E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa thotë se zgjedhjet presidenciale do të mbahen vitin e ardhshëm, ndërsa nuk përjashton mundësinë që edhe zgjedhjet nacionale të mbahen këtë vit, nëse siç thotë ai, vazhdon të keqqeveriset Kosova. Në një interviste për Kosovapress, ai thotë se në zgjedhjet e ardhshme LDK do të ketë kandidatët e saj për president dhe kryeministër.
Isa Mustafa: Nuk kemi dy krena nė parti





Kosovapress: Zoti Mustafa po përmbyllet viti 2011, sa keni arritur t`i realizoni qëllimet dhe projektet që i keni synuar si kryetar i Komunës së Prishtinës për këtë vit?

Mustafa: Mendoj se kemi arritur në masën më të madhe t`i rrumbullakojmë problemet, edhe problemet edhe projektet, të cilat i kemi planifikuar për këtë vit. Kryesisht kemi punuar në infrastrukturë. Këtë vit kemi punuar më shumë jashtë qytetit, në pjesën rurale dhe shumë jemi të kënaqur me atë, sepse kemi arritur që të shtrojmë, të rregullojmë shumë rrugë, veçmas këto fshatra që gravitojnë kah Podujeva, nga Bardhoshi, Prugofci, Barileva dhe fshatrat e tjera atje. Kemi punuar edhe në fshatrat kodrinore malore të pjesës së Gollakut, pjesës së Marefcit dhe kemi krijuar kushte që ata njerëz më nuk kanë nevojë të shpërngulen, apo të vijnë të jetojnë në qytet, për shkak të mungesës të infrastrukturës. Është punuar edhe në qytet. Në qytet gjithmonë kemi pasur probleme, ka pasur edhe ngecje në dinamikë, për arsye se paralelisht po punojmë ne në rrugë, po punon edhe Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”, në konstituimin e rrjetit të ujësjellësit, prandaj kemi ardhur në gjendje menjëherë që edhe agjendën, dinamikën e punimeve t`ia përshtatim njëri tjetrit. Kemi filluar dhe po i zbatojmë edhe dy projekte shumë të rëndësishme, kemi Ujësjellësin Rajonal “Prishtina” për rikonstruktimin e rrjetit dhe për përgatitjet për ndërtimin e fabrikës së re te ujit për vitin 2013 dhe projektet të kogjenerimit të qytetit përmes Termokos-it, ky është prapë një projekt shumë i madh që është bërë një marrëveshje të themi edhe përmes Qeverisë, edhe e jona, me Bankën Gjermane, është vendim edhe i Komisionin Evropian. Këto janë projektet më të mëdha në qytet, kemi përfunduar kolektorin që ka qenë një prej projekteve të mëdha në pjesën perëndimore të qytetit dhe jemi duke vazhduar rrugën për në pjesën perëndimore të qytetit, jemi duke vazhduar rrugën B, që është po ashtu një prej projekteve të rëndësishme në Mat. Kemi punuar edhe brenda qytetit, edhe në shkolla është punuar.

Kosovapress: Cilat kanë qenë sfidat kryesore me të cilat jeni përballur në vitin 2011 dhe cilat mendoni se do t’i trashëgoni për vitin e ardhshëm?

Mustafa: Sfidat gjithmonë po janë problemet pronësore, këto janë një prej problemeve më të mëdha, sepse gjithmonë edhe brenda qytetit edhe jashtë gjatë ndërtimeve infrastrukturale po kemi pasur probleme pronësore, për të cilat në zgjidhjen e tyre po na e marrin kohën, por po ndikojnë edhe në prolongimin e investimeve. Ka qenë sfidë edhe çështja e vonimit të buxhetit, por jo vetëm për ne, ka qenë sfidë edhe e nivelit qendror edhe komunave të tjera, sepse për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve sivjet buxheti është aktivizuar diku në prill të vitit, edhe do të thotë kemi filluar me vonesë në investimet e tërësishme. Janë edhe sfidat tjera rreth ngrohjes, sepse edhe atë nuk e kemi tejkaluar, do të mundohemi që të bëjmë njëfarë byepasi, njëfarë kalimi derisa të mos kalojmë në kogjenerim. Kemi pasur sivjet edhe një donacion më të madh të Qeverisë për vitin e ardhshëm, gjë që shpresojë se nuk do të jetë problemi në nivel të ashpërsisë së tillë, si e kemi pasur vitin e kaluar i ngrohjes së qytetarëve. Tjerat problemet e përditshme janë problemet e varfërisë së madhe, problemet e papunësisë së madhe, problemet e migrimit të madh janë nga pjesët rurale në kryeqytet. Janë problemet e Trafikut urban, me të cilat akoma po sfidohemi. Tek para tre muajve AKP-ja ka vendosur që trafiku urban të kalojë si organizatë publike-komunale. Tash po punojmë se si ta përcaktojmë ardhmërinë e trafikut, a të jetë publik, apo të jetë një organizatë me një marrëveshje publike-private, e cila do të sigurojë edhe mekanizim edhe autobusë të mirë, në mënyrë që të ndihmonte pastaj në zgjidhjen e problemeve dhe tollovive në qytet.

Kosovapress: Opozita ju ka akuzuar se duke u marrë me probleme të LDK-së dhe çështje tjera politike, e keni lënë anash Komunën e Prishtinës. Sa mendoni se ju keni mbetur borxh qytetarëve të Prishtinës?

Mustafa: Unë jam munduar që farë të mos u mbetem borxh, për arsye se opozita mund të flas çka të dojë, por e vërteta është që unë vij këtu në ora tetë në punë, në çdo mëngjes dhe dal në orën katër, pesë, apo gjashtë, sepse punoj edhe pas dreke, do të thotë unë edhe pse jam kryetar i LDK-së, asnjë orë dhe asnjë minutë të punës nuk e kam humbur në komunë, sepse jam i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm para votës së qytetarëve. Puna në parti mund të bëhet edhe pasdite, mund të bëhet edhe të shtunave dhe të dielave, kështu që në asnjë rast nuk e kamë shfrytëzuar kohën e punës në komunë që atë ta shpenzoj për partinë dhe s`ka ndikuar fare në atë, mirëpo jemi munduar që të punojmë dhe unë mendoj që janë rezultate shumë të mira, sepse kemi zgjidhur problemin e rrugëve dhe në vitin e ardhshëm ne nuk do të kemi në komunën e Prishtinës asnjë rrugë ku kemi banorë, ose dendësi të banorëve, të paasfaltuar. Nuk do të kemi më ndërrime të treta dhe të katërta në shkolla fillore dhe shkolla të mesme, do të thotë e kemi stabilizuar gjendjen e kemi pru në dy ndërrime. Disa çështje që kërkojnë investime më të mëdha dhe kapacitete më të mëdha përballuese, siç është unaza e qytetit, do të thotë është shumë e shtrenjtë, do të na kushtojë rreth 100 milionë euro dhe atë ne s`mund ta përballojmë vet pa një përkrahje të qeverisë, pa hy broxh si komunë, por duhet që ne përmes borxhit ta bëjmë atë.

Kosovapress: Gjatë vitit 2011 me iniciativën e deputetëve të LDK-së u rrëzua një president, por me iniciativën tuaj u shpëtua Qeveria Thaçi 2. Si e vlerësoni tash këtë vendim, a ka qenë në raport me punën dhe qëllimet e një partie opozitare, që synim ka ta rrëzojë partinë që është në pushtet?

Mustafa: Unë mendoj që konstatimi nuk ekziston, që ne e kemi shpëtuar Qeverinë Thaçi 2. Konstatimi është se ne kemi bërë një marrëveshje që të kemi institucione të Republikës së Kosovës, në mënyrë që Kosova të mos mbetët pa institucione menjëherë pas zgjedhjeve. Kemi vlerësuar se edhe mbajtja e zgjedhjeve, pas zgjedhjeve që i mbajtëm në fund të vitit të kaluar, do të ishte e njëjtë për arsye se rregullimi ligjor ishte i mangët, për arsye se organizimi i zgjedhjeve ishte i mangët, për arsye që listat zgjedhore ishin të pa pastruara. Organizimi i zgjedhjeve do të ishte në nivelin që prapë do të kishte abuzime dhe vjedhje, dhe do të kishte humbje, prapë do ta rigjeneronim edhe një krizë tjetër. Qëllimi ynë ka qenë që te të imponojmë reformën zgjedhore dhe atë e bëmë, do të thotë u arrit marrëveshja që të bëhet reforma kushtetuese dhe që të bëhet reforma e sistemit zgjedhor.

Kosovapress: Kur mendoni se do të mbahen zgjedhjet e ardhshme?

Mustafa: Unë mendoj që sipas agjendës që e kemi përcaktuar, zgjedhjet për president do të mbahen vitin e ardhshëm, në vitin 2012, ndërkaq zgjedhjet nacionale më së largu në vitin 2013. Po e them më së largu, sepse nëse vazhdohet që të mos qeveriset mirë, apo të qeveriset keq me Kosovën, ne do ta ngrisim zërin dhe do të kërkojmë edhe zgjedhjet nacionale të mbahen gjatë vitit 2012.

Kosovapress: A do ta arrini këtë qëllim, sepse duhet t’i votat në Parlament për të mbajtur zgjedhjet e parakohshme?

Mustafa: Po natyrisht, ne mendojmë që çdo gjë ta bëjmë përmes Parlamentit, dhe jo në mënyrë joinstitucionale. Ne do të mundohemi ta bindim edhe Parlamentin, edhe deputetët që janë në Parlament, të argumentojmë se nuk po qeveriset mirë dhe qeverisë, e cila nuk qeveris mirë, të mos i lejohet një afat i gjatë, por çdo gjë të bëhet në mënyrë institucionale.

Kosovapress: Por ju me marrëveshjen e juaj ia keni dhënë një mundësi Qeverisë, edhe pse thoni që nuk ka ardhur në pushtet në mënyrë legjitime?

Mustafa: Marrëveshja nuk i ka dhënë shancë qeverisë, i ka dhënë shancë Kosovës, që Kosova të reformojë sistemin zgjedhor, Kosova ta reformojë Kushtetutën dhe ne ta krijojmë një sistem, i cili në zgjedhjet e ardhshme do të mundësonte që Kosova të ketë institucione legjitime që dalin nga vota. Unë e di ligji në mënyrë automatike nuk e siguron atë, as Kushtetuta në mënyrë automatike nuk e siguron. Ligji siguron mundësitë që ato të organizohen mirë, duhet të bëhet pastrimi i listave zgjedhore dhe s`duhet të futemi në zgjedhje pa i pasur listat zgjedhore të pastra, sepse s`mund të votojnë të vdekurit dhe s`mund të votojnë ata që nuk janë banorë të vendit përkatës, nuk mund të votojë dikush dy herë, tre herë, ose njëzet herë, nuk mund të votojnë komisionarët vet për votuesit, edhe do të thotë këto duhet të zgjidhen.

Kosovapress: Cila është strategjia juaj, që këto të zgjidhen?

Mustafa: Të imponojmë që Ministria e Brendshme dhe organet përgjegjëse t`i pastrojnë listat, do të thotë t`i pastrojnë nga të vdekurit dhe t’i pastrojmë në pikëpamje të votimit nëpër vendvotime, që njerëzve iu takon vota, ose të bëhet leximi biometrik i votuesve, të blihen aparate në 2 mijë e 200 e sa vendvotime do t`i kemi, të cilat në mënyrë biometrike do të regjistronin çdo votues, dhe çdo votues do të mund të votonte vetëm njëherë dhe jo disa herë dhe nuk mund të votojnë ata që nuk janë gjallë dhe që nuk banojnë në Kosovë, do të bëhej votimi fizik, ndërkaq leximi do të bëhej përmes sistemit elektronik, do t`ua pamundësonte njerëzve që ata tash të ulen t`i ndajnë votat dhe këta të LDK-së t`i ndreqin votat e veta, PDK-ja të vetat dhe t`i mbushin kutitë ashtu siç ka ndodhur dhe të zgjidhet. Unë nuk jam idealist, të them se 100 % do të zgjidhet problemi, por për mua është me rëndësi që ata që vijnë nesër në pushtet, shpresojmë që do të vijmë ne, mirëpo edhe ne nëse vijmë, duhet të vijmë me votë të pastër, në mënyrë që askush të mos e vejë në pyetje legjitimitetin e votës së qytetarëve dhe të organeve që përfaqësojnë qytetarët.

Kosovapress: Cila do të jetë qasja politike e Lidhjes Demokratike gjatë vitit 2012, sepse në këtë vit është krijuat një opinion se LDK-ja ka qenë e heshtur, për shumë çështje dhe deklarimet e juaja ndaj Qeverisë nuk kanë qenë të zakonshme?

Mustafa: Po mendoj që grupi parlamentar ka qenë korrekt dhe ka qenë konstruktiv në Kuvend. Çështja artikulimit të vërejtjeve është punë tjetër, sepse dikush artikulon më zëshëm dhe në mënyrë tjetër, grupi ynë parlamentar ka qenë mjaft konkret, mjaft i argumentuar, siç ka qenë çështja e buxhetit, çështja e bisedimeve me Serbinë, çështja e raportit të progresit dhe shumë çështje të tjera, të cilat janë trajtuar në Kuvend dhe kanë dimensione më të mëdha se sa që janë punët e përditshme të Kuvendit. Unë e di që ne jemi për herë të parë në opozitë, dhe roli opozitar natyrisht se duhet të perfeksionohet, do të bëjmë përpjekje që unë edhe partia të komunikojmë çdo ditë me grupin parlamentar, në mënyrë që t`i kemi orientimet, por natyrisht duke mos abuzuar me të drejtën e deputetit, që ai vet të votojë në Kuvend. Sa i përket politikës së përgjithshme edhe si LDK jemi munduar që të lëmë hapësirë, që edhe Qeveria edhe Kuvendi ta bëjnë punën e vet, por që të bëjmë vërejtje parimore në çështjet, të cilat ne i konsiderojmë se nuk janë në rregull. Unë në fund të këtij viti i kam dhënë vërejtjet e mija për këtë qeveri dhe vërtetë kam konstatuar se qeveria nuk po e bënë punën mirë, qeveria ka një sjellje arbitrare, është bërë arbitër jo vetëm i punëve që i bënë qeveria, por edhe arbitër i Kuvendit, edhe arbitër i shtyllave të tjera, siç është shtylla e drejtësisë, shtylla e legjislativit, ka abuzuar pozitën e vet tek kompanitë publike, sepse ka bërë punësime politike në kompani publike. Po e abuzon pozitën e vet sa i përket medieve, sepse ka ndikim të madh në media dhe mediet çdo ditë bëjnë nga një dosje, veç i porosit dhe veç kur ta shihesh vetën që po të përcjellin me dosje, nga pesë ditë, dhjetë ditë dhe t`i mbetesh tash i akuzuar. Mendoj se duhet të heqë dorë prej metodave të tilla, sepse metodat e tilla ne i kemi kaluar me sistemin e kaluar dhe mendoj se nuk kemi nevojë që të kthehemi atje ku kemi qenë.

Kosovapress: Ndalemi pak te opozita. Vetëvendosja ka qenë më e zëshme në Parlament, në shumë iniciativa nuk e keni përkrahur. Ka qenë qëllimi juaj parimor, apo çështje zilie, pasi që shumë herë Vetëvendosja është parë si parti kryesore opozitare?

Mustafa: Mendoj se ata s`janë treguar si parti kryesore opozitare dhe të themi se kanë vazhduar me një sistem të vetin, që çdo parti ka të drejtë ta bëjë atë. Mos përkrahja jonë ka qenë çështje parimore, për arsye se nuk mund të bëhemi tash bisht i një partie politike, sepse ne i kemi orientimet e tona, e kemi konceptin tonë, edhe për shtetin edhe për zgjidhjen e problemeve, e kemi konceptin tonë për zhvillimin ekonomik, e kemi konceptin tonë për zhvillimin demokratik të vendit, kemi konceptin tonë për zhvillimin ligjor të vendit dhe këto koncepte neve nuk na përputhen nganjëherë. Ne s’mund të përkrahim iniciativat e një partie, me të cilën në momente të caktuara nuk përputhen konceptet. Pozita është ndryshe, sepse pozita e ka një marrëveshje, një kontratë të nënshkruar në mes vete, ata kanë me votuar njëjtë dhe kanë me i shty problemet. Opozita nuk ka kontratë dhe ne jemi të pavarur, ne i kemi politikat tona dhe ne si LDK veprojmë me politikat tona në Kuvend, Vetëvendosje vepron me të vetën, kur ne përputhemi mund të shkojmë bashkë, nëse nuk përputhemi s`do të thotë që ne duhet të përkrahim iniciativat e Vetëvendosjes dhe të tjerëve, sepse ata kanë qëndrimet e veta.

Kosovapress: T`i kthehemi Lidhjes Demokratike, ish-presidenti Sejdiu dhe ish kryetari i LDK-së, ju ka akuzuar se po e dobësoni LDK-në me punën tuaj, ai ka shfaqur një dëshirë që të rikthehet në krye të LDK-së, a i frikoheni kthimit të tij?

