E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

"Unë pres nga Uashingtoni dhe nga vende tjera brenda BE-së që të na ndihmojnë në këtë dramë, që ta mbyllim sa më shpejtë, sepse anëtarësimi në NATO prodhon stabilitet për gjithë rajonin... Mendoj se një zgjidhje e mirë do të ishte që të arrijmë marrëveshje me palën greke që të anëtarësohemi në NATO me referencën IRJM dhe procesi të shkon përpara", thotë kreu i BDI-së Ali Ahmeti.
Drama pėr emrin, nuk kalohet pa ndėrkombėtarėt






Besim ILJAZI / KOHA

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në intervistën ekskluzive për numrin e Vitit të Ri të gazetës "KOHA" flet për pozitën aktuale dhe perspektivën e shqiptarëve të Maqedonisë, zgjidhjet për përdorimin e gjuhës shqipe, flamurit dhe amnistisë, ndërsa paralajmëron se në një afat shumë të shkurtër do të zgjidhet edhe statusi i familjarëve të dëshmorëve të ish-UÇK-së. Ahmeti njofton edhe vendosjen e gurthemelit më 17 janar të punimeve për "Sheshin Skënderbeu". Duke folur për bashkëpunimin mes partive politike shqiptare, Ahmeti thotë se është devijuar deklarata e tij për bashkëpunimin PDSH-RDK, ndërsa zbardh se pakti BDI-PDSH për zgjedhje korrekte parlamentare është iniciuar nga vet ai.

KOHA: Z. Ahmeti si e vlerësoni participimin e deritanishëm të BDI-se në Qeveri?

Ahmeti:
Kjo është një pyetje shumë e shkurtër, por që donë një përgjigje më të gjatë, për të shpjeguar pjesëmarrjen e BDI-së në Qeveri. Në radhë të parë, unë nuk jam nga njerëzit që duan lavde, por dua gjerat ti shohim në mënyrë shumë të hapur, shumë të sinqertë. BDI ka fituar mandatin absolut të shqiptarëve dhe ka legjitimitetin e plotë demokratik. Participimi i BDI-së në këtë koalicion është në dobi të shqiptarëve, jo vetëm për arsye se kemi bërë përpjekje në të kaluarën dhe të tashmen për avancimin e çështjes së shqiptarëve të Maqedoni, por në këtë mandat mund të them se janë bërë disa veprime mjaftë të rëndësishme në drejtim të avancimin të të drejtave të shqiptarëve, por edhe në drejtim të afrimit të komuniteteve. Për herë të parë në Republikën e Maqedonisë bëhet një program i përbashkët qeveritar, që duhet të llogaritet si sukses, do të thotë fuzionim i programeve të VMRO-së dhe BDI-së si dy parti fitimtare, njëra në bllokun shqiptar kurse tjetra në bllokun maqedonas. Tani më te votuesit shqiptarë nuk ka dilema se kush do të jenë veprat kapitale, sepse ato pasqyrohen në vet programin e Qeverisë. Duke filluar që nga "Sheshi Skënderbeu" e deri te participimi me financa në USHT apo ngritja e objekteve që kanë të bëjnë me kulturën në Tetovë, e kështu me radhë. Gjithashtu duhet të vlerësohet jashtëzakonisht interpretimi i Ligjit për amnisti. Për dikën kjo mund të jetë diçka e parëndësishme, por unë mendoj se kjo ka një vlerë shumë të madhe për stabilitetin e vendit, për besimin reciprok mes dy komuniteteve më të mëdha, sepse jemi ballafaquar me një situatë goxha delikate që ka të bëjë me rastet e Hagës. Gjithashtu do e vlerësoja, pavarësisht se dikush mund ti japë nota negative, sanksionimin me ligj të përdorimit të simboleve kombëtare, në këtë rast i flamurit kombëtar shqiptar, pas abrogimit në vitin 2007 nga Gjykata Kushtetuese. Kjo padrejtësi duhej të rregullohet dhe përmirësohet me ligj. Unë disa herë e kam shpjeguar, por më duhet edhe njëherë ta shpjegoj me qëllim që opinioni mos të manipulohet dhe keq-informohet për të vërtetën. As BDI dhe as Ali Ahmeti nuk kanë të drejtë morale, kombëtare dhe ligjore të zvogëlojnë flamurin kombëtar shqiptar. Flamuri kombëtar shqiptar është me dimensionet që i përcakton Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, me dekret nga presidenti i saj, ku flamuri shqiptar është në raport 1 me 1.40 njësi. Do të thotë se nuk ka asnjë ndryshim të dimensioneve, dhe i kisha lutur të gjithë ato njerëz që manipulojnë dhe dezinformojnë shqiptarët, të jenë të kujdesshëm sepse njerëzit janë të ndjeshëm kur cënohet flamuri kombëtar. Gjithashtu do e vlerësoja këtë mandat edhe për avancimin e gjuhës shqipe, pavarësisht se edhe unë jam i pakënaqur me arritjen, sepse Marrëveshja e Ohrit dhe neni VII i Kushtetutës përcakton se gjuha shqipe ka vend për përdorim edhe më të avancuar, mirëpo unë kam qenë i hapur, i sinqertë me elektoratin: kaq kemi arritur ta përparojmë gjuhën shqipe. Në mandatin që e lamë 2008-2011 u bë një hap përpara, në këtë mandat 2011-2014 është bërë hapi i dytë dhe rëndësishëm dhe çdo i zgjedhur nga Parlamenti flet edhe në gjuhën shqipe, përfshirë ministrat, Avokatin e Popullit, kryeprokurorë e kështu me radhë, por nuk është e gjitha ajo që buron nga MO dhe që buron si vullnet i shqiptarëve të Maqedonisë. Në radhë kemi mandatin pasues që vjen dhe nëse BDI sërish fiton, unë i siguroj shqiptarët se do të bëhet hapi i radhës për avancimin e gjuhës shqipe.

KOHA: Ka zëra kritik që vijnë nga opozita dhe që ju akuzojnë se Ali Ahmeti po tregohet shumë i butë karshi Nikolla Gruevskit sa i përket artikulimit të të drejtave të shqiptarëve. Cila është përgjigja juaj ndaj këtyre akuzave?

Ahmeti:
Gjërat duhet të thuhen ashtu si janë. Unë kam komunikuar me shqiptarët, dhe atë që them për shqiptarët lirisht mund të përkthehet edhe për bashkëqytetarët maqedonas. Unë nuk bëj propagandë dhe as veprimtari me standarde të dyfishta. Ndryshe të flas me shqiptarët dhe ndryshe të flas më bashkëqytetarët maqedonas, patriot i madh të bëhem me shqiptarët dhe "maçor" të bëhem me maqedonasit. Unë mendoj që kohërat e fjalëve boshe dhe pa mbulesë kanë kaluar. Sot shqiptarët e Maqedonisë kanë një agjendë shumë serioze që quhet Marrëveshje e Ohrit, me çka në tërësi rregullohen raportet mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Unë nuk dua që të bëj patriotizëm në media, sepse unë vlerësoj se sot patriotizëm është të fuqizosh USHT-në, dhe një gjë të tillë e kemi bërë. Patriotizëm është që të hapësh USHT-në Shkup, Kumanovë, Strugë, Dibër, Gostivar dhe Kërçovë. Ky është patriotizmi dhe shërbimi më i madh që mund t'u bëhet shqiptarëve, që ato të kenë dritën e syve. Për mendimin tim kjo është vepra më e madhe patriotike dhe nuk ka nevojë që unë të dal në ekran apo në ndonjë vend tjetër për tu gërvallur se sa jam patriot, sepse këto janë vepra të pashlyeshme dhe janë kapital i gjithë shqiptarëve të Maqedonisë. Nëse humb BDI pas 4 apo 8 vitesh, USHT mbetet thesar i kombit edhe për gjeneratat që do vijnë. Unë konsideroj se patriotizëm është të kultivojmë historinë tonë, me përmendoret, varrezat e dëshmorëve, shtatoret, të nderojmë heronjtë tonë kombëtar. Patriotizëm është të bësh sheshin më të madh në Shkup, "Sheshin Skënderbeu", që me 17 janar të vitit qo do hyjmë do të vendoset gurthemeli.

KOHA: Si e vlerësoni bashkëpunimin e lidhur së fundmi mes z. Thaçi dhe z. Osmani. Z. Ahmeti, a jeni edhe Ju të gatshëm si "vëlla më i madh" te uleni së bashku në interes të avancimit të të drejtave të shqiptarëve?

Ahmeti:
Edhe si filozofi, edhe si qasje, edhe si angazhim, BDI që në momentin kur u shndërrua nga UÇK në subjekt politik, vazhdoi po atë filozofi të bashkimit të njerëzve, pavarësisht se çka thuhet. Në qoftë se UÇK nuk do të donte të ulej në tavolinë dhe ti thërras subjektet e asaj kohe kjo nuk mund të ndodhte. Por ne nuk deshëm aso kohe as përçarje, por deshëm një front unik që të arrihet një marrëveshje mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Kjo filozofi u vazhdua edhe shndërrimin e UÇK-së në forcë politike. Ne morëm me shumë sinqeritet angazhimin që të afrohemi si subjekt. Fundi i fundit, katër vite po provojmë që bashkërisht të punonim në drejtim të materializimit të MO-së. Ky ishte parimi ynë dhe për këtë nuk bënim demagogji. Arritëm dhe u bë Këshilli koordinues akoma pa u formuar BDI si subjekt, me qëllim që të forcohemi politikisht si një fron më i gjerë, mirëpo kjo nuk u arrit që të mbijetojë. Dhe u prish e gjithë ajo që ishte arritur dhe që u përshëndet nga të gjithë shqiptarët si një bashkim për herë të parë që ndodhte ndër shqiptarët. Kështu që ne u detyruam të krijojmë subjektin BDI, por jo edhe duke e harruar qasjen e nevojës për një front të bashkuar si shqiptarë, pavarësisht dallimeve, por gjërat që na bashkojnë janë shumë më të mëdha se sa ato që na ndajnë. Kështu që për tu bërë bashkë nuk duhet shumë filozofi, sepse ka gjëra që mund të na bashkojnë.

KOHA: Megjithatë, fitohet përshtypja se mundë të uleni bashkë vetëm me insistimin e ndërkombëtarëve, ose së fundmi me ndërmjetësimin e Ambasadorit të Shqipërisë në Shkup, z. Arben Çejku, por jo edhe vetë?

Ahmeti:
Realisht nuk është kërkuar nga unë, as nga Ambasadori i Shqipërisë e as nga komuniteti ndërkombëtar që unë të ulem me z. Thaçi, që të bëj një pakt për zgjedhjet e lira. Këtë gjë e kam kërkuar unë dhe këtë e them për herë të parë publikisht, dhe e tregoj motivin pse kam kërkuar nga Ambasadori i Shqipërisë, pasi e kisha parasysh se çka kishte ndodhur në të kaluar me zgjedhjet. Takohem në një gazmend familjar dhe i them Ambasadorit shqiptar: dua që të takosh z. Thaçi dhe të bisedosh për të bërë një marrëveshje, për të bërë një pakt për zgjedhje të lira, sepse vlerat e një kombi shihen se si i organizon zgjedhjet. Nuk më ka ardhur mirë për gjithë ato ngjarje që ndodhën gjatë zgjedhjeve të 2008-tës, vrasje, plagosje...Dhe Ambasadori tha se me kënaqësi do e bën këtë punë, fjalën do e çojë në vend. Kështu që shfrytëzoj rastin që ta përshëndes edhe z. Thaçi që pati guximin ta pranojë këtë ftesë timen, me çka kemi njoftuar edhe ambasadorin e SHBA-ve z. Riker dhe atë të BE-së ambasadorin Soren Petersen. Ata e mirëpritën këtë gjest dhe u kam kërkuar që ato të jenë prezentë në aktin e nënshkrimit të këtij pakti. Këtë e them botërisht, sepse e vërteta ka qenë kjo që ua them tani. Dhe pakti u respektua. Mirë është që për gjëra konkrete të ketë marrëveshje sepse nuk mund të bashkohen dy programe, të ulemi tash dhe të bëjmë bashkim fizik mes BDI-së dhe PDSH-së. Ne kemi dallime në programe, sepse përndryshe do të ishim një. Kështu që unë nuk kam bërë dyfytyrësi, as cinizëm dhe hipokrizi kur kam përshëndetur bashkimin mes z. Thaçi dhe z. Osmani. Asgjë më shumë nuk kam thënë se: mirë është njerëzit kur bashkohen, por dëshiroj dhe uroj që mos bëhet ky bashkim për tu ndarë. Dhe e them edhe njëherë, nuk dua që ato të bashkohen për tu ndarë, por të bashkojnë programet, sepse është në të mirë edhe të BDI-së, edhe të shqiptarëve. Kështu që, për këtë u them se nuk kam përdorur as cinizëm e as hipokrizi, tani varet se kush si i kupton apelet, thirrjet...

KOHA: Brenda një viti arritët të zgjidhni çështjen e gjuhës, flamurit dhe amnistisë, me gjithë kritikat e opozitës shqiptare se ato janë zgjidhje gjysmake. Prej agjendës politike ka mbetur pa u zgjidhur statusi i dëshmorëve të UÇK-së. Ditëve të fundit janë dhënë sinjale se edhe kjo pikë mund të hiqet nga rendi i ditës. Si mendoni të zgjidhet, brenda ligjit aktual për pjesëtarët maqedonas të sigurisë apo përmes një ligji të veçante?

Ahmeti:
Në vitin 2008 është bërë një marrëveshje mes BDI-së dhe VMRO-së, që quhet Marrëveshja e 29 majit. Ajo Marrëveshje ka qenë publike. Në atë Marrëveshje theksohet edhe zgjidhja e këtij problemi, por konform ligjeve aktuale. Për ligj të veçantë, politikisht nuk kam patur mbështetje nga forca vendimmarrëse ndërkombëtare, sepse të jemi të sinqertë, nëse ne shqiptarët nuk i koordinojmë gjërat, politikën madhore me qendrat vendimmarrëse siç janë Uashingtoni, Brukseli, NATO, mendoj se e bëjmë gabimin e pafalshëm. Për Marrëveshjen e 29 majit, drejtpërdrejtë kontribuues, ndihmues dhe lehtësues, nuk them që kanë qenë imponues, kanë qenë Uashingtoni që është angazhuar drejtpërsëdrejti, zëvendës sekretarja e shtetit Rozmari Di Karlo dhe Daniel Frid. Sepse sigurisht pas vitit 2006, krijimi i një koalicioni VMRO-PDSH, me çka PDSH nuk kishte legjitimitetin e shqiptarëve, u krijua krizë e thellë politike sepse nuk funksiononin organet ligjvënëse të shtetit. Sepse BDI kishte në dorë çelësin e vet funksionimit të parimit të Badenterit, dhe sigurisht pa parimin e Badinterit u krijua krizë e thellë. Kështu që SHBA e kuptoi që në Maqedoni është ndryshe nga vendet e tjera ku fitimtari, d.m.th ai që fitonte mandatin, ai vendoste se kënd duhet të marrë partner për të qeverisur, por ndryshe ishte në Maqedoni, sepse Marrëveshja e Ohrit i trajton dhe i ka definuar këto probleme, sa i takon votimit dhe statusit të komunitetit jo shumicë. Kështu që, zgjidhja më e mirë u arrit apo mirëkuptimi u formuala që kjo çështje të zgjidhet në kuadër të ligjeve ekzistuese. Janë duke punuar ekipe dhe të shohim se kur do të arrihet përfundimisht të mbyllet si çështje. Nuk dua tani të zihemi për data dhe afate. Këtu ka edhe keqkuptime për statusin e UÇK-së.

KOHA: Një çështje tjetër e pashmangshme është buxheti. Shqiptarët po shprehen të pakënaqur se nuk po e marrin hisen e merituar në buxhet. Ka projekte, të gjithë pajtohen, mirëpo sikur vlerësohet se janë të pamjaftueshme. Cili mekanizëm duhet të përdoret që të arrihet kjo barabarësi, pasi edhe shqiptarët janë taksapagues të barabartë në shtet?

Ahmeti:
Është më se e vërtetë që edhe shamata kur fillon në familje fillon për shkak të buxhetit, ose për mospasje të buxhetit të mjaftueshëm. Ne jemi përpjekur që të ketë një buxhet ku ndarja të bëhet në mënyrë të drejtë, në mënyrë proporcionale. Për herë të parë është arritur të miratohet një buxhet konsensual, që reflekton programin e përbashkët qeveritar. A kemi arritur maksimumin? Jo, nuk është arritur maksimumi, por aq sa mjete janë dedikuar për investime kapitale, do të thotë nga 150 milion euro që janë, unë ju sigurojë që së shpejti, ekspertë, ministra të BDI, bashkë me kryeredaktorë të gazetave dhe televizioneve, bashkë me përfaqësues të shoqërisë civile, do të binden që nuk është e vërtetë që shqiptarët nga buxheti i Maqedonisë marrin vetëm 2 për qind ose 3 për qind, sepse përqindja reale i afrohet shumë realitetit aktual në vend. Pa dashur të futem në detaje, por do të theksoja vetëm për USHT, mandatin që lëmë pas janë investuar mbi 12 milion euro, ose për Klinikën në Tetovë mbi 10 milion euro, ose tani më projektet që filluan më 2012, vetëm Sheshi Skënderbeu do të merr mbi 15 milion euro, që është program qeveritar, Teatri Kombëtar në Shkup mbi 5 milionë euro, ose Biblioteka dhe Teatri në Tetovë. Të gjitha janë projekte qeveritare. Tani do të thoni se Nikolla Gruevski ka ndërtuar Aleksandrin e Madh, "Shkupin 2014". Duhet të bëhet një dallim te projekti Shkupi 2014, dhe të mos futen në një pako Aleksandri i Madh dhe institucionet shtetërore si muzetë ose gjykatat, që janë institucione qeveritare, sepse ato objekte shfrytëzohen edhe nga shqiptarët, por dikush mund të thotë se e ka bërë Muzeun e Maqedonisë. Po, por në atë muzeun e Maqedonisë është vendosur tashmë edhe Hasan Prishtina, do të vendosen edhe Isa Boletini, Dervish Lima, Dervish Cara, kështu që është paraqitur edhe historia e personaliteteve të rëndësishme shqiptare. Partitë opozitare, atë detyrë e kanë që të bardhën ta bëjnë të zezë, por opinioni është ai që do të vlerësojë tani, dhe do të kisha një porosi për partitë opozitare që të mos e fillojnë propagandën e pavërtetë ose shpifjen, sepse është në dëm të tyre, sepse kush e di se sa të shpifësh që nuk është e vërtetë, opinioni me vështirësi edhe ta pranon. Sa i takon buxhetit, është çështje e ndejshme dhe bëhet një bombardim i vazhdueshëm, por e vërteta është krejtësisht ndryshe.

KOHA: Deri kur BDI do te jetë tolerante për zgjidhjen e çështjes së emrit. Rreth kësaj çështje fitohet përshtypja se ju me Gruevskin bëni politikë "njëri thumbit e tjetri patkoit". Deri kur do të jeni i durueshëm dhe prej nga buron ky durim i Ali Ahmetit, përderisa edhe shqiptarët po goditen drejtpërdrejt nga pasojat e moszgjidhjes së këtij kontesti?

