Nejse! Se di ai sa mirë është të jesh shqiptar. Të vishesh kuq e zi! Edhe të kënaqesh duke brohoritur O sa mirë me qenë shqiptar, o heeej! Edhe fqinjët plasën krejt! Krejt bota po na përmend!
Fadil Lepaja
Robert De Niro tashmë e ka deklaruar përkatësinë e tij etnike shqiptare, përderisa George Clooney nuk ka deklaruar diçka të ngjashme. Nuk dihet pse ende nuk e ka bërë këtë. Ndoshta, sepse nuk ndihet shqiptar. Ndoshta, sepse nuk është shqiptar! Me gjasë, duhet të jetë kjo e dyta. Nuk është shqiptar. Askush nuk i ka faj!
Në vigjilje të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, kush identifikohet me dikë që as nuk i shkon ndërmend të deklarojë të jetë shqiptar, ky gjithsesi se është një minus i madh. Jo veç për shefin! Ky ndoshta është minus edhe për Clooneyn! Kur ka mundur Toni Blair të deklarojë se ndihet shqiptar, përse të mos e bëjë edhe ai?!
Nejse! Se di ai sa mirë është të jesh shqiptar. Të vishesh kuq e zi! Edhe të kënaqesh duke brohoritur O sa mirë me qenë shqiptar, o heeej! Edhe fqinjët plasën krejt! Krejt bota po na përmend!
Në dukje të parë, kjo mund të merret si humor, por në fakt kjo duket sikur është veç një strategji promovuese dhe mënyrë e provuar për krijimin e imazhit të ri për figurat tona politike, apo publike. Për ti bërë më simpatikë! Më të pranueshëm. Por, si duket tregu ynë nuk po i ha me aq lezet këto rofe! Apo, ndoshta, krejt kjo nuk është menduar të jetë një lojë për tregun tonë.
Në fund të fundit, kush na pyet ne. Shumë mendojnë se votimet janë bërë tashmë veç një aktivitet formal për të legjitimuar fituesin, i cili dihet qysh në diskutimet e para të shoqërisë civile, e cila aktivizohet disa muaj para zgjedhjeve. Pastaj, edhe nga debatet televizive, ku krejt qartë deklarohet se si do të rrjedhin gjërat. Nëpër zonat e debatit, analistët të kompleksojnë me saktësinë e parashikimeve të veta.
Krejt i dinë. Edhe nëse në rrethin e parë nuk dalin rezultatet e parashikuara, kjo gjithsesi në fund do të ndodhë përmes korrigjimeve të ndryshme, qoftë në balotazh, qoftë nga gjykata. E ne si popull u pa që jemi të pamarrë vesh! Nuk këqyrim debate, veç seriale. Ata po rrejnë më hijshëm.
Por, të kthehemi te tema. Derisa për versionin lokal të George Cooneyt kemi llafosur në kolumnet e tjera, sot do të trajtojmë thashethemet lidhur me figurën publike të versionit lokal të Robert De Niros. Se kjo na erdhi këto ditë si intervistë e përkthyer nga mediet gjermane. E përkthyer! Përgjegjësinë për pasaktësitë eventuale e mbajnë përkthyesit.
Robert De Niro, me zërin e tij të shterur dhe lëvizjet e kontrolluara, përfshirë seriozitetin dhe modestinë, duket të ketë diçka e cila është vlerësuar se do të ngjallte simpati te ne. Plus, tipi ka deklaruar që është me prejardhje shqiptar.
De Niro kosovar, përndryshe vitet e pasluftës konsiderohej eminenca gri e jetës publike në këtë vend. Ai konsiderohej si njeriu që i lëviz penjtë nga prapaskena dhe njeriu i cili di shumëçka për ngjarjet e dhembshme të para, gjatë dhe pasluftës, për të cilat shumë qytetarë të këtij vendi sot kërkojnë qartësi. Dhe përgjegjësi.
Askush nuk e di ku përfundon SHIK-u e ku fillon partia apo ku përfundon partia e fillon SHIK-u kështu deklaronte para disa vitesh një njohës i mirë i rrethanave në rrethin e ngushtë të kreut të partisë më të madhe opozitare të atëhershme. Hija e Lulit është prezente në çdo vendim të rëndësishëm. Krejt nyjat e partisë i mbajnë njerëzit e Lulit. Ata e bëjnë një lidhje të natyrshme në mes të vijës së luftës (ish-drejtorisë politike dhe vijës së komandantëve), të të burgosurve politikë dhe të rinjve idealistë.
Krejt asociacionet besohej se koordinoheshin nga kjo qendër. Madje, edhe opozita! Kështu nuk mendonte vetëm ai.
Sot, kjo parti është në pushtet. Shefi rrotulloi gëzofin dhe mori përpjetën politike. Përpjeta politike e kryeqeveritarit të sotëm filloi kur ai u përkul mbi varrin e ish-presidentit.
Me çka premtonte pajtim. Një nga kushtet po ashtu kishte qenë edhe shpërbërja e shërbimit inteligjent, të cilin e formoi Qeveria e Përkohshme. Por, kjo nuk arrihej të bëhej, sepse asnjë forcë në pushtet nuk pranon të degradohet pa kompensim. Kompensimi u gjet në formën e punësimit të tyre në nyjat kyçe të sistemeve, aty ku është vendimmarrja, informata dhe paraja. Edhe kjo u bë! Pastaj shpërbërja u bë, së paku formalisht! U deklarua se ky kishte qenë një formacion kombëtar dhe jopartiak, i cili ishte në shërbim të shtetit dhe se nuk kishte kurrfarë lidhje me partinë e shefit.
Tash, pas shpërbërjes formale, nuk flitet më për këtë. Sot (ish)udhëheqësit e SHIK-ut janë deputetë në listën e partisë për të cilën nuk kishin punuar kurrë. Apo, ndoshta, as sot nuk punojnë, sepse disa herë publikisht është shprehur dyshimi se organet e partisë nuk kanë asgjë në dorë. Por, kjo është punë e tyre e brendshme.
Udhëheqësi formal i shërbimit kombëtar, edhe pse po përflitet për një kyçje të shpejtë në parti, madje në majat e saj, duket se ende është duke i rezistuar tundimit. Ndoshta, po e kupton që mund të jetë lojë për ta djegur publikisht. Pastaj, ka edhe dilema të tjera. Me hyrje në politikë bëhet i përgjegjshëm formalisht.
Duhet të përgjigjet në shumë pyetje që mund të jenë të pakëndshme, e ndoshta edhe të rrezikojë dikë që dikur e kishte aleat?!
Përndryshe, për të flitet të ketë ruajtur ende modestinë dhe idealizmin e vet. Prandaj, thonë se heziton. Apo ka edhe dilema të tjera? Hyrja në PDK ndoshta paraqitet me probleme, sepse konteston vetë shefin. Shkuarja në ndonjë parti tjetër është po aq me probleme. Për të formuar parti tjetër? Vështirë!
Ambiciet e disa figurave të tjera të cilat e sfidonin shefin janë rehatuar qoftë me djegie publike, qoftë me marrëveshje pragmatike, apo kush e di çfarë mënyre tjetër.
Kurrkush se di çfarë pasojash sjell hyrja në politikë e De Niros! Sidomos për George Clooney!
Dikush nën zë flet për luftën mes Evropës dhe Azisë në qenien politike te shqiptarët. Ka pasur edhe diskutime të rëndësishme rreth identitetit. Diçka e ngjashme me dilemën Evropë apo Rusi, të cilën e kanë serbët!
Kjo mbase po merr trajtat dhe rrjetëzimin e vet edhe në rrafshin politik?! Depërtimi i frymës aziatike ka qenë i dukshëm nën këtë qeverisje!
A po paraqitet alternativa politike brenda saj?
Çfarë thoni ju: George Clooney apo Robert De Niro? Është divorc politik apo hyrje në një fazë të re që kërkon lojë me dy krena? Si shqiponja, të cilën, në emër të patriotizmit e hoqën nga flamuri. Me shqiponjë nuk po na blen kurrkush!
Është kjo vetëm edhe një farsë mediale apo një përpjekje serioze e projektuar për tu rikthyer në kursin evroperëndimor? Tani për tani veç rrethi i ngushtë i tyre e di të vërtetën. Ne, nëse asgjë tjetër, ndoshta kjo lojë mediale do të na tregojë kush është vërtet shefi në këtë tandem aq shumë të përfolur!?