Për të dihet vetëm që ka qenë i pari klasës dhe që është njeriu i misioneve të pamundura. Nga reformat e financës te privatizimet dhe administrimi i krizës ekonomike. Ja përse guvernatori i bankës italiane u zgjodh në krye të Bankës Qendrore Europiane.

Në mitologji, në përralla, në filmat me kartonë apo në videolojëra dragonjtë dhe kështjellat kanë bashkëjetuar gjithmonë shumë në harmoni së bashku. Ndoshta këtë do të ketë menduar edhe Mario Draghi, president i Bankës Qendrore Europiane që nuk zgjodhi të jetonte në shtëpinë e paraardhësit të tij, por në një zonë shumë të njohur me një park të bukur, brenda së cilës ngrihet një kështjellë e viteve 1800 që i përket një prej dinastive më të vjetra, atë Frankfurtit, në Holzhausen Schloesschen. Mario Draghi, i cilësuar me nofkën (super Mario), më shumë se sa një superbankier konsiderohet si personazh i misioneve të pamundura. Gjithsesi ai kërkon të jetë gjithmonë një njeri që rrezaton pozitivitet. Studimet e tij, fillimisht në një kolegj jezuitësh, pastaj diploma në ekonomi do ti hapnin rrugën një karriere që do të shërbente si model suksesi për shumë të tjerë. Familja e shëndetshme, një grua që gjithmonë ka ndjekur pas me dëshirë në çdo hap që ai ka ndërmarrë, dy fëmijë dhe një nip i japin më shumë nota pozitive njeriut të financave europiane. Por edhe sporti (në rini i pëlqente basketbolli dhe ngjitjet në mal, ndërsa tani tenisi dhe golfi), tregojnë që është një njeri plot klas. Për sa i përket aspektit fizik, është gjithmonë elegant, edhe pse asnjëherë në jetën e tij nuk ka mbajtur një dietë, ndërsa për veshjen mund të thuhet se është burri klasik i veshur me kostum blu. I vetmi transgresion, nëse mund të quhet kështu, do të ishte një dobësi për lojërat në telefon, sidomos kur udhëton me avion. Për më tepër, sipas biografisë së fundit, Guvernatori Mario Draghi del se udhëton gjithmonë me pak bagazhe, e kërkon gjithmonë të jetë i shpejtë dhe praktik. Ngadalë ti ngjitesh me ashensor, ndërsa ne jemi duke marrë shkallët, i pati thënë dikur një koleg për ti vënë në dukje se sa shumë nxitonte. Një prej gjërave që urren më shumë është të harxhojë kohën kot. Preferon të hajë vetëm e të mos humbasë kohën duke bërë muhabete të kota në tavolinë. Shumë e krahasojnë me një kompjuter, që pavarësisht si e administron në fund, di të japë gjithmonë rezultate fikse dhe të sakta. Ndoshta prandaj thotë gjithmonë se tipi i tij e bën të duket i ftohtë dhe larg halleve të zakonshme të njerëzve. Ndoshta është faji i profesionit. Ne bankierët dukemi gjithmonë të këqij, thotë shpesh ai. Në shtëpinë e re afër Schloesschen, thotë se ka çuar kujtimet e një viti të vështirë, dhe shumë pasion dhe dëshirë për të punuar fort. Por mbi të gjitha nuk duhet harruar se rrugën për të arritur deri këtu në fillim e nisi i vetëm, pa asnjë mbështetje.
Zyra e tij e re ndodhet në katin e 35 të Europtoër, ku që prej 1 nëntorit mban detyrën e presidentit të Bankës Qendrore Europiane. Emri i Mario Draghit në Itali lidhet pashmangshmërisht me vitin 1993, kur lira ishte dobësuar shumë e vendi ndodhej në buzë të greminës. Në atë kohë Draghi, pas pesë vjetësh në Uashington si përgjegjës për Italinë në Bankën Botërore, ishte drejtor i përgjithshëm i thesarit, i nominuar fillimisht nga Andreoti dhe pastaj i rikonfirmuar nga të gjithë. Nga ai kolltuk arriti të shkrijë dhe të privatizojë shumë kompani të rëndësishme si ENI, ENEL, Comit dhe Credit. Një revolucion kulturor, tha ai, ndërsa armiqtë e tij e qortuan se pati shitur pasurinë kombëtare gjatë një udhëtimi misterioz me Britannia-n, ish-jahtin e familjes mbretërore angleze. Më vonë, gjithmonë në krye të thesarit, bëri gjithçka duhej për ta çuar Italinë në Serinë A të euros. Eksperienca e mëvonshme si zëvendëspresident i Goldman Sachs i dha më shumë kredibilitet dhe e bëri një nga bankierët më të zotë në Europë dhe jo vetëm. Detyrën e Goldman Sachs e mbajti nga viti 2002 deri në vitin 2005. Karriera do të vazhdonte të ishte gjithmonë e më brilante, kur në 2006-n pasoi Antonio Fazio si guvernator i Bankës Qendrore Italiane. Aty do të qëndronte deri në nominimin për president të Bankës Qendrore Europiane. Sot ka përpara vetes një detyrë akoma dhe më të vështirë: të gjejë zgjidhjet për krizën e euros që prej kohësh ka gjunjëzuar eurozonën.