E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Është ylli i ri i të majtës daneze që dëshiron të taksojë kapitalet financiare, të ndërtojë një bankë shtetërore dhe ta nxjerrë Danimarkën nga Bashkimi Europian.
Johanne Schmidt-Nielsen: Shpresa e danezėve







Në të gjithë Europën, partitë e së majtës duket sikur nuk mund të përfitojnë nga kriza ekonomike për t’u rikthyer në pushtet. Megjithatë këtu bëhet edhe një përjashtim: është Danimarka. Në zgjedhjet legjislative të 15 shtatorit të vitit 2011, koalicioni i udhëhequr nga Partia Socialdemokrate mundi liberal-konservatorët. Helle Thorning-Schmidt, 44 vjeçe, nusja e ish-liderit laburist britanik Neil Kinnock, ishte gruaja e parë që drejtonte qeverinë daneze. Gjithsesi për shumë të rinj danezë suksesi më i rëndësishëm ishte ai i një gruaje tjetër, 17 vjet më e vogël se Kryeministrja e re: Johanne Schmidt-Nielsen, e pagëzuar me emrin “Mbretëresha e re e Aleancës Kuq e Gjelbër”. E bukur, e zgjuar dhe radikale, Schmidt-Nielsen është pjesë e komitetit ekzekutiv të partisë dhe duket se është gati që të bëhet figura kryesore e politikës kombëtare. Sistemi elektoral i vendit është i tillë që qytetarët të votojnë për një kandidat të vetëm dhe në zgjedhjet e 15 shtatorit Schmidt-Nielsen ishte më e preferuar se Thorning-Schmidt. Ja një krahasim me politikën britanike: është njësoj sikur një militante e Partisë së Gjelbër të merrte më shumë vota se lideri i Partisë Laburiste. Pra suksesi i Schmidt-Nielsen ishte i mahnitshëm. “Mbeta vërtet e befasuar nga rezultati”, tha në një intervistë menjëherë pas zgjedhjeve. “Nuk di ç’të them. Pyesni më mirë votuesit”.

Deri në vitin 2007 Schmidt-Nielsen njihej më shumë për veprimet ekstreme të protestave sesa për aktivitetin politik: një herë hodhi 200 kilogramë makarona dhe 40 litra salcë domatesh mbi Ministrinë e Financave për të protestuar kundër prerjes së bursave të studimit. Në një rast tjetër dekoroi me tiranda të kuqe Ministrinë për Politikat Sociale, sepse kërkonte respekt për barazinë gjinore.

Është logjike që ka bërë shumë rrugë për të arritur deri këtu. Gjëja e vetme që të kujton të kaluarën e saj radikale është një piercing pranë vrimës së veshit. Gjithsesi nuk i pëlqen aspak fakti që shumë persona përpiqen t’ia atribuojnë asaj suksesin e Aleancës Kuq e Gjelbër. “Ekspertët janë habitur. Ata mendojnë se socialistët janë rritur më shumë sesa duhet. Për këtë arsye shumë votues i janë drejtuar Aleancës Kuq e Gjelbër, edhe pse nuk janë dakord me programin tonë. Thonë se njerëzit votojnë për Johanne sepse është e re dhe e bukur”.

Mes përkrahësve të kësaj teorie është edhe Michael Ulveman, zëdhënësi i shtypit i ish-kryeministrit Anders Fogh Rasmussen. Sipas Ulveman, popullariteti i Schmidt-Nielsen nuk do të zgjasë shumë: “Herët ose vonë qytetarët do të ndërgjegjësohen. Mes votuesve socialistë ka edhe nga ata që nuk e duan një figurë si të sajën. Ka shumë deputetë në Parlament me mendime ekstreme të krahut të majtë”. Gjithsesi, deputetja e re nuk e lejon veten të përfshihet nga këto deklarata. “E djathta është përpjekur të ushqejë frikën e personave kundër nesh. Kanë thënë se jam një komuniste e rrezikshme dhe se do ta shndërroj Danimarkën në një tjetër Kore të Veriut, ose në një tjetër Shqipëri. Por kjo gjë nuk funksionoi. Nuk mund të ma hedhin fajin mua për krimet e bëra në Bashkimin Sovjetik. Unë kam lindur në vitin 1984”.

