Intervistë me drejtorin e Institutit të Shëndetit Publik ISHP të Republikës së Maqedonisë, Ass. Dr. Shaban Memeti
Instituti i Shëndetit Publik ISHP i Republikës së Maqedonisë është institucioni më i lartë parandalues në vend. Cila është në të vërtetë veprimtaria e tij?
Veprimtaria e Institutit të Shëndetit Publik ISHP ka të bëjë kryesisht me: aktivitet kërkimore-shkencore, eksperto-konsultative, metodologjike dhe aktivitet mësimdhënëse në fushën e shëndetit publik; vlerësimin e rrezikut shëndetësor nën ndikimin e faktorëve të ambientit rrethues, faktorët e rrezikut të lidhur me sjelljen dhe mënyrën e të jetuarit, kërkime në fushën e shëndetit publik dhe të statistikës shëndetësore dhe evidencën në shëndetësi, sëmundjet ngjitëse dhe jo ngjitëse duke përfshirë dhe përgatitjen për raste urgjente. Në laboratorët e virologjisë që ne e posedojmë bëhet diagnostikimi laboratorik i sëmundjeve virale siç është p.sh. gripi i derrit ose encefaliti nga virusi i nilit perëndimor. Kemi nënshkruar kontratë për bashkëpunim me fakultetet e mjekësisë në Shkup, Shtip dhe jemi në biseda për bashkëpunim edhe me Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit Shtetëror të Tetovës USHT.
Instituti i Shëndetit Publik ISHP i ofron ndihmë profesionale Ministrisë së Shëndetësisë për përgatitjen e planeve afatmesme dhe afatgjata për shëndet publik, duke përfshirë edhe programet për shëndet publik në fushën e shëndetit, promovimin e shëndetit, skrining të popullsisë, ndjekjen dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse dhe jo-ngjitëse.
Instituti i Shëndetit Publik ISHP merr pjesë në zbatimin dhe koordinimin e masave të shëndetit publik në rast të epidemive dhe emergjencave të tjera, së bashku me ministritë e tjera dhe organizata në pajtim me ligjin për Menaxhimin e Krizave, aktivitete në lidhje me detektimin, vërtetimin dhe kontrollin e pranisë së mundshme të agjentëve biologjikë, kimik në ushqim, ujë ajër etj, monitorimin, radioaktivitetin dhe aktivitete të ngjashme. Instituti i Shëndetit Publik ISHP merr pjesë në bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e shëndetit publik, siguron të dhëna për shëndetin në organizatat ndërkombëtare në përputhje me ligjet e vendit.
Në ISHP janë të punësuar 140 punëtorë të rregullt dhe 40 punëtorë me marrëdhënie pune të përkohshme me profile të ndryshme: mjekësi, farmaci, inxhinieri kimike dhe mekanike, fizikë bërthamore, profesorë e docentë, asistentë etj. Të gjithë këta ushtrojnë aktivitetin e tyre në pesë sektorët: epidemiologji, ekologji shëndetësore, mjekësi sociale, kontrollin e barnave, sektori i përgjithshëm dhe dy qendra për laboratorët referentë dhe për përpunimin statistikor të të dhënave shëndetësore, publikimin dhe edukimin. Instituti i Shëndetit Publik ISHP e koordinon punën profesionale në 10 qendra tjera të shëndetit publik ne vend, shërbime të tjera hijeno-epidemiologjike me rreth 500 punëtorë dhe së bashku me ata të institutit do të thotë se rreth 700 punonjës punojnë momentalisht në preventivë.
Zotëri drejtor, ju njëherësh jeni kirurg dhe asistent në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup. A ju sjell probleme kjo në drejtimin e Institutit të Shëndetit Publik ISHP?
Përkundrazi, unë si kirurg jam mësuar ti ndaj punët shpejt dhe thjeshtë, e cila ma lehtëson punën për marrjen e vendimeve. Kam formuar një ekip profesional prej profesorësh eminentë dhe ekspertë me të cilët i diskutojmë çështjet e ndryshme dhe të gjitha vendimet për Shëndetin Publik në vend, sillen në bazë të kritereve të bazuara në të dhëna. Unë isha mësuar të kem një pacient dhe si kirurg ta operoj, kurse në shëndetin publik në vend pacientë janë tërë popullata, të gjithë qytetarët. Kjo është një sfidë shumë e madhe për mua, por kjo nuk më bën të heq dorë nga kirurgjia e fëmijëve ku vazhdimisht operoj, sigurisht tani me intensitet më të vogël për shkak të aktiviteteve të tjera në lidhje me menaxhimin dhe drejtimin e institutit, ku puna ime si drejtor dhe vendimet që unë duhet t`i marr kanë një përgjegjësi jashtëzakonisht të madhe.
Zotëri Memeti, cilat janë sëmundjet më të shpeshta nga të cilët vuajnë dhe vdesin pacientët në vendin tonë?
Morbiditeti dhe mortaliteti (apo sëmundshmëria dhe vdekshmëria) janë pjesë e jetës njerëzore, por qëllimi është gjithmonë se si duhet të jetojmë më shumë vite dhe me shëndet të plotë. Kjo do të thotë të zvogëlohet morbiditeti dhe mortaliteti nga sëmundjet që mund të parandalohen, por për aq sa është e nevojshme dhe trajtimi efektiv dhe kujdesi. Në segmente të caktuara të shëndetit, qytetarët e vendit tonë janë më pak të shëndetshëm në krahasim me qytetarët që jetojnë vendet e Bashkimit Evropian BE.
Sëmundjet e qarkullimit të gjakut janë shkaku kryesor i vdekjeve në Maqedoni, me rreth 58% të numrit të përgjithshëm në vitin 2010. Mortaliteti i përgjithshëm nga neoplazmat malinje si shkaktari i dytë domethënës për vdekjen gjithashtu është rritur në dekadat e fundit, dhe kjo nga 140/100000 më vitin 1991, deri në 165/100000 në vitin 2010. Dëmtimet dhe helmimet janë shkaku i tretë për vdekjen. Sëmundjet respiratore zënë vendin e katërt, gjatë të cilave bronkiti, emfizema dhe astma përbëjnë 60% të tyre. Në dallim nga shumica e sëmundjeve kronike, fëmijët dhe të rinjtë janë shpesh viktima të aksidenteve dhe të dhunës. Të dhënat tregojnë se lëndimet gjatë trafikut rrugor përfshijnë 50% të të gjitha lëndimeve të cilat shkaktojnë vdekje tek fëmijët dhe adoleshentët.
Shumica e studimeve tregojnë se rreziqet në mjedisin rrethues përbëjnë 25 35% në peshën e sëmundjeve në nivel global. Kurse sëmundjet më shpesh të regjistruara tek fëmijët dhe tek të rinjtë janë sëmundjet respiratore, pastaj vijnë ato kardiovaskulare, gastrointestinale sëmundjet ngjitëse etj. Grupet e popullsisë që janë në rrezik nga varfëria janë të papunët, familjet të pafavorizuara me ndihmë sociale, pensionistët dhe bujqit. Familjet me numër më të madh anëtarësh në zonat rurale, veçanërisht ato që nuk kanë anëtarë të punësuar, janë identifikuar si grup me rrezik të veçantë, së bashku me të papunësuarit në ambientet urbane. Varfëria ka një ndikim të madh në lidhje me gjendjen shëndetësore të popullsisë dhe në lidhje me shërbimet shëndetësore.
Në të njëjtën kohë keni dhe lidhje profesionale me Organizatën Botërore të Shëndetësisë - OBSH. Si rrjedh bashkëpunimi me to?
Në kuadër të kontratës dyvjeçare midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ekspertët nacional të Institutit të Shëndetit Publik ISHP, në bashkëpunim me ekspertët e OBSH jashtë shtetit, iniciojnë dhe realizojnë aktivitetet e ndërmarra në fushat të cilat definohen si prioritare.
Instituti i Shëndetit Publik ISHP dhe unë si drejtor, jemi Qendër kontakti nacional sipas Ligjit për Shëndet Publik për realizimin e legjislaturës shëndetësore ndërkombëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë - OBSH. Unë isha dhe drejtori i parë i një instituti nacional për shëndet publik i 53 vendeve anëtare të rajonit evropian të OBSH-së i cili ishte pritur në takim zyrtar nga drejtoresha e OBSH-së për Evropë, Suzan Jakob, vitin e kaluar, ku biseduam dhe u morëm vesh për projekte të përbashkëta për bashkëpunim më të ndërsjellët.
Instituti ynë nga OBSH-ja është caktuar si Qendër rajonale e 9 vendeve të Ballkanit për realizimin e shërbimeve të shëndetit publik dhe në rrjedhë janë aktivitetet për hapjen e zyrave të tyre. Planifikojmë më tutje që kjo të jetë Qendër ku do të përgatiten projekte për 9 vende me qëllim përmirësimin e shërbimeve dhe forcimin e kapaciteteve. Është nderë i madh që na është dhënë ky privilegj dhe duhet të punojmë shumë për të siguruar besimin e dhënë. Me zyrën e OBSH-së në Shkup kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm kurse bashkëpunëtorët tanë i kryejnë në mënyrë të përkryer detyrat që i kemi ne si shtet anëtar.
A bashkëpunoni me organizata të tjera ndërkombëtare, cilat janë ato dhe në cilat fusha?
Instituti i Shëndetit Publik ISHP është qendër referente rajonale e Asociacionit Ballkanik për Mbrojtjen e Mjedisit me qendër në Selanik, Greqi. Në rrjedhë janë bisedimet të cilat i udhëheqim me palën greke për përfshirjen edhe të Kosovës në këtë asociacion dhe për fillimin e një projekti i cili do të mbështetet nga Qeveria e SHBA-ve. Instituti i Shëndetit Publik ISHP është qendër kontakti me Qendrën Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve me qendër në Stokholm, Suedi. Gjithashtu jemi Zyra nacionale e Kodeksit Alimentar, e FAO dhe OBSH, trup informativ i Organizatës Botërore të Tregtisë etj. Po ashtu, ISHP ka një bashkëpunim të shkëlqyer me të gjitha institutet e shëndetit publik të vendeve fqinje, posaçërisht me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Institutin e Shëndetit Publik të Shqipërisë. Bashkëpunim të shkëlqyer kemi edhe me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik dhe Mjedisit të Holandës RIVM.

Drejtor, çfarë mendoni për shëndetësinë në vend?
Kujdesi shëndetësor në Maqedoni është relativisht i arritur (gjeografik, ekonomik dhe kohor) deri tek popullata, pasi realizohet në një rrjet të shpërndarë në institucionet shëndetësore, me të cilën është e mundësuar rreth 90 % e popullsisë të fitojë shërbime shëndetësore për më pak se 30 minuta. Sistemi shëndetësor përbëhet nga tre pjesë: primar, sekondar dhe kujdesi shëndetësor në nivel terciar. Ashtu si dhe në vendet e tjera edhe në Maqedoni sistemi shëndetësor orientohet drejt mbrojtjes shëndetësore primare, si bazë e sistemit në të cilin kërkohet kontakti i parë me mbrojtjen shëndetësore në të cilin realizohet pjesa më e madhe e nevojave shëndetësore të popullsisë.
Pacientët që kanë nevojë për kujdes shëndetësor në nivel më të lartë, mjeku i mjekësisë primare i drejton në poliklinika apo spitalet për diagnostikim dhe trajtim adekuat. Rrjeti i institucioneve shëndetësore në nivel sekondar është zhvilluar me dallime të caktuara në kapacitete hapësinore dhe sigurim me kuadro dhe mjete. Dhe pavarësisht se ekziston një rrjet për institucionet shëndetësore, prapë sistemi nuk funksionon si një sistem i integruar dhe i koordinuar.
Shkaku i parë është se sistemi është i fragmentuar. Së dyti mjeku familjar në shumicën e rasteve nuk siguron kujdes gjithëpërfshirës dhe nuk llogaritet si një lojtar kyç i sistemit. Së treti, nuk ekzistojnë rregulla të mjaftueshme dhe stimulime për ruajtjen adekuate të portave të sistemit dhe drejtimin adekuat në nivelet më të larta të piramidës shëndetësore, si rezultat numër i madh i pacientëve trajtohen në vendet e papërshtatshme. Është e nevojshme reforma e cila është në rrjedhë e sipër, por duhet të ketë edhe vizion. Unë qëndroj në dispozicion dhe të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Qeverisë nëpërmjet Institutit për të bërë një analizë tërësore të shëndetësisë tani kur ka edhe shumë spitale private dhe të ofrojmë zgjidhje nacionale të cilat do të çojnë në kujdes shëndetësor më efikas për pacientët tanë.
Si të mbrohemi nga këta faktorë të rrezikut që janë të shumtë në mjedisin rrethues, siç ishte dhe ditët e fundit për ndotjen e ajrit apo gripi në ditët e dimrit që vijojnë?
Shumë aktivitete të shëndetit publik siç janë promovimi i shëndetit, kontrolli mbi sigurinë e ushqimit, shëndetit dhe sigurisë në vendin e punës, kontrolli i sëmundjeve ngjitëse dhe jo-ngjitëse, kontrollin e rreziqeve të shëndetit si dhe ndotjen e ambientit dhe të ajrit, nga vetë natyra janë aktivitete ndërsektoriale, përkatësisht përfshijnë ministri dhe institucione të ndryshme. Megjithatë, një bashkëpunim i tillë ndërsektorial për mbrojtjen e shëndetit publik ende nuk është zhvilluar mirë si rezultat i asaj që funksione të ndryshme kryhen në nivel më të ulët se ai optimal. Vendimet janë më shpesh jashtë sektorit të shëndetësisë.
Domethënë, arritja e një shëndeti më të mirë për të gjithë qytetarët lidhet dhe me faktorë të ndryshëm, ashtu siç janë ndikimet social-ekonomike dhe ndikimet e mjedisit rrethues. Për të arritur shëndet më të mirë është e nevojshme bashkëpunimi ndërsektorial. E nevojshme është dhe parandalimi por edhe promovimi i mënyrës së shëndetshme të të jetuarit. Gjithashtu ne të gjithë duhet të ndihmojmë veten tonë dhe të respektojmë rekomandimet e mara nga mjekët.
Duhet kushtuar rëndësi parandalimit primar të këtyre sëmundjeve, duke mbajtur dhe promovuar shëndetin (mënyrë e shëndetshme e të jetuarit, ndalim të pirjes së duhanit, aktivitet i rregullt fizik etj.) si dhe në kujdesin sekondar dhe terciar. Në kuadër të kujdesit sekondar dhe terciar do të përmirësohen kushtet për zbulimin e hershëm, në kohë dhe trajtimin adekuat si dhe rehabilitimin e të sëmurëve në institucione shëndetësore adekuate për të siguruar jetesën cilësore.
Duhet të përmirësohen kushtet për kujdesin shëndetësor, zbulimin e hershëm dhe sëmundjet cerebrovaskulare, si dhe rehabilitimin e përshtatshëm të të sëmurëve nga këto sëmundje.
Në kushtet e ndotjes së ajrit, kemi parë se shuma e grimcave mbi 10 mikron (PM10) në periudhën e kaluar ishin dukshëm mbi nivelet maksimale të lejueshme. Me qëllim mbrojtjen e shëndetit të popullsisë për shkak të sasisë së rritur të pluhurit në Shkup, me propozim të Institutit të Shëndetit Publik - ISHP, Qeveria rekomandoi lëvizjen e kufizuar në natyrë të fëmijëve, të të moshuarve si dhe të pacientëve me sëmundje respiratore, kryesisht ata që vuajnë nga astma, si dhe personat që kryejnë aktivitet në natyrë siç janë p.sh. punëtorët që punojnë në ndërtim.
Sa i përket gripit, sezoni i tij po vjen. Duhet ti largohemi hapësirave të mbyllura dhe kontakteve me shumë njerëz. E rëndësishme është dhe ajrosja e shpeshtë e ambienteve në shtëpi. Hapje për një periudhë të shkurtër të dritareve për hyrjen e ajrit të freskët, i cili pastaj lehtë do të ngrohet. Të lahen shpesh duart. Të konsumohen perime dhe fruta të pasura me vitaminë C. Nëse tashmë ka ndodhur sëmundja atëherë është e rëndësishme takimi me mjekun familjar dhe marrja e terapisë. Unë vetë rekomandoj që pacientët të mos marrin antibiotikë pasi nga përdorimi i tyre mund të ketë më shumë efekte negative se sa ato pozitive.
Për fund do të kisha një pyetje të një natyre më tjetër. Sa gjen aplikim përdorimi i gjuhës shqipe në ISHP-në që ju drejtoni?
Ju të gjithë e dini se gjuha shqipe, sipas Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë është gjuhë e dytë e zyrtare. Unë bëj përpjekje të vazhdueshme që gjuha shqipe të përdoret në të gjitha nivelet e ISHP-së, duke nisur nga botimet shkencore dhe profesionale, raportet e ndryshme të shëndetit publik në vend, ueb-faqen zyrtare të institutit, komunikimin me institucione të ndryshme në vend dhe jashtë etj.