Mustafa: Unë do të thoja se LDK-ja viteve të fundit pas vdekjes së Rugovës, kurrë më e fortë s`ka qenë, kamë kontakte javore me degët e LDK-së. Kemi gjendjen stabile, do të thotë i kemi konsoliduar radhët në disa degë që na kanë mbet si gjysmë nga zgjedhjet e kaluara, siç ka qenë ajo e Gjakovës, ajo e Pejës, e kështu me radhë e Shtimja, është bërë kalimi i shumë anëtarëve të LDD-së në LDK, nëse ata nuk do të shihnin zhvillime të mirë dhe stabilitet në LDK, nuk do të hynin në një shtëpi që nuk është stabile. Sa i përket konkurrencës, unë dua ta stimulojë dhe unë dëshiroj që kenë dëshirë që të pretendojnë dhe të shohin veten që mund t`i kontribuojnë LDK-së dhe gjithmonë të shpallin pretendime të tilla, sepse ne nuk mund të zhvillohemi pa konkurrencë. LDK-në e zhvillon konkurrenca e brendshme, mirëpo natyrisht ajo konkurrencë mund të bëhet mbi bazë të statutit, jo vetëm kur t’i teket dikujt të thotë “më duket që disa zgjedhje, nuk kanë qenë për mua të mira, tash po dua t`i bëjë sivjet”. Kur t`i vjen rendi i zgjedhjeve më 2014 të vijë çdonjëri dhe të pretendojë të jetë kryetar.

Kosovapress: Cili është kontributi i ish-presidentit Sejdiu në LDK, pasi që nuk është parë në shumë aktivitete të LDK-së, mirëpo kohëve të fundit ka qenë më i pranishëm me deklarata në opinion?

Mustafa: Zoti Sejdiu është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, që është organi më i lartë partiak ndërmjet dy kuvendeve, është kryetar nderi. Ai po që se dëshiron t`i kontribuojë partisë përmes dhënies së ideve dhe në pikëpamje të krijimit të pajtimeve dhe në pikëpamje të kontributit të balancimit të gjendjes në parti, sepse mund t`i shfrytëzojë të gjitha përvojat e veta që ka pasur përpara me partinë dhe subjektet e tjera, të kontribuojë pozitivisht në një klimë të mirë politike, është një hapësirë shumë e madhe që mund ta ketë një kryetar i nderit i LDK-së. Ndërsa për pikëpamje operative, mund të jap vërejtjet, propozimet, sugjerimet normale, sepse është Këshilli i Përgjithshëm, ku shansa i jepet çdo njërit, për atë çfarë mendon, sepse është mirë ta thotë atë. Tash është zgjidhje individuale, varet prej njerëzve a dëshirojnë që t`ua thonë organeve të partisë, apo dëshirojnë t’ua thonë medieve.

Kosovapress: Kur jeni takuar për herë të fundit dhe kur keni biseduar për çështjet programore të LDK-së?

Mustafa: Po nuk kemi biseduar në ndonjë mënyrë të veçantë për ato çështje, sepse për to bisedohet me Këshill të Përgjithshëm.

Kosovapress: Ju si dy figura kryesore të partisë, kur keni biseduar për herë të fundit?

Mustafa: Kryesor i partisë jam unë, tash jam lideri i partisë dhe këta tjerët janë anëtar të organeve, të cilëve unë iu mundësoj që të gjithë ta thonë mendimin e tyre. Por ne nuk kemi dy krena në parti, në këtë rast unë jam kryetar i partisë, unë e respektoj zotin Sejdiu, sepse kamë punuar me të, por assesi nuk konsideroj që ne tash të ulemi dhe ta bisedojmë çështjen e partisë ndaras nga organet, unë s`bisedoj me asnjë ndaras, unë ju mundësoj që të ulemi në kryesi. I kamë mbajtur 26 mbledhje të kryesisë së LDK-së dhe 26 herë kam biseduar për çështjet e partisë me 23 anëtar të kryesisë.

Kosovapress: Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri tha që LDK-ja synon postin e kryeministrit, dhe nga ajo nënkuptohej se ju jeni personi i cili do të duhej të jeni kryeministër i ardhshëm nëse LDK i fiton zgjedhjet. Cili është vizioni juaj për ta qeverisur Kosovën?

Mustafa: Tash çdo parti e cila lufton t`i fitojë zgjedhjet, ajo lufton ta marrë edhe qeverinë. Dallimi i konceptit tim dhe LDK-së, është se ne dëshirojmë të fitojmë, por ne dëshirojmë të fitojmë dhe ta marrim përgjegjësinë për fitoren tonë, ne nuk dëshirojmë të fitojmë dhe që vendin e kryeministrit të themi se po ia japim tjetërkujt, siç është vepruar dy herë, pastaj ka dëmtuar LDK-në dhe ka dëmtuar edhe interesimin e anëtarëve të LDK-së për të votuar dhe mbështetur LDK-në. Kështu që orientimi ynë është që ne t`i fitojmë zgjedhjet dhe ne ta marrim përgjegjësinë për votën që e marrim prej qytetarëve, qeverisjes së vendit, tash a do të jem unë kryeministër, apo do të jetë dikush tjetër, ajo është çështje e marrëveshjeve tona të brendshme, të cilat do t`i bëjmë. Por koncepti themelor i imi edhe yni është që të punojmë në zhvillimin demokratik të vendit dhe mendojmë se ne i kemi arritur dy synime themelore, të cilat edhe presidenti Rugova i ka pasur, edhe LDK-ja ka qenë qëllimi i lirisë, sepse jemi liruar, qëllimi i pavarësisë, relativisht jemi pavarësuar dhe futemi në vitin e ardhshëm në heqjen e pavarësisë së mbikëqyrur, të elementit të mbikëqyrur të pavarësisë dhe ajo është çështje, e cila po ecë. Synimi tjetër, apo vizioni tjetër i LDK-së që ka qenë demokracia, ne konsiderojmë që ky vend nuk është demokratizuar, dhe ne dëshirojmë që duhet të bëjmë maksimumin që vendi të demokratizohet, në pikëpamje që institucionet të zhvillohen në mënyrë demokratike. Demokratizimi nënkupton marrjen e vendimeve të drejta të Parlamentit të Republikës së Kosovës pa ndikim, që qeveria të mos abuzoi me ligjin dhe që qeveria të respektoi ligjin, sepse respektimi i ligjit është respektim i demokracisë, i votës së qytetarëve edhe demokracia nënkupton ndërtimin e institucioneve të pavarura dhe ndarjen e këtyre tre shtyllave që kemi ne, moslejimit të ndikimit të legjislativit, ekzekutivit, gjyqësorit, në mënyrë që këto të jenë shtylla të pavarura, të cilat në bazë të standardeve evropiane do ta kryenin punën. Demokratizimi nënkupton lirinë e shprehjes individuale dhe publike, dhe natyrisht në mosndërhyrje të qeverisë në institucione. Ne do të mundohemi që këtë maksimalisht ta realizojmë si qëllim themelor, por në mënyrë që të krijojmë parakushte që Evropa të na pranojë si të tillë. Të punojmë në zhvillimin ekonomik, është synim shumë i rëndësishëm i yni, në mënyrë që të zgjidhim problemet e papunësisë. Ta ulim problemin e importeve që i kemi tash dhe bilancin e keq tregtar. Synim kemi që të krijojmë një arsimim të avancuar, jo që të hapim universitete në çdo lagje dhe në çdo mëhallë, që t`i mashtrojmë njerëzit që po i arsimojmë, sepse për të hapur universitete duhet të duash t`i arsimosh mirë, neve na nevojitet që ta kemi një rini të mirë dhe që arsimohet me standarde evropiane.

Kosovapress: A mund ta shohim skenën politike në të ardhmen: Hashim Thaçi president, Isa Mustafa kryeministër, e cila mund të realizohet dhe me një marrëveshje mes jush?

Mustafa: Unë nuk preferoj që skena politike të bëhet në bazë të marrëveshjeve. Unë mendoj që skena politike duhet të jetë rezultat i votës së qytetarëve dhe e zgjedhur në një proces të drejtë, transparent, të votimit i pranueshëm. Do të jetë çdo njeri që do ta fitojë votën e qytetarit, unë nuk i adresohem a do të jetë ai zoti Thaçi, a do të jem unë, a do të jetë dikush tjetër, mirëpo me rëndësi është që edhe presidenti edhe kryeministri të vijnë me votë të drejtë të qytetarëve.

Kosovapress: A do t’i ofronit njëri tjetrit këtë mbështetje, sepse është dëshmuar se ju mund të arrini marrëveshje?

Mustafa: Jo marrëveshje të tilla nuk do të ketë, mbështetjet tona do t`i kemi brenda subjekteve tona politike, do ta mbështesim kandidatin tonë në LDK dhe do të kërkojmë që ai kandidat të ketë mbështetje edhe prej qytetarëve, do ta kemi kandidatin edhe për president edhe për kryeministër.

Publikuar: 01.01.2012 | 17:22
Lexuar: 261 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime