I aftë për mizori sadiste, torturues i kafshëve të vogla, me një karakter të paparashikueshëm, pionier i sulmeve kundër Koresë së Jugut, persekutues i dezertorëve, është zgjedhur nga i ati si pasues i tij për shkak të karakteristikave të tilla.
I aftë për mizori sadiste, torturues i kafshëve të vogla, me një karakter të paparashikueshëm, pionier i sulmeve kundër Koresë së Jugut, persekutues i dezertorëve, është zgjedhur nga i ati si pasues i tij për shkak të karakteristikave të tilla. Ky është profili i Kim Jong Un siç del nga analiza e shërbimeve sekrete amerikane dhe atyre japoneze. Agjentët sekretë amerikanë u vunë në qendër të kritikave që u kapën në befasi nga ikja e diktatorit Kim Jong Il, siç ndodhi me reaktorin nuklear të Yongbyon dhe për impiantin atomik koreano-verior në Siri të shkatërruar nga izraelitët në 2007-n, dhe në përpjekjen për të mbrojtur besueshmërinë e tyre mbi dosjen e Pyongyang, kanë nxjerrë në faqet e Wall Street Journal shumë detaje për Kim Jong Un që deri tani kishin mbetur sekrete.
Mbi të gjitha, për karakterin të cilësuar të dhunshëm, krudel dhe shqetësues, sepse kur ishte fëmijë i pëlqente shumë të torturonte kafshët e vogla. Më vonë u rrit me kultin e personalitetit të të atit, duke u treguar akoma më i pamëshirshëm se ai, - afirmojnë burimet e cituara nga Wall Street Journal, sipas të cilëve, pavarësisht periudhës të studimeve të kaluara në Zvicër, Kim Jong Un e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës në Korenë e Veriut. Ai është shkolluar në Zvicër dhe është një nga tre djemtë e Kim Jong Il, praktikisht më i vogli. Ka një ngjashmëri shumë të madhe edhe me gjyshin e tij, Kim Il Sung, që ishte edhe themeluesi i Koresë së Veriut, pra njeriu që e mori vendin në dorë në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Një periudhë determinante, sipas burimeve japoneze, është edhe ajo e kaluar në akademinë ushtarake të Pyongyang, ku kishte mësues personal dhe nuk merrte pjesë në leksione, duke qëndruar i izoluar nga të tjerët.
Megjithatë, për të dihet shumë më pak se sa dihet për të atin kur erdhi në pushtet në vitin 1994, pas vdekjes së Kim Il Sung. Kim Jong Un është rritur dhe edukuar në një familje ku i ati i tij ishte arkitekt i sekreteve. Kush e ka njohur Kim Jong Un dhe ka pasur mundësi të hyjë në kontakt me mjetet e komunikimit jashtë Koresë së Veriut, e përshkruan të birin e Kim Jong il si një person shumë i vendosur, që nuk e pranon humbjen, ashtu si i ati. Po ashtu dihet se i pëlqen shumë basketbolli. Kenji Fujimoto, që për një periudhë kohe ishte shefi personal i Kim Jong Il, tregon se si një ditë Kim Jong Un i bëri të atit disa pyetje mbi stilin tyre të jetesës, e cila ishte shumë ndryshe nga ajo e njerëzve të tjerë: Ne i kemi të gjitha, kurse të tjerët nuk kanë asgjë.
Dhe, i ati iu përgjigj: Edhe ata kanë, por jo kaq sa ne. Mes të paktëve që kishte lexuar raportet e inteligjencës amerikane mbi të fuqishmin e Pyongyang, është edhe Mike Roberg, kreu i komisionit të jashtëm të dhomës së përfaqësuesve, që e përcakton si të tmerrshëm karakterin e tij. Ajo që e tregon më mirë është fakti që dy sulmet ushtarake të lançuara nga Koreja e Veriut kundër Koresë së Jugut në vitin 2010, apo fundosja e një anijeje luftarake dhe bombardimi i një ishulli përgjatë kufirit, janë urdhëruar nga vetë Kim Jong Un për ti treguar hierarkisë së forcave të armatosura kapacitetin për të drejtuar vendin. Po ai i kishte shtyrë forcat e sigurisë, sipas burimeve nga Tokio, që të intensifikonin më shumë gjuetinë ndaj dezertorëve. Ata që e mbështetin në ushtri janë dy pesha të rënda të nomenklaturës komuniste: zëvendës marshalli Ri Yong Ho, i destinuar të drejtonte forcat e armatosura gjatë tranzicionit, dhe Jang Song Thaek, ish-këshilltar i ngushtë i Kim Jong Il, i martuar me vajzën e tij, Kim Kyong Hui. Brenda një kohe të shkurtër mund të gjendemi përpara një lideri agresiv, të vendosur në këtë mënyrë për të konsoliduar pushtetin e vet, - shpjegon Bruce Klinger, ish-analist i shërbimeve inteligjente, tani pjesëtar i fondacionit Heritage, në Uashington. Shumë analistë mendojnë se, duke pasur në dispozicion një tranzicion të lehtë, do të vazhdojë të mos bëjë asgjë për popullsisë dhe të zhvillojë arsenalin nuklear.
Por të tjerë thonë se për shkak të shkollimit të tij, ai mund të sjellë një frymë më demokratike në vend dhe të ndikojë në shtendosjen e raporteve me vendet e tjera. Edhe pse është 28 vjeç, vetëm një vit më parë Koreja e Veriut ka nxjerrë fotografinë e parë zyrtare të djalit të ish-udhëheqësit koreano-verior, Kim Jong Il. Një i ri pa eksperiencë politike, Kim Jong Un u promovua në detyrën më të lartë gjatë një konference të rrallë të Partisë së Punëtorëve. Fotografia e botuar në faqen e parë të një prej gazetave kryesore të Koresë së Veriut, tregonte Kim Jong Un, një i ri i shkurtër dhe bullafiq, që nga askushi në aspektin politik, brenda dy ditësh u ngrit në radhët e gjeneralëve me katër yje dhe në dy poste të rëndësishme në hierarkinë e Partisë së Punëtorëve. Më parë vetëm foto të fëmijërisë së Kim Jong Un ishin parë në Perëndim. Tani që është 28-vjeçar, ngjashmëria me familjen është e qartë dhe ata koreano-veriorë që e kanë parë fotografinë për herë të parë, nuk kanë gjasa të mos e kuptojnë rëndësinë.