E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

”Maqedonia, e prirë nga ky pushtet, shkon në drejtim të gabueshëm. Kjo politikë e dëmshme e Gruevskit duhet ndalur para se të bëhet shumë vonë,”- thotë Cërvenkovski.
Cėrvenkovski: Nuk ka dhe as qė mund tė ketė shtete etnikisht tė “pastėrta”



Ish-presidenti dhe kryeministri maqedonas në intervistën ekskluzive për Kohën Ditore kundërshton mundësinë e ndarjes së Kosovës dhe bën thirrje për njohjen e shtetit sovran, si një realitet. Ai komenton dhe zhvillimet në Maqedoni: ”Maqedonia, e prirë nga ky pushtet, shkon në drejtim të gabueshëm. Kjo politikë e dëmshme e Gruevskit duhet ndalur para se të bëhet shumë vonë,”- thotë Cërvenkovski.


Intervistoi: Seladin Xhezairi


Zoti Cërvekovski, si ish- president dhe kryeministër, tani lider i opozitës, si i shikoni zhvillimet më të fundit në pjesën veriore të Kosovës?

Branko Cërvenkovski:Ngjarjet në pjesën veriore të Kosovës me të drejtë shkaktojnë brengosje dhe shqetësim, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Pas të gjitha atyre tragjedive të shkaktuara në hapësirën e ish-Jugosllavisë gjatë dy dekadave të fundit, asnjë gjenerator i rrezikut nuk guxon të nënçmohet dhe injorohet. Ballafaqimi me realitetin e ri, e ky është se Kosova u bë shtet sovran, është i paevitueshëm. Sa më parë që të ndodhë kjo, aq më mirë.

Thonë, nën tavolinë ka skenarë të ndryshëm, përfshirë edhe ndarjen e Kosovës. Mendoni se kjo do të ishte zgjidhje?

Branko Cërvenkovski:Mendoj se skenari për ndarjen e Kosovës është skenari më i keq i mundshëm me pasoja shumë të rënda. Çfarëdo përpjekje për ndryshimin e kufijve shtetërorë sipas parimit etnik mund t’i zgjojë strukturat radikale jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë në Evropë. Nuk ka dhe as që mund të ketë shtete etnikisht të “pastërta”. Këmbëngulja në këtë model është në esencë thellësisht antiqytetërues dhe shpie në konflikte.

A druani se ndarja eventuale mund të ketë ndonjë ndikim edhe në mesin e shqiptarëve në Maqedoni. Në fakt, dua t’ju pyes nëse ngjarjet në Kosovë mund të shtrihen edhe këtu?

Branko Cërvenkovski:Do të ishte naive të besohet se ngjarjet tek fqinjët tanë nuk mund të kenë ndikim edhe tek ne. Ky virus i përvijimit të kufijve të rinj sipas vijave etnike asnjëherë nuk është mundur në tërësi. Megjithatë, jam i bindur se qëndrueshmëria e Maqedonisë varet në radhë të parë nga kualiteti i marrëdhënieve ndëretnike, shkalla e demokracisë dhe perspektivat e vendit që do t’i hapim vetë ne. Nga mbarëvajtja e vendit dhe nga ndjenja e sigurisë dhe e perspektivës së qytetarëve të tij, varet nëse ato do të mbeten margjinale dhe pa ndikim ose do të bëhen mbizotëruese.

Po të dëgjohet opozita shqiptare në Maqedoni, shqiptarët kanë të drejtë të jenë të pakënaqur, duke filluar nga, sikurse thuhet, përdorimi kozmetik zyrtar i gjuhës shqipe dhe i flamurit e deri tek ndarja diskriminuese e buxhetit. Cili është qëndrimi Juaj?

Branko Cërvenkovski:: Me Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2001, në Republikën e Maqedonisë u krijua një kornizë e re kushtetuese-ligjore për rregullimin e raporteve ndëretnike dhe të nivelit të të drejtave dhe lirive etnike. Unë jam një ndër nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje dhe nuk e teproj nëse them, së bashku me LSDM-në, jam ndër mbështetësit dhe zbatuesit e saj më të sinqertë. Pjesa më e madhe e dispozitave të kësaj marrëveshjeje është implementuar tërësisht. Të drejtat e shqiptarëve që dolën nga ai proces, nuk janë kozmetike, por thelbësore dhe ky është fakt të cilin e pranon dhe e njeh shumica dërmuese e qytetarëve tanë shqiptarë. Akuzat e ndërsjella të partive shqiptare në Maqedoni lidhur me këto çështje janë më shumë pjesë e interesave dhe konkurrencës partiake se sa probleme serioze në raport me të drejtat etnike të shqiptarëve në vend.

Në fakt, si ish-kryeministër dhe ish-president, si e shikoni pozitën e shqiptarëve në Maqedoni?

Branko Cërvenkovski:Problemet kryesore me të cilat ballafaqohen sot shqiptarët në Maqedoni janë plotësisht identike me ato që i preokupojnë edhe maqedonasit etnikë dhe këto janë - varfëria dhe papunësia e madhe. Një e treta e popullatës sonë jeton nën pragun e varfërisë, ndërkohë që shkalla e papunësisë është mbi 32 për qind. Shëndetësia publike është në gjendje katastrofike dhe një numër i madh i qytetarëve tanë nuk mund t’i gëzojnë shërbimet shëndetësore, nuk mund t’i sigurojnë ilaçet e domosdoshme ose të paguajnë shpenzimet për ndonjë operacion të domosdoshëm. Nga ana tjetër, pushteti aktual po i shfrytëzon mjetet buxhetore për projekte joproduktive, për përmendore, skulptura dhe muze, shpeshherë i shtyrë nga motive monoetnike dhe monofetare. Gjatë disa viteve të fundit, proceset integruese euroatlantike janë bllokuar tërërsisht dhe kjo qytetarëve ua heq shpresën dhe besimin tek e ardhmja.

Zoti Cërvenkovski, të ndalemi dhe pak tek raportet ndëretnike. Nga kjo distancë, a duhet të ndodhnin ngjarjet në Bit Pazar, Reçicë dhe në Gostivar, gjatë viteve ’90-të të shekullit të kaluar kur Ju ishit në pushtet?

Branko Cërvenkovski:Kuptohet se ngjarjet e tilla as që duhej e as që guxohej të ndodhnin. Për të gjitha ato më vjen keq dhe sinqerisht shpresoj se pas të gjitha përvojave nëpër të cilat kaluam, sidomos pas konfliktit luftarak të vitit 2001, të gjithë kemi nxjerrë mësime se zgjidhja parandaluese e problemeve përmes dialogut politik është zgjidhja më e mirë e mundshme. Përdorimi i forcës, pa dallim nga cila anë vjen dhe për çfarë motivesh bëhet, akujt nuk i sjell asgjë të mirë.

Rufi Osmani, bie fjala, edhe sot e kësaj dite kërkon nga Ju që të kërkoni falje!

Branko Cërvenkovski:Sikurse thash, më vjen keq edhe për ngjarjet e Gostivarit, sidomos për ata që humbën jetën. Në ato rrethana, Qeveria në ballë të së cilës isha unë nuk zbatonte ndonjë agjendë të saj, por e zbatonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë. Nuk pritëm dhe nuk dëshiruam që ajo të ngritet në një incident të atillë të dhunshëm.

Si lider i opozitës jeni tepër kritikues ndaj koalicionit qeverisës, sidomos ndaj kryeministrit Gruevski. Cilat janë argumentet?

Branko Cërvenkovski:Nikola Gruevski dhe VMRO-DPMNE-ja tash gjashtë vjet janë në pushtet në Republikën e Maqedonisë dhe cilat janë rezultatet? Po ua them: Maqedonia është vend me varfëri dhe papunësi rekorde si dhe me nivel të ulët, rekord, të investimeve të huaja; demokracia ka prapambetur, është rrezikuar liria e medias, pavarësia e gjyqësisë nuk ekziston, kurse administrata është partizuar plotësisht; krimi dhe korrupsioni janë në çdo hap dhe në ngjitje; integrimet euroatlantike janë bllokuar tërësisht; Maqedonia e cila së bashku me Kroacinë ishte lider në rajon, sot është vend i “harruar” që nuk po ia delë të gjendet as në rend dite të samiteve të NATO-s dhe të BE-së.
Branko Cërvenkovski - kryetar i LSDM-se dhe shef i opozitës maqedonase

Megjithatë, nga qeveria flasin me plotë gojë se integrimi euroatlantik i Maqedonisë është objektiv strategjik!

Branko Cërvenkovski:Kjo është vetëm retorikë boshe. Flasin për BE-në dhe NATO-n, kurse zbatojnë politika që vazhdimisht dhe gjithnjë e më shumë i largojnë prej tyre. Nëse i lexoni raportet e fundit të Komisionit Evropian do të shihni se nga viti në vit përsëriten të njëjtat fusha dhe probleme kritike, ndërsa vlerësimet po bëhen gjithnjë e më të ashpra. Pas gjashtë vjetë të Gruevskit në pushtet, unë përfundimisht jam i bindur se ai nuk dëshiron ta shohë Maqedoninë në NATO dhe në BE, sepse nuk dëshiron monitoring të jashtëm dhe nuk don t’i respektojë rregullat dhe standardet që mbisundojnë nëpër këto struktura. Ai thjesht dëshiron të vazhdojë të sundojë me Maqedoninë sikur të jetë shtet i tij privat.

Duket se pengesë kryesore për mosintegrimin euroatlantik mbetet konflikti me Greqinë lidhur me emrin e Maqedonisë. Çfarë mendoni, si do të zgjidhet?

Branko Cërvenkovski:Konflikti me Greqinë është pengesa kryesore, por jo edhe e vetmja. Ky konflikt nga ana e pushtetit në Maqedoni shfrytëzohet shumë shpesh si pretekst ose alibi për të mbuluar prapambetjen në fushat kryesore, si në gjyqësi, administratë, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, lirinë e medias. Fundja, deklarata e komisionerit Fyle se Maqedonia edhe nëse e zgjidhë problemin me Greqinë, nëse nuk e përmirëson gjendjen në këto fusha, mund ta humbasë rekomandimin për nisjen e negociatave, është prova më e mirë për këtë. Sa i përket vetë konfliktit me Greqinë lidhur me emrin e vendit tonë, çështja kryesore është nëse ekziston dëshirë dhe vullnet i sinqertë politik tek të dyja palët për zgjidhjen e tij ose që i njëjti të shfrytëzohet për politikë të brendshme dhe për manipulim me opinionin publik. Periudha e kaluar tregoi se një vullnet i tillë nuk ekziston tek të dyja palët, me ç’rast çmimi që e paguan Maqedonia është shumëfish më i lartë se ai i Greqisë.

Çka pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Maqedoninë. Kush e ka topin tani, Shkupi apo Athina zyrtare?

Branko Cërvenkovski:Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë është i drejtë dhe objektiv. Me të u konfirmua fakti i mirënjohur për të gjithë se Greqia në samitin e NATO-s në Bukuresht e shkeli Marrëveshjen e përkohshme duke penguar aderimin e Maqedonisë në Aleancë. Mirëpo për fat tëkeq u realizuan dhe shqetësimet për të cilat ne paralajmëruam se nuk ekziston ndonjë mekanizëm që do ta detyrojë Greqinë të mos e përsërisë këtë edhe në të ardhmen. Mesazhet që erdhën nga Brukseli dhe Uashingtoni menjëherë pas aktvendimit, janë të qarta – nuk ka anëtarësim në NATO dhe fillim të bisedimeve me BE-në pa zgjidhjen e konfliktit me Greqinë dhe pa arritjen e kompromist të pranueshëm për të dyja palët. Me këtë, aktgjykimi nga Haga fiton dimension moral, por nuk e zgjidhë problemin tonë krysor – integrimet e bllokuara euroatlantike të vendit.

Gjithësesi se për zgjidhjen e këtij problemi kaq serioz edhe ju si opozitë duhet të jepni ndihmesën tuaj, e jo të prisni qeverinë e zotit Gruevski pas zgjidhjes së konfliktit ta fusni në “klubin e tradhëtarëve”...

Branko Cërvenkovski:Për këtë çështje ne si opozitë kemi qëndrim deri në fund konstruktiv, i mirënjohur ky për publikun maqedonas. Disa herë kemi thënë publikisht se do të mbështesim çdo zgjidhje që do të jetë e pranueshme për kryeministrin Gruevski, zgjidhje kjo që nuk do të prekë identitetin kombëtar maqedonas. Në vend se të përshëndesë këtë qëndrim si deri në fund të përgjegjshëm, Gruevski na shpallë “tradhëtarë” dhe prodhon ndasi të brendshme në shoqëri. Kjo është dhe një dëshmi e karakterit populist dhe joserioz të këtij pushteti.

Të thuash vite me radhë në Shkup, por edhe në Tetovë, në mesin e partive politike shqiptare, shtrohet pyetja kah po shkon Maqedonia, kah Brukseli, apo Moska. Dhe, gjithë kjo si pjesë e çështjes - kush janë në të vërtetë maqedonasit? Gjithë kjo si pjesë e projektit të debatueshëm “Shkupi 2014”...

Branko Cërvenkovski:Kjo çështje shtrohet jo vetëm në qarqet shqiptare, por dhe ato maqedonase, politike dhe intelektuale. Kohët e fundit jemi dëshmitarë të një fushate gjithnjë e më agresive mediale për krijimin e disponimit antievropian dhe antiperendimor, e sponsorizuar dhe e nxitur kjo nga partia në pushtet, kurse e zbatuar nga megafonë dhe ekzekutorë të saj medialë. Me këtë rast nuk ju thuhet qytetarëve se cila është dhe a ekziston fare alternativa serioze e integrimeve euroatlantike. Unë jam thellësisht i bindur se e ardhmja jo vetëm e Maqedonisë, por e gjithë rajonit, është në shtëpinë e përbashkët evropiane. Gjithçka tjetër është politikë e papërgjegjshme dhe aventurë që mund të na kushtojë shumë.

Ndërkohë, çfarë po ndodhë me të ashtuquajturin front opozitar. A do t’ia dilni t’i bëni për “vete” edhe partitë opozitare shqiptare?

Branko Cërvenkovski: Maqedonia, e prirë nga ky pushtet, shkon në drejtim të gabueshëm. Kjo politikë e dëmshme e Gruevskit duhet ndalur para se të jetë tepër vonë. Pikërisht për këto arsye dolëm me idenë se në një situatë të këtillë të gjitha partitë opozitare, pa dallim nga përcaktimi i tyre ideologjik ose sigla etnike, duhet të bashkohen në një front të përbashkët opozitar për ta kthyer shtetin në rrugën e vërtetë. Reagimet e para ishin kryesisht pozitive. Kuptohet se realizimi i kësaj ideje është jashtëzakonisht i vështirë, por sfida historike me të cilën po përballemi është e madhe dhe më mbanë shpresa se të gjithë liderët do ta shqyrtojnë me seriozitet këtë propozim.

Publikuar: 04.01.2012 | 13:11
Lexuar: 3454 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime