Ishte duke u afruar mesnata në një jaht, në një klub jahtesh në Rivierën Franceze, gjatë rrugës ku do të zhvillohej takimi i G20. Ndërkohë që kancelarja gjermane Merkel po u thoshte gazetarëve në lidhje me vendimin për të bllokuar një hua ndaj Greqisë, papritur u ndërpre nga ministri i saj i Financave, i cili i tha gjërat qartë dhe shkoqur.
Ishte duke u afruar mesnata në një jaht, në një klub jahtesh në Rivierën Franceze, gjatë rrugës ku do të zhvillohej takimi i G20. Ndërkohë që kancelarja gjermane Merkel po u thoshte gazetarëve në lidhje me vendimin për të bllokuar një hua ndaj Greqisë, papritur u ndërpre nga ministri i saj i Financave, i cili i tha gjërat qartë dhe shkoqur.
Wolfgang Schaeuble u tha gazetarëve se kishte qenë ideja e tij për të ndaluar fluksin e parave drejt Athinës. Kjo lëvizje e kishte bërë Athinën që të hiqte dorë nga planet për organizimin e një referendumi për euron. Më pas, Schaeuble ia bëri publik personalisht lajmin me anë të një telefonate homologut të tij grek, Evangelos Venizelos, që në atë moment ishte në spital me dhembje të forta barku. Në fakt ishte ministri im i Financave ai i cili vendosi të ndalonte pagesat. Ishte ai që reagoi i pari, deklaroi Merkel, për të sqaruar gazetarët. Ata u panë në sy, të çuditur. Ja ku ishte para tyre liderja më e fuqishme e Europës, e cila ishte vënë në pozitë të vështirë nga një prej ministrave të saj dhe në sy të të gjithëve. Në vend që të mbante inat ndaj ministrit për ndërhyrjen, Merkel e mbrojti, duke thënë se ai kishte të drejtë.
Ky rast i çuditshëm për gazetarët, që ndodhi në fillim të nëntorit, jep një pjesë të marrëdhënies komplekse mes Merkelit dhe Schaeuble. Dikur Merkel ishte zëvendësja e tij, ndërsa sot është shefja. Lidhja e tyre i ka mbijetuar dy dhjetëvjeçarëve të rëndësishëm dhe të stuhishëm dhe tani ky çift është në qendër të krizës së Eurozonës. Gjermania është fuqia më e madhe ekonomike në Europë dhe Franca, numri dy. Për muaj të tërë, tregjet dhe media janë fokusuar në lidhjen mes Merkelit dhe Presidentit francez, Sarkozi, duke qenë se ata ishin kyçi për marrjen e masave dhe shpëtimin e euros. Për këtë arsye, media i ka quajtur ata të dy Merkozi. Analiza e marrëdhënieve mes lideres gjermane dhe ministrit të saj të famshëm të Financave, pikëpamjet e të cilit për Europën reflektohen edhe në elektoratin e gjerë sugjeron se pikërisht kjo mund të jetë, në fakt, marrëdhënia kyç për shpëtimin e euros dhe Eurozonës nga copëtimi.
Kancelarja mund të mbështetet në besnikërinë time, ka deklaruar ministri në një intervistë të dhënë për Reuters. Kjo nuk do të thotë që do të qëndroj i qetë dhe gojëkyçur apo do të jem i lehtë. Jam i lirë që të bëj atë që mendoj se është e drejtë. Politikani 69-vjeçar, tashmë një veteran i politikës, ndodhet në një karrige me rrota, pasi u qëllua me armë zjarri nga një i marrë në periudhën e ribashkimit të Gjermanive. Ai është një nga ata që janë betuar që hershëm për çështjen e unitetit europian dhe ka qenë një nga personat kryesorë të veprimeve të Berlinit për krizën. Disa nga ata që e njohin mirë situatën në Berlin thonë se ai është ndoshta i vetmi që mund ti bëjë, deri-diku presion Merkelit dhe është një politikan që nuk i pëlqejnë aspak rreziqet. Besoj se Schaeuble do të jetë një nga arkitektët e zgjidhjes së krizës së Eurozonës, thotë Kryeministri i Lihteshtajnit. Sipas tij ministri gjerman është nga ata njerëz që flet, pa u merakosur shumë se çfarë thonë apo mendojnë të tjerët.
Që kur nisën telashet e Eurozonës, thuajse dy vjet më parë, Ministria gjermane e Financave ka qenë në fakt një fabrikë idesh, Gjurmët e ministrit të Financave ndodhen në shumë vendime të marra gjatë kësaj periudhe për shpëtimin e Eurozonës. Në zemër të krizës qëndrojnë borxhet e mëdha të krijuara nga qeveritë e saj. Në fazat e para të krizës, Schaeuble propozoi krijimin e një Fondi Monetar Europian për të ndihmuar anëtarët më të dobët të Eurozonës. Në atë kohë, ideja u duk shumë radikale. Merkel e përjashtoi menjëherë këtë ide, duke ngulmuar se FMN-ja me qendër në Uashington do të ndihmonte edhe në shpëtimin e vendeve të Eurozonës. Por një vit e ca më vonë, blloku në fakt krijoi një organizëm të përhershëm për shpëtimin financiar të partnerëve të dobët të Eurozonës - Mekanizmin Europian të Stabilitetit që në fund të fundit duket si një organizëm që ngjason shumë me idenë e ministrit. Ai është një fond që financohet nga vendet e Eurozonës dhe thelbi i tij është dhënia e huave në situata të turbullta financiare.
