E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Fenomeni botoks është mjaft i përhapur në Hollivud. Shumë aktore, për të ruajtur freskinë dhe rininë, u nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale
Acidi ialuronik, “oksigjeni” i femrave






Kjo për të cilën po flasim është një çështje mjaft serioze, pothuajse një epidemi. Njerëzit përpiqen ta injektojnë kudo, nëpër qytetet e mëdha e të vogla, në studio mjekësore, por edhe në sallonet e bukurisë e parfumeritë e ndryshme. Kur e fillon, nuk mund të ndalesh më, madje ajo shndërrohet në një drogë. Çdo katër muaj, femrat lënë takim me doktorin për të bërë ndonjë seancë botoksi, që sot është një nga trajtimet estetike më të kërkuara në botën perëndimore. Pas trajtimit, fytyrat e këtyre femrave rinohen, por nuk shprehin asnjë lloj emocioni. Qeshin, vuajnë, dashurojnë, por mbeten si të ngrira me dyllë. Muskujt e ballit, të syve, të buzëve janë tepër të tendosur dhe si pasojë është pothuajse e pamundur që fytyrat e tyre të duken si origjinale. Ndërsa i shikon, ato të çudisin, sepse janë tërheqëse dhe në të njëjtën kohë kaq të çuditshme. Megjithatë, ka edhe nga ato femra që mendojnë se bukuria është emocion që u transmetohet njerëzve që ke përballë, si dhe ato pak rrudha që mbulojnë fytyrën, të cilat tregojnë shenjat e jetës. “Plakja nuk ka qenë kurrë më e shëmtuar se sa sot, kur femrat përpiqen ta fshehin atë. Në ditët e sotme, plastika e fytyrës është bërë modë. Është një model ‘perfekt’ që na imponohet, pra femrat duhet të bëhen ato që nuk janë”, - thotë një psikologe.

Gjatë një studimi, dy psikologe të Universitetit të Harvardit, Nancy Etcoff dhe Susie Orbach, zbuluan se kur një gruaje nuk i pëlqen vetja, në 16 për qind të rasteve refuzon të shkojë në një takim pune, ndërsa 13 për qind nuk shkojnë në shkollë. Psikoanalisti i famshëm, Luigi Zoja, thotë se pas përhapjes në masë të botoksit, ekziston një vetëvlerësim jashtëzakonisht i madh. Natyrisht që nuk është një mënyrë për t’u bërë qejfin partnerëve, por një vështirësi për të pasur një personalitet të mirëfilltë.

Instituti i kërkimeve GPF tregon se, mbi gjashtë mijë të rinj nën moshën 18-vjeçare kanë bërë të paktën një herë botoks, kolagjen, e të tjera. Mes adoleshentëve, 2,7 për qind i janë drejtuar kirurgjisë estetike. Sipas shoqërisë amerikane të kirurgjisë plastike, 11 mijë të rinj amerikanë kanë bërë botoks. I nënshtrohen kësaj ndërhyrjeje që në moshën 15-vjeçare, sepse mendojnë se para injektimit të këtij përbërësi, kanë më pak mundësi të plaken dhe do të mbeten përjetësisht të reja si nënat e tyre. Tashmë në Shtetet e Bashkuara përdorimi i botoksit mes adoleshentëve është bërë pjesë normale e jetës.

“Pacientet që kërkojnë kësisoj trajtimesh janë më pak se 30 vjeçe. Nuk duan t’ia dinë për shpenzimet, të cilat janë tepër të larta. Dëshirojnë vetëm të përmbushin dëshirat e tyre”, - thotë një kirurg. Ai thekson gjithashtu se për injektimin e botoksit duhen duar eksperti. Pas injeksioneve të toksinës botulinike, ose acidit ialuronik, zonjat kërkojnë më tepër, gjithmonë e më shumë operacione në trup, si heqja e celulitit, ngritja e vitheve etj. “Para se femrat t’i nënshtrohen një ndërhyrjeje kirurgjikale duhet të kenë në krah një psikolog. Mjekët duhet të jenë të ndërgjegjshëm që të mos praktikojnë operacione që nuk janë në gjendje t’i bëjnë, por shumë prej tyre janë më të interesuar për paratë sesa për shëndetin e pacientëve”, - thotë një psikolog. Zakonisht femrat i bëjnë operacionet plastike fshehtas burrave dhe kur u nënshtrohen ndërhyrjeve, pyesin mjekët: “A do të më mbeten për shumë kohë shenjat? A do të ma vërë re bashkëshorti im? Ato nuk e bëjnë për kënaqësinë e burrave, por për vete. ‘Ai as që e shikon’, - thonë. Ndryshimet i bëjnë për mikeshat, të cilat menjëherë i vërejnë ndryshimet”.

Fenomeni botoks është mjaft i përhapur edhe në Hollivud. Shumë aktore, për të ruajtur freskinë dhe rininë, u nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale. “Nuk duhet paralizuar një muskul për të eliminuar një rrudhë në fytyrë, sepse përfundon vetëm duke bllokuar shprehjen e emocioneve. Nuk do të thotë se një rrudhë më pak e bën më të bukur fytyrën. Njerëzit nuk e dinë se botoksi mund të spostohet nga pika e injektimit, të shkojë në tru dhe të veprojë me disa qendra nervore që komandojnë në distancë muskujt e tjerë”, - thotë një dermatolog. Në fakt, në internet janë të shumta faqet që diskutojnë rreth efekteve anësore të botoksit. Vajzat dhe gratë, të cilat janë në ankth, kërkojnë këshilla dhe ndihmë. Në sitin “Real Self” një grua tregon: “Kam injektuar botoks para disa ditësh. Rrudhat që kisha mbi vetulla janë zhdukur të gjitha, por sot e ndiej ballin të rëndë dhe e kam pak të skuqur dhe lëkurën të acaruar nga jashtë”.

Fytyrën, trupin dhe shpirtin, të cilat na i ka falur natyra, i kemi për të gjithë jetën. Njeriu është përballur me shumë sfida për të arritur deri këtu. Pse duhet ta shëmtojmë dhe ta paralizojmë veten? “Mos më fshih asnjë rrudhë. I kam paguar shumë shtrenjtë për t’i mbuluar ato”, - thotë një aktore.

Publikuar: 19.12.2011 | 20:16
Lexuar: 317 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime