Në vendin e dytë ndodhen sërish islamikët, por këtë herë të linjës më të ashpër, salafistët e al-Nour. Ky grup synon që të rifusë një model të ashpër të Sherihatit, ultrakonservator dhe
të ndalojë edhe daljen e femrave në plazh me rroba banje.
Vëllazëria Myslimane, pra islamikët, janë duke kryesuar në raundin e parë të votës parlamentare në Egjipt. Në vendin e dytë ndodhen sërish islamikët, por këtë herë të linjës më të ashpër, salafistët e al-Nour. Ky grup synon që të rifusë një model të ashpër të Sherihatit, ultrakonservator dhe
të ndalojë edhe daljen e femrave në plazh me rroba banje.
Është një gjë e mirë që vizitori është një burrë. Sheiku nuk flet me gratë. Por veç kësaj gazetari është edhe i huaj dhe kjo ndërkohë është për tu shqetësuar. Në Perëndim ka shumë paragjykime për islamin, thotë sheiku Favzi al-Sayed. Por ndoshta kjo bisedë mund të ndihmojë pikërisht për të përhapur të vërtetën në lidhje me islamin, vazhdon ai. Sayed është 70 vjeç dhe është një burrë me pamje serioze, me një mjekër të madhe, që mban veshur sandale, një kapuç dhe një rrobë tradicionale egjiptiane që quhet Jellabija. Ai i fton miqtë e tij në xhaminë Al-Rawheed. Është ora 06:30 e mëngjesit dhe ata që janë mbledhur brenda saj sapo i kanë kryer lutjet e mëngjesit. Tani ata kanë formuar një gjysmë rrethi përreth sheikut, i cili ka zënë vend në një karrige prej druri në mesin e dhomës. Xhamia Al-Tavheed ndodhet në pjesën veriore të Kajros dhe është një godinë e madhe, pa kolona të veshura me ornamente apo dekorime të tjera. Nuk janë të nevojshme detajet për të tërhequr vëmendjen e besimtarëve nga devocioni ndaj Zotit të tyre. Sikundër bën çdo mëngjes, Sayed u kërkon besimtarëve dhe ndjekësve të tij që të rikonfirmojnë devocionin ndaj besimit të vërtetë. Ai u kërkon gjithashtu që të filmojnë intervistën që do të bëhet pas lutjeve me celularët e tyre. Ai e di se kjo është një masë që duhet marrë, pasi i pëlqen që të jetë i kujdesshëm. Sayed, një inxhinier elektrik me profesion, është një nga imamët salafistë më të njohur në të gjithë Egjiptin. Këto ditë është e vështirë që të dallosh lehtësisht miqtë nga armiqtë e Islamit. Që kur partia salafiste Al-Nour ose Partia e Dritës zuri vendin e dytë në raundin e parë të zgjedhjeve të përgjithshme egjiptiane, duke u renditur pas Vëllazërisë Myslimane, bota po sheh sërish e shqetësuar drejt Kajros. Të dyja grupimet e mëdha islamike kanë shtënë deri më tani në dorë rreth 60% të vendeve në Parlamentin e ardhshëm. Një e treta e vendeve u rezervohet kandidatëve individualë. Bëhet fjalë për rezultatet e fazës së parë të zgjedhjeve 2011-2012. Faza e dytë ka nisur këtë të mërkurë. Rezultati i zgjedhjeve konfirmon qartësisht tendencën, pikërisht atë që gjatë viteve të fundit, kudo në Lindjen e Mesme ku janë mbajtur zgjedhje, partitë fetare kanë fituar: në Gaza në vitin 2006, në Irak në vitin 2010 dhe në Turqi, Tunizi dhe Marok në vitin 2011.
Por vetëm në Egjipt një grup kaq radikal sa salafistët po vendos një pushtet kaq të madh në vend përmes fitores së partisë së vet. Kjo do të ketë pasoja shumë serioze, duke qenë se Egjipti është vendi me popullsi më të madhe dhe me influencë më të madhe në të gjithë botën arabe. Pulsi revolucionar që rrahu në sheshin Tahrir të Kajros gjatë 11 muajve të fundit tani ndihet në shumë shtete të tjera. Gjithsesi rezultati i shumëpritshëm i salafistëve, këtij grupimi shumë radikal, nuk ka tronditur vetëm një pjesë të madhe të egjiptianëve, por veçanërisht të rinjtë revolucionarë të vendit, liberalët dhe majtisët, kristianët dhe myslimanët e moderuar. Ishin pikërisht salafistët ata që krijuan trazira kundër kristianëve dhe e bojkotuan revolucionin duke nxjerrë pretekstin se revolucioni ishte infiltruar nga kurvat dhe sionistët. Dhe më pas ishin salafistët ata që deri më tani kanë refuzuar gjithmonë zgjedhjet e lira, duke i cilësuar si antiislamike. Dhe tani ata kërkojnë që të vijnë në pushtet si demokratë?
Partia Al-Nour është formuar në pranverë dhe është një shkrirje e shumë sekteve konservatore dhe ish-grupimeve militante. Anëtarët e saj nuk kanë qenë aspak të njohur për ambiciet e tyre demokratike, por për lidhje të ngushta me Mbretërinë e Arabisë Saudite. Që nga krijimi i saj, Partia e Dritës u ndihmua me një fond prej 100 milionë dollarësh për fushatën, para që erdhën drejt Nilit nga mbretëria e pasur me naftë. Idetë politike salafiste janë po aq të padekoruara sa edhe xhamitë e tyre. Ata janë të gjithë të bashkuar nga dëshira për të jetuar në përputhje me shembullin e dhënë nga Profeti Muhamed dhe ndjekësit e tij 1400 vjet më parë. Kjo ka bërë që rregullat salafiste të shtrihen edhe te veshjet dhe mbajtja e mjekrave, apo edhe veli dhe shamitë për gratë. Me fjalë të tjera, qëllimi i salafistëve është një rikthim në ditët e para të islamit. Por cili është programi i tyre për Egjiptin? Ju e shihni, thotë sheiku Favzi, bota islame ende vuan nga padrejtësitë e mëdha që i janë bërë fesë. E megjithatë zgjidhja është shumë e thjeshtë: ne duhet që të aplikojmë Kuranin dhe ligjet e Sheriatit për të shëruar vendin tonë sikundër e urdhëron edhe vetë Zoti. Sigurisht, vazhdon ai, që kjo përfshin edhe goditjen publike me gurë të grave që kryejnë tradhti bashkëshortore apo prerjen e duarve të hajdutëve. Gjatë fushatës, anëtarë drejtues të Partisë al-Nour dukej sikur vinin nga një epokë tjetër. Ata ishin në kontrast të thellë me traditën liberale egjiptiane. Për shembull, kur zëdhënësi i partisë doli në një konferencë për një bisedë televizive, ai ngulmoi që mes tij dhe një të ftuare femër që ndodhej në atë emision të vendosej një ndarje me perde. Thirrja e tyre më e fundit ndaj egjiptianëve ishte që të shkatërronin tempujt. Zëdhënësi ka deklaruar edhe se partia dëshiron që vendi më në fund ti japë fund epokës së idolatrisë dhe adhurimeve të idhujve dhe trashëgimisë së faraonëve. Kur ata të vijnë në pushtet, do të bëjnë çështë e mundur që të gjitha statujat dhe portretet e 5000 viteve të historisë së vendit të mbulohen me një shtresë gëlqereje dhe rrugët që mbajnë aktualisht emrat e faraonëve do të islamizohen. Një tjetër anëtar i partisë bëri thirrje për ndalim të përdorimit të alkoolit edhe për të krishterët dhe të huajt e vendit. Ai gjithashtu kërkoi që të mbylleshin plazhet, ku gratë perëndimore dalin me rroba banje dhe të ndalojë madje edhe daljen e grave me veshje të tilla plazhi. Të rinjtë që dolën në shesh gjatë këtij viti në Egjipt a mos vallë dolën për të parë të realizuar kërkesa të tilla? A mos vallë ata sakrifikuan dhe derdhën gjak për të ardhur në këtë ditë? Jo, thotë Amr al-Rigal. Por ky është vetëm një fenomen tranzicioni. Ne e ndienim që fillimisht do të kishte një triumf të grupeve fetare, sepse ata, si edhe salafistët, kanë miq të fuqishëm te monarkët e vendeve të pasura me naftë. Dhe sepse ata, si edhe Vëllazëria Myslimane, kanë kohë që janë pjesë e opozitës, çka u dha kohë që të organizoheshin. Rigal është 28 vjeç dhe jeton në një lagje të klasës punëtore në Kajro. Ora e ka kaluar mesnatën dhe ai duket i lodhur në fytyrë. Mbi të ndodhet një slogan fushate, në të cilin shkruhet: Koalicioni i Rinisë Revolucionare. Rigal është mbështetës i të rinjve, duke qenë edhe vetë i ri, dhe pavarësisht rezultateve të fazës së parë të votimeve, ai thotë se në këndvështrimin afatgjatë demokratët do të fitojnë. Me profesion ai është avokat dhe është një nga heronjtë e revolucionit. Të gjithë ata që luftuan në sheshin Tahrir e njohin. Në vitin 2004 ai u bashkua me një parti liberale që sfidoi Mubarakun në zgjedhjet presidenciale të vitit 2005, edhe pse pa sukses. Në vitin 2008, Rigal ishte mes protagonistëve te Lëvizja rinore e 6 prillit që luajti në rol shumë të rëndësishëm në lançimin e revolucionit me një grup të organizuar fillimisht në Facebook, që më pas u shtua dhe u pasua nga mijëra e mijëra të tjerë. Rigal dhe miqtë e tij ishin ndër të parët që dolën për të protestuar në sheshin Tahrir, ku u rrahën edhe nga policia dhe ku u dorëzuan duke hedhur parulla dhe duke kënduar këngë. Ai nuk do ta harrojë kurrë magjinë e atyre ditëve dhe atë që mësoi nga ato ditë: liria është një kauzë për të cilën ia vlen të luftosh. Djaloshi revolucionar është shndërruar tani në një kandidat për deputet në Parlamentin e ardhshëm dhe shanset për të fituar i ka të mira, edhe pse fushata e tij është drejtuar e tëra dhe e ashpër kundër islamikëve dhe bëhet në një lagje shumë të varfër të Kajros. Ai është djali i një shoferi autobusësh dhe e di fare mirë se përse njerëzit kanë votuar këtë herë për islamikët. Ai e di mirë se çfarë i bën ata të suksesshëm. Ata të joshin me ndjesitë fetare, duke i bërë thirrje ndërgjegjes të njerëzve. Ata shpërndajnë ushqime dhe qymyr për tu ngrohur, por kjo nuk është një platformë. Vendet e punës nuk krijohen thjesht se je i ndërgjegjshëm, thotë Rigal, i cili ndërkohë kërkon që të ndryshojë gjërat konkrete për njerëzit nëse do të fitojë. Njerëz si ai, thotë Rigal, janë më shumë dyshues ndaj këshillit qeverisës ushtarak se sa ndaj islamikëve. Lidershipi i ushtrisë mund të arrijë që të bjerë dakord me oportunistët e lidershipit të Vëllazërisë Myslimane, sikundër e ka demonstruar dhe vazhdon që ta demonstrojë. Egjiptianët janë duke pritur me shumë ankth se si do ta pozicionojnë veten Vëllezërit Myslimanë dhe Partia e tyre Liri dhe Drejtësi. A do të distancohen nga salafistët për të kërkuar aleancë me forcat liberale? Apo do të bashkohen me salafistët për të krijuar një Egjipt të islamizmit ortodoks? Të krishterët, liberalët dhe shekullarët nuk janë të vetmit që po e vrasin mendjen për përgjigjen e këtyre pyetjeve dhe nuk janë të vetmit që kanë frikë se mos Egjipti shndërrohet në një vend jo demokratik përmes mjeteve demokratike. Kur Kryeministri turk Erdogan udhëtoi në Kajro në shtator, dy muaj para zgjedhjeve, Vëllazëria Myslimane e priti mirë Kryeministrin. Më pas Erdogan mbajti një fjalim në të cilin tha: Një vend shekullar respekton të gjitha fetë. Mos e kini frikë shekullarizimin. Pas këtyre fjalëve befas përfaqësuesit e Vëllazërisë Myslimane reshtën së qeshuri, ndërsa salafistët që kritikuan hapur sekularizmin, e quajtën atë një vepër të djallit. Kjo së paku tregon se islamikët egjiptianë janë ende shumë larg modelit turk.