Schmidt-Nielsen është e zonja që ta shfrytëzojë kartën e moshës për t’iu përgjigjur kritikave dhe për të vënë në vështirësi bashkëbiseduesit. Në vitin 2007, kur ishte 23 vjeçe, partia e saj e zgjodhi për të qenë pjesë e një debati televiziv. Në atë kohë lideri i konservatorëve, Bendt Bendtsen, i kërkoi që t’i sillte një kafe, duke menduar se ishte asistente e produksionit. Një ditë më vonë kafeja e Bendtsen tërhoqi vëmendjen e gjithë shtypit. “Nuk mendoj se do të bënte të njëjtin gabim. Kisha shumë frikë se mos bëja ndonjë figurë të tmerrshme. Jam e re e pranoj dhe do të më duhet të mësoj shumë gjëra të reja. Gjithsesi Parlamenti duhet të pasqyrojë përbërjen e shoqërisë daneze dhe në Danimarkë ka shumë të rinj. Nuk jemi të gjithë 55-vjeçarë që veshim rroba të shtrenjta dhe drejtojmë biznese të mëdha”.

Projektet politike

Tashmë Schmidt-Nielsen është pothuajse një veterane. I është futur politikës që kur ishte 15 vjeçe. “Sapo kisha mbushur 12 vjeçe kur fillova të dallohesha nga të tjerët. Në shkollë kishte shumë fëmijë që vinin nga familje të varfra. Duke parë këtë gjë filloja të mendoja se përse shkolla nuk merret më shumë me ta”. Pak kohë më vonë u bë zëvendëspresidente e shoqërisë së studentëve të shkollave të mesme, duke u prezantuar si socialdemokrate. “Kur mbusha 15 vjeçe e kuptova se socialdemokratët ishin tepër të djathtë për mua”. Më pas u bë pjesë e lëvizjes “No global” dhe ka qenë pjesëmarrëse në shumë demonstrata në Pragë, Goteborg dhe Rostok. Johanne nuk e konsideron veten ekstremiste. “Jam socialiste dhe kundër kapitalizmit. A ju duket shumë radikale kjo? Fiksimi për rritjen ekonomike nuk mund të vazhdojë më. Nuk besoj se detyra e vendeve të pasura është të pasurohen edhe më shumë. Ato duhet t’i ndajmë me të tjerët pasuritë që kanë”.

Sipas saj, fitorja elektorale është një mundësi për të shëruar vendin pas një dekade nën dominimin e së djathtës. Qëllimi i saj kryesor është shfuqizimi i ligjeve të emigracionit të vendosura nga partia e popullit, e djathta ekstreme. Në programin e saj ka objektiva edhe më radikale: ajo dëshiron të nacionalizojë sektorin e energjisë elektrike, të ndërtojë një bankë shtetërore, të vendosë taksën “Tobin” në sektorin financiar, si dhe të nxjerrë Danimarkën nga Bashkimi Europian. Ndryshe nga disa marksistë të partisë së saj, ajo pohon se nuk ka zgjidhje përfundimtare për të gjitha problemet e Danimarkës. “Nuk mund të kemi gjithçka!”.

Johanne e di se roli i saj kryesor është sjellja në Parlament e ideve të lëvizjes. Tashmë ditët e iniciativave spektakolare kanë kaluar. “Me shumë mundësi nuk do të derdhë më 200 kilogramë makarona me salcë domatesh mbi një ministri. E imagjinoni dot se sa shumë kohë duhet për t’i gatuar? Kjo gjë ka qenë vërtet e tmerrshme”.

Publikuar: 06.01.2012 | 15:57
Lexuar: 274 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime