Sot profesori mbush 80 vjeç. Ndërkohë që do të nderohet në Itali, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dedikuar një vëllim në Bibliotekën e filozofëve
E takoj Umberto Eco-n në një klub të Romës. Nën krah mban disa gazeta. Ka një pamje të çlodhur, pavarësisht festave. Është dita e Krishtlindjeve. Mëngjes. Qielli është gri. Vështrimi përtej syzeve duket ironik. Ose të paktën kështu të duket.
Mustaqet i ka të prera me kujdes, por ndërkohë në portret i vihet re një mungesë. Është mjekra me të cilën jemi mësuar ta shohim shpesh. Ndërsa e vëzhgoj, mendoj se pamja e tij pasqyron forcën e temperamentit.
Kjo do të thotë nëse do të më lejohet të huazoj një shprehje të dikujt se ai jo vetëm që ka një stil të jashtëzakonshëm, por edhe një pamje, një trup dhe një zë me një timbër të fortë dhe një mënyrë të foluri që shprehin të njëjtin stil.
Stili i Eco-s bën bashkë saktësinë dhe fantazinë. Kur flet, të zbavit, të provokon. Dhe më pas shpesh të jep përshtypjen se ajo që po thotë mund të thuhet vetëm në atë mënyrë. Sot do të mbushë 80 vjeç.
Ka lindur më 5 janar të vitit 1932 në Aleksandria. Atëherë askush nuk mund ta imagjinonte që nga ajo lindje do të kishin ardhur në jetë një mori Eco-sh, që nga Eco eseisti, shkrimtari, studiuesi i pasionuar i Mesjetës, profesori, bibliografi, romancieri, gazetari dhe eksperti i mediave dhe njeriu që ka pasion flautin. Dhe, mbi të gjitha, një Eco që është magjepsës.
Për nder të këtij përvjetori në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të dalë një libër imponues dhe paksa i veçantë, në të cilin do të lënë përshtypjet dhe mendimet e tyre shkrimtarët dhe filozofët më të mëdhenj të kohës sonë, sigurisht në lidhje me Eco-n, veprën dhe personalitetin e tij shumanësh.
Është diçka që më drithëron venat dhe pulset e trupit, thotë Eco dhe ndërkohë ti nuk e kupton nëse e ka seriozisht, apo bën shaka. Libri do të dalë në një kolanë amerikane që është në fakt një traditë ekzistuese prej 70 vitesh dhe që quhet Libraria e filozofëve të gjallë.
Janë të gjitha vëllime prej 1000 faqesh dedikuar Dewey-t, Russell, Carnape dhe më pas hap pas hapi, edhe mua. Por duhet shpejtuar se jam i moçëm dhe nëse vdes para se vepra të mbarojë, nuk do të mund të përfundojë më, sepse bëhet fjalë për filozofët e gjallë, thotë Eco.
Po ju vetë çfarë duhet të bëni për këtë libër?
Do të më duhet që të shkruaj një lloj autobiografie filozofike me rreth 100 faqe dhe kjo gjë, më lejoni tua them, më krijon shumë frikë. Më pas 25 persona do të shkruajnë nga një ese për mua, të cilave më duhet që tu përgjigjem të gjithave. Mes tyre dikush do të shkruajë edhe në lidhje me romanët e mi, sepse ata i konsiderojnë romanët pjesë të jetës sime filozofike dhe pjesë të veprave filozofike.
Kushedi çdo të thoshin sot mësuesit tuaj për ju. Meqë ra fjala, cilët janë ata persona që kanë pasur një ndikim në jetën tuaj?
Deri në moshën 11-vjeçare jam mbrujtur nga një zonjushë e mrekullueshme, zonjusha Belini, një profesoreshë e italishtes që arriti të më mësonte virtytet e shpikjeve. Në lice pata fatin që të takoja profesor Martinin. Prej tij kam mësuar në lidhje me kritikën e lirë. Dhe më pas në universitet farkëtova një miqësi të ngushtë me Luigi Pareyson. Një lidhje thelbësore, edhe pse me shumë ulje e ngritje. Po ta vini re, në të gjithë romanët e mi ka gjithmonë një personazh të ri dhe një më të moçëm që e mëson dhe i tregon rrugën të riut. Kjo është edhe një nga arsyet që më ka nxitur të jem edhe vetë profesor dhe të kem me të gjithë studentët e mi marrëdhënie shumë të përzemërta.
Përse ishte i lodhshëm raporti juaj me Pareyson?
Për një kohë shumë të gjatë punuam në harmoni të madhe. Më pas e ndjemë se rrugët tona po ndaheshin pak nga pak duke marrë drejtime të ndryshme. Thyerja erdhi jo papritur. Për 15 vjet as nuk u pamë dhe as nuk u dëgjuam. I kam dërguar gjithmonë librat e mi dhe ai më sillte vazhdimisht kartolina kortezie. Por një ditë fatet tona u këmbyen sërish dhe takimi ishte me shumë afeksion. Që nga ajo kohë jemi pranë, madje deri pak ditë para se të ndërronte jetë. Unë mendoj se nëse lidhja me dikë ka qenë e fortë dhe e bazuar në gjëra me vlerë edhe nëse për njëfarë kohe mund të pësojë thyerje, ajo do të vazhdojë gjithmonë që të mbijetojë shpirtërisht dhe në distancë pikërisht për vlerat që ka pasur. Për mua ishte një raport atëror.
Meqë përmendët këtë lloj raporti, nuk folët këtu për marrëdhënien tuaj me Valentino Bonpianin?
