E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Këtë vit, “Protestuesi” u shpall “Njeriu i Vitit” i revistës “Time”. Arsyeja është shumë e qartë. Protestat në të gjithë botën ishin ngjarja kryesore, më domethënëse jo vetëm e këtij viti, por edhe e viteve që do të vijnë. Më poshtë po japim disa profile protestuesish të zgjedhura nga revista e mësipërme, në të cilën personazhet flasin për arsyet e revoltës së tyre.
Pėrse protestoj?



Këtë vit, “Protestuesi” u shpall “Njeriu i Vitit” i revistës “Time”. Arsyeja është shumë e qartë. Protestat në të gjithë botën ishin ngjarja kryesore, më domethënëse jo vetëm e këtij viti, por edhe e viteve që do të vijnë. Më poshtë po japim disa profile protestuesish të zgjedhura nga revista e mësipërme, në të cilën personazhet flasin për arsyet e revoltës së tyre.

Dr. Arthur Chen, nga Oakland

Ai është një mjek familjeje, 60 vjeç dhe një nga më aktivët në lëvizjen “Occupy Wall Street” në Oakland.

Cila ishte ngjarja që ju bëri të ishit aktivë dhe të ngrinit zërin?

Unë jam krenar të them se jam pjesë e asaj që e quajtëm 99%. Veç kësaj, kam parë shumë pacientë me të ardhura shumë të ulëta, të papunë që përpiqeshin përditë jo për të jetuar, por për të mbijetuar. Pjesa më e madhe janë emigrantë dhe kam parë jetën e tyre të përkeqësohej dita me ditë. Ne jemi duke marrë anët negative të kapitalizmit dhe mendoj se gjërat kanë dalë jashtë kontrollit.

Si vendose të marrësh pjesë në protesta?

Kam dëgjuar për to dhe lajmërimet e organizimeve në radio. Në to merrje vesh gjithçka. Ndjeva që nuk mund të rrija më dhe se duhet të shprehesha dhe të solidarizohesha.

Si ju kanë ndikuar protestat në anë të tjera të botës?

“Pranvera Arabe” ishte shumë frymëzuese. Vetëm shikimi i asaj që ndodhi në sheshin ‘Tahrir’ dhe Tunizi ta ngrinte zemrën peshë. Të rinjtë luajtën një rol të madh. Të rinjtë e Londrës dhe të qyteteve të tjera të Europës. Është një pakënaqësi dhe një valë inati kudo ndaj atyre që na qeverisin, politikave të tyre, që janë në favor të të pasurve dhe në kurriz të pjesës tjetër të popullsisë.

Cili është imazhi i protestave që e mbani mend mirë?

Vala e madhe e njerëzve të acaruar. Ata shprehnin në maksimum ankthin dhe dhimbjen për situatën në të cilën ndodheshin.

Chelsea Elliot, 25 vjeç, pjesë e “Occuppy Wall Street”

Si e patë veten pjesë e demonstruesve në “Zuccotti Park”?

Jam diplomuar në vitin 2008 dhe nuk isha e përgatitur për atë që ndodhi, por shihja rreth meje një stres të vazhdueshëm dhe vuajtje. Kjo më bëri që të dal në shesh.

Si jeni ndjerë kur pritej protesta?

Ka qenë diçka e pabesueshme. Si një frymë, si një valë. Të gjithë në një linjë. Nuk mund të mos ishe pjesë e asaj tërësie gjithëpërfshirëse. Ishim të papërballueshëm.

Si e shihni hapin tuaj të ardhshëm? Po të protestave vetë? Dëshironi që të përfshiheni në politikë apo të qëndroni jashtë saj?

Mendoj se situata politike dhe ajo ekonomike shkojnë paralelisht. Një nga problemet më të mëdha janë paratë dhe futja thellë në qeverisje e korporatave. Ndaj, mendoj se politika dhe mënyra e të bërit politikë është diçka që duhet të ndryshohet rrënjësit. Sa për lëvizjen, objektivi ynë ka qenë dhe është zgjimi i Amerikës. Kjo do të ndodhë. Gjithnjë e më shumë njerëz po zgjohen dhe po bëhen pjesë e ndryshimit.

Cilat janë planet tuaja?

Po punoj në krijimin e një grupi pune që do të ndihmojë njerëzit që të qëndrojnë të sigurt dhe ngrohtë këtë dimër. Po përpiqem edhe të mësoj sa më shumë që të jetë e mundur në lidhje me financën dhe qeverisjen ekonomike dhe të kuptoj me të vërtetë se çfarë na ndodhi.

Olmo Galvez, Spanjë

Në një farë këndvështrimi mund të thuhet se Olmo kishte lindur për të qenë revolucionar. Prindërit e tij, të dy mjekë, i vunë emrin e një protagonisti socialist të interpretuar nga Gerard Depardieu, të Bernardo Bertoluçit, “1900”. Por vetëm këtë vit ky djalë përkoi me emrin e tij. I lodhur me mungesën e mundësive në Spanjë, veçanërisht për të diplomuarit, ai u nis për të punuar në Kinë. Kur u kthye në vitin 2010, situata ishte edhe më e keqe. Për herë të parë u njoh me protestat përmes internetit. Më pas u shndërruar në organizator të protestave po përmes internetit. I është shumë mirënjohës medias sociale për organizimin e njerëzve dhe të protestave dhe ka një vlerësim shumë të keq për median në përgjithësi, atë që quhet “mainsream”, pra të linjës kryesore, e cila jo vetëm që nuk ka dhënë faktet e duhura, por edhe i ka shtrembëruar qëllimisht ato. Kur e pyesin se përse e konsiderojnë lëvizjen në sheshet e Madridit si të suksesshme, ai përgjigjet: Ne arritëm gjithçka, sepse kishim besim dhe sepse që në fillim patëm vizionin që gjithçka është e mundur.

Ahmed Harara, Egjipt

Ai është dentist në profesion. Gjatë përplasjeve të dhunshme që shpërthyen mes protestuesve dhe forcave policore egjiptiane në sheshin ‘Tahrir’, në Kajro në janar, ai humbi syrin e majtë nga një plumb gome. Por në nëntor, kur protestat u rindezën sërish, ai ridoli në shesh edhe pa syrin e tij të çmuar, sepse besonte se prania e çdokujt në këtë shesh do të sillte ndryshim.

Çfarë do të bëni me plagën tuaj?

Do të shkoj ta operoj në Europë. Mund t’i bëj një tansplant syrit.

A do të funksionojë?

Gjithçka është në dorën e Zotit. Unë do të përpiqem e në dashtë Zoti, do të bëhet. Nëse Zoti do të dojë, do të rinis që të shikoj, nëse jo, do të jetoj me këtë cen. Ajo që mësova nga kjo plagosje ishte se, një gjymtim fizik nuk ma preu hovin e shpirtit. Syri që humba në fillim të vitit nuk më mposhti dhe në nëntor dola sërish në shesh.

Përse dolët në janar në shesh?

Para revolucionit flisnim nën zë me shokët dhe thoshim se situata nuk ishte e mirë, se të varfrit po varfëroheshin edhe më dhe të pasurit po pasuroheshin pareshtur. E thoshim më pas me zë të lartë nëpër lokale dhe kafene. Unë vetë nuk kam qenë njeri që përfshihesha në sherre dhe që në fillim nuk u bëra pjesë e protestës. Vetëm kur pashë në ‘Facebook’ thirrjen: “Ky regjim duhet të përmbyset”, vendosa që të bëhem pjesë e protestës. Kur dola në shesh, nuk kishte shumë njerëz dhe mendova të kthehem. Dhe, vendosa drejtë. Kjo, sepse me kalimin e kohës pashë shumë inat dhe njerëz që mblidheshin gjithnjë e më tepër në shesh.

Cili është momenti më i paharruar për ju?

Janë dy ditë që nuk do t’i harroj: 28 janari në Egjipt dhe dita kur amerikanët “pushtuan” “Wall Street”. Prej këndej, nga Egjipti u shpalos parulla për drejtësi sociale dhe amerikanët kishin gjithashtu nevojë për të. Unë jam i mendimit që ky lloj kapitalizmi, që i ngjan një kazinoje gjigante, duhet hequr përfundimisht. Të drejtat tona janë shkelur rregullisht në ciote dhe ne jemi “rrjepur të gjallë” në të gjitha drejtimet.

Cili është mësimi më i rëndësishëm që keni marrë nga revolucioni?

Sheshi ‘Tahrir’ ishte i mbushur nga mijëra e mijëra njerëz që qëndruan aty derisa ndërhyri ushtria. Ata i jepnin shpresë njëri- tjetrit dhe të gjithë evenits e jeta mund të ndryshojë për mirë. Duke qenë se ne jemi shumë njerëz emocionalë dhe shumë të dhënë ndaj stabilitetit dhe paqes, menduam që t’i besonim ushtrisë që të merrej me drejtimin e fateve të vendit dhe kështu shkuam në shtëpi. Por ndërkohë që pjesa më e madhe u largua, 2000 deri në 3000 vetë qëndruan në shesh për t’i kërkuar llogari ushtrisë. Kjo e fundit nisi që të ushtronte dhunë dhe represion ndaj tyre. Nuk i fajësoj njerëzit që u larguan, sepse i besuan ushtrisë, por ata ndërkohë morën një mësim të mirë për naivitetin e treguar dhe tashmë atyre pak vetave që qëndruan në shesh nisën që t’i shtoheshin mijëra të tjerë sërish, derisa shkuan në një milion, sepse ndërsa koha kalonte, të gjithë e shihnin se ishin gabuar në zgjedhjen që kishin bërë për ushtrinë. Mendoj se është shumë e vështirë që një ndryshim të jetë rrënjësor, por jo e pamundur. E keqja është me shumë shpirtra dhe me shumë kokë. Mund të presësh njërën, por të tjera do të dalin. Kjo ndodhi edhe me Egjiptin. Iku një diktator e pas tij dolën shumë të tjerë. Megjithatë, jam optimist se një ditë e mira do të triumfojë.

A do të vazhdojë revolucioni?

Ajo që po ndodh që nga fillimi i vitit është në mrekulli: frika është duke u zhbërë pak nga pak. Edhe ushtria nuk ka më atë fuqi dhe egërsi para popullit, që kishte në vitet ’70. Gjërat po ndryshojnë për mirë.

Natalia Klosaa dhe Antonis, nga Greqia

Natalia është 41 vjeçe. U takua me Antonis, 33 vjeç në ditën e dytë të protestave të mëdha në Athinë, në sheshin ‘Sintagma’. Më pas u bënë çift, por përfshirja e tyre në protesta nuk ka qenë pa një kosto. Antonis rrëfen se si njerëzit, burra të moçëm, vinin dhe qanin në protestë. Ja si e tregon ajo historinë e saj: Unë jetoja në jetë të dyfishtë me punën time. Punoj në një bankë dhe puna ime është kundër çdo lloj parimi. Bankat, në shumë mënyra janë armiket më të mëdha në krizat ekonomike. Unë punoj në sektorin e komunikimit dhe mora disa ditë leje që të përfshihesha në protestë. Me Antonis u takova në 26 maj. Njiheshim edhe më përpara se të binim në dashuri. Vetë jam një njeri shumë racional kur bëhet fjala për ndjenja dhe nuk doja që të përfshihesha emocionalisht me njeri, për më tepër në demonstratë. Por Antonis më bëri që të ndryshoja mendim. Një natë ai u ndje shumë keq nga gazi lotsjellës dhe e ftova që të flinte në shtëpinë time, në duvan dhe kështu ramë në dashuri. Unë kam qenë një njeri që kisha kohë që e ndieja që gjërat nuk po shkonin mirë në vend dhe kam dashur gjithmonë që të bëja diçka. Grekët dhe njerëzit në përgjithësi janë altruistë, por edhe shumë egoistë, dhe këto dy ndjenja i bëjnë njerëzit që të dalin në një protestë dhe është e natyrshme. Në sheshin e protestave kam bërë shumë miq për kokë. Miq që besojnë në të njëjtat vlera, që kemi të njëjtin moral dhe ide për botën, njerëz mendjehapur. Që nga ajo kohë kam hequr dorë nga miqësitë sipërfaqësore dhe lidhem me njerëz tek të cilët përkas. Ky është një nga mësimet më të mëdha që kam marrë nga protestat.

Mamaja e martirit të Egjiptit, Mannoubia Bouazizi

Pasi djali juaj u dogj i gjallë për t’i dhënë fillim protestave në Tunizi, si jeni ndjerë dhe ku keni qenë në atë periudhë?


Unë punoj në fusha, mblidhja ullinj. Ditën e gjëmës mora një telefonatë nga një i afërm, që më pyeti se ku isha. I thashë se isha në punë. Ai më tha se im bir, Mohamed nuk ishte mirë, se ishte pak sëmurë. Askush nuk më tha menjëherë të vërtetën. Shkova menjëherë në spital dhe u trondita kur e pashë, sepse nuk po e kuptoja situatën. Ishte e tmerrshme të ikje në atë mënyrë.

Protestat nisën menjëherë pas vdekjes së djalit tuaj nga djegiet që i shkaktoi vetes në shenjë proteste?

Dy ditë më pas, të premten. Ishin madhështore.

Cili ishte mesazhi i Mohammad Bouazizit? Çfarë mendoni se mësuan prej tij arabët?

Për shumë vite njerëzit jetonin të zhytur në korrupsion, përçmim, shpërfytyrim. Mesazhi ishte që çdo njeri që ndihet i kërcënuar në thelbin e jetës së tij, që vuan për shkak të padrejtësive të mëdha të qeverisjes, duhet që të rebelohet, duhet të thotë ‘mjaft’, ‘jo’. Dinjiteti është më i rëndësishëm se buka. Mohamed, shqetësimin e tij të parë, kishte dinjitetin.

Si ndiheni që emri i familjes suaj u bë kaq publik?

Jam krenare për tim bir dhe nuk kam më frikë. Nëse një nëne i humbet djali, për çfarë tjetër mund të ketë frikë ajo? Kishte kohë që ndihesha e vdekur dhe në atë moment, sado të dhimbshëm, ndjeva se u zgjova.

Si keni ndryshuar si person gjatë kësaj periudhe?

Falënderoj dhe lëvdoj Zotin, duke u lutur vazhdimisht për shpirtin e tim biri. Kërkoj mëshirë për shpirtin e tij dhe për atë të të gjithë martirëve. Vendi im ndryshoi prej tyre. Tunizia është më e lirë. Njerëzit mund të flasin, të mbrojnë veten, të ankohem. Unë jam e lumtur.

Si e përballoni humbjen e djalit tuaj?

Kam qarë shumë. E kam goditur veten deri sa më dhembte edhe vetë kocka. E shoh tim bir në ëndërr, por tim bir e kam me vete. Ai është mes nesh.

Publikuar: 07.01.2012 | 15:43
Lexuar: 3402 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime