Kam përshtypjen se kohëve të fundit ka filluar një garë se kush do të gjejë më shumë argumente për të na bindur se sa shqiptarët qenkan të diskriminuar në Maqedoni.
Bujar OSMANI
Kam përshtypjen se kohëve të fundit ka filluar një garë se kush do të gjejë më shumë argumente për të na bindur se sa shqiptarët qenkan të diskriminuar në Maqedoni. Me gjasa të mira për ta fituar çmimin e parë është një titull që e lexova në një gazetë të para disa muajve ( besoj e inspiruar nga ndonjë deklaratë e opozitës) ku thuhet: Asnjë shqiptar nuk mori shpërblimin 23 Tetori. Fillova të mendoj se çfarë hataje paska ndodhur , por shpejt mu kujtua se kjo është dita e e revolucionit maqedonas dhe, pse të mos e pranoj, pak si me ironi komentova se sigurisht do gjej edhe ndonjë titull Kisha Ortodokse Maqedonase diskriminon shqiptarët: nuk u dërgon ftesë për në drekën e Krishtlindjeve te kryepeshkopi i KOM-it!.
Është ky një trend që po përcillet në disa media dhe te disa opinionistë kur vlerësojnë politikën vendore. Një qëndrim viktimizues, një qëndrim vetë-nënçmues për shqiptarët, një vlerësim që unë e quaj vlerësim me thjerrëza të gabuara. Mendoj se problemi qëndron në atë se rezultatet e evolucionit vlerësohen me dioptrinë e revolucionit. Po mundohem ta paraqes pikëpamjen time mbi këtë tezë.
Ndryshimet shoqërore ndodhin nëpërmjet dy proceseve: revolucionit dhe evolucionit. Edhe pse nga aspekti fonetik duken të ngjashme, në kuptimin e tyre politik dhe social, gati gjithmonë përdoren si antiteza absolute. Evolucionin, si sinonim i zhvillimit të vazhdueshëm dhe gradual disa e shohin si antagonist të revolucionit i cili, nga ana tjetër, nënkupton ndryshime të menjëhershme me përmasa dramatike. Të tjerët thonë se të dy proceset janë të njëjta, por dallojnë për nga koha e zhvillimit të tyre. Unë mendoj se janë komplementare me njëra tjetrën. Sidoqoftë, mungesa e evolucionit shoqëror domosdo përfundon me revolucion, përfundimi i të cilit nënkupton më pas fillimin e një evolucioni të ri, tani me rregulla te reja të lojës. Rezultatet nga revolucioni janë të prekshme ndërsa trendet e evolucionit janë jolineare dhe me këtë edhe jo aq mbresëlënëse, në shikim të parë. Të mirat nga revolucionet e suksesshme janë të menjëhershme, kënaqin pritjet e njerëzve, kurse ato nga evolucioni janë të ngadalshme, të fragmentuara në kontekstin kohor dhe hapësinor, të pamjaftueshme në momente për të kënaqur pritjet që herë-herë shkakton pakënaqësi, duke harruar se këto janë emocione që dalin nga eksperienca e mësuar me rezultatet e revolucionit.
Le të analizojmë këto njëzet vite të Maqedonisë së pavarur. Periudha para 2001 karakterizohet me një mungesë ose stagnim të evolucionit sa i takon pozitës dhe statusit të shqiptarëve të Maqedonisë. Dhe këtu nuk dua të debatoj mbi arsyen dhe fajin por vetëm të konstatoj një gjë të tillë. Besoj se shumica dërmuese e shqiptarëve ndajnë vlerësimin se ndryshimet pozitive apo lëvizjet, në këtë drejtim, asokohe ishin minimale, ameboide, bile në momente edhe retrograde sa që krijuan brumin e nevojshëm, vullnetin dhe vizionin për një revolucion që do ti lëkund raportet e deri atëhershme shoqërore për të krijuar kornizë të re për një progres të mirëfilltë. Bazat e revolucioneve janë gjithmonë masat e gjëra, njerëzit e rëndomtë, të pakënaqur, të dëshpëruar dhe të gatshëm për të thënë mjaft më!.
Qëllimi është gjithmonë - një shoqëri ideale, drejtësi, siguri ekonomike dhe sociale, mirëqenie apo paqe. Dhe, krejt natyrshëm revolucioni ndodhi, 2001-shi, ndryshimet e mirënjohura dramatike të një shoqërie, të një kushtetute që konsiderohej e pathyeshme e që, sikundër kishte vlerësuar dikush atëbotë, ishte gjenerator krize.
Rezultatet ishin shumë të prekshme: brenda natës u thye frika, u kthye dinjiteti, u paraqit në horizont shpresa. E gjithë kjo i rriti dukshëm pritjet e qytetarëve në aspekt të drejtave që u takojnë, ndryshoi botëkuptimet e njerëzve se mundeshka edhe më mirë, edhe më tepër, u ngrit shumëfish pragu i satisfakcionit. Ajo që dikur na dukej ëndërr, tani duket krejt e natyrshme dhe e zakonshme.
Por revolucioni nuk mjafton, ai vetëm hap rrugën, vë themelet të cilat, më pas, i ndërton evolucioni. Në evolucion, bazat nuk janë më masat e gjëra por individët, programet janë më të planifikuara, por shumë të shkallëzuara, të fragmentuara, më reale, më pak ideologjike, pre e kompromiseve të shumta dhe prandaj perceptimi nga opinioni është më i zbehtë, më frustrues. Të marr disa shembuj konkret: Legalizimi i Universitetit Shtetëror të Tetovës ishte pjesë e revolucionit (ndryshim i menjëhershëm dhe dramatik, ashtu siç e jep definicioni), rezultati ishte tani dhe i pashëm, ushqim për sensorët e pritjes, por etablimi i mirëfilltë i tij, konsolidimi, ngritja e cilësisë, disperzimi është veçmë evolucion. Rezultatet nuk janë këtu dhe tash, është proces shkallë-shkallë andaj kërkon durim, përkushtim, përpjekje të vazhdueshme dhe kjo është rruga e vetme. Revolucioni e themelon, evolucioni e ndërton. Njëra pa tjetrën nuk shkojnë, janë të domosdoshme, janë komplementare. Përpjekjet evolutive në këtë rast nuk na japin atë ndjenjën e kënaqësisë për rezultate këtu dhe tash, por ndryshe sbën.
Zyrtarizimi i gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyrtare në vend ishte hap revolucionar që na e bëri atëbotë zemrën mal, ama evolumi i implementimit të tërësishëm është proces i rëndë, realizohet me mekanizma krejtësisht tjera, evolutive, shkallë-shkallë, ditë për ditë, tullë mbi tullë. Rezultatet nuk janë të përditshme por po të ndalemi në periudha të caktuara do ti vërejmë qartë dallimet.
Të instalosh në institucionet shtetërore mijëra e mijëra administratorë, policë, ushtarakë, ekspertë është akt revolucionar por ti fusësh të gjithë ata në funksion të interesit qytetar është proces i gjatë i dhimbshëm dhe i ngadalshëm. Ndarja territoriale ishte revolucion, por decentralizimi është evolucion dhe këso shembujsh ka shumë.
Ajo që dua të them nuk është se thjerrëzat që duhet ti përdorim duhet të jenë rozë për ti mbuluar ngecjet apo gabimet, por duhet ti përdorim ato të duhurat për të bëre vlerësime dhe kritika objektive të cilat do jenë në shërbim të korrigjimit, përmirësimit e jo të përhapim defetizëm, pesimizëm e dëshpërim. Me të drejtë dikush do thotë, këta nuk dinë të kritikojnë, por veç të ankohen!. Rujna Zot!