E kam urryer pafundësisht dhe për të njëjtin motiv e kam dashur shumë gjithashtu.
Kjo vrasja e atit përfundon gjithmonë në simbolizëm.
Është fatale dhe nuk ndodh realisht. Por më lejoni tu them se nuk i kam kuptuar kurrë disa miq të mi që donin të vrisnin etërit e tyre. Nuk kam pasur kurrë problem për tu hakmarrë ndaj tim eti.
Ju keni bërë pjesë në rininë katolike...
Isha në grupin drejtues. Ishte një kohë gjatë së cilës lexonim Jacques Maritain dhe Emmanuele Mounier.
Më pas në vitin 1954 ju nisët punë në RAI, Radio Televizionin Italian.
Po, hyra pasi dhashë një konkurs dhe duhet që të pohoj se në atë kohë realizoheshin programe jashtëzakonisht më të bukur se ato që realizohen dhe transmetohen sot. Por ambienti ishte i tmerrshëm, i drejtuar nga fashistët dhe masonët.
Po ju dhe të tjerë emra të famshëm të kohës nuk dhatë ndonjë kontribut për të ndryshuar ambientin?
Isha një i ri 22-vjeçar, një nëpunës i vogël i një ndërmarrjeje të madhe që fitonte shumë pak. E si mund ti jepte RAI një djaloshi fare të ri një pozicion përmes të cilit ai të kishte mundësi që të ndikonte?
Po çfarë bënit saktësisht në TV?
Korrigjoja tekstet e bashkëpunëtorëve tanë demokristianë duke u përpjekur që ti jepja më mirë në italisht. Merresha me provat që bëheshin për një emision fetar dhe për emisionin e famshëm Topo Xhixho. Më pas erdhi shërbimi ushtarak dhe në atë periudhë nisa që të bashkëpunoja edhe me Valentino Bonpianin. Isha 28 vjeç. Ai më besoi drejtimin e një emisioni filozofik me titullin Idetë e reja. Ishte një periudhë shumë e bukur për mua që zgjati 18 vjet.
Ju keni qenë gjithmonë shumë i vëmendshëm në lidhje me komunikimin masiv dhe me përcjelljen e ideve te njerëzit e thjeshtë.
Kam qenë i pari që kam shkruar seriozisht për karikaturat, por nuk kam menduar kurrë për shembull që romanët e mi duhet që të kuptohen nga të gjithë, kjo nuk më ka shkuar kurrë nëpër mend. Madje aq e vërtetë është kjo, sa kur mbarova së shkruari Emri i trëndafilit mendova që ta çoja për një publikim të reduktuar prej 3 mijë kopjesh.
Por ai është botuar në miliona kopje!
Tju them të vërtetën për mua ky vazhdon që të mbetet një mister, i cili është pasuar edhe nga një tjetër enigmë. Të gjithë thonë se romanët mi janë plot erudicion dhe ndoshta paksa të lodhshëm. Por fakti është se të gjithë janë shitur në miliona kopje.
I vetmi roman që ka një temë bashkëkohore dhe nuk ka asnjë grimcë erudicioni, është Mbretëresha Loana. Dhe pikërisht ky roman ka shitur më pak nga të gjithë të tjerët. Ky është gjithashtu mister për mua.
Në realitet ju jeni një shkrimtar që keni ditur të kënaqni mekanizmat e pritshmërive.
Për këtë jam i bindur edhe unë. Sikundër jam i sigurt që nëse do ta kisha shkruar Emri i trëndafilit dhjetë vjet më përpara, apo pas momentit që e shkrova, askush nuk do të ishte kujtuar për të.
Më ka bërë gjithmonë përshtypje mbrojtja që i bëni në mënyrë të vazhdueshme jetës akademike. A nuk jeni ndier një peshk jashtë ujit?
Mendoj që është ekzaktësisht e kundërta. Universiteti i mirë ia ka dalë gjithmonë që të merret dhe të prezantojë temat e mëdha studimet në lidhje me televizionin, radion.
Ju jeni marrë me filozofi, me botën akademike dhe keni grada shkencore që nënkuptojnë një punë të madhe studimore?
Është një nga kënaqësitë e mëdha të jetës sime.
Për sa i përket letërsisë, romanëve, ju shpesh keni thënë se shkruhet kryesisht për lexuesit dhe jo për veten?
Po, por për lexuesit e 2000 viteve të ardhshme.
A i detyrohen romanët tuaj në një farë mënyre kinemasë?
Në fakt i detyrohen më shumë kinemasë se sa vetë letërsisë. Gramatika, gjuha, montazhi i kinemasë të gjitha janë të jashtëzakonshme për mua dhe kanë luajtur një rol shumë thelbësor në mënyrën e konceptimit të narrativës sime. Edhe Manzoni vetë në Të fejuarit ka përdorur një gjuhë kinematografike në të shkuar, shumë kohë para se kinematografia të shpikej.
Ju keni shkruar se do të donit që të përballeshit me vdekjen duke bërë humor.
Po, sepse e qeshura është një mënyrë e mirë për të sfiduar vdekjen dhe ulur fuqinë e saj. Më pëlqen një film ku një nga personazhet para se të vdesë kërkon një kruajtëse dhëmbësh. Ky për mua është një moment sublim.
Si e keni jetuar dhe përjetuar suksesin?
Duke e mbajtur telefonin të mbyllur gjatë gjithë kohës dhe duke qëndruar sa më shumë që të jetë e mundur me të njohurit dhe miqtë e vjetër të periudhës para se të bëhesha i suksesshëm dhe i famshëm.