e papërgatitur. Kur ëndrra e saj u bë një realitet, ajo befas u kujtua se vendit i mungonte një elitë e përgjegjshme për të krijuar institucionet e reja. E kaluara sovjetike dhe institucionet e kësaj periudhe nuk u morën kurrë në analizë dhe në vend të kësaj, gjithçka sovjetike u shndërrua në objekt barsoletash e talljesh. Rusët e mësuar me vitet e gjata të një paeerrnaliz, shtetëror dhe të përjashtuar nga politika edhe në këtë klimë disi të ndryshme nuk donin që të merrnin përgjegjësitë e tyre për çështjet e vendit. Kjo përgjumje përfundoi kur qeveria rrëzoi mekanizmin e rregullimit të çmimeve, duke nxjerrë në pah kështu edhe korësinë e kursimeve në periudhën sovjetike dhe Boris Jelcin, i përballur meelim të armatosur, hapi zjarr kundër parlamentit në vitin 1993. Shumë shpejt shpresa për një mrekulli u zëvendësua me një ndjenjë zhgënjimi të thellë dhe nostalgjie. Sigurisht që njerëzit nuk donin që të ktheheshin në të shkuarën, por ata kishin mall për rendin dhe stabilitetin e të shkuarës, që e lidhnin më shumë me praninë e ushtrisë se sa të politikanëve. Në këtë periudhë futet në skenë Putin, një i ri i zgjuar, sy blu dhe i qetë, që dukej si zgjidhja perfekte për pritshmërinë e njerëzve. Edhe pse ai u zgjodh nga vetë Jelcini në kohën kur ishte president, të dy kishin një dallim të madhe me njëri-tjetrin. Dy faktorë e bënë Putin shumë popullor në fillim: rritja e ekonomisë që i dha mundësi atij të paguante rrogat dhe pensionet e popullsisë dhe lufta e Çeçenisë.
Të dyja simbolizonin rikthimin e funksionimit të shtetit. Në mungesë të një vizioni apo identiteti të ri, kontrasti me vitin 1990 mund të arrihej vetëm me një periudhë para fillimit të ndryshimeve: periudhën sovjetike. Por edhe pse Putin e shfrytëzoi nostalgjinë për idealizimin e të shkuarës, ai nuk kishte aspak ndërmend që të rindërtonte Bashkimin Sovjetik, as ekonomikisht, as gjeografikisht. Ai e ka përmendur shpesh këtë frazë: "Ai që nuk i vjen keq për të shkuarën sovjetike, nuk ka zemër, ndërsa ai që kërkon rikthimin e Bashkimit Sovjetik, nuk ka tru". Si njeri i KGB-së, Putin e ndihet mjaft mirë se një ekonomi e tipit sovjetik nuk do të funksiononte dhe se ideologjia ishte boshe. Por njëherazi e dinte edhe se demokracia dhe shoqëria civile ishin thjesht "mbulesa ideologjike" të përdorura nga Perëndimi. Ajo çka është e rëndësishme kudo në botë, sipas Putinit, në Lindje apo në Perëndim, janë paratë dhe pushteti dhe pikërisht paraja dhe pushteti duheshin grumbulluar dhe konsoliduar. Vendi ishte i lodhur nga ideologjia dhe ai nuk u mor me të. Gjithçka që premtoi dhe i mbajti si rritjen e të ardhurave dhe rivendosjen e sigurisë së epokës sovjetike dhe lirinë e lëvizjes e përdori në favor të vetes. Deri këtu kishte plotësuar një pjesë të kërkesave "për liri" të rusëve, që dolën në rrugë në vitin 1990. Me këtë plotësim, njerëzit, të lumtur e pranuan kërkesën e Putinit për të qëndruar larg politikës. Kështu, edhe pse Putin është një autoritarian, ai u ngjante rusëve si një demokrat.
Lehtësia me të cilën Putin eliminoi të gjitha burimet e tjera të pushtetit ishte dëshmi jo vetëm e fuqisë së tij, por edhe e dobësisë së institucioneve ruse. Jelcin, që e urrente komunizmin, nuk kishte pranuar që të ndërhynte në sistemin gjyqësor, të censuronte median. Putin nuk kishte skrupuj të tillë. Fillimisht vuri televizionin në kontrollin e tij dhe më pas edhe naftën dhe gazin. Igor Malashenko, që ndihmoi në krijimin e NTV, televizionit të parë privat në vend, thotë se mendonte në atë kohë se gazetarët e rinj që do të punësoheshin, do të ishin në gjendje që të kundërshtonin presionet dhe censurën. Por më pas ai e kuptoi se e kishte pasur gabim.
Rusia ka qenë shumë më e lirë në vitin 1990 se sa në këtë periudhë nën Putinin. Por ndryshimi erdhi në mënyrë shumë graduale dhe jo menjëherë, sepse do të kishte rënë në sy dhe u bazua në marrëdhënien mes parasë dhe pushtetit, trashëguar nga periudha e kaluar. Privatizimet e viteve '90 e vunë pronën private në duart e ish-zyrtarëve sovjetikë dhe një grupi oligarkësh, shumica e të cilëve ishin hebrenj. Problemi më i madh nuk ishte se akumulimi i kapitalit u bë në mënyrë të padrejtë, edhe pse kjo është diçka që ndodh zakonisht dhe jo vetëm në Rusi, por problemi i vërtetë ishte se nuk u vendosën kurrë rregullat e konkurrencës së lirë dhe të kalimit të kapitalit nga duart e pronarëve më të pazotë në ato të pronarëve më të zotë.
Në qeverinë e Jelcinit, oligarkët e pasur mbuloheshin nga pushteti i tij politik dhe mbroheshin vazhdimisht. Putin e ndryshoi menjëherë formulën, duke i shndërruar pronarët e mëdhenj në vasalë të tij, që lejoheshin të mbanin pronat vetëm nëse do t'i bindeshin. Në komunizëm, mungesa e pronës private kompensohej me pushtet dhe me status të veçantë. Një shef i lartë partie nuk kishte në pronë të tij një fabrikë, e madje nuk mund as të blinte një apartament, por kishte akses në pronat më të mira të shtetit, kur dhe sa të donte. Fjala "speciale" ishte një nga më të favorizuarat në sistemin sovjetik dhe përdorej, për shembull "mbledhje speciale", "departamenti special", "regjimi special", "trajtimi special". Sistemi sovjetik u shkatërrua kur zyrtarët e lartë vendosën që të "monetizonin" privilegjet e tyre dhe t'i kthenin në prona. Në kohën e mëvonshme dhe në atë të Putinit, veçanërisht, fjala "special" u zëvendësua nga "ekskluziv" dhe "elitar".
Mes simboleve të rizbuluara të Putinit, asnjëri nuk është më i rëndësishëm se ai i Rusisë si një fuqi e madhe e rrethuar nga armiq. Putini ishte ai që promovoi një version të historisë së Rusisë, në të cilin Stalini përfaqëson madhështinë e Rusisë. Me këtë rast, vetë Putin, siç duket nën shembullin e Stalinit, ka aplikuar një nga formulat e tij më të parapëlqyera: "Rusia është një kështjellë e izoluar dhe e rrethuar nga armiq". Edhe pse vendi nuk ka një perde të hekurt që ta rrethojë dhe ka internet lirshëm, ekziston ende një mur i padukshëm mes pjesës që konsiderohet si "jona" dhe asaj që konsiderohet si "e huaj" . Sipas disa sondazheve të kryera, grupi i njerëzve që mendojnë se Rusia është një vend i rrethuar nga armiq është rritur vitet e fundit krahasuar me 10 vite të shkuara. Fushata e fundit zgjedhore u mbush nga një propagandë në qendër të të cilës ishte kërcënimi ekzistencial për Rusinë i sistemit amerikan antiraketë. Në vend është rritur shumë edhe ideja se të gjithë ata që e kritikojnë qeverinë brenda Rusisë i japin një ndihmë shumë të madhe armikut të jashtëm. Taktika të tilla, në të cilat armiqtë janë kudo, kanë mbjellë një cinizëm të përgjithshëm. Pas një dhjetëvjeçari stabiliteti dhe përgjumjeje, tani Rusia është në një gjendje shumë të brishtë, pak a shumë siç ishte Bashkimi Sovjetik në ditët e tij të fundit. Megjithatë, dallimi i madh është se Bashkimi Sovjetik kishte një strukturë të qartë dhe një lider si Gorbaçov, që nuk ishte i prirur ta mbronte atë me forcë. Putin nuk është Gorbaçovi.
Ai mund të ushtrojë një represion më aktiv, duke e çuar vendin në një drejtim më sovjetik se kurrë më parë. Por kjo, veçse do ta përkeqësonte krizën. Por gjithsesi, mbetet për t'u parë se në çfarë mënyre do të sfidohet pushteti i pamatë i Putinit në muajt në vijim dhe cilat do të jenë pasojat e kësaj sfide. Një gjë është tashmë e qartë: për të shpëtuar Rusinë, shpirti rus duhet më në fund të ngrihet nga gjumi.