Merkel, duke e njohur mirë kolegun e saj, e ka ditur që në fillim se duke e bërë atë ministër të Financave, marrëdhënia me të nuk do të ishte aspak e lehtë dhe, mbi të gjitha, kontrolli mbi të do të ishte i kufizuar dhe se ai do të kishte idetë e tij, të cilat do ti thoshte hapur dhe pa problem. Për sa i përket politikanëve dhe investitorëve jashtë Gjermanisë, propozimet e Schaeuble kanë qenë ndonjëherë burime konfuzioni. Mbi të gjitha, askush nuk di saktësisht nëse idetë dhe deklaratat e tij kanë gjithmonë mbështetjen e kancelares dhe të kabinetit ministror. Në mars, për shembull, ministri i Financave bëri një marrëveshje me homologët e vendeve të Eurozonës për Mekanizmin Europian të Stabilitetit. Pak ditë më vonë, Merkeli vendosi veton dhe çështja nisi edhe një herë që të diskutohej, duke u përmbysur kështu veprimi i ministrit të Financave. Por liria e këtij ministri ndonjëherë është edhe në avantazh të Merkelit. Ai mund të hedhë shumë ide në tryezë, ndërkohë që Merkeli shikon se cili është reagimi i ministrave të Financave të vendeve të Eurozonës dhe në këtë mënyrë, ajo mat temperaturën e tyre para se të bëjë propozime të ndryshme. Kjo mënyrë është edhe pjesë e strukturës gjermane të qeverisë, ku ministrat inkurajohen shumë që të vijnë me ide të reja dhe ti diskutojnë ato hapur me të gjithë.
Të gjithë në qeveri e kanë një rol, deklaroi ministri i Financave në një intervistë që dha për një media gjermane në zyrën e tij të Ministrisë së Financave, një strukturë e epokës naziste, në të cilën më parë, gjatë Luftës së Dytë Botërore ndodhej ministrja e Aviacionit, Herman Goering. Unë kam një kohë të gjatë në politikë dhe relativisht jam i moçëm dhe kjo më jep njëfarë hapësire dhe pavarësie, deklaroi ai. Në disa aspekte, liria e këtij ministri kufizohet edhe nga fiziku dhe të qëndruarit në një karrige me rrota. Tentativa për ta vrarë, 20 vjet më parë, thuajse pati sukses. Ndërkaq, një vit më parë, ai pati komplikacione me shëndetin nga dy dhjetëvjeçarët që qëndrojnë në karrige me rrota dhe kjo e ka bërë që të frekuentojë shpesh spitalin dhe mjekët i kanë thënë gjithmonë që ta marrë shtruar me punën. Në shtator të vitit 2010, pasi mungoi në një takim pune shumë kyç, ai i tha Merkelit se mund të largohej nga detyra për shkak të gjendjes shëndetësore. Kancelarja i dha një muaj leje, por e urdhëroi që të vazhdonte të qëndronte në detyrë.
Tani duket se ai ndihet më mirë. Është shëndoshur dhe ka nisur edhe palestrën për të forcuar muskujt. Merkel dhe Schaeuble janë takuar për herë të parë pak muaj pas rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989. Me profesion, ai është jurist dhe ka qenë dukshëm për shumë kohë një nga pasuesit e mundshëm të kancelarit gjerman Kohl. Nga shumë vetë, ai konsiderohet të jetë politikani më i madh dhe më i talentuar i brezit të tij. Merkel ishte 35 vjeç dhe nga ana tjetër e murit, pra nga Gjermania Lindore dhe në kohën e takimit, punonte te zyra e shtypit e Lothar de Maiziere, liderit të Gjermanisë Lindore të kohës. Brenda pesë muajsh nga takimi tyre i parë, bota dhe jeta e Schaeuble ndryshoi kryekëput. Ishte tetori i vitit 1990 dhe Gjermania e sapobashkuar ishte në një atmosferë festive. Gjermania Perëndimore sapo kishte fituar Kupën e Botës në futboll. Vendi ishte vetëm pak muaj larg zgjedhjeve pangjermane, të parat të organizuara që prej 100 vjetësh. Ndërsa shekulli i 20 kishte hyrë në dhjetëvjeçarin e tij të fundit, vendi që kishte pësuar shumë dëme nga dy Luftërat Botërore, hiperinflacioni, nazizmi dhe dhjetëvjeçarët e gjatë të Luftës së Ftohtë, më në fund mund të shihte përpara me optimizëm.
Schaeuble, në atë kohë ministër i Brendshëm, ishte duke u larguar nga një tavernë në qytetin e Oppenau, në afërsi me kufirin francez, kur një 37-vjeçar i doli përpara dhe e qëlloi me tri plumba, duke e goditur në fytyrë dhe në shpinë. Para se të humbiste ndjenjat, i tha mjekëve se nuk i ndiente më këmbët e tij. Ai u çua me helikopter në një qendër universitare mjekësore në Freiburg ku mjekët punuan gjatë gjithë natës për ti shpëtuar jetën. Kohl e vizitoi të nesërmen dhe në një konferencë për shtyp që dha kancelari disa orë më votë, sytë i kishte të mbushur me lot. Por ministri i goditur jo vetëm që arriti që të shpëtonte nga kthetrat e vdekjes, por ia doli që të rikthehej në punë në Bon disa muaj më pas, pavarësisht kërkesës që i bëri familja që të linte politikën. Ai dukej i brishtë, por Kohl besonte në forcat e aleatit të tij. Gjermanët i bënë pyetje vetes nëse ishte e mundur që një paraplegjik të qeveriste vendin. Kohl shumë shpesh në fjalimet e tij do ti referohej Rusveltit që drejtoi Shtetet Bashkuara të Amerikës nga karrigia me rrota, në periudhat e vështira të Depresionit të Madh dhe të Luftës së Dytë Botërore. Besimi i tij u shpërblye.
Pasi Kohl doli nga detyra në vitin 1994, ishte Schaeuble ai që punoi pas skene për të mbajtur shumicën e tij të paprekur. Ai mbajti shumicën parlamentare së bashku dhe këtë e bëri përmes një disipline shumë të madhe dhe të fortë. Nëse Kohl do të ishte larguar nga pushteti në vitin 1989 dhe do ta kishte lejuar Schaeuble që të kandidonte kundër socialdemokratëve, pra Gerhard Shrëderit, atëherë juristi nga Freiburgu mund të ishte bërë kancelar. Por Kohl donte që të drejtonte vendin drejt monedhës së përbashkët dhe kështu kandidoi për një mandat të pestë. Ai humbi dhe në vend të tij ishte Schaeuble që mori vendin e kryetarit në parti, pra si kryetar i kristian-demokratëve. Si zëvendësen e tij ai emëroi Merkelin. Ishte një çift që do të zgjaste për një vit e gjysmë pushtet. Në dhjetor të vitit 1999, Kohl u akuza për një skandal financiar. Merkel botoi një artikull në media që tronditi politikën e vendit në të cilën kërkonte që partia të bënte përpara pa Kohl, të cilin ajo e quajti një kalë të vjetër lufte. Kohl vetë nuk mund ta besonte se ishte sulmuar pikërisht nga Merkel, të cilën e kishte mbrojtur dhe e kishte mbështetur për tu ngritur në pushtet dhe nuk ia merrte mendja që ajo do ta kishte shkruar artikullin pa lejen e shefit të saj, Schaeuble.
Kështu Kohl prezantoi një fushatë pas skene për të sulmuar njeriun që dikur e kishte cilësuar dhe mbështetur si pasardhësin e tij. Brenda dy muajsh ai u detyrua që të jepte dorëheqje. Merkel ndërkohë u la në detyrë. Ajo u konsiderua si fytyra e pastër e partisë dhe u katapultua në lidershipin e partisë. Për Schaeuble ishte moment shumë i vështirë. Në atë kohë brenda CDU-së kishte lindur nevoja për njerëz të rinj, pas skandalit të Kohl. Merkel, në një intervistë të dhënë në vitin 2004, deklaroi se Schaeuble nuk kishte dijeni për artikullin që ajo botoi kundër Kohl. Ndërkohë që nga ajo kohë Schaeuble e ka përshkruar lidhjen e tyre si të mirë, por thjesht profesionale. Me të ardhur Merkel në pushtet, ajo emëroi kolegun e saj si ministër të Brendshëm. Në mandatin e dytë në vitin 2009, në kulmin e krizës financiare mori postin e Financave.
Që nga ajo kohë, Schaeuble është shfaqur si ministri më i rëndësishëm i Merkelit dhe një nga formëzuesit e politikës financiare të Europës, në një kohë paqartësie shumë të madhe financiare. Ai flet frëngjisht dhe ka lidhje të shkëlqyera me Francën dhe e njeh Sarkozinë që nga koha kur ishte ministër i Brendshëm. Ishte ai që në kongresin e kristian-demokratëve nxiti mbështetjen e Europës. Por me gjithë këtë, diferencat mes tij dhe Merkelit për Europën janë shpesh të vështira për tu fshehur. Merkel është e përqendruar te kufizimi i dëmeve për Gjermaninë në kuadrin e krizës së borxheve, ndërsa ministri i saj i Financave e sheh krizën si një mundësi për të kompletuar integrimin politik të Europës që mungonte, kur u lançua projekti i euros. Dhe në këtë përpjekje, ndoshta dasitë e tij me Merkelin do të thellohen edhe më në vitin e ardhshëm.