Ahmeti:
Sa i takon këtij problemi, ky është problem që në krye të agjendës së Republikës së Maqedonisë është vendosur tash më katër-pesë viteve të fundit. Më herët nuk ka qenë në krye të agjendës sepse RM ka qenë në negociata të vazhdueshme lidhur me standardet. Sa më afër që i jemi afruar me implementimin e standardeve, materializimit të standardeve të Bashkimit Evropian, aq më afër është edhe çështja e zgjidhjes së kontestit të emrit. Me fitimin e statusit kandidat, ka dalë në pah dhe çështja e emrit të shtetit duke u iniciuar nga vetë grekët. BDI e ka patur një nga problemet e agjendës. BDI në rend dite së pari e ka materializimin e Marrëveshjes së Ohrit, avancimin e statusit të shqiptarëve të Maqedonisë, do të thotë me prioritet numër një. Si pika e dytë është anëtarësimi i Maqedonisë në subjektet ndërkombëtare, siç janë NATO dhe BE, ashtu si dhe zhvillimi ekonomik. Do të thotë, janë katër shtyllat kryesore programore të BDI-së. Megjithatë, ne në vazhdimësi kemi biseduar, sepse ky është një problem shumë emocional edhe tek pala e bashkëqytetarëve tanë maqedonas edhe tek pala greke. Megjithatë, ne kemi insistuar që të kapërcehen dallimet mes palëve, sepse si shqiptarë nuk kemi dashur as të konfrontohemi e as të tregohemi të paanshëm ndaj bashkëqytetarëve maqedonas, se ne nuk na intereson emri i shtetit. Jo, ne na intereson emri i shtetit, pavarësisht se ka edhe shqiptarë që thonë, neve nuk na intereson. Mua më intereson, sepse ne kemi hise këtu. Ne nuk kemi dashur që të konfrontohemi, dhe të themi që ne nuk na intereson emri, e ju bëni çka të doni. Jo, na intereson. Kemi folur me miq ndërkombëtar. Të gjithë janë përpjekur që të na ndihmojnë. Ka patur përparim, si në Greqi edhe në Maqedoni. Do të thotë filloi një komunikim, filloi një afrim, fillimisht mes ambasadorëve, pastaj kryeministrave, takime pas takimi. Por, gjendja gjithnjë e më tepër vështirësohej në Greqi, me çka Greqia e hoqi nga agjenda si temë. Greqia ballafaqohej me krizë serioze, me protesta, me borxhe të mëdha, 250 miliardë euro. Këto vështirësi u paraqitën edhe në Evropë. Vet Evropa ballafaqoheshte dhe ende ballafaqohet me krizën e brendshme dhe e hoqi nga agjenda çështjen e emrit të RM-së, apo nëse do të anëtarësohet Maqedonia në BE apo jo, ishte problem që nuk ekzistonte për Evropën. Vet Evropa na sugjeronte që të merremi vesh. Po na lanë ne që të merremi vesh vet për çështjen e emrit, Maqedonia dhe Greqia, ne nuk merremi vesh asnjëherë. Unë do të jem shumë i hapur dhe i drejtpërdrejtë. Pa ndonjë ndërmjetësim ndërkombëtar, kjo çështje emocionale nuk ka përmbajtje që mund të prodhojë rreziqe, çfarëdo kompromise që të arrihet, sepse nuk cenohet as integriteti e as sovraniteti as i Republikës së Greqisë e as i Maqedonisë. Unë pres nga Uashingtoni dhe nga vende tjera brenda BE-së që të na ndihmojnë në këtë dramë, që ta mbyllim sa më shpejtë, sepse anëtarësimi në NATO prodhon stabilitet për gjithë rajonin. Çdo vonesë jashtë Evrope e Ballkanit, tregon për një Evropë jo të shëndoshë, sepse Evropa është vendi ku kanë filluar konfliktet e përmasave botërore. Mendoj se një zgjidhje e mirë do të ishte që të arrijmë marrëveshje me palën greke që të anëtarësohemi në NATO me referencën IRJM dhe procesi të shkon përpara.

KOHA: Çfarë ju premtoni shqiptarëve për vitin 2012 dhe cili është mesazhi i juaj në këtë fundvit?

Ahmeti:
Unë në radhë të parë do të doja, si çdo shqiptar, që ne të kemi stabilitet të qëndrueshëm. Për këtë BDI është angazhuar dhe do të angazhohet edhe në të ardhmen. I siguroj shqiptarët që punojmë që proceset ti çojmë përpara. Viti 2012 është viti nga më të rëndësishmit për shqiptarët. Është 100 vjetori i Flamurit Kombëtar shqiptar, është 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë. Ne krijojmë Këshillin organizativ për festimin e Ditës së Pavarësisë. Me këtë 100 vjetor i uroj shqiptarët të jenë edhe më të fortë, edhe më të guximshëm. Ky 100 vjetor është i shqiptarëve, pasi shqiptarët kanë ndërtuar shtet të ri në Ballkan-Kosovën, shqiptarët kanë ndryshuar statusin e tyre politiko-juridik në Maqedoni, Shqipëria është në NATO.
Të përpiqemi të gjitha energjitë tona ti kanalizojmë në drejtim pozitiv dhe fajin mos e kërkojmë te të tjerët, por ta shohim se sa ne punojmë për vendin tonë dhe të jemi të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm për misionet që i kemi marrë mbi vete. Unë nuk jam nga njerëzit që fajin e kërkon te të tjerët, por gjithmonë i kthehem historisë pasi kemi bërë faje në të kaluarën si komb, dhe për atë arsye u deshën edhe luftëra, por përfundimisht e drejta ka qenë në anën tonë dhe këto luftëra i kemi fituar. Dhe tash, ti jetësojmë idealet e rilindësve dhe bashkë-luftëtarëve tanë dhe proceset ti çojmë përpara, e jo të ankohemi se nuk na jepet kjo ose ajo. Nuk ka nevojë dikush të na jap, sepse i kemi fituar vetë liritë tona dhe ato duhet ti begatojmë dhe jetësojmë.

Publikuar: 04.01.2012 | 15:21
Lexuar: 4197 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime