Qyteti i Shkupit si institucion kompetent mund t'i propozojë MPB-së të ketë komunikacion të posaçëm në Shkup, mbikëqyrje më të shpeshta inspektuese, më shumë aktivitete të inspektoratit komunal rreth mbikëqyrjeve inspektuese rreth kantier ndërtimeve në Shkup.
Kushtet e pavolitshme klimaterike, por edhe sezoni ngrohës, komunikacioni dhe aktiviteti i përforcuar ndërtimor kontribuojnë për ndotje më të madhe të ajrit në Shkup, deklaroi ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësiror, Abdilaqim Ademi në intervistën e së dielës për Radion Evropa e Lirë.
"Të dhënat që na vijnë edhe nga inspektorët, por edhe nga stacionet monitoruese, tregojnë se është rritur niveli i të ashtuquajturave grimca PM10. Ato janë grimca më të vogla, deri në 10 mikrometra, që nuk shihen me sy, por kanë ndikim negativ edhe në ajrin ambiental, por edhe në shëndetin e qytetarëve. Nuk ka rritje të CO2 dhe të HO2 të cilët mund të vijnë nga kapacitetet më të mëdha. Megjithatë, për shkak se jemi në kohë të sezonit të ngrihjes, periudhë kur duhet të shfrytëzohen energjense të ndryshme për ngrohje të cilat ndonjëherë janë edhe me cilësi të keqe, ato kanë ndikim më të madh ndaj ajrit ambiental. Gjithashtu, ndikim ka edhe komunikacioni dhe aktivitetet ndërtimore të cilat po zhvillohen me intensitet më të madh gjatë viteve të fundit", thotë Ademi.
Sipas tij, Qyteti i Shkupit duhet të ndërmerr masa, të cilat mund të jenë afatshkurtëra dhe afatgjata. "Afatshkurtërat janë rreth komunikacionit. Qyteti i Shkupit si institucion kompetent mund t'i propozojë MPB-së të ketë komunikacion të posaçëm në Shkup, mbikëqyrje më të shpeshta inspektuese, më shumë aktivitete të inspektoratit komunal rreth mbikëqyrjeve inspektuese rreth kantier ndërtimeve në Shkup. Afatgjate janë - të gazifikohet Shkupi, të shfrytëzohen energjense me cilësi më të madhe, por edhe instalimi i filtrave me kapacitete më të mëdha në Shkup", theksoi ministri Ademi.