The Obamas (Obamat), libri i gazetares Jodi Kantor, që do të dalë nëpër libraritë amerikane të martën e ardhshme, por që u soll paraprakisht nga New York Times, tregon historinë e një personeli presidencial të ndarë dhe tek-tuk dashakeqës, që shpeshherë ishin në konflikt me Zonjën e Parë, sidomos gjatë dy viteve të para të presidencës Obama.
Kopshti biologjik i mbjellë nga Michell Obama në oborrin e Shtëpisë së Bardhë nuk u projektua vetëm për të nxitur një fushatë kundër obezitetit te fëmijët, për ti bindur ata që ti rikthehen ushqimeve të shëndetshme natyrore, por ka qenë edhe gjest politik në përpjekje për të ndihmuar bashkëshortin e saj. E gjitha kjo ka qenë një mënyrë për të shfryrë inatin për heqjen dorë nga të gjitha liritë e saj personale, si dhe urrejtje kundër këshilltarëve cinikë të presidentit (kjo është mënyra e saj e të parit), që e detyruan të shoqin të hiqte dorë nga idetë e tij fisnike dhe shumë premtime të bëra gjatë fushatës së vitit 2008.
The Obamas (Obamat), libri i gazetares Jodi Kantor, që do të dalë nëpër libraritë amerikane të martën e ardhshme, por që u soll paraprakisht nga New York Times, tregon historinë e një personeli presidencial të ndarë dhe tek-tuk dashakeqës, që shpeshherë ishin në konflikt me Zonjën e Parë, sidomos gjatë dy viteve të para të presidencës Obama. Libri na pasqyron një Michell me personalitet të fortë dhe aq e kujdesshme si nënë, saqë vendosi të mos transferohej në Shtëpinë e Bardhë në janar të vitit 2009, pas betimit të Barackut, por të qëndronte me të bijat në Chicago, deri sa të mbaronte viti shkollor. Duke qenë mes dy zjarresh, të shoqit dhe vajzave, ajo vendosi të shkonte në Shtëpinë e Bardhë me mendimin se do të ndihmonte edhe bashkëshortin. Natyrisht që nuk do të ndërhynte në zgjedhjet politike të presidentit, por do ta mbronte nga cinizmi i një personeli, që dukej i gatshëm për çdo kompromis duke shkelur edhe parimet, në mënyrë që të fitonte një betejë taktike.
Që në fillim, armiku numër një i Michellës ka qenë shefi i kabinetit, Rahm Emanuel. I fuqishëm, i pacipë, i mësuar me një gjuhë shumë vulgare. Në sytë e Zonjës së Parë ai ka qenë gjithmonë një dështak. Ajo që ia shtoi edhe më shumë urrejtjen kundër këtij njeriu ishte çështja e reformës në shëndetësi, prej momentit të miratimit të së cilës ra imazhi i presidentit. Michelle nuk është takuar kurrë me Rahm, por ia ka transmetuar porositë e saj përmes të shoqit. Emanuel, edhe pse është zemëruar me trysninë e Michellës ndaj tij, i qëndroi larg asaj: i është bërë mësim që në kohën e Bill Clintonit, ku pas përplasjes me Hillaryn, për pak sa nuk humbi punën.
Kur në pranverën e vitit 2010 dyshimet e shprehura nga Emanuel për reformën në shëndetësi përfunduan nëpër gazeta, shefi i kabinetit i paraqiti dorëheqjen e tij presidentit, i cili ia refuzoi. Pas pak muajsh, Rahm kandidoi për postin e kryetarit të bashkisë së Chicagos dhe me mbështetjen e Barackut, u zgjodh. Bashkë me të, doli në skenë edhe zëdhënësi Robert Gibbs, një tjetër rival i Michellës, që ndërhynte jo vetëm në zgjedhjet e familjes, por edhe në veshjet dhe se ku duhet ti kalonte familja pushimet. Michelle i përjeton këto ndërhyrje si përzierje të bezdisshme.
Është e sigurt se libri do të shkaktojë polemika. E djathta ka gjasa që ta sulmojë dhe ta shfaqë Michellën si Lady Macbeth, e cila ndikon te një president pa personalitet. E majta liberale do të shohë te ajo një heroinë që kërkon të shpëtojë shpirtin e presidentit. Suzan Sher, ish-shefja e stafit të zonjës Obama, tregon për autoren e librit: Michell mendon se humbja e zgjedhjeve nuk është gjëja më e rëndë që mund të të ndodhë. Më e rëndësishmja është të jesh vetvetja.
Në lidhje me librin, zëdhënësit e Shtëpisë së Bardhë janë shprehur kështu: Gjërat e shkruara në atë libër janë dramatizime të lajmeve që i kemi ditur më parë, të përziera me opinionet personale të një gazetareje që ka pasur vetëm lajme të dorës së dytë, duke qenë se nuk ka folur as me presidentin, e as me Michellën. Në fakt, në libër nuk ka rrëfime të bujshme, por Kantor, që e ndjek prej vitesh Shtëpinë e Bardhë, ka intervistuar 33 bashkëpunëtorë të presidentit, përfshi këtu edhe krahun e tij të djathtë, David Axelrod dhe vetë Emanuelin.
Përveç polemikave, forca e librit qëndron në portretin njerëzor dhe politik të Michellës: izolimi i pushtetit, pamundësia për tu kthyer në shtëpi, në Chicago dhe për tu takuar me miqtë e vjetër, mos-kontaktimi me gazetarët, gjë që për familjen Obama do të thotë humbje e kontaktit me botën. Tani Zonja e Parë po përgatitet për fushatën e re elektorale, ku do të mbështesë Barackun në një betejë që do të jetë tepër e vështirë.