Këtë vit, më shumë se kurrë. Por fatkeqësisht, po këtë vit ndërruan jetë edhe disa nga zërat më të fuqishëm dhe pionierët e vërtetë të shkencës, ndërkohë që siguria kibernetike u kushton kompanive të ndryshme të mëdha miliarda dollarë dhe tendencat e elektronikës dhe të internetit kanë sjellë në jetë mjete të reja dhe kanë krijuar sfida të reja.
Industria teknologjike shpesh e gjen veten të pozicionuar drejt të ardhmes. Këtë vit, më shumë se kurrë. Por fatkeqësisht, po këtë vit ndërruan jetë edhe disa nga zërat më të fuqishëm dhe pionierët e vërtetë të shkencës, ndërkohë që siguria kibernetike u kushton kompanive të ndryshme të mëdha miliarda dollarë dhe tendencat e elektronikës dhe të internetit kanë sjellë në jetë mjete të reja dhe kanë krijuar sfida të reja. Sa për të ardhmen, janë ndërmarrë shumë studime dhe iniciativa që do ti japin frytet e tyre në të ardhmen. Të tilla janë strategjitë e celularëve të Helvett-Packard, planet e Google për Motorolën, transistorët 3D prej silikoni të Intelit e të tjera si këto. Por të gjitha këto, në fakt, i përkasin sukseseve të viteve në vijim. Ja disa nga shpikjet dhe ngjarjet shkencore të këtij viti, që do të kenë një rezonancë edhe në vitet në vijim.
1. Vdekja e Steve Jobs
Nga një djalosh me rrënjë në shtresën e mesme, Steve u shndërrua në pronarin e kompanisë më me vlerë teknologjike në botë. Ai bashkëthemeloi Apple, kompaninë e fuqishme dhe të respektueshme. Vdekja e tij në 5 tetor, pas një beteje të gjatë me kancerin, shkaktoi reagime në të gjithë botën. Në Apple, Steve ndihmoi në krijimin e industrisë së kompjuterit personal dhe ngriti një skuadër që punoi me të për të krijuar mjete të tilla teknologjike si iMac, iPod, iPhone dhe iPad. Ai gjithashtu gjeti kohë që të drejtonte Pixar Animation Studios, krijuesja e Toy Story, e cila u ble nga Walt Disney për 7.4 miliardë dollarë në vitin 2006. Pas vdekjes së Jobs këtë vit, industria e fuqishme që ai krijoi pati një pauzë të shkurtër. Ndoshta ajo nuk do të jetë më e njëjta pa njeriun që e ideoi dhe realizoi.
2. Roli i medias sociale si mjet proteste
Është lëvduar shumë këtë vit FaceBook, Twitter dhe YouTube pas rolit të jashtëzakonshëm që luajtën në ngjarjet e Pranverës Arabe, protestave që përfshinë Lindjen e Mesme e që filluan që nga fundi i vitit 2010. Përdorimi i rrjeteve sociale për të përhapur fjalën në lidhje me demonstratat u bë shumë i madh këtë vit, veçanërisht në kryengritjet e Egjiptit, që rrëzuan edhe regjimin e Mubarakut. Në Londër, protestuesit përdorën Messenger Black Berry. Ndërsa Ocupy Wall Street përdori shumë mesazhet në Twitter. Ndoshta, i nisur pikërisht nga këto ngjarje, shpikësi i FaceBook, Mark Zuckerberg deklaroi në një konferencë këtë vit: Ne ekzistojmë në pikëprerjen e teknologjisë dhe çështjeve sociale.
3. Hakersat
Maska e famshme e Guy Fawkes, simboli i bardhë i kryengritjes politike, është parë me shumicë në protestat e Ocupy Wall Street, por maska që është huazuar nga filmi V for Vendetta, është përdorur edhe më parë nga grupi online i quajtur Anonymous. Anëtarët e këtij grupi të fshehtë kanë dalë nga zgafellat e internetit këtë vit me disa sulme të organizuara politike kibernetike ndaj kishave, tregtisë, bizneseve on line dhe bankave. Një grup tjetër motër me Anonymous, Lulz Security, nxori gjithashtu hakersat e vet në aktivitet para se të zhdukej. Pas sulmit që iu bë Sony online, specialistët zbuluan në rrjet një këngë të Anonymous: Ne jemi një legjion.
4. Tregu i tabletave shtohet
Dhjetëvjeçari i tregut të tabletave PC mori një nxitje me një produkt të ri këtë vit, shkaktuar nga suksesi i madh i Apple iPad. Specialistët e elektronikës u përpoqën që të zbulonin nëse konsumatorët kishin nevojë më shumë për tableta apo vetëm për iPad. Google me Androidin e tij dhe Research in Motion, Black Berry PlayBook nuk sollën përgjigjen e dëshiruar. Ndoshta formulën e përshtatshme e gjeti Amazon.com me Kindle Fire prej 199 dollarësh. Çdo javë që nga dalja në treg në nëntor, janë shitur rreth 1 milion aparate. Helvett-Packard vetëm ia doli që të tërhiqte blerësit në masë të madhe me TouchPad 99 dollarësh.
5. Lufta e patentave
Emrat më të mëdhenj në telefoninë mobile përfshi Apple, Google, HTC, Microsoft, RIM dhe Samsung, janë përfshirë në një lojë gjigante patentash. Këto kompani kanë hapur çështje gjyqësore dhe kundërpadi në vende të ndryshme të botës për të pasur marrëveshjet e licencave apo për të bllokuar shitjen e produkteve rivale.
6. Google +
Njerëzit, po del se po shpenzojnë më shumë kohë me rrjetet sociale, se sa me klikimet në motorët e kërkimit. Me fjalë të tjera, më shumë FaceBook dhe më pak Google. Për këtë, arsye Google krijoi Google +, një lloj FaceBook përmes të cilit mund të ndahen foto dhe të merren mesazhe e informacione të ndryshme nga lista e miqve. Google + nisi shumë premtuese, por FaceBook kishte kohë që kryesonte dhe vazhdon ta bëjë edhe sot. Google ndërkohë, vlerëson se rrjeti i saj social është një kyç për të ardhmen e kompanisë.
7. Apple bëhet kompania më me vlerë në botë
Kur Jobs u rikthye tek Apple, në vitin 1997, ai deklaroi se kompania ishte një hap larg falimentimit. Gjatë dhjetëvjeçarit të ardhshëm ai arriti që të organizonte punën në mënyrë të tillë, që shumë shpejt Apple u shndërrua në kompaninë me vlerë më të madhe në treg. Exxon Mobil ka pasur thuajse ato vlera. Ndërsa sukseset e kompanisë renditen edhe iPad 2 ultra i hollë dhe iPhone 4S.
8. Muzika dixhitale
Me iTune dhe Ipod, Apple pati një formulë jashtëzakonisht të fuqishme për të dominuar industrinë e muzikës dixhitale. Amazon dhe Google nuk kanë lënë ndonjë gjurmë. Por Spotify doli një kundërshtar i fortë në Europë dhe pas vitesh të tëra negociatash me kompanitë diskografike, më në fund hyri në SHBA këtë vit.