Ky konkurs është ndërkombëtar, dhe si i tillë në të kanë të drejtë të marrin pjesë artistë dhe arkitektë shqiptarë kudo që jetojnë dhe punojnë, artistë dhe arkitektë të huaj, studio skulpture shqiptare dhe te huaja.
Pas rreth dy muajsh pritet të shpallet monumenti fitues kushtuar 100-vjetori të Pavarësisë, ndërkohë që ende nuk është përcaktuar sheshi se ku do të vendoset në kryeqytet.
Sipas burimeve në Galerinë Kombëtare të Arteve, brënda muajit shkurt pritet të ketë një bashkëpunim mes GKA dhe Bashkisë së Tiranës që të përcaktohet vëndi ku do të vendoset monumenti i 100-vjetorit të Pavarësisë.
Ky konkurs është ndërkombëtar, dhe si i tillë në të kanë të drejtë të marrin pjesë artistë dhe arkitektë shqiptarë kudo që jetojnë dhe punojnë, artistë dhe arkitektë të huaj, studio skulpture shqiptare dhe te huaja.
Sipas burimeve nga MTKRS, arsyeja se përse për një vepër kombëtare mund të konkurrojnë artistë nga e gjithë bota, konsiston në zhvillimin e një konkursi sa më të gjërë e të larmishëm. Me qëllim njohjen dhe shpërndarjen e informacionit për këtë konkurrim, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe GKA, njoftimi i konkursit u është përcjellë edhe përfaqësive diplomatike dhe rrjeteve artistike të diasporës.
Drejtori i GKA-së, Rubens Shima, në një prononcim për mediat, shprehet se nuk ka ndonjë kriter specifik për realizimin në skulpturë të veprës monumentale, por zgjedhja artistike është lënë në duart e artistëve. Është menduar që vepra monumentale të jetë e përmasave të mëdha, të cilat do të përcaktohen në momentin e vendosjes së sheshit, në ku do të vendoset ky monument.
Dorëzimi i veprave do të bëhet pranë GKA-së, duke filluar nga data 27 shkurt e deri në datën 2 mars, ndërkohë që shpallja e fituesit të Konkursit do të realizohet nga Juria në datë 9 mars.
Kjo vepër kushtuar 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së shtetit shqiptar do të inaugurohet në 28 nëntor të këtij viti. Pas aprovimit të bocetit, realizimi i veprës monumentale mund të jetë i derdhur në bronz apo beton, i gdhendur në gur ose mermer si dhe në teknika të tjera të përziera. Çdo artist apo studio skulpture nuk mund të marrë pjesë me më tepër se dy modele konkurruese.
Konkursi për veprën monumentale është shpallur në datën 23 dhjetor të viti të kaluar, pak ditë pas shpalljes edhe të konkursit për logon kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo e fundit ende nuk është përzgjedhur nga Komisioni Shtetëror, të cilit i janë prezantuar gjashtë variante.