Filozofë, udhëheqës, artistë... Pas suksesit dhe krijimtarisë së shumë personazheve të famshme, qëndrojnë lidhjet e tyre të dashurisë, që kanë revolucionuar kulturën dhe fatet e gjithë epokave.
Kur sytë tanë u kryqëzuan, na dukej sikur kishim kohë që njiheshim. I qeshnim njëri-tjetrit dhe u bëmë përgjithmonë vëllezër. Nuk u ndamë më kurrë, këto janë fjalët e Xhuzepe Garibaltit të shkruar në librin Kujtime autobiografike që tregojnë takimin me Luixhi Rosetin. Ishte një miqësi ekzemplare dhe në të njëjtën kohë një shoqëri revolucionarësh që la gjurmë në histori, duke shënuar edhe luftën e pavarësisë së Rio Grande Do Sul, në Brazil. Miqësitë mes personazheve historike mishërohen nga të njëjtat emocione si ato mes njerëzve të thjeshtë, por me një ndryshim: ato ndjenja kanë ndryshuar fatet e një epoke, në çdo fushë nga politika te kultura, nga arti te sporti.
Gjeometri
Nëse Marsel Grosman, matematikan dhe mik i Albert Anjshtajnit, nuk do ti kishte gjetur fizikanit punë në një zyrë patentë shpikjes dhe nuk do ti kishte treguar gjeometrinë jo-Euklidiane, ndoshta nuk do të kishte lindur teoria e relativitetit. Po ashtu nuk do të kishin lindur as universet e Nardias dhe Zotit të Unazave, nëse shkrimtarët Klajv Stejples Ljuis dhe Xhon Ronald Tolkin nuk do të nxiteshin nga kjo ngjarje. Për të mos folur pastaj për shoqërinë mes shkrimtarëve Volgang Goeth dhe Friedrish Shiller, apo lidhjen mes Xhino Bartalit dhe Fausto Kopit, rivalë në rrugë, por miq në jetë. Më poshtë mund të lexoni disa prej miqësive po kaq revolucionare.
Akili dhe Patrokli (Shekulli II para Krishtit?)
Për historianët këto dy personazhe nuk kanë ekzistuar kurrë, por lidhja e tyre, e bërë e famshme nga Iliada, ishte modeli i parë në literaturën perëndimore i dy miqve të pandarë që nga fëmijëria, të ndryshëm por komplementarë (heroi i pashoq Akili dhe bujari e miti Patrokli), të bashkuar nga një besnikëri absolute. Ata qenë të aftë të revoluciononin historinë. Akili dhe Patrokli, luftëtarë grekë, ishin protagonistët legjendarë të luftës së Trojës: një nga përplasjet e para, me baza të mundshme historike, mes Lindjes dhe Perëndimit. Në fakt, mes viteve 1196-1180 para Krishtit, Troja dominonte Ngushticën e Dardaneleve dhe kërcënonte grekët me fuqinë e saj.
Shpëtimtari
Grekët rrethuan Trojën për 9 vjet dhe lufta ndaloi. Akili refuzoi të luftonte kur Agamemnoni i largoi Briseidën, skllaven me të cilën kishte rënë në dashuri. Por përballë një sulmi trojan, për të frikësuar armiqtë, Patrokli i dha armët e Akilit ushtarëve: në sulmin e katërt, Patrokli u vra nga Hektori. Akili i dëshpëruar për vdekjen e mikut të tij, gjeti më në fund forcën për të luftuar: zbriti në shesh-betejë për tu hakmarrë, duke e vrarë Hektorin dhe shpëtoi qytetërimin grek.
Frederiku II dhe Volteri (1736-1752)
Frederiku II i Hozenzollern, mbret i Prusisë nga viti 1740 deri në 1786-n, përfaqësoi monarkun ideal të iluminuar të shekullit XVIII. Nën drejtimin e tij, mbretëria e vogël gjermane arriti të bëhej një fuqi botërore. Por në thellësinë e tij, ai vazhdonte të admironte, e pse jo të lakmonte mikun e tij francez Volterin, gjeniun e letërsisë dhe filozofisë, të cilin e kishte ftuar të jetonte në oborrin mbretëror të Berlinit.
Letrat
Kishin filluar ti shkruanin njëri-tjetrit në vitin 1736, duke shkëmbyer mendime dhe këshilla. Volteri ishte gjithçka që Frederiku II nuk arrinte dhe nuk mund të ishte, ndërkohë që për francezin Frederiku ishte njeriu që mund të mishëronte në politikë idealet iluministe të drejtësisë. Mes të dyve ekuilibri ishte gjithnjë delikat: mjaftoi që Volteri të kritikonte rëndë një profesor të Universitetit të Berlinit për të inatosur sovranin dhe u detyrua që të largohej nga Prusia. Nga ndikimi i tyre reciprok, lindën mendja dhe zemra e Europës moderne.
Augusto dhe Agripa (57-12 para Krishtit)
Oktavio Augusto, perandori i parë romak dhe krahu i tij i djathtë Marko Vipsani Agripa, politikan dhe gjeneral, kishin pothuajse të njëjtën moshë. Njiheshin që në fëmijëri, studiuan në të njëjtat shkolla që kur ishin të rinj. Kur u vra Cezari, Oktavio që ishte trashëgimtari i tij i ligjshëm, shkoi në Romë për të ndalur grushtin e shtetit. Agripa, që ishte në krye të ushtrisë maqedonase të Cezarit, shkoi së bashku me ushtarët e tij për të mbështetur shokun. Që nga ajo kohë dy djemtë u bënë të pandarë. Kështu në vitin 23 para Krishtit kur Augusto filloi të qeveriste perandorinë më të madhe të historisë, e kishte shumë të qartë se çduhej të bënte në politikë.
Zija
Nëse nuk do të kishte qenë për Agripan, që për mikun e tij fitonte çdo betejë, ndërtonte kanale dhe qytete, perandoria nuk do të kishte jetuar periudhën e saj më të lavdishme. Të dy qëndruan aq të lidhur me njëri-tjetrin, sa perandori i dha të bijën Xhulian për nuse. Kur Agripa vdiq në moshën 51-vjeçare, në vitin 12 para Krishtit, perandori kaloi më shumë se një muaj në zi.
Marksi dhe Engelsi (1844-1883)
Një nga miqësitë më të mëdha të filozofisë ishte ajo mes Karl Marksit dhe Friedrish Engels, të dy autorë të Manifesti i Partisë Komuniste, publikuar në Londër në vitin 1848. Dy filozofët ishin njohur në Koloni në 1842-shin, por në atë kohë kishin mendime të ndryshme: Engelsi ndiqte hegelianët, që Marksi i konsideronte llafazanë. Por kur u takuan sërish në Paris në vitin 1844, ishin në harmoni me njëri-tjetrin për vizionin materialist të historisë.
Dorëshkrime
Kështu do të ishte deri në vdekjen e Marksit, më 14 mars të vitit 1883: dy filozofët filluan të punonin dhe të publikonin së bashku shumë vepra, gjithmonë në marrëveshje për zhvillimin e intuitës dhe betejave politike. Nëse nuk do të ishte ndihmuar nga Engelsi, në Londër, Marksi do të kishte vdekur nën peshën e mjerimit. Pas vdekjes së mikut të tij në vitin 1883, Engelsi vazhdoi rrugën i vetëm dhe publikoi mijëra faqe nga dorëshkrimet e Marksit. Jam i vetmi që di ta deshifroj këtë shkrim, të kuptoj jo vetëm shkurtimet e ndonjë fjale, por edhe të fjalive, shkruante ai.
Van Gog dhe Gogen (1880-1888)
Miqësia mes piktorëve Vinsent van Gog, holandez, dhe Pol Gogen, francez, ka prekur tragjedinë. Për vite me radhë dy piktorët adhuruan pikturat e njëri-tjetrit, shpeshherë të ekspozuara bashkë në galerinë parisiene (e hapur në vitin 1879) të Teo van Gog, vëllai i Vinsentit. Për muaj me radhë i shkruajnë shoku-shokut fjalë të mira dhe stimuluese. Pastaj, më 29 tetor të vitit 1888, Pol pranoi ftesën e Van Gogut për të jetuar dhe punuar me të në Arles, në jug të Francës. Bashkëjetesa nuk ishte e lehtë. Shokët ziheshin për gjithçka dhe Van Gogu filloi të kishte çrregullime të shpeshta nervore, dehej dhe bënte shumë zhurmë për asgjë...
Brisku i rrojës
Ishte fundi: 23 dhjetor, Pol i tha Van Gogut se nuk mundej më, se po e linte për tu kthyer në Paris. Kur dëgjoi këto fjalë Vinsenti për pak sa nuk u çmend dhe e ndoqi Polin nga pas me një brisk rroje në dorë. Gogen u largua, ndërkohë që Van Gogu u kthye në shtëpi dhe me të njëjtin brisk që mbante në dorë preu njërin vesh. Ishte çmendur! Për disa studiues të tjerë, Gogen i kishte prerë veshin Van Gogut me një shpatë për tu mbrojtur. Megjithatë që nga ajo natë nuk u panë kurrë më. Ajo që kishin dhënë deri atëherë, edhe pse në distancë, revolucionoi botën e artit.
Falkoni dhe Borselino (1978-1992)
Palermo, lagjja popullore La Kalsa, fundi i viteve 40. Mes fëmijëve që bërtasin rreth një topi, janë edhe dy miq, Xhovani dhe Paolo, të cilët kanë vetëm një vit diferencë moshe. Në fakt Falkone dhe Borselino nuk ishin vetëm kolegë në antimafien, por mbetën miq të përjetshëm. Edhe vdekja arriti ti ndante vetëm për 57 ditë.
Të tërhequr
Lidhja e tyre u konsolidua në vitin 1978: atë vit Falkone u thirr në Palermo nga gjyqtari Roko Çinici, shefi i zyrës së arsimit së çështjeve penale, për të ndihmuar Borselinon, i cili punonte aty që prej 1975-s dhe kishte mbetur shumë pas me punën. Në vazhdim, gjithnjë nën drejtimin e Çinicit, arritën të zbulonin një organizatë të rrezikshme që deri në atë kohë dihej shumë pak për të. Të dy humbën jetën në një atentat. Më 23 maj 1992 vdiq Xhovani, më 19 korrik Paolo. Së bashku u shndërruan në simbolin e luftës, jo vetëm të asaj gjyqësore, por edhe morale kundër mafies.
Bler dhe Klinton (1994-sot)
Bill Klinton, ish-president amerikan dhe Toni Bler, ish-kryeministër britanik, u njohën në vitin 1993: Bler kishte mbetur pa fjalë nga ekspertët e komunikimit të Presidentit amerikan. Kështu shkoi në Uashington për të takuar Presidentin. Por sipas disa thashethemexhinjve, miqësia e tyre ka pasur ulje e ngritje: Bler nuk e duroi dot faktin që Klintoni përpiqej të bënte si mjeshtër në politikën ndërkombëtare. Ndoshta Bler preferonte më shumë Xhorxh Bushin, sepse me të mund të kishte miqësi më të sinqertë. Pas 11 shtatorit, lidhja e tyre u forcua edhe më shumë. Sipas Blerit, Bushi ishte shumë më konkret se Klintoni.