Vaclav Havel, dramaturgu disident, i cili e tundi teatrin në politikë për ta rrëzuar, në mënyrë paqësore, komunizmin në Çekosllovaki dhe u bë hero i betejës epike që i dha fund Luftës së Ftohtë, vdiq në moshën 75 vjeçare.
Dramaturgu disident, i cili më vonë u zgjodh presidenti i parë demokratik i Çekosllovakisë pas rënies së komunizmit, Vaclav Havel, vdiq në moshën 75 vjeçare. Si president, ai e mbikëqyri tranzicionin e vendit drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut të lirë, sikurse edhe ndarjen paqësore, në vitin 1993, ndërmjet Republikës Çeke dhe Sllovakisë. Për kontributin e tij për Kosovën, Havel është nderuar me Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm - Dr. Ibrahim Rugova, që është ndarë nga ish-presidenti, Fatmir Sejdiu.
Vaclav Havel, dramaturgu disident, i cili e tundi teatrin në politikë për ta rrëzuar, në mënyrë paqësore, komunizmin në Çekosllovaki dhe u bë hero i betejës epike që i dha fund Luftës së Ftohtë, vdiq në moshën 75 vjeçare.
Havel vdiq të dielën në mëngjes në shtëpinë e tij të vikendit në veri të Republikës Çeke, tha asistentja e tij, Sabina Dancecova.
Havel ishte presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike i vendit të tij, pas Revolucionit të kadifenjtë të pa-dhunshëm, i cili i dha fund pesë dekadave të shtypjes nga një regjim, të cilin ai e talli si Absurdistan.
Si president, ai e mbikëqyri tranzicionin e vendit drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut të lirë, sikurse edhe ndarjen paqësore, në vitin 1993, ndërmjet Republikës Çeke dhe Sllovakisë.
Zyra e tij bëri të ditur se Haveld vdiq në shtëpinë në fshatin Hradeçek, në Boheminë Veriore, pas një sëmundjeje të gjatë.
Disa herë i nominuar për çmimin Nobel për Paqe dhe hero i Revolucionit të Kadifenjtë, që i dha shtetit pavarësinë në vitin 1989, ka shërbyer si president nga viti 1989 deri më 2003.
Disidenti çek, për opinionin kosovar njihet si mbështetës i madh i pavarësisë dhe si një nga figurat me renome botërore që bëri thirrje të ndalej dhuna e regjimit serb në Kosovë, në fund të viteve 90-ta.
Për kontributin e tij për Kosovën, Havel është nderuar me Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm - Dr. Ibrahim Rugova, që është ndarë nga ish-presidenti, Fatmir Sejdiu.
Së fundi, gjatë një takimi të mbajtur në muajin tetor me presidenten Atifete Jahjaga në kuadër të konferencës Demokracia dhe Sundimi i Ligjit, ish-presidenti çek, Vaclav Havel, pati shprehur mbështetjen për proceset integruese të Kosovës.
Nën komunizmin, dramat e Havelit kanë qenë të ndaluara dhe ai kaloi pesë vjet në burg për shkak të kundërshtimit të regjimit.
Më 23 nëntor të vitit 1989, Havel iu drejtua një turme prej më shumë se 300 mijë personash në sheshin kryesor të Pragës.
Në dëshirojmë të jetojmë në një Çekosllovaki të lirë, demokratike dhe prosperuese. Ne dëshirojmë të kthehemi në Evropë dhe nuk do të heqim dorë kurrë nga idealet tona, pavarësisht se çka ndodhë në ditët e ardhshme, pati deklaruar Havel.
Revolucioni i Kadifenjtë i Çekosllovakisë kishte filluar gjashtë ditë më parë me një protestë paqësore të studentëve, e cila u ndërpre dhunshëm nga policia. Në ditët pasuese, qindra mijëra çekë dhe sllovakë dolën në rrugë në demonstrata paqësore.
Haveli, dramaturgu disident, u shfaq si figura kryesore e revolucionit, duke iu adresuar turmës së madhe dhe i udhëhoqi bisedimet që çuan në fundin paqësor të komunizmit.
Në fund të atij viti, Haveli u zgjodh president i Çekosllovakisë së lirë. Katër dekada të komunizmit kishin marrë fund.
Një çast më parë, unë në mënyrë unanime u zgjodha president i republikës sonë nga Asambleja Federale. Faleminderit çekë, sllovakë dhe kombësi tjera- për mbështetjen tuaj. Premtoj se nuk do tju zhgënjejë për besimin që ma keni dhënë dhe do ta çojë vendin kah zgjedhjet e lira, kishte thënë Havel.
Vaclav Havel ka lindur më 5 tetor të vitit 1936 në një familje të pasur. Komunistët që erdhën në pushtet, pas një grusht shteti në vitin 1948, konfiskuan shumicën e pronave të familjes dhe kryesisht ia ndaluan shkollimin e lartë Havelit.
Pas shërbimit ushtarak, ai lëvizi drejt teatrit, fillimisht si punëtor skene dhe pastaj në vitet 60-ta duke shkruar drama, që merreshin shpesh me absurditetet e jetës nën komunizëm.
Pastaj në vitin 1968, trupat e Paktit të Varshavës, të udhëhequr nga sovjetikët, pushtuan Çekosllovakinë duke i dhënë fund lëvizjes reformatore, Pranverës së Pragës. Dramat e Havelit u ndaluan dhe ai iu nënshtrua përcjelljes së vazhdueshme të policisë.
Në vitin 1976, ai u bë bashkautor i Kapitullit 77, një peticion që bënte thirrje qeverisë komuniste për të respektuar traktatet ndërkombëtare për të drejtat civile, të cilat i kishte nënshkruar vetë. Nënshkruesit e Kapitullit u përndoqën, ndërsa Haveli u dënua me 3 vjet e gjysmë burg.
Në prag të përvjetorit të 10-të, Havel reflektoi mbi kuptimin e manifestit.
Kuptimi i atij Kapitulli sot në shumë mënyra befasisht ka shkuar përtej qëllimeve fillestare. Jo se ai u bë diçka që sështë dashur të jetë, sepse ai vazhdon të ruajë qëllimet fillestare, që të tregojë hapur shkeljen e të drejtave të njeriut, që kërkon respektimin e ligjeve në praktikë. Mbetet ende linja kryesore e punës sonë, pat thënë Havel.
Në vitin 1989 shtete e bllokut komunist të Evropës Lindore ishin në prag të ndryshimeve kaotike. Në shtator të atij viti, mijëra gjermano-lindorë filluan të derdheshin në kryeqytetin çek në përpjekje për të ikur në perëndim. Dy muaj më vonë, u rrëzua Muri i Berlinit.
Më 17 nëntor, policia ndërmori aksion kundër një proteste të studentëve në Pragë. Ajo u përcjell me simpatinë e publikut, që më vone u njoh si Revolucioni i Kadifenjtë. Haveli ishte figura kryesore në atë revolucion, si njëri nga themeluesit e grupit opozitar Forumi Civil.
Ndërsa regjimi komunist po shembej shpejt, Haveli nisi fushatën për zgjedhjet presidenciale më 10 dhjetor- Ditën ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.
Mos ta lejojmë askënd që ta njollosë revolucionin tonë paqësor. E vërteta dhe dashuria duhet të triumfojnë ndaj gënjeshtrave dhe urrejtjes, pat thënë disidenti çek.
Havel qe zgjedhur president më 29 dhjetor të vitit 1989, më pak se gjashtë javë pas demonstratave te para masive që bënin thirrje për ndryshime.
Pas rizgjedhjes në vitin 1990, Haveli ka kaluar shumicën e kohës duke u përpjekur që të ruajë federatën çekosllovake nga ndarja, pas kërkesave për autonomi të nacionalistëve sllovakë.
Ai dështoi ta ruante shtetin e përbashkët dhe dha dorëheqje në vitin 1992. Por, pas të ashtuquajturit Shkurorëzim të Kadifenjtë, ai u rizgjodh president i Republikës së pavarur Çeke në vitin 1993 dhe sërish në vitin 1998.
Në kohën kur Haveli doli në pension në vitin 2003, Çekia ishte bërë anëtare e NATO-s dhe ishte në prag të anëtarësimit në BE.
Në vitet e fundit, atë e përcolli shëndeti i lig.
Në vitin 1996, në vitin kur Olga, gruaja e tij e parë vdiq nga kanceri, Havel kreu një operacion për heqjen e tumorit kanceroz nga mushkëritë. Dy vjet më vonë, ai pothuajse vdiq gjatë një operacioni të zorrës së trashë. Por, ai mbeti avokat i shquar për të drejtat e njeriut dhe demokracinë në vendet si Kubë, Rusi, Kinë e Bjellorusi.